Albspirit

Media/News/Publishing

Lef Nosi, kur dashuria për Shqipërinë paguhet me jetë

Ervin Sanja

Lef Nosi, kur dashuria për Shqipërinë paguhet me jetë

“Menaxhimi i vendit ishte një angazhim për të ndihmuar bashkëkombasit e vet, por edhe njëkohësisht për të vënë një gjurmë për Shqipërinë etnike që Lef Nosi që e kishte ëndërr dhe ideal”

 

ELBASAN – Familja Nosi e përcaktuar historinë e saj me kontributin e madh patriotik, publicistik dhe hulumtues të Lef Nosit. Dhe një gjë të tillë që dje e ka të vërtetuar me statujën e ngritur në qytetin e Elbasanit. Figura të ndryshme folën për kontributin e dhënë prej atdhetarit që nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, pavarësisht rrezikut, edhe atëherë kur kishte mundësin.

Lef Nosi u kthye në figurën ku të gjithë të rinjtë elbasanas besonin se do të mësonin shqip dhe do të kontribuonin për çështjen kombëtare. Me një kontribut të gjithanshëm që me themelimin e qeverisë së parë shqiptare në vitin 1912, Lef Nosi nuk do të harronte fushat e preferuara si foklori, studimet mbi albanologjinë, etnografinë dhe folklorin. Por situata politike nuk do ta linte të pashqetësuear megjithëse mosha nuk ia lejonte vrullin dhe angazhimin që kishte treguar në shpalljen e Pavarësisë. I pushkatuar si regjent ai nuk do ta tradhtonte asnjëherë kontributin në shërbim të vendit siç kishte bërë gjatë gjithë viteve të jetës. Vendosi të qëndronte në Shqipëri dhe të përballej me vendimin e komunistëve për t’i marrë jetën.

Nipi i tij Steliano Nosi vazhdoi kontributin në shërbim të njerëzve këtë herë në fushën e mjekësisë. Familja Nosi strehoi edhe një hebre, jeta e të cilit lidhet ngushtë me zhvillimet dhe përndjekjet ndaj familjes. Adelina, mbesa e Lef Nosit në moshë shumë të thyer, jeton në kryeqytet. Ajo rendit kujtimet e saj sidomos në vitet kur familja u përndoq dhe daja i saj u dënua me vdekje. Ai pati fatin e keq si një nga tre regjentët e Shqipërisë, bashkë me figurat e shquara të Patër Anton Arapit dhe Maliq Bushati duke u pushkatuar pas një gjyqi special komunist. Lef Nosi hyri në historinë shqiptare që në ditën e parë të shtetit të ri shqiptar më 28 nëntor 1912, përkrah Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit si minister i Postë – Telekomunikacionit.

Ndërsa nipërit e mbesat e Lef Nosit rendisin kujtimet dhe sidomos përndjekjet, mbesa e Lef Nosit, Adelina, e vetmja që ka përjetuar periudhën e përndjekjes, arrestimit dhe ekzekutimit të Lef Nosit ka përcjellë kujtimet e saj para se të ndërronte jetë, për arrestimin dhe tradhtinë që e parapriu arrestimin e tij.

“Një njeri i thjeshtë e ndihmoi ta strehonte në shtëpinë e tij, sapo e pa dhe e njohu Lefin dhe kështu vazhdoi derisa një ditë erdhi në shtëpinë tonë një burrë që nuk e njihja, i ra derës dhe dola unë. Ai më tha se pas disa orësh do të vijë Lefi në shtëpi. Unë e di se ai ka ikur, i thashë. Por nuk ishte ashtu. Daja kishte mbetur me Patër Antonin. Ai erdhi, por unë nuk e pyeta Lefin se ku kishte qëndruar. Xhemal Farka, një shok i Nosit në Kolegj, përgatiti vajtjen e Lefit në misionin anglez. Për këtë arsye blemë disa punime druri, si: çibukë, tasa druri dhe gdhendje të tjera dhe të veshur si fshatar, pasi i blemë një shami të kuqe. I lidhëm me këtë shamit të kuqe të gjitha sendet dhe i vumë dhe një qeleshe në kokë dhe me këto vajti tek misoni anglez. Ne u gëzuam se anglezët e pranuan. Atje qëndroi 5-6 orë dhe natën erdhi përsëri. Kapërceu kangjellat e rrethimit të oborrit dhe trokiti në derën e brendshme të shtëpisë. Në atë kohë ne banonim në shtëpinë e arkitekt Butkës që ndodhet edhe sot në rrugën “Sulejman Pasha”, sot vila ku banon arkitekt Emin Riza. Ato kangjella janë edhe sot e kësaj dite që flasim. Unë u çudita se si i kish kapërcyer kangjellat se ishte në moshë të thyer.

E vura re në sy se ishte shumë i mërzitur dhe më tha se kishte bërë shumë fjalë me anglezët. Lefi më tha se ata i kishin thënë se nuk mund të prisheshin me qeverinë shqiptare. Në atë kohë ne kishim një shërbyese e cila banonte tek ne.

Për këtë arsye e fsheha dajën në një dhomë të vogël ku mbaheshin shtresat, e cila komunikonte me dhomën tonë të gjumit. Në këto kushte lajmërova vëllanë tim Vasil Nosin që të vinte nga Elbasani. Vasili erdhi, takoi Lefin dhe të nesërmen u rikthye në Elbasan bashkë me një mikun besnik të familjes sonë, Adem Samurrin nga Mengli i Elbasanit. Së bashku me Ademin udhëtoi në këmbë nga Tirana në Elbasan. Ndër të tjera, me sa di unë, ka fjetur një natë në shtëpinë e Ahmet Daklit, një natë tek familja Santos të cilët i kishte nipër.

Ka fjetur tek shtëpia e Thanas Floqit dhe në Labinot tek Samurrët. Sa më ka thënë im vëlla Steliano Nosi, është strehuar edhe në Godolesh dhe në ndonjë familje tjetër që unë nuk e di. Në këtë kohë për Lefin kujdeseshin dy vëllezërit e mi Vasili dhe Steliano, si dhe miq të tjerë të familjes, një pjesë e të cilëve kanë mbetur anonimë. Lefin e strehuan edhe në fabrikën e alkoolit. Madje im vëlla doktori, tregonte se si në një mëngjes të atyre ditëve, kur ishte duke vizituar, i vjen një njeri i njohur si ata të sigurimit që i thotë dr. Nosit, se duhet ta vizitonte shpejt se kishin një punë të rëndësishme se do të shkonin në një aksion për të kapur një njeri andej nga Godoleshi.

Dr. Nosi, e vizitoi dhe menjëherë merr biçikletën dhe shkon tek familja ku ishte daja dhe e lajmëron të ikë. Lefi dhe ata të tjerët u ngjitën në një vend të lartë dhe pas një ore panë se erdhën, e rrethuan shtëpinë dhe nuk gjetën njeri. Kështu shpëtoi ndërsa ai njeri që lajmëroi mbeti anonim”.

Kujtimet e Adelinës edhe pas 60 vjetësh shkojnë deri në detaje. Mjaft e emocionuar ajo kujton momente të vështira deri edhe ngordhjen e qenit besnik të Lef Nosit ditën që ai u pushkatua.  “Lefi ka mbajtur në shtëpi një qen të quajur Çapi, i cili ishe qeni që i kishte lënë atij Fan Noli, kur iku nga Shqipëria. Ditën e pushkatimit qeni kishte që në mëngjes që lehte dhe qahej. Më e çuditshme ishte se qeni hapi një gropë në oborr dhe po atë ditë e gjetëm të ngordhur”.

Përndjekjet pas pushtaktimit të Lef Nosit

Vasil Nosi u dënua me 6 vjet dhe vdiq i burgosur në fabrikën e alkoolit në Elbasan. Dr. Steliano Nosi, u dënua me 4 vjet që i kreu duke shërbyer si mjek. Marko Menahemi u dënua me 4 vjet dhe bëri  një vit e gjysmë burg. Më vonë shërbeu si pedagog në politeknikumin “7 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990 iu plotësua ëndërra e tij për të shkuar në Izrael në atdheun e tij. Në vitin 1993 organizata “Jatt Vashem” në Izrael, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre Adelina Kosturi, titullin e lartë “Shpëtimtar i izraelitëve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit në Jatt Vashem si dhe në Uashington.

Xhemal Farka u dënua me disa vjet burg, kurse më pas u ridënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak angloamerikan. Farije Averiqi u dënua me 4 vjet burg, kreu tre dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet evropian. Adem Samurri u dënua me 6 vjet burg nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Vdiq në shtëpinë e tij si një mik i familjes Nosi.

Letërkëmbimi me Qemal Stafën

Qemal Stafa, i riu që aspironte për lirinë, bir i një familjeje elbasanase lidhi kontakte në kohën që studionte Lef Nosin. Tre letërkëmbimet që Qemali pati me Lefin, flasin për vlerësimin e lartë që i bënte ai Lefit. Qemali fliste në letrat e tij se do të donte ta ndiqte si shembull apo të bashkëpunonte me të, duke dashur të ishte pranë këtij burri shteti. Gjithashtu ai do ta furnizonte me libra kur Lefi ishte në internim në Itali dhe Qemali student, po në këtë vend. Vrasja e dyshimtë e Qemal Stafës, ndoshta parapriu vrasjen e firmosur të Lef Nosit dhe personaliteteve të tjera të kohës.

Sakrifica

Marrja me politikë ishte një vendim i marrë si një shërbim të fundit që do t’i bënte Shqipërisë përpara se të largohej nga kjo botë. Lef Nosi ia ka thënë në një bisedë që kishte me një nga strehuesit e tij, Hafiz Musai në Elbasan, se politika ishte një detyrim që vendi e meritonte.

“Merrem me politikë se çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile”. Lef Nosi, Patër Anton Arapi dhe Maliq Bushati, tre regjentët për 14 muaj, sipas marrëveshjes një mysliman, një ortodoks dhe një katolik, u pushkatuan në kodrat pranë Tiranës. Për vendin e pushkatimit ekzistojnë ende dy versione: ai i Kodrës së Priftit dhe Kodrës së Kryegjyshatës Bektashiane.

Mbesa e Lef Nosit kujton gjithashtu se trupat e tre të pushkatuarve janë varrosur, por pas shumë vitesh ka qenë e pamundur gjetja e eshtrave të tyre. “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma. Është gjithashtu e vërtetë se personin që tradhtoi Lef Nosin, më pas e graduan nga kapiten në major dhe, me sa di unë, vdiq në burg ose u pushkatua nga konjukturat e regjimit që shkoi”.

Elbasan, organizohet Konferencë Ndërkombëtare për Lef Nosin

Në Universitetin e Elbasanit u organizua Konferenca Ndërkombëtare Shkencore “Lef Nosi Figurë Qendrore e Historisë dhe e Kulturës Shqiptare”. Kjo konferencë u organizua si një bashkëpunim mes universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Bashkisë së Elbasanit.

Konferenca u hap nga rektori i këtij universiteti, prof. Dr. Liman Varoshi, i cili theksoi në fjalën e tij se Lef Nosi ishte figurë qendrore e kombit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, që dha kontribute të paçmuara në interes të atdheut.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në fjalën e tij u shpreh se Lef Nosi ishte një figurë poliedrike, një studiues dhe politikan i sprovuar, një veprimtar dhe atdhetar i shquar që dha kontribute në aktin e Pavarësisë dhe në jetën politike, historike e kulturore në Shqipërinë e atyre viteve. Ai siguroi se ministria e Arsimit dhe Shkencës do të mbështesë veprimtaritë kërkimore dhe shkencore e veçanërisht të shkencave albanologjike.

Konferencën e përshëndeti kryetari i bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini, i cili u shpreh se Lef Nosi ishte një nga personalitetet e kohës i cili u vra sepse kërkoi që flamuri i shqiptarëve të valëvitej drejt perëndimit, dhe jo drejt lindjes. Ai theksoi se duhet të ndryshohet paradigma rreth figurës së tij e cila meriton më shumë vëmendje.

Një nga pasardhësit e Lef Nosit, Skënder Kosturi, u shpreh se figura e gjyshit të tij ende nuk është zbuluar krejtësisht. Ai ka kërkuar që të evidentohen të fshehtat e kësaj figure dhe t’i gjenden eshtrat që të ketë edhe një varr.

Më pas konferenca ka vazhduar punimet në auditore të veçanta ku kanë referuar studiues nga vendi e bota.

Beqir Meta: Pjesëmarrja e Lef Nosit në regjencë, një vetësakrifikim

Ka shumë të reja, sepse është i pazbuluar, por edhe se ka një kontribut. Është shfrytëzuar me thellësi fondi mbi 13 mijë faqe dokumente, kontributi i tij si etnolog ku mbledh të dhëna. Lidhur me flamurin për ruajtjen e flamurit kombëtar. Një njeri që ka prekur të gjitha fushat e identitetit kombëtar si ndërgjegja etnike, kulturore, filatelia, numizmatika. Ishte një qëmtues i të gjithë jetës shqiptare pa bërë përzgjedhje duke sjellë mikrodetajet e identitetit tonë kombëtar në të gjitha fushat.

Lef Nosi është kontribues i madh kombëtar. Ai e plazmoi këtë identitet dhe si një koleksionist i shkëlqyer. Në atë kohë kanë qenë shumë të paktë njerëz të tillë.

Unë do të përmendja sot kryetarin e Bashkisë së Elbasanit që ka bërë një përcaktim shumë të saktë. Regjenca në fakt ishte një qeveri shqiptare që sigurisht punonte në kushtet e pushtimit gjerman. Pushtimi gjerman qe një element de fakto në Shqipëri. Ata e shpallën Shqipërinë e Pavarur ndryshe nga vendet e tjera të pushtuara, gjë që ka dy elemente thelbësore. Ata respektonin qeverisjen civile dhe aq e vërtetë ka qenë kjo, saqë gjermanët nuk mund të thyenin vullnetin e kësaj qeverie për të mbrojtur hebrenjë dhe Lef Nosi ishte një kontribut të madh në këtë drejtim.

Por nga ana tjetër qeveria mori të gjithë fatet e vendit dhe Nosi dhe të tjerë që ishin patriotë që në shpalljen e pavarësisë dhe përpara saj nuk ka asnjë lloj arsye tjetër të arsyes së pjesëmarrjes së tyre në këtë qeveri, veçse dëshirës së tyre për t’i shërbyer vendit të vet dhe qytetarëve të vet në atë kohë shumë të vështirë, pasi Shqipëria kishte dy alternativa: Ose të kishte një qeverisje civile për t’i shërbyer shqiptarëve, ose një qeverisje ushtarake gjermane dhe me pasoja shumë më të rënda për popullsisë shqiptare.

Pra, menaxhimi i vendit ishte një angazhim për të ndihmuar bashkëkombasit e vet, por edhe njëkohësisht për të vënë një gjurmë për Shqipërinë etnike që Lef Nosi që e kishte ëndërr dhe ideal. Baltosja është bërë për asye idelologjike.

Në fakt, do të përmendja edhe një të dhënë interesante që unë kam parë në dokumentet e Departamentit të Shtetit Amerikan. Lef Nosi, Mehdi Frashëri etj përcaktohen si nacionalistë shumë të ndershëm, të cilët sakrifikuan karrierën e tyre dhe e paguan me jetën e tyre për Shqipërinë. Në këtë departament ekzistojnë dokumente me përcaktimin e këtij grupi nacionalistësh shqiptar që punuan për t’i shërbyer vendit të vet.

Shaban Sinani: Mbrojti hebrenjtë

Kjo konferencë i jep përgjigje edhe rolit të Lef Nosit në disa nyje kyçe të historisë edhe sa i përket pjesëmarrjes së tij në Regjencë. Kjo pjesë vjen nëpërmjet disa kumtesave edhe nga arkivat gjermanë të kohës të studiuesve tanë. Duhen parë me vëmëndje edhe marrëveshjet që u bënë mes regjencës dhe Rajhut për të parë se çfarë kërkuan. Një ndër këto marrveshje ishte për të mos prekur çdo të huaj që hyn në Shqipëri dhe kjo njihet me faktin e mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri, kontribut të madh për këtë pati sidomos Lef Nosi.

 

Jeta e Lef Nosit

Lef Nosi lindi në Elbasan më 1876. Mësimet e para i mori në vendlindje ndërsa të mesmen në gjimnazin grek të Athinës ku edhe vazhdoi studimet e larta në degën e farmacisë, por i ndërpreu pas dy vjetëve pasi u desh të kthehej në Elbasan. Punoi si autodidakt për të fituar kulturë të gjerë. Më 1909-n zgjidhet nënkryetar i i klubit “Vllaznia” dhe po këtë vit themelon dhe drejton shoqërinë “Afërdita”. Ishte njeriu që hapi gazetën e parë me emrin “Tomorri”. Në gazetë botoi  shkrime e artikuj të përkthyer nga shtypi evropian ku pasqyrohenin problemet e kohës dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi i Parisit u bënë shkak që turqit e rinj ta arrestojnë dhe t’i japin dënimin kapital Lef Nosit si drejtues i gazetës. Ndërhyrjet e patriotëve dhe të personaliteteve shqiptare bënë që fillimisht dënimi të kthehej në internim në Turqi dhe më pas të lirohej.

 

Zgjidhet ministër i Post-telegrafit në qeverinë e Vlorës ndërkohë jep ndihmën dhe bëhet një nga drejtuesit e të përkohshmes së Elbasanit Kopshti letrar. Anëtar i konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919-1920, Lef Nosi kishte kontakte me mjaft personalitete dhe veçanërisht me Norbert Joklin.

 

Më 21 shkurt 1914 Lef Nosi ishte delegat në grupin që drejtohej nga Esat Toptani që do t’i dorëzonin kurorën fronin shqiptar, Mbretit Vid.

 

Pas suksesit kryengritjes së qershorit 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, Nosi ishte kryetar i bashkisë së Elbasanit. Tërhiqet nga politika në dhjetor 1924 pas triumfit të legalitetit dhe i përkushtohet gjurmimit të dokumenteve historike, materialeve folklorike, etnografisë, botimeve me vlera albanalogjike etj. Rikthehet sërish, por karrirera e tij do të njihte kulmet e saj në një kohë të vështirë në vitet 1943-1944. Ai do të bëhej nënshkrues i deklaratës së pavarësisë 14 shtator 1943.

 

Pas kësaj u zgjodh deputet i Elbasanit nga zgjedhjet e 1 tetorit 1943, ndërsa Kuvendi Kombëtar e zgjodhi kryetar të tij. Më 25 tetor zgjidhet anëtar i Këshillit të Naltë. Pikërisht në këtë kohë, në krizën e lindur mes qeverisë, parlamentit dhe regjencës Lef Nosi do të kërkonte dorëheqjen, por kjo nuk do të pranohej. Nga dokumentet vërtetohet se ai është rikthyer në detyrë dhe ka qëndruar deri sa është mbyllur detyra e këtij institucioni. Hyrja e komunistëve në Tiranë në 1944-n bëri që të largoheshin për në Shkodër jokomunistët. Në një mbledhje në kuvendin françeskan ku morën pjesë shumë emra të njohur politikanësh u vendos largimi i menjëhershëm jashtë vendit. Por një grup u nda nga ky vendim duke vendosur të qëndrojnë në Shqipëri, ndër këto edhe Lef Nosi.

Please follow and like us: