Albspirit

Media/News/Publishing

Sali Onuzi: Gjergj Basta, strateg dhe filozof i shquar i luftës


Gjergj Basta është padyshim një gjeneral dhe teoricien i shquar ushtarak, jo vetëm në nivel europian, por edhe më gjerë. Prandaj për të kanë shkruar, duke filluar që nga shekulli i XVI e deri në ditët tona, kur ai vijon të dalë në faqet e enciklopedive dhe fjalorëve, të librave e të gazetave etj. Ka shkruar për të edhe ish sekretari i tij historiani i shquar bolonjez, Ciro Spontoni, ka shkruar edhe ish botuesi i veprës së tij, Bernardo Xhunti. Ka në arkivat italiane dy vëllime me letërkëmbimin e Bastës.
Por vlen të theksojmë se që në të gjallë të tij, më 1606 në kopertinën e librit të tij të parë “Il mastro di campo generale (Mjeshtri i pergjithshem i kampit) shkruheshin të dhënat ndofta më të rëndësishme të jetës së tij: “Gjeneral i perandorit në Transilvani dhe tani mëkëmbës i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij dhe i të shquarit Matias për ushtrinë në Hungari”. Dhe, siç e shkruan vetë në parathënie të librit, kishte shërbyer në ushtri 40 vjet duke u nisur që nga ushtar i thjeshtë

Jeta dhe karrierera: komandant dhe strateg
Gjergj Basta lindi në një familje arbëreshe më 30 janar të vitit produkti te regjistruarte simboli nderkombetar per nje marke te 1550 në Roccaforzata, komunë e provincës së Tarantos në Pulia, ku ishin vendosur pas vdekjes së Skenderbeut ish ushtarë të tij me familjet e veta, brezi i tretë i emigrimit. Siç na kumton historiani Dhimitër Pilika, gjyshi i Gjergjit, Andrea Basta, bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe pjesmarrës në ekspeditat e kryetrimit shqiptar në Itali, ishte nga fshati Bastje, në bregdetin e Jonit, përballë Korfuzit.
Koha kur lindi e luftoi Gjergj Basta në Europë ishte ajo e Rilindjes së vonë europiane, ishte koha kur futja e armëve të zjarrit po revolucionarizonte artin e luftës, në veçanti po nxirrte jashtë jashtë loje kalorësinë e rëndë europiane, është shekulli kur perandoria osmane që kish pushtuar Ballkanin, kish rrethuar dy herë Vjenën, dhe që nga 1526 osmanët mbanin të pushtuar pjesën më të madhe të Hungarisë, tokat e së cilës ishin shndërruar në fushë luftimi për ushtritë austriake dhe osmane.
Që 15 vjeç, Gjergji u fut në një repart kavalerie të komanduar prej të atit, Dhimitrit (stratiot shqiptar) në luftrat e Piemontit dhe më pas, në një kompani të kalorësisë, të komanduar nga vëllai më i madh i tij, Nikolla. Gjergji i mori mësimet e para në një shkollë në Asti (Piemont) të Italisë dhe pastaj ndoqi Shkollën ushtarake në Hollandën spanjolle.
Basta do të dallohej shpejt dhe të merrte komandën e njërës prej kompanive të kalorësisë. I ngritur më 1579 në detyrën e Komisarit të Përgjithshëm të Kalorësisë spanjolle në Vendet e Ulëta, Basta shquhet kundër Anversës më 1584, me bllokimin e rrugëve të komunikimit, më 1585 në fushatën kundër Brukselit, më 1589 kur kundër Parisit dhe në vjeshtë të 1591 Basta mori pjesë në çlirimin e Rouenit. Ai eksperimentoi me sukses metodën e “rojeve të lëvizshme” duke e siguruar ushtrinë nga pritat apo nga sulmet e rrufeshme.
Pas vitit 1593 me sugjerimin e Filipit II, mbretit te Spanjës për kushëririn e tij, Rudolfin II, Kajzeri i Perandorisë së shenjtë romake, bashkë me stratiotët e tij arvanitas dhe të tjerë mercenarë që kishin shërbyer për Spanjën, vihet ne shërbim të Perandorisë gjermane kundër ekspansionit osman në Europën Qëndrore. Perandoria habsburgase aso kohe vijonte të ishte shtet i madh në Europën perëndimore, por një fuqi e dobët, një konglomerat principatash mbi të cilat perandori mbahej si komandant suprem i ushtrive ku forca kryesore ishin mercenarët e huaj.
Gjergj Basta në fillim u fut në ushtrinë gjermane në Hungari, në postin e mjeshtrit të përgjithshëm. Më 1595 komandon në Hungari korpusin spanjoll të mercenarëve (gjermanë, hungarezë, shqiptarë, italianë, valonë, bohemë etj. Ky korpus ishte zemra e qëndresës europiane në luftën “e gjatë.” Atë që kishin përvetësuar në perëndim të Europës, në luftë me ushtritë e Vendeve të Ulta, këta mercenarë e transferuan me përvojën e tyre në lindje, kundër osmanëve.
Më 1596 Gjergj Basta është me forcat e tij pjesmarrës në betejën krysore të luftës 13 vjeçare në Mezokerezte, në Hungarinë verilindore.
Ndër fitoret e Gjergj Bastës spikatin:
Më 1597 çliron kalanë e Papas, 3 vjet më parë e pushtuar nga osmanët. Merr detyrën e zv.guvernatorit të Hungarisë së Sipërme dhe për 18 javë çliron kalanë e Huzstit. Më 1598 merr detyrën e komandantit të Kavalerisë.
Më 1599 është gjeneral lejtnant. Më 1600 dhe 1601 korr dy fitore të mëdha në Mirislau, dhe Gorozhlo kundër princit të Vllahisë, Mihal Viteazul dhe princit të Transilvanisë, Zigismund Batorit, që kishin prishur marrëveshjet me perandorinë gjermane dhe kërkonin Transilvaninë për vehte dhe perandorinë osmane.
Më 20 janar 1602 emërohet komandant i ushtrive perandorake në Hungarinë e sipërme, fiton pranë Vajsburgut me 29 qershor 1602 përsëri ndaj Sigizmud Batorit, bëhet edhe mëkëmbës i perandorit Rudolfi II në Transilvani. Më 1602 bashkë me postin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë gjermane në Hungarinë e sipërme ai merr edhe gradën e lartë, (më të lartën në perandori) të feldmarshallit.
Më 1603, në krye të ushtrisë perandorake gjermane Gj. Basta ndodhet në Transilvani kundër trupave të vezirit turk Ali Pasha me 60 mijë vetë në qytetin Pesth. Më 1604 ushtria perandorake me Bastën u largua nga Transilvania ku shpertheu një kryengritje e nxitur dhe ndihmuar direkt nga osmanët, po edhe nga vetë Basta me sundimin e tij absolutist e brutal, sidomos ndaj protestantëve, për të cilin është kritikuar nga historiografia hungareze dhe rumune.
Më 1605 në krye të ushtrisë perandorake në Hungarinë e sipërme në Osgyan shkatërroi kryengritësit hajdukë, që lanë mijëra të vrarë, nga 200 të tijtë. Më 1605, trupat e Gjergj Bastës në Komorrë (jug të Sllovakisë) bëhen pengesë e pakapërcyeshme për osmanët. Ne vazhdim ai mbron Bratislavën dhe Rozenbergun, pushton Terevën, mbron Estergomin kundër ushtrisë osmane, dhe lufton gjithnjë me sukses kundër sulmeve të rrezikshme të tartarëve.
Më 1605 perandori Rudolfi II i akordon titullin e lartë të kontit perandorak. (Kont i Hustit, në jug të Ukrainës së sotme).
Pas përfundimit të traktatit të paqës mes perandorisë gjermane dhe asaj osmane, të Zhitvatorokut, 11 nëntor 1606, Gjergj Basta, ushtari, komandanti dhe gjenerali që kish marrë pjesë e drejtuar në 100 beteja, i rënë në dëshpërim, (thonë se nuk ishte një mendje me perandorin e ri Mattias për këtë traktat, “që i linte shumicën e gjerave siç kishin qenë) u tërhoq nga Ushtria.
Ka qenë pikërisht kjo “lufta e gjatë” 13 vjeçare (1593-1606) , kjo qëndresë në të cilën u stopua përparimi i mëtejshëm osmanëve drejt Europës, që e bëri të famshëm gjeneralin Gjergj Basta. Ambrogio Merodio (1590-1684) historian, doktor në Universitetin e Cagliarit të Sardenjës, në librin e tij “Istoria Taranti”( shkruar më 1681-82) e quan Gjergj Bastën “tmerri i ushtrive osmane”.
Gjergj Basta qe mbajtur njëzëri si një nga kapedanët më të mëdhenj të kohës së vet dhe kish “arritur reputacionin e një prej gjeneralëve më të mirë të perandorise habsburgase” (G. de Caro)
Që Gjergj Basta kishte arritur postin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë në Hungari e Transilvani, këtë e shkruan edhe Ciro Spontoni që më 1638, e pastaj me rradhë të tjerë historianë, Gasparo de Caro ne Fjalorin biografik Italian Trecani t botimit 1970, Paolo Petta më 1996 në “Stradiotët” (Gjergj Basta “pati funksione shumë të larta, deri sa u bë kryekomandant i ushtrive perandorake në Hungari e Transilvani dhe guvernator i këtyre krahinave”). Edhe në historiografinë osmane (Mehmet Maksutoglu), bazuar në arkivat e saj të pasura, e njohin Gjergj Bastën për “komandant austriak”, dmth të habsburgëve në luftën “14 vjeçare” siç e quajnë turqit.
Noel Malcolm në librin e tij “Agjentë perandorakë” botuar më 2015 në shqip shkruan se gjenerali kryesor, kryekomandanti në anën e habsburgëve ishte shqiptari Gjergj Basta, djali i Demetrios, oficer stratiot në Italinë e jugut.
Edhe Encikopedia ruse e vitit 1911, që ka një zë të veçantë për Gjergj Bastën, e kumton se “Basta kish marrë komandën krysore mbi ushtrinë perandorake dhe luftoi kundër turqëve deri me 1606”.Gradën e lartë të Gjergj Bastës, që i jepej komandantit të përgjithshëm të ushtrisë në perandorine e shenjtë romake të kombit gjerman) e njofton çdo ditë në botimet e tij edhe Arkivi i shoqatës së saksonëve të Transilvanisë në Gjermani.
Filozof i Luftës “që kish mprehur penën me shpatë”
Gjergj Basta është jo vetëm një gjeneral i veprimit strategjik, ai siç shkruan botuesi i tij Bernardo Xhunti, vepron edhe me penë, siç bënë disa gjeneralë në Greqinë dhe në Romën e lashtë për të na mësuar e lënë rregullat më të përparuara të Luftës. Koha i ka dhënë plotësisht të drejtë atij. Historia ushtarake dhe filozofia e luftës e ka vlerësuar gjithnjë e më lart Gjergj Bastën, si teoricieni i parë i Europës së hershme moderne që përcaktoi rregullat e veprimit të kalorësisë së lehtë dhe drejtimin e përgatitjen e trupave. Pirro i Epirit shkruante traktate mbi luftën, por ato nuk i njohim. Pas erës sonë, ne shqiptarët nuk kemi një tjetër filozof të luftës si Gjergj Basta, që të jetë ngjitur në nivele europiane dhe botërore. As nga Ballkani nuk ka. Veprat e tij kane qenë per shekuj tekste mësimore në Akademitë e Europës.
Kjo përfshin periudhën paraklauzeviçiane.Për ne shqiptarët në veçanti,

Basta është Klauzeviçi ynë, i njohur dhe i vleresuar në mbarë Botën.

Pasi la shërbimin ushtarak aktiv dhe u tërhoq në jetën e tij private Basta u muar me shkrimin e tri traktateve mbi teknikat ushtarake.
Gjergj Basta është një filozof i teorise së përgjithshëme të luftës, po edhe i strategjise ushtarake. Si te “Mjeshtri” dhe te “Kalorësia”, Basta e vë në qendër qëllimin themelor të luftës, dhe ndërthur në funksion të tij gjithë idetë, parimet dhe veprimet ushtarake, si të komandantit, të oficerëve drejtues dhe të armëve të ushtrisë. Edhe një urdhër i Mjeshtrit të Përgjithshëm të Kampit, shkruan Basta, duhet të jetë në shërbim të strategjisë. Ndryshe “kur nxjerr një urdhër dhe zbaton një tjetër, sidomos kur kjo nuk i shërben strategjisë, tregon mendjelehtësi, injorancë, prej së cilës lind përbuzja, gjeja më e keqe, më vdekjeprurëse për një drejtues”.
Basta tregon në veprat e tij se si strategjia fituese kërkon edhe taktika të tilla. Në mënyrë të veçantë ai i vinte rëndësi bashkëveprimit të armëve, vendosjes së drejtë taktike, manovrimit të shpejtë, kurtheve dhe vlerësonte lart çdo armë e shërbim, edhe xhenjerët.
Studiuesit kanë vlerësuar si gjeniale veprën e tij “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” (1612). E kanë parë këtë edhe si trashëgim të përvojës shqiptare skënderbejane. Ai i përmend me emra dhe shtjellon te “kaloresia e lehtë“ përvojën luftarake të babait të tij kapiten Dhimitrit, të vëllait kapiten Nikolla Bastës, të Xhovani Golemit (zëvendës i kapitenit) Gjergj Karistas etj. Kjo vepër e Bastës është konsideruar si rregullorja e parë organike e kavalerisë europiane.
Vepra e parë e Bastës “Mjeshtri i përgjithshëm i Kampit”, i botuar në Venedik me 1606, 410 vjet më pare, është konsideruar si “ ungjilli i vërtetë i komandantit në luftë”. Ajo u përkthye dhe u botua në frëngjisht më 1607 dhe në gjemanisht më 1617, dhe ka njohur një numër të madh ribotimesh gjatë shekullit XVII e në vazhdim.
Vepra e tij e tretë “Il governo della artileria” deri tani nuk është gjetur ne Bibliotekat tona. Me siguri duhet të jetë në ato italiane dhe të Pragës. Ajo ka pasur me pak jehonë, por në fakt dihet se Basta ka qenë i apasionuar edhe pas kësaj arme. Gjergj Basta zotëronte gjashtë gjuhë.
“Gjergj Basta” në Shqipëri
Gjergj Basta, pas Luftës së Dytë Botërore, kish mbetur një emër i panjohur për lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “Ylli” më 1966 (nr 7). Ndoshta Basta u gjykua ashpër si “pushtues” e si komandant forcash perandorake.
Në fakt Gjergj Basta kishte jetuar gjithnjë në kujtesën e shqiptarëve. Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë, edhe gjeneralin Gjergj Basta.
Pas Dhimitër Pilikës, Koço Bozhori me 1985 sa e përmend emrin e Gj. Bastës në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe, më 1990, historiani ushtarak dr. Riza Drishti do të botonte në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheut” një studim të shkurtër për jetën dhe veprën e Bastës. Por viti 1996 do të shënonte një arritje të veçantë në këtë njohje: Shtëpia Botuese e Ushtrisë do të botonte në një vëllim, të përkthyera nga prof.dr. Eljana Paço, të dy veprat e Gjergj Bastës: “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë”.
Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës. Revista “Mbrojtja”, më 2003 botoi jetëshkrimin e Gjergj Bastës sipas “Dizionario biografico degli italiani” të vitit 1995, përkthyer nga Ermal Onuzi. Më 2006 u botua në shqip (përkthyer nga Pëllumb Xhufi) vepra e Paolo Petës “Stradiotët” në të cilën në tri faqe, jepet edhe një jetëshkrim i Gjergj Bastës. Më 2008 Fjalori enciklopedik shqiptar botoi një zë për Gjergj Bastën, shkruar po nga dr. Riza Drishti.
Vitet e fundit kanë filluar të shkruajnë e botojnë për Bastën “ krahinarët” e tij të Bastjas mesjetare, nga Nivicë –Bubari dhe Senica e Sarandës. Më 2010, Theodhori Miho botoi “Gjergj Basta dhe kapedanët e Senicës”, dhe më 2014, Fatmir Minguli në “Triptik historik”, pjesën e parë, ia kushton pikërisht gjeneral Bastës, ndërkohë që Fotaq Andrea e përmend gjeneral Bastën në një studim te tij për stratiotët shqiptarë botuar në Revistën Ushtarake të Akademisë se FA.
Me rastin e 410 vjetorit te botimit në italisht të veprës së parë të Gjergj Bastës dhe të 20 vjetorit të botimit në shqip,Akademia e Forcave të Armatosura organizoi dhe mbajti një sesion shkencor për Bastën si strateg dhe teoricien i shquar ushtarak ku kumtuan P .Xhufi , M. Kasmi, E.Doda, B . Zotaj dhe unë.
Veprat e Gjergj Bastës i ruajnë në fondin e tyre Bibliotekat më në zë te Europës dhe si “ Mjeshtri” edhe “Kalorësia” janë dixhitalizuar dhe mund të shfrytëzohen lirisht në internet ne disa gjuhë.
Veprat e Bastës në origjinal i mbajnë edhe Bibliotekat tona: Biblioteka Kombëtare ruan botimin e parë të 1612 të “Il governo degli cavalleria leggera”, ndërsa Biblioteka e Shkodrës, “Marin Barleti” është e vetmja që i ka të dy veprat e Bastës, në ribotimin e tyre më 1641 nga Shtëpia Botuese “Xhunti” e Venedikut.
Mendojmë se është berë e domosdoshme një ribotim në shqip i veprave të Bastës (për shkak se botimi parë është rralluar shumë) dhe do të ishte i mirëpritur dixhitalizimi i veprave te tij edhe në shqip për bibliotekat virtuale.
Gjergj Basta vdiq më 20 nëntor 1607 dhe u varros në Vjenë. Komuna e Roccaforzatës e mban me krenari si njeriun e saj më të shquar dhe në qytetin Asti në veri të Italisë, ku ka bërë shkollë, një rrugë mban emrin e tij. Pas vdekjes u prodhua dhe doli ne qarkullim një medalje me “kokën” e Bastës.
Siç na kumton Paolo Peta, pasardhësit e Bastës, tashmë të gjermanizuar, i shërbyen gjithashtu me nder shtëpisë perandorake të Austrisë, e cila i pati dhënë më 1748 familjes Basta titullin e markezit, që e mbajti deri sa u shua.

Please follow and like us: