POETI SINAN KËRPAÇI, NË NJË “GUARDIANOLOGJI” PLOT DASHURI
Laureta PETOSHATI: POETI SINAN KËRPAÇI, NË NJË “GUARDIANOLOGJI” PLOT DASHURI
Poetët e vërtetë dallohen nga individualiteti, të cilin poeti Sinan Kërpaçi me anë të mjeteve shprehëse estetike dhe gjuhësore e ka gdhendur në mjaft vëllime poetikë. Por poeti Kërpaçi, në vëllimin më të fundit të tij “Ditari i Gardianit K,” na vjen ndryshe nga herët e tjera, madje me një individualitet dhe stil akoma më të spikatur. Kjo, sepse situatën jetësore të veçantë të tij, ai mundohet që ta shndërrojë në një situatë të veçantë estetike. Ai, tashmë punon gardian në një burg, ndaj vetë raportet mes lirisë dhe burgut, mes të dënuarit dhe gardianit, mes gardianit njeri dhe poet krijojnë një ambiguitet, të cilën ai e kthen në vlerë estetike për artin e tij poetik. Ky ambiguitet në poezinë e tij, e shndërron veprën e tij të hapur, për të cilën esteti dhe filozofi Umberto Eco në librin e tij “Vepra e Hapur”, sqaron se në semiotikë, vepra e hapur është një tekst që lejon interpretime të shumta ose të ndërmjetësuara nga lexuesit.
Zakonisht në botë, madje dhe sot, njihen raste të burgosjes së poetëve, por nuk njihet ndonjë rast që poetët të punojnë në burgje. Për më tepër, në Shqipëri, mbas viteve 1990.kur u shemb komunizmi, dolën shumë poetë nga burgjet e diktaturës dhe fenomenin e shkrimeve letrare të kësaj periudhe brenda burgjeve, poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti e quan burgologji. Ndërsa poezia e poetit Sinan Kërpaçi është poezia e një nëpunësi që përpiqet të sigurojë jetesën duke punuar gardian, ku, brenda mjediseve të burgut, në trurin e tij poezia bëhet si një praktikë e pazëshme komunikimi e përditshme, sepse sa del nga burgu, ai e shkruan atë në ditar ku ajo bëhet e lirë, e zëshme. Ajo thyerja midis asaj që është jashtë burgut dhe asaj brenda burgut, e përjetuar nga poeti si kufiri mes rregullit dhe pështjellimit, midis normales dhe anormales, bën lindjen e të papërcaktuarës, ambiguitetit, që mund t’i quajmë “gardianologji poetike lëvizëse”, që si bashkimi i eshkës me urorin ndezin zjarrin e brendshëm të poetit, flakët e poezisë. Ndodh pikërisht ajo, për të cilën poeti dhe artisti i madh poliedrik Federico García Lorca thotë se: “… as ti, as unë, askush tjetër poet nuk e di se çfarë është poezia. Ajo është këtu; duket. Kam zjarr në duart e mija. E ndjej atë dhe punoj me të në mënyrë të përkryer, por unë nuk mund të flas për të pa letërsinë. Poezia është diçka që ecën në rrugë. Që lëviz, që na kalon përkrah. Të gjitha gjërat kanë misterin e tyre dhe poezia është misteri që përmban të gjitha gjërat … Për këtë gjë nuk e konceptoj poezinë si një abstraksion, por si një gjë që ekziston vërtetë, e cila më kalon pranë.”
Pra, dhe poeti Kërpaçi ka zjarr në duart e tij, poezinë e ka në krah kur ai është në ato mjedise burgu, për të cilat ka shkruar poezi të tilla si: “Gardiani më i ri”, “Dialog në mesnatë”, “Dëshirë gardiani”, “Refie”, “Hekurat në mes”, “Minutat”, “Më merr”, “O Donald Lu, o Donald Lu”, etj. Me këto poezi duket haptazi që poeti Kërpaçi nuk i kërkon temat tek yjësitë, por në tokë, në jetën e përditshme, te shpirti njerëzor, aq sa gjithë vëllimi të duket si një autobiografi shpirtërore. Poezia më përfaqësuese e këtij ditari poetik të gardianit-poet, mendoj se është “Hekurat në mes”, ku vargje si: “Ti në atë anë,
/unë në këtë anë,/ hekura në mes./ Hekurat na ndajnë / hekurat s’na ndajnë…”, tregojnë për raportet njerëzore në një situatë të pazakontë, ku njeriu duhet të tregojë vlera si njeri. Vlerat njerëzore theksohen edhe te poezia tjetër me këtë temë “Dialog në mesnatë”, ku vargje të tilla, si: “Si i ke ngrënë fjalët nëpër dhëmbë/ kërkon nga unë një duhan të fortë/ që ta afroj nga jashtë blindit/ me dorën e Sinanit:/ e blej për ty te dyqani ku blej bukën/ me rrogën imcake të gardianit...” Po kështu vazhdon dhe te poezia “Gardiani më i ri”, kur thotë se “E kërkoj atë çastin kur ti je njeri/ dhe e përdor fjalën si poet.” Duket se në shkrimin e këtij ditari poetik, poeti Sinan Kërpaçi herë përdor sinkroninë e herë diakroninë, si pjesë e historisë së tij jetësore. Kthehet mbrapa në kohën e shpëlarjes të trurit, kur ai ishte ushtarak, “ky isha unë – një manekin në diktaturë”, siç thotë te poezia “Ushtari manekin i diktaturave” dhe kur “Komandanti te Selia shkruante kujtime përralla / unë luftoja me superfuqitë në hartë te çadra”, siç thotë te poezia “Kur mundja dy superfuqi”, apo te poezia “Driloni i komandantit”, ku me një sinqeritet dhe vërtetësi tronditëse tregon se “Këtu mësova t’i lidhja duart mbrapa si Komandanti/ këtu unë ushqeja një ëndërr: t’i ngjaja Enver Hoxhës./ Me të lidhurat e mia desha të zgjidhja të botës!” Madje vargjet e fundit tregojnë absurditetin e kohës, regjimit dhe diktatorit. Por ai bën distancimin dhe dallimin e të dy kohëve, asaj në diktaturë, kur ai ishte komandant i ushtarëve dhe tani në demokraci, ku ai kryen detyrën e gardianit, që ndryshon si nata me ditën në shumë drejtime. Kjo gjë duket qartazi te poezia “Ndryshimi i madh me mua midis”, ku vargjet si “Ata vinin me këngë dhe iknin me këngë/ këta vijnë me pranga dhe lirohen kokulur,” flasin për dy filozofi të ndryshme edhe pse në kohë të ndryshme. Këto poezi meqë kanë ekzistencializëm dhe filozofi jetësore në kushte të pazakonta janë lakonike, pa fjalë të tepërta, aq sa duken se ato janë në përputhje me logjikën dhe seriozitetin e detyrës që ai kryen si gardian. Në këto poezi nuk ka asnjë fije urrejtjeje. Madje, ai i qëndron larg urrejtjes, gjë që e shpreh te poezia “Zgjedhje”, ku në vargjet “Në rrugën që shkon nga zemra/s’dua të shkojnë të dyja/ urrejtja dhe dashuria”, bën që të na shkojnë në mend fjalët e urta të një poeti të madh si Giuseppe Ungaretti, i cili te “Jeta e një njeriu”, shprehet se: “Në poezinë time nuk ka asnjë gjurmë urrejtjeje për armikun, as për gjithçka tjetër: është vetëdija e gjendjes njerëzore, vëllazërimi i njerëzve gjatë vuajtjeve, pasigurisë ekstreme të gjendjes së tyre. Është vullneti për t’u shprehur, nevoja për t’u shprehur”. Poezitë, ku shkëlqen më shumë poeti Kërpaçi, janë ato, në të cilat ka një rrezatim të sfondeve metaforikë me gërshetime simbolike, alegorike dhe psikologjike, ku kulmin në këtë vëllim e gjejnë te poezia “Në ke vend merrmë dhe mua”. Në këtë poezi, si në shumë të tjera të këtij vëllimi si “Me të dua dhe njëherë”, “Në varkën e dashurisë”, “Letrat e dashurisë”, “Të kalojë dashuria”, “Vetëm me dy vargje”, “Shiu që s’më lag”, “Bari”, “Mos ma tremb adoleshencën”, etj., edhe pse ka një alegori tejet të dukshme, në pamje të parë të thjeshtë, realisht është i thellë dhe njëkohësisht në shtrirje horizontale mjaft universale. Poezia “Në ke vend merrmë dhe mua” ka aq ambiguitet sa hera-herës kthehet në mistike. Ecja e njeriut që dëshiron të ecë bashkë me ujin e përroit nëpër prita, si kaprolli që bën hedhje të shkathëta, derisa bashkohet në detin e madh, është ecja, apo më mirë udhëtimi imagjinar i poetit, i cili kërkon të bëhet i dobishëm për shoqërinë
ashtu si uji që përdor mulliri për të bluar në mokër. Por kjo duhet të bëhet para se ai të shkojë në përmasën tjetër, që në mënyrë metaforike shprehet me detin. Këtu kemi një shteg që shkon drejt dashurisë dhe urtësisë sipas poetit të madh Rumi dhe sufistëve të mëdhenj që është asgjësimi i shpirtit sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Këtë asgjësim të vetvetes e thekson më tepër te poezia “Vetëm me dy vargje”, ku thotë “kur isha dashuri”, apo te poezia “Kërkoj një det”, ku thotë shprehimisht: “Rrjedhë jam, lumë jam në atë të ecur,/ pas të ndjek me diell në stërkala dallgësh/ kur të tund në Jon, kur të tund…” Por kjo ndjekje dielli që krijon një këndellje, një sfond rrezatues metaforik vazhdon dhe te poezia “Me të dua si njëherë”, ku aliteracionet, rimat e brendshme, kuptimi konkret dhe metaforik i furkës, japin një poezi aq lirike, aq përfaqësuese për etnosin shqiptar e kryesisht atë të Labërisë, saqë pa frikë mund të quhen antologjike: “Ah, si i bëre shtëllungë,/ si i ngjite në një furkë Labërie/ t’i tjerr unë, t’i tjerr unë me një bosht në korie!/ Furka e ngulur në brez / atje ku dielli del si shtëllungë:/ t’i tjerr unë, ta tjerr unë!” Elementët e etnosit dhe kulturës së Labërisë, nga vjen poeti Sinan Kërpaçi, i përsërit dhe te poezitë “Letrat e dashurisë” ku flet për trëndelinën, apo te poezia “Mollekumbull” ku flet për mollën apo kumbullën si metonimi e simbole të një vajze të bukur e plot shëndet, apo në shumë poezi të tjera ku për të dashurën përdor metonimitë “grykëzënë” apo “kokrra e majës”. Madje, duke u vendosur në lëvizjen hyjnore rrethore, për të treguar ciklin dhe vazhdimin e jetës nëpërmjet familjes, ai tregon me anë të poezisë “Në dasmën time” edhe ritin e vallëzimit sipas këngës popullore “Të gjithë rreth e rrotull jemi moj unazë”, ku mungesa e atyre që nuk janë më në
botën e të gjallëve krijon eklips unazor, ku ai me anë të vargjeve tregon aftësinë e poetit për të provokuar imagjinatën e lexuesit që duket se është i pranishëm në ritualin e valles, por dhe në pështjellimin shpirtëror të tij.
Poeti Sinan Kërpaçi duket si një kameleon i vërtetë në këtë vëllim poetik, ka ndryshime shpirtërore dhe brenda një poezie, ku diku të duket si guaskë e mbyllur e diku si det i hapur. Semiotika e tij është mbresëlënëse, e pasur me ndjesi estetike për dhënien e mesazhit të tij. Madje, ka raste që ai kërkon që të ngrejë sistemin e shenjave të tij kundër atyre që janë konvencionale. Këtë gjë e bën më së miri te poezia “Të kalojë dashuria”, ku në semiotikën përkatëse, pra te shenjat rrugore ku futet drita e kuqe, e verdhë dhe jeshile, Sinani vendos apriori edhe një ngjyrë tjetër: ngjyrën blu. Këtu ai shkruan: “S΄më ndalon te semaforët/sinjalistët elektrikë/ s’janë në shijet e mia/ njoh vetëm një ngjyrë-blunë,/ që thërret sa ka në kokë:/Të kalojë dashuria!” Dihet që bluja është ngjyra e qiellit, ngjyrë transcendentale, hyjnore, ndaj dhe dashur pa dashur, këto vargje të kujtojnë vargun e fundit, me të cilin Dante mbyll “Parajsën” dhe krejt “Komedinë Hyjnore”: “Dashuri që lëviz diellin dhe yjet e tjera.” (Parajsa XXXIII, 145)
I tillë është krejt ky vëllim poetik, i cili edhe pse i shkruar nga një gardian, duket se jep mesazhin e dashurisë njerëzore aq sa duket se përhap shprehjen e shenjtores sonë Nënë Tereza që thotë se “dashuria do ta shpëtojë botën.” Ditari i G A R D I A N I T K
Gazeta “NACIONAL
Cikel poetik: “TREGU KU SHITEM UNË”
DY RRUGË I BËJ ME HAP
Bëj këmbë nga Biblioteka Kombëtare të takoj miqtë,
e kam të gdhendur dukshëm mu në ballë:
nuk jam gardian në burg dhe as në liri.
Ma lexo të gdhendurën ku bie dielli së pari
dhe eja ta pimë të munguarën “për dy”.
Sot nuk jam në burg, por as mungesë e tij.
Kur i hedh hapat në rrugën “Biblioteka Kombëtare”
i hedh edhe në një korridor shtatëdhjetë metër të gjatë.
Dhe hekura, dhe blind, dhe tela me gjemba,
dhe libra të vjetra sa bota në raft.
Shokë kam atje ku do ta pi kafen sot,
shokë kam dhe tek e piva të hidhurën dje,
se janë dy rrugë që unë i mat me hap:
njëra me korridorin shtatëdhjetë metër të gjatë
dhe tjetra me rafte biblioteke.
Pasi flas me të gjithë ata që takoj
më duhet dhe ca kohë të flas me vete.
Tetor 2016 (e shkruar në turnet e gardianit K)
TROTUARI “AROMA E GJINJVE”
Në rrugën “Bardhyl”
fjalën e ka aroma e blirëve
pa më lënë kohë të shikoj
kë kam në krah
në të mëngjër e në të djathtë.
Në rrugën “Bardhyl” dal të nuhat!
Kërkoj me sy “Kokrrën e Majës”
dhe pi një çaj me lule bliri
servirur nga degët, fillikat…
Në rrugën “Bardhyl” jam lart!
Shkel me imagjinatë trotuarit
“Aroma e Gjinjve”
siç ia vura emrin sonte,
kur rruga u bë femër
dhe më afroi parfum me aromë gjiri.
Në rrugën “Bardhyl” po çel lule bliri!
Rruga “Bardhyl”, 5, 6, 2014
BABAI SHTRIU KRAHUN
Detin Jon kur ma tregoi
e shtriu krahun pa pëllëmbën e tij –
dorën që ia mori e Dyta,
dorën edhe djalërinë
dhe e la me një mungesë,
një mungesë me pesë gishta.
S`e pati mundësinë ta përdorte kurrë
as në aritmetikën time të fillores
as të mbante të voglën time mbi shkronja.
Unë gjithnjë e pashë mungesën dhe dridhesha:
dridhem nga mungesa e madhe akoma.
Tutje pa nga shtrihej Joni. Tutje pa!
Edhe krahun, edhe fjalën bashkë i la
të më bëheshin Atdhe.
Pashë si e tundi jelenë Luca mal
kur na mbajti ne të dyve në samar
me një Shqipëri në sy tej e tej
ditën që iu bëra dorë, ditën që iu bëra gishta,
ditën që iu bëra krah:
bashkë numëruam yjet
e një herë s`më la pa qiell si baba.
ME “të dua” SI NJËHERË
E besoj…ndjehem i lumtur brenda fjalëve të tua
si më vijnë, si më gjejnë nga s`mbahet mend,
me dy duar si njëherë u jep ujë te një krua.
S`bëj më tutje, më mjafton ky shesh me lule
nga të prillit, nga të majit si i shkunde, si i shtrove.
Ti i gjete, ti i fole…nuk i torre: ma le mua.
Ah, si i bëre shtëllungë,
si i ngjite në një furkë Labërie
t`i tjerr unë, t`i tjerr unë me një bosht në korie!
Furka e ngulur në brez
atje ku dielli del si shtëllungë:
ta tjerr unë, ta tjerr unë!
I mblodha i bëra fill: thurr fjalor për dashurinë
me “të dua”, me “të dua” e të tjera në lëndinë
në prillin që na sjell maj ty dhe mua.
Janë dy muaj: maj e prill e pas një verë
dhe “të dua” dhe “të dua” si njëherë
furka ime, furka ime me shtëllungë!
Kur të tjerr, kur të tjerr…si të tjerr unë!
TREGU KU SHITEM UNË
Poetët ngarkuar me librat e tyre në qeska plastmasë
rrugëve të qytetit tim për një shpresë që ka vdekur,
për një diell që s`po lind as te ky shekull.
S`arrijnë t`i shesin as shtrenjtë as lirë,
pushtetarët nuk i kanë qejf librat, nuk i lexojnë,
madje as “hidh një firmë, o poet” nuk thonë njëherë,
vetëm “rojet” 24 orë pa ndërrim te kazanët e bashkisë
thonë: do Zoti dhe e hedh! Ku të bjerë, ku të bjerë!
Secili për hallin e vet te “kioska” e vet.
Nesër, sa të gdhihet, unë atë libër prapë do ta blej.
Kur t`i them “sa të bën” ambulanti do më thotë:
vetëm hiqe, vetëm blije, vetëm shporrma,
nuk kam bërë sefte akoma.
Do ta blej me pesëdhjetë lekë te një treg: tregu “GABI”,
te tregu që ka shumë punë, ku shitem dhe blihem unë
këto kohë, këto kohë në vendin tim!
PËRQAFIMI
Deri ku s`na njohin bëju të fala,
për vete mbaj përqafimin:
po e ndjeve se jam unë,
fryj si Juga,
po e ndjeve se jam Luca,
ai mal.
Jam Luca nga shohim detin
dhe shprehemi me një zë:
bukuria s`është larg.
Kokën mbi dy të florinjta
s`e mbështes
sikur pi dy sylynjarë:
afroj veshin, dëgjoj thellë
mu atje ku rreh një zemër
me frikë s`e mos lë punën
dhe vdekjen time shpall.
GJESTET E DASHURISË
(imagjinatë)
E vendosa që sot të shkoj te gruaja i dehur
gjë që nuk e kam bërë me të jetës kurrë…
Me këto duar do ta shqit nga balli im i lartë
të shkruarën e vjetëruar “BURRË!”
ashtu si e mendon ajo dhe nuk jam unë.
Edhe tek të dashurat s`kam shkuar njëherë i pirë,
por ato gjithnjë kanë thënë për mua “i dehur”
dhe vazhdojnë ta besojnë gjithnjë e më shumë:
kanë qejf ta ngulitin në mendje fort mirë
se unë kur “u pushtoj” shtratin jam i pirë.
Në mos me shoshoqe me vete e bëjnë pyetjen:
pse na ndodh me këtë të dashur kështu?!
Asnjëherë me të tjerët, gjithnjë me poetin
përgjigjem në mënyrën më të sinqertë:
nga gjestet, nga gjestet që bëj kur jam me ju.
Lokal “ MATEO”, 30, 7, 2013
MOLLËKUMBULL
Kur më shkoje rrugës lart më dukeshe lulemollë,
kur më shkoje rrugës poshtë më dukeshe lulekumbull,
kur shkelje në të dy rrugët ishe më shumë se e bukur.
Erdhi dita u mësova me dy fjalë: lulemollë, lulekumbull
dhe nuk të ndava nga zogjtë kur qe fjala për e bukur.
Nuk të lashë te pema kumbull, nuk të lashë te pema mollë,
të shartova në një trup, të quajta: kumbullmollë.
Mollëkumbull, kumbullmollë, si të shkunda, si t`u ngjita,
dhe te fruti më i majës ndera dorën, të arrita
kur e tundja një balluke të bukur si Çukgjinika!*
*Kodër në vendlindjen time.
ATDHEU QË S`SHITET
Botë,
merrna parlamentin
dhe sillna plehrat!
Mua si gardian
më lër në dorë çelësat
kur ke punë me hekura
te burgu që llamburit
dhe është i madh,
si qytet,
dhe si bukuri që vret.
Deshën para
për gradë komisari…
Atdheu që s`shitet
ma dha kur isha djalë:
u bëra dhëndër
me kapele ushtari.
- 9.2016 (e shkruar në t…g…K)
SHTIREMI GJATË
Ç`u bëre, o mike, ku më humbe
pa leje e kaq gjatë,
pa adresë e kaq larg?!
Dhe pa çatin feisbukjan…
Eja të hedhim “letrën me vrimë”
se kush do jetë “fatkeqi” poshtë
dhe kush “fatlumi” lart,
domethënë:
kush do të flas i pari si “A”
dhe kush i dyti si “B” në çat
të bindur se me alfabetin shqip
e shprehim çmendurinë…
Unë edhe në gjuhë të huaj
si në të nënës mendoj
kur kërkoj fjalë për dashurinë.
Vetëm këtu të fola me sinqeritet,
o çatjane!
Bar “MATEO”, 19, 5, 2015
KREHËRI I DIELLIT
Sot dielli në Malin e Gjerë nuk më lindi
si tridhjetepesë vjet më parë,
s`e kish në dorë një krehër
për balluken time dhe të asaj.
E pa një krehër për kaçurela
pse del në majë ky diell e kërkon vlera?!
Pse nuk fshihet gjakftohtë në re
të ruajë imazhin e asaj që pa dje –
ballukeve tona.
Vërtet nuk di të krehë më ai,
vërtet me rreze harroi të krehë?!
Nuk e mbaj mend si të puthja dje
pa mend e dashur, s`e mbaj.
Dimër qe, vjeshtë qe apo si tani behar?!
Vetëm se kur gjuante në Mal të Gjerë
nga flokët gjer në thua të kthente në ar.
DY PËRGJIGJE
Nga “Te Shqiponja”
deri te burgu im
janë njëqindenjëzet kilometër:
për t`u futur në burg
dhe për të dalë prej tij.
“Te Shqiponja” iki nga Tirana,
“Te Shqiponja” futem në Tiranë:
dyqindedyzet kilometër në ditë
për një mujore treqind dollar.
Kur më kërkojnë adresën
u them: “Te Shqiponja”
sikur u përgjigjem: “Këtu!”,
kur më pyet e jetës: “Ku je?”
s`i them “Te Shqiponja”,
por “Në krahët e tu
si në burg dhe jashtë tij.”
- 10. 2016 (e shkruar në t…g…K)