Eriola Pira: MË E KEQJA E CENSURËS
Në takimin që kryeministri shqiptar, piktori Edi Rama, mbajti te Galeria Marian Goodman në New York, shtrova pyetjen se sa prej atyre që ishin mbledhur aty për të festuar ekspozitën e tij, pra atë të një artisti-politikan, realisht dinin diçka për pikërisht politikat e Ramës dhe të qeverisë së tij gjatë 3 viteve të fundit. E vetmja përgjigje nga salla erdhi në formën e një pyetje se kush isha unë, nga artisti Liam Gillick, që edhe ka ngjyrosur një prej pallateve në Tiranë gjatë kohës që Kryeministri ishte Kryebashkiak. Ndërkohë përgjigjja e Kryeministrit, sikurse mund të pritej para adhuruesve të tij në New York, ishte që unë, njëlloj si të gjithë ata që e kritikojnë apo akuzojnë, “thjesht nuk po e kuptoja (you don’t get it).” Pyetjen time të plotë si dhe përgjigjen e Kryeministrit e gjeni në videon që tashmë është shpërndarë gjerësisht në mediat elektronike në Shqipëri, ndaj s’po e riprodhoj këtu; por tani po ndalem veç tek një pjesë të vogël e asaj që më tha Rama dhe që shumë vëzhgues e kanë interpretuar si kërcënim, sado të maskuar. Kryeministri e pa të nevojshme të më sigurojë mua, dhe nëpërmjet meje publikut të tij në sallë, që asgjë nuk do të më ndodhte mua pas kësaj kritike-me-pyetje, madje më ftoi që edhe unë të përdor hapësirën e COD për protestën time, gjithë duke qenë e përgatitur që të marr edhe përgjigjen përkatëse në shqip. Aty për aty ia ktheva që ajo përgjigje sigurisht do ishte më e ashpër, siç edhe nënkuptohet. Pas takimit, pata mundësinë të bisedoj me disa të pranishëm të interesuar të mësonin më shumë rreth kritikës që ngrita. Më pyetën si është kjo puna e censurimit në Shqipëri, pasi media është me gjasë private dhe nuk kontrollohet nga shteti, pra as nga Rama. Pasi u shpjegova pak si, jo ndryshe nga kudo tjetër, mediat në Shqipëri në mos pronë e partive të ndryshme politike, janë pronë e pronarëve që kanë interesa të lidhura ngushtë me pushtetin; me atë pushtet që shpërndan, në mos gjë tjetër, tendera e kontrata për miqtë që e sollën dhe e mbajnë në fuqi, dhe i përmenda vetëm dy rastet më të fundit: censurimin e investigimit të vrasjes së Ardit Gjoklajt dhe konfliktin e interesit të tenderit për restaurimin e Teatrit Kombëtar. Por realisht korrupsioni në Shqipëri nuk i bën kujt përshtypje, siç dëshmoi artikulli në The Guardian për ekspozitën e Ramës në Marian Goodman, dhe nga ky aspekt, çfarë duhej t’u kisha përmendur me të madhe bashkëbiseduesve të mi është situata e artistëve në vend. Kohët e fundit kam vënë re (sa në dy vizitat e mia të fundit në Tiranë aq edhe te statuset e aktivizimi në Facebook) si shumë artistë çdo ditë e më tepër po tërhiqen a po fshihen, duke treguar kujdes të jashtëzakonshëm që të mos shprehin ndonjë bindje a qëndrim politik dhe as të mbështetin apo dhe “shihen” publikisht me ndonjë që edhe thjesht duket sikur flet kundra këtij apo atij pushteti. Edhe ndonjë artist që qëllon të bëjë art “politik” a të angazhuar, nuk është se e sheh të marrë pjesë në protesta ambientaliste a të kërkojë drejtësi për vrasjen e një 15-vjeçari në landfill. Jo, jo! Këtë artist nuk e sheh as të denoncojë korrupsionin në vetë fushën e artit ku lëvron; as të revoltohet kur pushtetarët që s’kanë bërë asgjë për të deri dje, sot i mohojnë punën dhe marrin merita për arritjet e tij; as të refuzojë të marrë pjesë në ekspozita të çelura në bunkerë apo edhe jashtë Shqipërisë, bie fjala në Francë, ku arti bashkëkohor trajtohet si dekor në rastin më të mirë dhe si objekt etnografik në rastin më të keq. Këtë kisha parasysh kur konstatova që skena artistike nuk ka qenë ndonjëherë më keq se ç’është nën pushtetin e Kryeministrit-artist dhe përgjigja e tij që asgjë nuk do të më ndodh mua, nuk është se vlen edhe për ata artistë në Shqipëri që i druhen protestës dhe kundërshtimit publik.
Njoh dhe kam marrëdhënie sa profesionale, aq edhe shoqërore me shumë e shumë artistë atje, me të cilët kemi biseduar hapur dhe pa komplekse për zhvillimin e tyre artistik si dhe atë skenës dhe prej të cilëve jam informuar hap pas hapi për situatën e atjeshme, sidomos gjatë legjislaturës së tanishme. Shpresoj të kem qenë për ta më shumë sesa bashkëbiseduese me të cilën qanin hallet, bënin thashetheme dhe i tregonin punët e fundit – pasi jam munduar t’i mbështet me shkrime, përkthime dhe kritikë sa herë më është kërkuar, madje edhe kur nuk më është kërkuar. Shpesh kam bërë avokaten e tyre, pa e ditur ata. Asnjërit prej atyre që më njohin nuk do t’i ketë ardhur si befasi që tani jam kaq kritike ndaj kësaj qeverie, e cila ka përvetësuar e si rrjedhojë përkeqësuar artin dhe skenën që un kam vite që e ndjek, e njoh, dhe jam aktive në të. E megjithatë, ata pak nga pak kanë filluar të distancohen dhe të shkëputin marrëdhëniet me mua, disa të paktën në publik e ndonjë ka shkuar deri aty sa edhe të më bllokojë krejt në rrjet, ngaqë nuk i ka pëlqyer diçka që kam thënë; pa çka se kjo diçka nuk ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me ta, artin e tyre dhe statusin e tyre, por ka shënjestruar etërit e tyre artistikë, që tani çdo ditë e më tepër po u bëhen etër burokratikë. Është krijuar një atmosferë që, në mos e diktuar nga pushteti, është e vetë-imponuar; pasi askush nuk don të prishë marrëdhëniet (reale a të imagjinuara) me pushtetin; dhe aq më tepër kur rrezikojnë jo vetëm karrierën e tyre artistike por edhe vetë mbijetesën, e cila u varet, për shembull, nga kontratat si dizajner grafik a videograf. Ka qenë ky siklet që i ka detyruar kolegët e mi të tërhiqen nga unë, nga njëri-tjetri dhe përfundimisht nga arti! Sado keq më vjen keq për këtë situatë në aspektin profesional si dhe personal, ajo që ndjej dhe vuaj më së shumti është dëmi që vetvetiu po i bëhet skenës artistike, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje, bashkëpunim, por edhe për debat e kritikë. Edhe më shqetësuese është këtu logjika e të mosbërit kritikë ndaj pushtetit, një farë “playing it safe,” e cila tashmë përfshin edhe vetë artin. Që të mos keqkuptohemi, flitet boll nëpër kafe, në Facebook, e aq më tepër në biseda private, por nuk para guxon njeri të shkruajë kritikë arti, qoftë edhe në terma formaliste e estetike, ndaj ndonjë artisti apo hapësire/organizate artistike që në mos ka pushtet, është fare pranë tij dhe gëzon miratim dhe mbështetje prej tij. Ose jo pa bërë të paktën ca muaj punë kërkimore dhe shteruese në 40 e kusur faqe studimi akademik, që kritika të merret seriozisht dhe të mos injorohet si inat personal! Druhem se ky fenomen nuk i përket vetëm botës së artit por është i pranishëm në çdo fushë e aspekt të jetës sociale e politike dhe jo vetëm në Shqipëri, pasi e has kudo edhe në USA, ku njerëzit sa për të respektuar një farë etikete, sa nga frika, nuk para flasin keq dhe as janë negativë pa qenë nevoja (çka shpjegon edhe pse askush realisht nuk do të bëjë ndonjë kritikë artistike të artit të Ramës në New York apo gjetkë, nisur nga parimi “kur s’ke gjë të mirë të thuash, më mirë mos thuaj asgjë”.) Por në Shqipëri kjo patologji ka arritur përmasa absurde dhe shqetësuese, kur një artisti i thuhet deri edhe se nuk mund te jem unë kuratorja e ekspozitës se tij të planifikuar prej muajsh, pasi unë kam qenë kritike dhe “kam sharë” në mos hapësirën vetë, të paktën personin që e drejton atë. Në rastin konkret, kjo ishte e tëra një farsë, pasi hapësira në fjalë nuk e pati problem të më priste mua dhe nja 20 të ftuar ndërkombëtarë fiks një ditë para se të hapej pikërisht ajo ekspozitë që e kishin parë të udhës të ma refuzonin. Po të kishin qenë aq të lënduar nga kritika ime, administruesit e kësaj hapësire dhe të zotët e shtëpisë nuk do të kishin pranuar as këtë eventin e dytë! Në fakt, unë dhe artisti në fjalë nuk po ndëshkoheshim për qëndrimin tonë kritik ndaj këtyre të zotëve të shtëpisë, por për kritikën ndaj pushtetit që i mbështet ata; ose pikërisht atij pushteti të cilit nuk ia mbajti të refuzonte eventin me të ftuarit e huaj, sepse të huajt në Shqipëri gjithnjë u dashkan impresionuar nëpërmjet artit dhe hapësirave të kontrolluara ku kultivohet dhe mirëmbahet hipokrizia. Po e sjell këtë shembull vetëm tani që artisti në fjalë e hapi ekspozitën e tij tjetërkund dhe ky episod censure nuk do të ndikojë dot në mënyrën si u përcoll ky event, i cili gjithsesi meriton më shumë se kaq. Këtë lloj atmosfere shtypëse nuk besoj se e regjistron dot ndonjë instrument a raport i Komisionit Europian, por ajo është akoma më e ndjeshme sesa efekti butaforik i ngjyrave me të cilat vijon të krekoset Kryeministri. E nëse ai kërkon të marrë meritat që beson se i takojnë për përmirësimin e sjelljes dhe të jetesës së qytetarëve të tij me një të rënë të lapsit, atëherë do të na duhet t’i faturojmë edhe dëmin që po shkakton sa me retorikën ofenduese ndaj bashkëbiseduesve, pra të njëjtëve qytetarë të tij konsumatorë të ngjyrave, aq edhe me psikozën dhe frikën e instaluar nëpërmjet favoreve apo ndëshkimeve që lëshon. Ndaj shumë artistë i janë bashkuar tashmë pushtetit për të përfituar nga ndonjë kontratë pune si reklamaxhinj (dikush duhet t’i filmojë e të montojë gjithë ato orë propagandë që prodhojnë Kryeministria e Bashkia për projektet e tyre!); si organizatorë e DJ festivalesh; a si artistë zyrtarë që ekspozojnë artin e tyre në COD – ndërsa të tjerë thjesht po presin, disa madje duke bërë të pamundurën, që të shalojnë valën e brandit Kryeministër, për t’u katapultuar vetë si artistë ndërkombëtarë; ose në një rol ku besoj s’do të ngurojnë të bëjnë artistin shqiptar, që sipas kërkesave të vëmendjes dhe tregut global të artit bashkëkohor, do të thotë të bëjnë art për gjendjen socio-politike në Shqipëri. Përtej oportunistëve të të gjitha ngjyrave, kemi dhe plot artistë të tjerë që realisht janë të lodhur dhe të mundur nga lufta kundër kësaj gjendjeje prej vitesh dhe në mos e kanë lënë artin fare, tashmë janë mbyllur në “studio”, larg çdo vëmendjeje. Të tjerë që edhe pse kanë aq sukses e treg ndërkombëtar sa prej tyre do të pritej që të ndiheshin të lirë nga trysnia e të mbijetuarit, kanë frikë që pushteti i sotëm mund t’u bëj dëm edhe jashtë, sa kohë që Kryeministri lëviz në qarqe që çdo artist ia ka zili; ose thjesht zgjedhin të mos përfshihen, falë sigurisë financiare që kanë siguruar dhe që tashmë i lejon të izolohen nga efektet e politikës. Të tjerë akoma, në mungesë të ndonjë tradite disidence apo thjesht të modeleve të shëndetshme të artistit të angazhuar – përfshi këtu edhe vetë Kryeministrin që më shumë njihet për rolin e tij si kritik dhe nxitës i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve sesa si artist mirëfilli – nuk dinë të luajnë tjetër rol përveç atij të artistit “të pavarur”, a thua se kjo i shpëton nga përgjegjësia e të qenit qytetarë. Nuk po dua të tregoj kënd me gisht, pasi jam e vetëdijshme për konditat ku jetojnë e punojnë të gjithë këta artistë, që nuk janë të reja as janë shkaktuar nga pushteti i sotëm; por nuk kam as si të mohoj përkeqësimin e trysnisë dhe censurës që po përshkruaj. Nëse ky shkrim ndokujt i duket i hidhur dhe realiteti i ekzagjeruar, atëherë kjo do të dëshmonte pikërisht atë për çka po flas. Çdo pretendim ndryshe vjen vetëm nga dikush që përfiton drejtpërdrejt nga kjo situatë, pra dikush në pushtet ose në pritje për të marrë pushtetin; apo dikush tjetër që sikletoset se nuk do të mund ta injorojë më tej këtë gjendje ku janë katandisur arti dhe artisti sot! Dhe kjo shpjegon edhe pse kaq shumë artistë parapëlqejnë të k
rijojnë distancë midis vetes dhe kujtdo që denoncon apo kundërshton politikat në kulturë apo më gjerë. E bukura është që të qenit kritik është gjë që ngjit dhe infekton, po të mos i largohesh a të mos pretendosh se nuk e sheh dhe se ajo nuk ekziston. Këto kohë edhe unë po zgjedh ta rrethoj veten me njerëz që sa më mësojnë me qëndrimet dhe artin e tyre kritik, aq edhe shpresoj t’i frymëzoj, pasi janë ata që realisht po i vuajnë efektet e kësaj politike ndaj artit dhe do t’u duhet të vazhdojnë t’u rezistojnë. Njëkohësisht, prej ditësh kam marrë me dhjetëra mesazhe inkurajuese nga miq, të njohur e dashamirës të qëndrimit tim, që e cilësojnë si të guximshëm. Një pjesë e mirë e këtyre më duken të motivuara thjesht ngaqë unë po bëj opozitën e kaq munguar në Shqipëri dhe jo ngaqë realisht kanë gjetur veten në kritikën time: në fakt, unë nuk identifikohem me dhe nuk e lë veten të përvetësohem nga ndonjë prej partive opozitare sot. Do duhej t’i gëzohesha kësaj mbështetjeje, por edhe njëherë kjo vetëm sa dëshmon censurën në mos reale, të paktën që perceptohet dhe përjetohet nga ata që po më kontaktojnë dhe urojnë për guximin. Ndërkohë që pyetja ime kritike, normalisht pjesë përbërëse e historisë dhe diskursit së artit me të cilën unë jam formuar dhe traditës kritike që unë i përkas, i drejtohej retorikisht audiencës së mbledhur në New York, pra nuk ishte e destinuar për një publik shqiptar; pa çka se përfundoi pastaj e përcjellë rrapa-shtrapa nga çdo media dhe e shtrembëruar në çdo mënyrë të mundshme. Në fakt, unë nuk e shoh si kushedi sa të guximshëm qëndrimin tim në atë kontekst, dhe zihem ngushtë kur më shohin të tjerët ashtu. Guximtarë ka plot të tjerë aty ku duhet, në Shqipëri, dhe unë veç sa dua t’u bëj jehonë, t’i mbështet e t’ua plotësoj aktivizmin dhe artin e tyre aty ku mundem.