Albspirit

Media/News/Publishing

May po punon për një ligj të ri për Brexit

Vendimi i gjykatës për Brexit vë një pengesë të re në rrugën e daljes nga BE. Kryeministrja britanike May dëshiron megjithatë t’i përmbahet planit kohor dhe me sa duket po përgatit projektligjin përkatës.

London Downing Street Theresa May (picture-alliance/dpa/A. Rain)

Kryeministrja britanike, Theresa May ndodhet aktualisht në Indi, për të folur me homologun e saj Narendra Modi për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike. Para se të niset ajo me sa duket u ka lënë detyra shtëpie bashkëpunëtorëve të saj në Londër. Sipas të dhënave të kanalit televiziv “Sky News” qeveria britanike po punon për hartimin e një projektligji për të dalë nga BE-ja, i cili do t’u paraqitet parlamentarëve. Stacioni televiziv u referohet burimeve, që nuk duan të citohen. Një zëdhënëse e qeverisë nuk dëshiroi ta komentojë lajmin.

Miratimi i deputetëve u bë i nevojshëm për shkak të një vendimi të gjykatës javën e kaluar. Gjykatës të High Court patën vendosur që për nisjen e procesit të daljes nga Bashkimi Evropian, duhet të japë miratimin edhe parlamenti. Por May i paralajmëroi deputetët në Dhomën e Sipërme dhe të Poshtme të Parlamentit që të mos e minojnë votën e britanikëve për Brexit.

Para nisjes për në Indi, ajo deklaroi: “Deputetë, të cilëve u vjen keq për rezultatin, duhet të pranojnë atë për të cilën vendosën njerëzit.” Sipas May-t, të gjitha përpjekjet tani duhet të përqendrohen për të arritur rezultatin më të mirë për Britaninë e Madhe. Kjo do të thotë edhe përmbajtje në planin e deritashëm kohor dhe nisja në fund të marsit e negociatave për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Nxitje në medie dhe kërcënime me vdekje

Vendimi i gjykatësve të së enjtes së kaluar (03.11) shkaktoi në fundjavë diskutime të mëdha në Britaninë e Madhe. Gazeta bulevardeske si “Daily Mail” ose  “Daily Telegraph” i quajtën gjykatësit përkatës “armiq të popullit”, të cilët veprojnë kundër popullit. Shefi i laburistëve,  Jeremy Corbyn paralajmëroi përballë këtyre titujve “të rrezikshëm” për një ashpërsim të konfliktit politik.

Menaxherja e fondit të investimeve, Gina Miller, e cila bënte pjesë në paditësit para High Court, i tha BBC se ka marrë kërcënime për përdhunim dhe për prerje koke. Veç kësaj, ajo tha se ishin shqiptuar kërkesa që ajo të dëbohet në Guayanë. Miller i bëri përgjegjëse politikanët dhe mediet për këtë nxitje, sepse ato kanë nxitur për “racizëm, dhunë dhe hidhërim.” Ministrja e Drejtësisë, Elizabeth Truss e mbrojti ndërkohë vendimin e gjykatësve dhe i paralajmëroi britanikët që ta respektojnë pavarësinë e drejtësisë. Një pushtet i pavarur gjyqësor është “baza e shtetit tonë juridik” deklaroi ministrja.

Britanikët vendosën në 23 korrik me shumicë të vogël për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Por High Court vendosi që kryeministrja May nuk ka kompetenca që ta shpallë fillimin e negociatave për Brexit pa një votë parlamentare.

Please follow and like us: