Albspirit

Media/News/Publishing

E shtënë paralajmëruese për shoqërinë digjitale

Matthias von Hein

Dhe ja që ndodhi: gati dy ditë pa internet, pa televizor, pa chat-e, biseda në internet me shokë dhe të njohur. Për gati 900.000 klientë të Telekomit kjo që ndodhi qe një katastrofë e llojit të mesëm, që një sulm piratësh të internetit, haker-ësh sulmoi masivisht router të sipërmarrjes, duke shkaktuar ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të internetit.

Sa më i digjitalizuar, aq më i sulmueshëm

Të dhënat janë eliksiri i jetës i shoqërive moderne. Funksionimi i tyre varet nga rrjedhja e vazhdueshme e rrymës së të dhënave, njësoj si varet nga lumi i papenguar i energjisë dhe i formave të saj si rryma elektrike, gazi ose nafta. Por: sa më të ndërlidhura të jenë shoqëritë, sa më të digjitalizuara, aq më të sulmueshme janë ato. Numri i varianteve të programeve të njohura të dëmshme në gusht 2016 ishte më shumë se 560 milionë.

E qartë: shumica e tyre njihen nga skanuesit e viruseve dhe neutralizohen. Por me çdo përdorim të ri, me çdo program të ri kompjuterik shfaqen pika të tjera difektoze – dhe ato gjenden, testohen, shfrytëzohen. Në rastin aktual, sulmuesit shfrytëzuan një difekt në routerat “Speedport” të Telekomit. Këtu motivi qe energjia kriminale: routerat duhet të bëheshin pjesë e një rrjeti të përbotshëm botnet, i cili mund të merret me qira në Darknet për sulme, presione dhe për dërgimin e spamit.

Një vështrim në raportin për gjendjen, të publikuar  në fillim të nëntorit nga Zyra Federale për Sigurinë dhe Teknikën e Informacionit, BSI tregon: për sulmet kibernetike ekzistojnë edhe motive të tjera përveç atyre kriminale. Me këtë rast kujtojmë sulmet e hakerëve ndaj sistemeve të TI të Bundestagut në pranverë 2015. Edhe më shqetësuese është gjetja e një programi të dëmshëm në një central atomik: në një sistem të shkëputur nga rrjeti, të transmetuar me një usb-flash. Për fat të mirë nuk u shkaktua asnjë dëm.

Dy prej tri sipërmarrjeve tashmë i kanë sulmuar

Po të kemi parasysh se dy prej tri sipërmarrjeve industriale në Gjermani janë bërë në dy vitet e fundit objekt i vjedhjes së të dhënave, i spiunazhit ekonomik ose i sabotazhit, siç konstatoi shoqata e degëve Bitkom, atëherë kjo ndikon në uljen e entuziazmit për hopin digjital në industrinë 4.0. Kur spammails do të mund të dërgojnë edhe frigoriferët, atëherë duhet të mendohesh mirë nëse duhet ta kthesh shtëpinë, me të cilën je mësuar, në një “smart Home”, në shtëpi inteligjente, tek e cila dera e shtëpisë, ngrohja, objektet shtëpiake drejtohen përmes telefonit inteligjent të sulmueshëm nga piratët e internetit.

Digjitalizimi ka nevojë për siguri. Këtë Deutsche Telekom e pati kuptuar me kohë në strategjinë e saj të marketingut. Në tregun me konkurencë të fortë të teknologjisë informative Telekomi u bëri publicitet garancisë dhe cilësisë së rrjetit të vet, sigurisë së aplikacioneve në re. Është më shumë se revoltuese që defekti që u shfrytëzua i routerve u publikua që dy vjet më parë nga një sipërmarrje e sigurisë.  Telekomi nuk mori kundërmasa. Patëm fat: sulmi i piratëve të internetit ndaj routerve të Telekomit ishte një goditje paralajmëruese relativisht e padëmshme. Në pasojat bën pjesë një ndërgjegjësim më i lartë për rreziqet e digjitalizimit.

DW

Please follow and like us: