Vitet ‘30 të shekullit të shkuar: kur mund të udhëtoje lirisht nga Durrësi për në Nju Jork me vetëm 110 $
Të udhëtoje dikur nga Shqipëria drejt SHBA paska qenë diçka mjaft e zakonshme, jo në kuptimin e synimit por të lehtësisë. Gjatë viteve ’30 kanë qenë më qindra bashkëatdhetarë tanët të cilët udhëtonin drejt tokës së premtuar duke u nisur që nga porti i Durrësit. Në atë periudhë ka pasur një axhensi qëndrore për prerje biletash në Tiranë dhe 8 nëndegë të sajat në të gjithe vendin. Dhe fakti sqë brenda 2 muajve ka pasur 4 data nisjeje dhe 3 vaporë që kryenin udhëtimet drejt Nju Jorkut dhe Kanadasë, tregon se fluksi i udhëtarëve ka qënë i madh. Dhe kjo ëndërr amerikane realizohej vetëm me 110 $. Kaq kushtonte një biletë.
Dokumenti i ekzistencës së kësaj linjeje i përket revistës kulturore të përdyjavëshme, “ Rilindja”, e cila botohej në vitet 1934-1936 në qytetin e Korçës.
Duke u bazuar në një reklamë të botuar në faqet e kësaj reviste mësohet se në atë periudhë ishte një linjë detare për pasagjerë Durrës- Nju Jork, e cila drejtohej në Shqipëri nga shoqëria detare “ Unitet States Line”. Kjo shoqëri lundrimi e kishte qëndrën në kryeqytetin e vendit, Tiranë me agjent të përgjithshëm për Shqipërinë, Gaqo Oparin.
Nga njoftimi mësohet se vaporët ekspres të kësaj shoqërie shërbenin për linjat e Amerikës dhe të Kanadasë. Njoftimi i botuar në revistën “ Rilindja” bën me dije edhe datat e lundrimeve , që i përkasin një periudhe të muajve dhjetor të vitit 1934 dhe janar të vitit 1935. Në këtë linjë kanë operuar 3 vaporë me emrat Manhatan, Washington dhe President Roosveld
Linja detare Durrës – Nju Jork, kishte edhe degë axhensie për prerje biletash në qytetet: Korçë, Ersekë, Gjirokastër, Durrës, Përmet, Leskovik, Berat, Sarandë, Tepelenë, me agjentë shitjesh të biletave: Efthim Opari, Mihail P. Prodani, Miço Garruli, Liço Spiro, Dhimo Hotova, LLambi Tavanxhi dhe Theodhos Leska.
Çmimet e klasit të III-të të udhëtarëve nga Durrësi në Nju Jork kushtonin vetëm 110 $. Pra ëndrra e bashkëatdhetarëve tanë për të udhëtuar drejt Amerikës kushtonte shumë me lirë se sot…
Përgatiti: Mark Brunga