E majta e Ramës dhe Metës, përball pasqyrës së Ben Blushit
Është shpejt për të bërë prognozën e lëvizjes më të re politike të krijuar nga Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Por një gjë është e sigurt, ajo erdhi në momentin e duhur, në kohën e lëngatave të fundit të së majtës shqiptare. Tani për tani nuk ka shumë rëndësi nëse “LiBRA” do ta shpëtojë nga groposja përfundimtare ku e ka çuar Rilindja me gjithë patericat e saj, mjafton fakti që më në fund kjo pasuri kombëtare e përdhosur keq, më në fund ka përpara një pasqyrë….
Pas pak muajve, alenaca Rama-Meta e ngjizur në një darkë me verë të mirë dhe produkte të freskëta deti në Gjirin e Lalzit dhe e vulosur në prani të përfaqësuesve të së majtës Ballkanike dhe të Europës në Shkodër, mbush 4 vjeç.
Atëherë një shumicë e madhe e qytetarëve u përfshi nga entuziazmi, sepse më në fund e majta shqiptare, e përçarë keqas që nga vjeshta e vitit 2004 me krijimin e LSI-së, më në fund u bashkua. Ky koalicion njëqind përqind i majtë që fitoi vota më shumë se sa priste edhe vetë bëri një fushatë elektorale spektakolare, me teza dhe premtime tipike socialdemokrate. Punësim për më shumë se 1/10 e popullsisë, luftë taksave të larta, shkatërim oligarkëve, “tritol” koncesioneve dhe klientëve miliarderë të qeverisë Berisha, shëndetësi falas, subvencione për bujqërit…vetëm “luga e florinjtë” nuk u artikulua, por edhe ajo u premtua nën zë.
Tani pas 4 vitesh, jemi në një situatë, kur lidershipi dhe grupet parlamentare të kësaj aleance “puro të majtë” kanë brenda vetes, njerëz me namin dhe faktin e pasurive të frikshme, edhe për biznesmenë që kanë 25 vite që punojnë fortë në Shqipëri.
Jo vetëm në këtë këndvështrim është më shumë se qesharake, ta etiketosh ende si të majtë këtë koalicion qeverisës. Represioni ndaj shtresave të varfra, atyre në nevojë dhe asaj të mesme tani në fund të mandatit të parë është institucionalizuar pa mëshirë, nën alibinë e të bërit “shtet të fortë”. Nga ana tjetër oligarkët të ngjizur më së miri me botën e errët të narkotrafikut dhe krimit të organizuar, po shtojnë me shpejtësi marramendëse pasuritë. Nëse përpara epokës së Rilindjes vendi i ishte i mbushur plotë me të varfër, një pakicë të pasurish dhe me një shtresë të gjerë të mesme, tashmë panorama ka ndryshuar; janë shtuar frikshëm të varfrit, janë pakësuar në numër por rritur në pasuri pasanikët dhe gati po zhduket shtresa e mesme që po shkrihet me të parën.
Shkatërrimi ekonomik dhe likuidimi i shtresës së mesme apo mikroborgjezisë (bizneset jo të mëdha, të ashtuquajturit fermerë, të punësuarit në administratën shtetërore apo të kompanive private, etj) është krimi më i madh që po bën e majta shqiptare, jo vetëm si tradhti ndaj qenësisë së vetë, por edhe për të ardhmen e vendit.
Pakënaqësia ka arritur në prag-revoltë, por ajo nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse rrjeta e partive që janë në pushtet, ka kapur në qelizë gjithë popullsinë. Kërbaçi dhe kulaçi ndaj një vendi pune, taksave për biznesin e vogël dhe të mesëm, legalizimeve dhe regjistrimit të pronës, po funksionon më së miri. Prandaj edhe valvula, shfryn vetëm nëpërmjet ikjes nga ky vend. Gjithsesi pakënaqësia është në vlim dhe për ata që nuk duan për 1001 arsye ta braktisin vendin, diku do të shpërthejë.
Këtë e ka kuptuar qartë kreu i opozitës Lulëzim Basha i cili sa më shumë që po afron hapja zyrtare e fushatës elektorale, aq më shumë po artikulohet “majtas”. (Vini re vetëm sa për një shembull; ndërkohë që Rama u premton kredi bujqërve shqiptarë, Basha u premton subvencion!)
Gjithnjë e më shumë po artikulohet pyetja; A ka marë fund e majta shqiptare me këtë lidership që gjithë energjitë i harxhon, vetëm për intriga dhe kulisa pushteti?
Përgjigjja që i afrohet më shumë të vërtetës është fakti që tanimë e dinë të gjithë; e majta socialdemokrate shqiptare jo vetëm është uzurpuar, por edhe po transformohet me shpejtësi në një ndërmarrje pragmatiste që ka si synim vetëm pushtetin dhe pasurimin.
Të dyja partitë kryesore që e përfaqësojnë, edhe vetë e kanë “harruar” se kujt spektri i takojnë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku lufta bëhet për cilësi jete dhe jo mbijetesë pritet që e majta demokrate, të marrë presidentin për të tretën herë radhazi. Miliona amerikanë ende janë zemërthyer që nuk kanë mundësinë për të votuar “babaxhanin socialist”, Bernie Sanders.
Kurse këtu në Shqipërinë e “Rilindjes” ku papunësia po shkatërron familjet, lidershipi i të majtës tallet me “pabuksit” që e votojnë me sy mbyllur dhe shkapërdhehet me oligarkët. Është vërsulur Edi Rama tani që i duhen edhe nja 4 vite të tjera për të pikturuar fasadat dhe shtuar miliardat, për të lypur vota nëpër Shqipëri, por çfarë bën? Ushtron oratorinë e tij boshe të mbushur me “gjetje” stilistike për të treguar se deri në çfarë shkalle e zotëron sarkazmën dhe cinizmin. Asnjë fjalë, asnjë përgjegjësi për rrugët, shkollat ndreqjen e padrejtësive që i kërkojnë. Premton sërish qindra milion euro dhe ikën i sigurt, se votat do ti marrë. I ka në xhep në fakt, sepse për këtë mendojnë oligarkët dhe “bankat” e kanabisit.
Edhe LSI që të paktën formalisht i qëndron boshtit të saj socialdemokrat është katandisur në një “fajdexheshë” që këtej lëshon e andej mbledh, vetëm në funksion të pushtetit. Bënë gjithë atë shou për zgjedhjet e fundit dhe mirë bën, sepse të paktën i dhanë një leksion qoftë edhe nga pikëpamja formale sektit të PS-së, por në fund fare një organizim kaq gjigant i një force të majtë u katandis në një aparat Mors që i dërgonte sinjale, paralajmërime e “detyrim-përcaktime” Edi Ramës. Asnjë reflektim për përgjegjësinë ndaj bashkëqeverisjes që brenda 4 vitesh dyfishoi të varfrit, pakësoi të pasurit dhe dhjamosi një grusht prej tyre, zbrazi vendin nga rinia dhe instaloi si model suksesi në jetë, vetëm dy rrugë; me politikë, ose me kultivim e trafikim droge.
Për ta mbyllur kthehemi aty ku e nisëm, te pasqyra që më në fund të majtës shqiptare i është vendosur përballë.
Ben Blushi në ditën e themelimit të LIBRA pyeti, jo Edi Ramë e Taulant Ballën, as Ilir Metën e Petrit Vasilin, por “1 milion shuplakat” që u derdhën lumë në votimin e vitit 2013; A meritojmë ne që vendi të prodhojë kaq shumë mjerim dhe varfëri pas 25 vitesh pluralizëm; A meritojmë ne këtë nivel pabarazie dhe padrejtësie e cila po e përqendron pasurinë në pak duar dhe po e shpërndan varfërinë sikur të ishte një virus kombëtar; A meritojmë ne të blejmë më shtrenjtë ushqimet, ilaçet, librat, energjinë dhe ujin në krahasim me popujt e tjerë?
Në fund të fundit; A meritojmë ne të jemi kaq të varfër dhe kaq të pashpresë? Dhe në fund të fundit fare, a jemi kaq budallenj sa po na marrin?
Kjo është çështja që secili duhet ta zgjidhë me veten, pastaj le të votojë kë dhe si të dojë!