Anita Likmeta rrëfen takimin: Si e njoha unë Bujar Lakon
Entela Resuli – DITA
Këto dy ditë është shpërndarë në rrjet një shkrimi i Anita Likmetës, e cila rrëfente një takim të sajën me aktorin e ndjerë Bujar Lako. Anita, ka marrë titullin Doktor në Historinë Mesjetare. Është specializuar për Dramë dhe Teatër. Është historiane, shkrimtare dhe regjisore. Ka lindur në Durrës dhe në moshën 11-vjeçare është transferua në Itali me familjen e saj. Shkruan për disa gazeta të rëndësishme në Itali dhe ka patur disa kontakte me Shqipërinë, mes tyre edhe me aktorin Bujar Lako. Në formën e një ditari ka treguar takimin e parë me Bujon siç ai dëshironte ta quanin. “Babai që kurrë nuk pata” e cilëson Lakon Anita. Në fillim ajo përshkruan momentin e mbërritjes në aeroport dhe përballjen e parë me aktorin Lako. “Pas 15 vitesh u ktheva më në fund në vendin tim. Zemra po më dilte nga kraharori kur zbrita në aeroportin shqiptar. “Anita jam këtu, ktheje kokën”, dëgjova një zë të bukur të më thërriste. Ishte Bujar Lako. Ai më përqafon si një prind dhe unë e turpëruar akoma nuk më besohej që u ktheva sërish në vendin tim, ku isha arratisur 15 vite më parë”- rrëfen 31-vjeçarja me emocion.
“Rrugës për në Tiranë, shihja përtej dritares që gjithçka kishte ndryshuar. Me sytë e mbushur me lot ecim drejt Tiranës dhe Bujo më ve duart në kokë, ashtu siç babai bën me vajzën, babai që nuk e pata kurrë”- tregon Anita.
“Qëndrimi prej dy ditësh në Tiranë nën shoqërinë e Bujar Lakos ishte i mrekullueshëm. Ai më shoqëroi në vendin tim të lindjes, në Maminas. Më tej shkuam në Durrës. Folëm gjatë për politikën e artin në Shqipëri”- thotë Anita.
Ne kemi folur me Likmetën, me dëshirën për ta njohur më shumë këtë vajzë.
Ajo na tregon se ka lindur në qytetin e Durrësit dhe në moshë fare të vogël prindërit e kanë çuar të qëndronte me gjyshërit e saj në Rrubjekë, një fshat i vogël ku aty ka jetuar për 11 vite.
-Anita, kur jeni larguar për në Itali dhe çfarë mban mend nga ajo ditë?
Ishte një ditë e veçantë, një pasdite në fund të muajit mars. Ime më’ erdhi të me merrte të gjyshërit. Gjëja që më ka mbetur në mendje nga ajo ditë janë fjalët që më tha gjyshi. Me një britmë, thashë: “Gjysh po largohem, unë jam duke shkuar tani”. Ai u ngrit menjëherë dhe sytë e tij ishin të shqetësuar. Vë një dorë mbi fytyrën e time dhe tha: “Ku po shkon?”, i them “unë po shkoj në Itali gjyshi”, dhe ai më thotë, “bravo, bëhu një vajzë e mbarë dhe e bukur italiane.” Gjyshi më mori prej dore duke më nxjerrë nga dhoma, por sytë e mi mbetën të fiksuar në të dhe i thashë vetes se unë do të kthehem. Jashtë ishte duke pritur për mua daja im me karrocë me kuaj që do të çonte në qytetin e ardhshëm dhe aty ne do të merrnim autobusin për në Durrës. Në një moment të gjithë miqtë e mi të cilët ishin fshehur në kodër dolën duke bërtitur emrin tim.
-Kush ishte me ty në ato çaste?
Jam nisur nga Durrësi me nënën, motrën dhe vëllain tim për në drejtim të Barit. Më kujtohet që atë ditë në Portin e Durrësit kishte shumë rrëmujë. Anarki totale. Mbaj mend frikën që kishim të gjithë. Më kujtohet të kisha dëgjuar shpesh për anijen e famshme të Otrantos ku humbën jetën më shumë se 100 bashkatdhetarë. Me pak fjalë, me zemër të ngrirë, ia lamë gjithçka në dorë fatit.
-Si ishin vitet e para si emigrante?
Vitet e para në Itali kanë qenë shumë të vështira. Kisha fatin që nëna ime të ishte me dokumente të rregullt. Ajo, së bashku me motrën time katër vjeç dhe vëllain tim të vogël, i cili atëherë ishte vetëm nëntë muaj, u largua nga Shqipëria me anijen e parë të vitit 1991.
Ndërkohë ti je shkolluar aty, për çfarë i ke vazhduar studimet?
Për mua ka qenë shumë e vështirë për t’u futur në shkollë. Por aty kam parë e habitur mënyrën se si trajtoheshin nxënësit nga mësuesit. Në Itali nxënësit kishin gjithmonë të drejtë, ndërsa në Shqipëri jo.
Përfundova shkollën e mesme në një qytet të vogël, Cepagatti, në provincën e Pescaras. Më vonë zgjodha të ndjek rrugën akademike dhe shkova në Akademinë e Arteve Dramatike në Romë “Corrado Pani”, ku jam specializuar në drejtimin: dramë dhe teatër. Më vonë, pas studimeve bëra një vit pushim për t’i dhënë kohë vetes dhe për të kuptuar se çfarë doja të bëja me jetën time. Aty vendosa të punoj; Unë kam punuar edhe si kameriere në një restorant në “Via Soul”, pranë “Piazza Navona” në Romë, pronar i të cilit ishte shqiptar. Shumë shpejt e kuptova se bota e kinemasë dhe teatrit në Itali ishte një realitet shumë kompromentues për mua. Kështu në vitin 2009 u regjistrova në Fakultetin e Shkencave Humane duke u specializuar në Histori (Historia Mesjetare, Moderne dhe Bashkëkohore), dhe mbrojta diplomën me tezën: “Shqipëri-Itali 1922/1943”. Më pas jeta ime ndryshoi.
-E keni menduar ndonjëherë të ktheheni e të jetoni në Shqipëri?
Sinqerisht nuk e kam menduar seriozisht, por nuk e përjashtohet si mundësi. Sot unë jetoj në Londër me bashkëshortin tim, jemi duke punuar dhe jetuar këtu.
-Shumë të rinj duan të largohen nga Shqipëria, kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, si e shihni këtë dëshirë të tyre?
Ky është një realitet që po jetohet edhe në Itali, dhe kjo më lumturon, në qoftë se mund të them kështu, duke konstatuar se nuk ka asgjë të re nën diell. Ne jemi pak “të gjitha heterophile”. Ka dy lloje emigracioni te të rinjve: janë profesionistët e rinj të cilët janë të detyruar të largohen për shkak se ata ndjehen të injoruar dhe të poshtëruar nga politikat që nuk mbështesin talentin e tyre dhe të rinj të pakualifikuar që e shohin emigracionin si të vetmin shans për të gjetur dhe ndërtuar një jetë më të mirë duku tjetër.
-Ndërkohë, kemi lexuar një bisedë tuajën me Bujar Lakon, aktorin që humbi jetën dy ditë më parë, si dhe pse e keni realizuar atë bisedë?
Gjërat shkuan pak a shumë kështu: në vitin 2012 unë isha duke jetuar në Francë, dhe mbarova së shkruari skenarin tim. Kështu fillova të mendoj për pjesën e vështirë: gjetjen e fondeve për të realizuar atë. Një mik i mirë, pianist dhe kompozitor shumë të dashur në Itali, Ekland Hasa, më telefonoi dhe më pyeti nëse ai mund të t’ia dëgjonte skenarin time me email Bujar Lakos. Natyrisht që pranova. Këtu duhet të jem e sinqertë. Nuk e kisha idenë e famës që gëzonte Bujo në Shqipëri, unë kam qenë shumë e vogël kur jam larguar. Takimi me të ishte me të vërtetë i natyrshëm. Unë u përballa me një njeri që nuk sillej si një yll, edhe pse në fakt ishte. Bujo ishte një person i rezervuar, i arsimuar, dinte të të dëgjonte, dhe ishte gjithmonë i sjellshëm me të gjithë.