Albspirit

Media/News/Publishing

Vizita e Shtrausit në Tiranë në 1984: Takimi me Manush Myftiun, më i vështirë se me Mao Ce Dunin

Libri më i ri i Prof. Dr. Paskal Milos, “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane” (Toena) pretendon të sjellë një histori të plotë të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, që në gjurmët e tyre të para e deri sot.

Media boton nga libri i Milos, pjesën ku flitet për vizitën e kryeministrit të Bavarisë Franz Josef Shtraus më 1984. Janë informacione, të dhëna dhe dokumente e fotografi që dalin për herë të parë para publikut.

NGA PASKAL MILO

“Armiku – mik” Franz Josef Straus
Në një prej ditëve të para të korrikut 1984 në ambasadën shqiptare në Vjenë ra një prej zileve të shumta të telefonit. Në anën tjetër të receptorit një zë i panjohur u paraqit si këshilltari i kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauß. Habia e diplomatit shqiptar ishte e padyshimtë, por ajo u bë edhe më e madhe kur këshilltari kërkoi që njeriut të fuqishëm të Bavarisë dhe të Gjermanisë Federale t’i akordohej një vizë turistike kalimi nëpër Shqipëri nga Jugosllavia në Greqi për muajin gusht.

Ambasada shqiptare në Vjenë e përcolli menjëherë kërkesën në Tiranë. Në Ministrinë e Jashtme as që bëhej fjalë që të jepej përgjigjja për vizë. Diplomatët shqiptarë u udhëzuan ta përcillnin këtë kërkesë në heshtje. Askush nuk guxonte t’i jepte vizë personit që Enver Hoxha e kishte cilësuar para disa viteve si “përkrahësin më të vendosur të nazizmit hitlerian e një nga militaristët më të egër gjermanë”. Fjalor tipik komunist i Luftës së Ftohtë.

Në fakt, Strauß ishte një nga personalitetet më të fuqishme të jetës politike të pas-Luftës në RFGJ, kishte qënë në vite ministër federal për çështjet atomike, për mbrojtjen e për financat, kryeministër i Bavarisë që nga viti 1978 dhe kryetar i CSU që në 1961. Në zgjedhjet federale të vitit 1980 ishte kandidat për kancelar i CDU – CSU përballë Helmut Schmidt-it të SPD. Dhe së fundi në vitet 1983 – 1984 kryente dhe detyrën e kryetarit të Këshillit Federal, ku merrnin pjesë përfaqësues të qeverive të landeve të RFGJ.

Strauß ishte partner e rival i Helmut Kohl-it, kritik i vrazhdë i Ostpolitikës së Brandt-it dhe me lidhje të fuqishme me korporatat e mëdha gjermane. Ishte siç shkruan një nga biografët e tij më të fundit “një personalitet kompleks, jo i çliruar nga kundërshtitë, i kontestueshëm në detaje, ishte impresionues në tërësi por as shenjt e demon siç ai thoshte për vehte”.

Dhe më tej, kundërshtia për të “i ka rrënjët jo vetëm në tendencën e tij për polemikë, në temperamentin e tij vullkanik, në agresivitetin e tij, por edhe në mbrojtjen prej tij me vrull dhe vendosmëri të objektivave politike… Ai e paraqiti vetveten si një burrë shteti i pjekur politikisht, me koncepte të forta e mendime largpamëse. Pak janë luftuar si ai, për pak të tjerë ekzistojnë kaq shumë klishe në qarkullim dhe shpeshherë ai vetë jepte shkas për to”. Ishte siç e portretizon Willy Brandt në kujtimet e tij “sundimtar dhe rebel”.

Pikërisht se ishte kaq këmbëngulës për të arritur objektivat e tij nuk u tërhoq para heshtjes “diplomatike” shqiptare. Ambasada shqiptare në Vjenë përcolli disa herë mesazhet e këshilltarit të kryeministrit bavarez në Tiranë për vizë. Dhe më në fund akulli u thye.

Atë e vendosi njeriu i plotfuqishëm në Shqipëri, Enver Hoxha, i cili siç bënte ngricat në marrëdhëniet me jashtë, bënte dhe shkrirjen e tyre. I ndodhur në Pogradec, Hoxha u njoftua për kërkesën e Strauß, të cilën e vlerësoi se “nuk është e rastit, as thjesht turistike”.

Vendosi ta shfrytëzojë për të dërguar një mesazh në Bon se ishte për normalizimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me RFGJ, se “nazisti” dhe “militaristi” i djeshëm ishte i mirëpritur në Shqipëri jo vetëm për kalim transit, por edhe për të qëndruar një ditë për ta njohur atë. 1Kështu, pas kësaj drite jeshile, pasaporta diplomatike me numër 25146 G e Strauß u vulos në ambasadën shqiptare në Vjenë me një vizë tranzit që skadonte në 6 shtator.

Strauß pranoi të qëndrojë dy ditë në një vizitë private në Shqipëri që u caktua në 17-19 gusht. Ai shfaqi dëshirën që të takonte Enver Hoxhën, por përgjigjja nga Tirana ishte se do të pritej prej njërit nga personalitetet shqiptare. Qeveria shqiptare e përgati në sekret të plotë këtë vizitë. Në shoqërinë e zëvendësministrit të Jashtëm, Sokrat Plaka e të kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. Aleks Budës, Strauß gjatë dy ditëve, vizitoi Krujën, Durrësin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën e Butrintin. I vetmi takim zyrtar që bëri ishte ai me zëvendëskryetarin e Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu, në 18 gusht.

Kryeministri bavarez mbeti i kënaqur nga vizita, por si një “turist politik”, siç u shpreh ai, u tregua i kujdesshëm që të mos kapërcente vijën zyrtare të Bonit në marrëdhëniet me Shqipërinë. Strauß në mënyrë konfidenciale do të shprehej se, “takimi i tij me zëvendëskryeministrin shqiptar ishte më i vështirë se ai me Mao Ce Dunin në Pekin”. Ai u ndesh me kërkesën shqiptare për dëmshpërblimet e Luftës dhe përsëriti thuajse të njëjtat argumente si qeveria e Bonit, se përse ato nuk mund të pagueshin si të tilla. Por Strauß e la derën e hapur kur deklaroi se “pas sqarimit që më bëtë sot, unë mendoj se problemi mund të diskutohet” dhe se forma mes të cilës u zgjidhën pretendimet e Jugosllavisë “më duket një mundësi ose një bazë për bisedime”. Premtoi se do të bisedonte me kancelarin Kohl e me ministrin e Jashtëm Genscher “pa publicitet” për sa pa e bisedoi në Shqipëri.

Hoxha mbeti i kënaqur nga rezultatet e vizitës së Strauß-it. Vizita u ndoq me shumë interes edhe në Bon. Ajo u konsiderua si surprizë në shumë kancelari evropiane e ndërkombëtare dhe u dha mundësi edhe hamendësimeve të ndryshme për qëllimet e saj. Shtypi gjerman e ai botëror e shoqëruan me komente të gjera.

Qarqet e huaja diplomatike në Tiranë u befasuan nga vizita rreth së cilës nuk kishin arritur të merrnin asnjë informacion më parë. Ambasadori italian, Francesco Carlo Gentille e cilësoi diplomacinë shqiptare si “diplomaci misterioze ku sekreti është bërë sëmundje”, ndërsa ambasada franceze u shpreh e shqetësuar që nuk kishte mundur të siguronte asnjë lajm për qëndrimin e Strauß-it në Shqipëri.

Diplomatët e komentuan vizitën si një lëvizje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimeve, por pati disa që panë te ajo “diçka më shumë se të zakonshme”. Këtu hynin vlerësime të tilla, se vizita e një personaliteti politik nga më të fuqishmit të Gjermanisë Perëndimore në Shqipëri fliste “për një hapje politike” të saj, “për një lëvizje të amerikanëve” ose si “ndërmjetës për të pajtuar Shqipërinë me Jugosllavinë”.

Vizita e Strauß-it vuri në lëvizje edhe Ministrinë e Jashtme në Bon. Genscher jo rrallë sfidohej nga iniciativat e Strauß-it në politikën e jashtme, veçanërisht me udhëtimet e tij të shpeshta në vendet e Lindjes komuniste. Ministria e Jashtme dëshironte ta mbante iniciativën në duart e saj për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Prandaj Noebel në Vjenë, në tetor i deklaroi homologut shqiptar se në Bon ishin në pritje të përgjigjes për takimin e dytë të përfaqësuesve të të dy ministrive deri në fund të vitit ose në janarin e vitit të ardhshëm. Udhëheqja shqiptare duke e quajtur të përshtatshme momentin pas vizitës së Strauß-it në Shqipëri, nisur nga proverbi se “hekuri rihet sa është i nxehtë”, nxitoi të propozojë që takimi të zhvillohej brënda gjysmës së parë të nëntorit. U vendos që delegacionet të takoheshin në Vjenë në 9 nëntor.

Bisedimet e Vjenës nuk sollën progres në gjetjen e kompromisit. Gjermanët ishin kategorikë kundër pagimit të dëmshpërblimeve “qoftë edhe në rrugë të tërthorta” sepse e ndalonte marrëveshja e Londrës. Ata propozuan arritjen e marrëveshjeve në fushën ekonomike, të industrisë e të shkencës e atë tekniko– shkencore. Përmes tyre, u theksuan ata, “Shqipëria mund të shikojë edhe mundësinë e lidhjeve më të ngushta me Tregun e Përbashkët Evropian”.

Kryetari i delegacionit gjerman, Braunmühl e bëri shumë të qartë se “dera për pagimin e dëmshpërblimeve për ne është e mbyllur” dhe “po ashtu edhe derë tjetër nuk ka”. Ai i ofroi përfaqësisë shqiptare dhënie të kredisë në kushte lehtësuese si në rastin e Jugosllavisë në vitet 1972 e 1974, ose trajtimin e Shqipërisë me statusin e një vëndi në zhvillim.

Strauß, pavarësisht se bisedimet nga pala gjermane i udhëhiqte Ministria e Jashtme vazhdoi të tregoj një interes aktiv për Shqipërinë e për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vëndeve. Ai nuk i qëndroi manjanë as zgjidhjes së çështjes së dëmshpërblimeve të Luftës. Atij i takon thënia plot përmbajtje se “fantazia e njerëzve mund të gjejë rrugëzgjidhje për mënyrën e zgjidhjes dhe për shumën që duhet të caktohet nga të dyja palët”.

Qasja e Strauß-it ndaj Shqipërisë sigurisht që nuk ishte sentimentale as edhe romantike, ndonëse nuk kishin munguar edhe elemente të tilla të shprehura në takime zyrtare e private. Strauß ishte antikomunist par exellente, por kjo nuk e pengoi atë si burrë shteti të bënte një gjest protokollar e tu dërgonte autoriteteve shqiptare telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985.

Shqipërinë, ai e shihte si politikan me një vizion më të gjërë që ai kishte për të gjitha vëndet e bllokut komunist, veçanërisht në Evropë, një strategji për afrim gradual dhe integrim në Bashkimin Evropian. Si një politikan aktiv e kryetar i CSU, Strauß zbatonte Ostpolitikën e tij që ishte temë qëndrore në RFGJ e që ndikonte në aspiratën e ligjshme gjermane të ribashkimit të kombit e të vendit.

Strauß si idustrialist dhe si aksioner kishte edhe interesa të mëdha ekonomike e financiare në Lindje dhe ato përfaqësonin një nga boshtet e politikës së tij lindore. Afrimi me Shqipërinë u shoqërua edhe me nxitjen prej tij të tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik, të mjaft kompanive e të biznesmenëve të fuqishëm për të shkuar e për tu lidhur me këtë vend. Kryeministri i Bavarisë u bë pikë referimi sidomos për kompanitë bavareze, të cilat pas vizitës së tij në Shqipëri filluan të tregohen shumë aktive për të zhvilluar tregti me të.Ai propozoi edhe hapjen e një zyre tregtare shqiptare në Mynih.

Me iniciativë të Strauß në shtator Shqipërinë e vizitoi sekretari i shtetit për ekonominë e transportin i Bavarisë, George von Waldenfels. Ai u tha autoriteteve shqiptare se këndvështrimi i kryeministrit të Bavarisë për çështjen e dëmshpërblimeve ishte “që të futemi në mënyrë më praktike kësaj teme se sa në të kaluarën dhe të gjejmë një rrugë, gjatë së cilës të dyja palët do të ruanin fytyrën”.

Strauß përmes Waldenfels përcolli mesazhin se ai ishte i gatshëm që të ndërhynte pranë qeverisë së Bonit dhe të influenconte për të gjetur rrugën e zgjidhjes së problemit. Sekretari i shtetit i Bavarisë bëri disa propozime konkrete për zhvillimin e tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik me këtë land dhe ftoi një nga autoritetet shqiptare që në muajin nëntor të vinte në Mynih për tu takuar e shkëmbyer mendime me Strauß.

Rekomandimi u prit me interes dhe udhëheqja shqiptare caktoi Sofokli Lazrin, që të takonte Strauß-in në Mynih. Platforma e bisedimeve u diskutua dhe u miratua nga Ramiz Alia, tashmë pasuesi i Enver Hoxhës. Takimi me Strauß u bë në 18 nëntor. Lazri në thelb nuk paraqiti ndonjë element të ri nga qëndrimi i njohur i qeverisë shqiptare.

Strauß përsëri në stilin e tij të drejtëpërdrejtë bëri disa propozime interesante. Ai gati kishte fituar statusin e këshilltarit të qeverisë shqiptare. Qëndrimi i tij ishte sa realist aq edhe pragmatist. Zgjidhjen e problemit të dëmshpërblimeve e shihte në kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit ekonomik. Ato, theksoi kryeministri bavarez, nuk mund të pagueshin si të tilla por “ajo që do të japim ne është një dhuratë pajtimi nga ana e Gjermanisë në drejtim të Shqipërisë”.

Strauß premtoi të ndërhyjë pranë qeverisë federale dhe ministrisë së jashtme në Bon për të diskutuar “privatisht” kërkesat shqiptare e në rrugë sekrete. Ai nënvizoi edhe njëherë handikapin shqiptar të Kushtetutës që ndalonte marrjen e kredive. Kërkoi t’i dërgohej lista e objekteve që Shqipëria mund t’i kërkonte qeverisë federale për t’u financuar. Unë, deklaroi Strauß në përfundim të bisedës, “nuk jam i fjalëve të shumta dhe pa bukë. Ato që bëhen them se bëhen, ato që nuk bëhen them se nuk bëhen”.

Gati një muaj më vonë pasi u miratua nga qeveria shqiptare, atij iu dërgua një listë e gjatë me objekte industriale e paisje që nga hidrocentrale, uzina, fabrika të ndryshme e deri në makineri, paisje e mjete të transportit rrugor e hekurudhor. Lista jepte përshtypjen se në Tiranë mendohej se ishte bërë deti kos. Por mund të ishte hartuar edhe me idenë që të kërkohej shumë e të merrej më pak.

Optimizmi i matur i kryeministrit të Bavarisë nuk ishte pa baza. Në Ministrinë e Jashtme në Bon kishte filluar të fitonte terren idea e mbështetjes ekonomike për Shqipërinë jo e lidhur sigurisht me dëmshpërblimet. Faktor pozitiv në këtë drejtim llogaritej edhe fakti se ministri federal i bashkëpunimit ekonomik, Jürgen Warnke ishte i partisë së Strauß-it.

Për diplomatët gjermanë që merreshin me Shqipërinë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me të nuk ishte thjeshtë një akt që fshinte të vetmen njollë të bardhë në hartën diplomatike gjermane në Evropë. Vendosja e këtyre marrëdhënieve kishte edhe arsye politike dhe ekonomike.

Të parat ishin të lidhura me ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë nga rreziku sovjetik dhe i stabilitetit të Jugosllavisë që kërcënohej nga problematika e Kosovës. Është mjaft interesant pohimi që vjen nga burimet dokumentare diplomatike gjermane të kohës që edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte gjithashtu e interesuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis RFGJ e Shqipërisë. Nga këndvështrimi i interesit ekonomik, Shqipëria vlerësohej si furnizuese e lëndëve të para.

Qasja e re e ministrisë së jashtme në Bon që jo rastësisht ishte thuajse e njëjtë me atë të kryeministrit bavarez kishte brënda saj edhe rivalitetin e njohur Genscher – Strauß në politikën e jashtme, veçanërisht në atë ndaj Lindjes. Ministria e jashtme kërkonte të mbante iniciativën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në duart e saj.

Por nga ana tjetër nuk mund të mos llogariste edhe peshën politike të aleatit të fuqishëm por edhe rival brënda koalicionit qeveritar, CSU. Formula e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë u konkretizua në fillim të vitit 1986 midis ministrisë së jashtme dhe asaj të bashkëpunimit ekonomik përmes një “gjesti financiar” që do t’i vinte në dispozicion qeverisë shqiptare fonde në shumën prej 6 milion markash në kuadër të bashkëpunimit teknik midis të dy vëndeve.

Ky vendim u morr në prag të takimit të ri në 10 mars në Vjenë midis përfaqësive gjermane e shqiptare. Të dy palët shkuan në takim me shpresa të paragjykuara për progres. Shqiptarët në pritje të gjestit financiar gjerman në një “shumë të konsiderueshme” dhe gjermanët të përgatitur për të shpallur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Përfaqësia gjermane i dorëzoi palës shqiptare një projekt protokoll për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vëndeve së bashku me anekset përkatëse. Por shpresat e të dy palëve nuk u justifikuan. Kur Braunmühl përmëndi si “gjest financiar” ndihmë teknike në shumën 4-5 milion marka, reagimi i kryetarit të përfaqësisë shqiptare, S. Lazri ishte tejet jo diplomatik dhe i nxituar.

I diziluzionuar nga shuma që u premtua, Lazri përdori fjalor të papërshtatshëm, emocionues e me sarkazma. Braunmühl iu përgjegj se vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk duhej të matej me para. Gjithësesi, përfaqësia shqiptare i dorëzoi palës gjermane listën e objekteve industriale e të paisjeve që mund të paguheshin ose të jepeshin përmes transferimit të teknologjisë dhe të bashkëpunimit tekniko-shkencor. Një propozim gjerman për një takim të dy ministrave të jashtëm, Genscher e Malile në muajin prill u la mënjanë. Tirana mbeti e pakënaqur dhe e konsideroi qëndrimin gjerman një hap prapa.

 

Please follow and like us: