Arben Malaj: Sfidat eko-opolitike të vitit 2017
Eshtë kthyer në një traditë profesionale midis ekonomistëve që të ndajnë me opinionin publik analiza për sfidat e zhvillimeve ekonomike dhe politike të vitit të ardhshëm. Në këtë analizë do të përqendrohem në disa nga sfidat kryesore ekonomike dhe politike gjatë viti elektoral 2017.
I. EKONOMIA
Buxheti i vitit 2017 ka përcaktuar si objektiva kryesore (i) ruajtjen e stabilitetit të financave publike dhe (ii) rritjen e kohezionit social. Ky ndryshim cilësor në politikat kundër varfërisë dhe pabarazisë. Efektet e rënda politike të të zhgënjyerve dhe të varfërve kanë ushqyer rritjen e populizmit dhe dështimin e referendumeve në vende të ndryshme. Populizmi, euroskepticizmi dhe radikalizimi shoqëror janë kërcënues edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me objektivin e parë, qeveria ka paraqitur skenarin e saj, i cili bazohet kryesisht në politikat shtrënguese në kahun e shpenzimeve, pasi të ardhurat, në projeksionet deri në vitin 2020, parashikohen në nivele të përafërta në raport me PBB-në. Fokusi i arritjes së stabilitetit të financave publike kryesisht në kahun e shpenzimeve, është teorikisht i pranueshëm, ndërsa struktura e shkurtimeve dhe thellësia e ashpërsisë së masave korrektuese të stabilizimit të financave publike, mbetet një debat i vështirë.
Madhësia e buxhetit në vitet e fundit po ulet nga 32% e PBB-së në rreth 28.5% e PBB-së. Ky skenar cenon mbështetjen kritike për arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural. 2017-ta, si një vit elektoral, mund të përballet me efekte jo pozitive në rritjen ekonomike. Po fokusohemi te rritja ekonomike, sepse ajo mbetet strategjia më produktive për reduktimin e plagëve sociale, rritjen e mirëqenies dhe stabilitetin e financave publike. Cilat mund të jenë disa nga sfidat kryesore të rritjes ekonomike gjatë vitit 2017? Nëse i përmbahemi formulës bazike të PPB-së, konstatojmë se efektet jo pozitive mund të ushqehen nga disa faktorë specifikë, konkretisht: (i) Konsumi dhe investimi privat mund të jenë hezitues gjatë pjesës së parë të vitit, duke pritur zhvillimet pas zgjedhjeve.
Në këto kushte, “përgjegjësia” për të ushqyer rritjen ekonomike dhe punësimin do t’i mbetet realizimit ritmik të buxhetit të shtetit gjatë 6 muajve të parë të viti 2017. Një burim potencial pozitiv është konstatimi i Bankës së Shqipërisë për rritjen e kredisë në lekë për individët. Po kështu vendimi për paketat sociale në fund të vitit 2016 dhe parashikimi në buxhet i rritjes së pagave dhe pensioneve në mars 2017, duke u adresuar te shtresat në nevojë, teorikisht nënkupton një përdorim të shpejtë të tyre me një impakt pozitiv në rritjen e kërkesës agregate nga rritja e punësimit dhe i të ardhurave të disponueshme; (ii) kontributi i biznesit në ekonomi është i kushtëzuar më shumë me ritmikën e çeljes dhe përdorimin e fondeve publike, pasi bankat dhe biznesi janë akoma në pozicione konservative për të rritur kredidhënien dhe kredimarrjen, e cila është pjesë të rëndë- sishme e kërkesës agregate dhe rritjes ekonomike; (iii) eksporti mund ta ushqejë më mirë rritjen ekonomike dhe punësimin.
Ka impulse nga tregjet ndërkombëtare që flasin për rritje të çmimit të naftës dhe mineraleve, çka mund të rrisë investimet private në sektorët që eksportojnë. Politikat ekonomike dhe të taksimit mund ta lehtë- sojnë rritjen e eksporteve; (iv) investimet e huaja direkte gjatë vitit 2017 mund të rriten, duke shpresuar më shumë në investimet aktuale si TAP dhe investimet në naftë e minerale. Investime të reja, sidomos në fushën e turizmit dhe në sektorët e tjerë të ekonomisë, mund të materializohen pas zgjedhjeve. Lidhur me stabilitetin e financave publike, viti 2017 mund të përballet me: (i) rritjen e interesave të borxhit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandet e fundit në të gjitha llojet e instrumenteve të financimit të borxhit publik konstatohet rritje e yield-eve. Kjo mund të imponojë rritjen e kostos së kredive, çka dëmton interesin për kredimarrje që vazhdon të jetë i dobët; (ii) thellimin e deficitit të skemës së fondeve speciale ku përfshihen sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe fondet për ish-pronarët.
Edhe pse ka përmirësim në rritjen e të ardhurave nga kontributet, të cilat parashikohen të arrijnë deri në 5.2% të PBB-së, konstatohet thellim i përshpejtuar i deficitit të fondeve speciale që parashikohet në 78.7 mld lekë ose 5% e PBB-së. Ky deficit/subvencionim nga taksat është 1.67 herë më i madh se investimet publike me burime të brendshme, të cilat parashikohen 71.1 miliardë lekë ose 3% e PBB-së dhe 2.88 herë më të mëdha se investimet me burime të jashtme, të cilat në buxhetin 2017 janë parashikuar 27.3 mld lekë ose 1.7% e PBB-së; (iii) niveli i ulët i mbështetjes për arsimin dhe shëndetësinë dëmton një rritje më të lartë dhe cilë- sore të ekonomisë në periudhat e ardhshme; dhe (iv) viti 2017 do të ndiejë vazhdimin e politikave hezituese dhe shtrënguese të bankave tregtare në financimin e biznesit privat dhe borxhit publik. Këto sfida të rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike imponojnë thellimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore, ku prioritet ka funksionimi i shtetit ligjor dhe reformat në sektorët realë të ekonomisë, ku potenciale të mëdha në zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe energjisë qëndrojnë të fjetura.
II.ZHVILLIMET POLITIKE DHE IMPLIKIMET EKONOMIKE
Në vendet me institucione të pakonsoliduara, efektet politike ndikojnë ndjeshëm te pritshmëritë dhe sjellja e agjentëve ekonomikë privat dhe publik. Për këtë arsye, ekonomia në vitin 2017 mund të ndiejë efekte jo pozitive nga zhvillimet politike. Analiza e zhvillimeve dhe ndikimeve politike të zgjedhjeve parlamentare 2017 është më e vështirë se herët e tjera, pasi ato do të paraprihen apo bashkëshoqërohen nga efektet e aplikimeve të ligjit të dekriminalizimit, si dhe nga veprime konkrete për dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të institucioneve kushtetuese dhe sidomos në ato politike.
Vetting mund të prodhojë efekte konkrete mbi individë të caktuar, por mund të ndikojë indirekt edhe në konfigurimet e koalicioneve para dhe paszgjedhore. Për zgjedhjet parlamentare 2017, numri i partive të reja është rritur, disa prej tyre drejtohen nga politikanë aktivë dhe me impakt elektoral, çka ngushton mundësitë që fitoret e partive të mëdha të jenë të lehta, duke imponuar koalicione parazgjedhore edhe hibride. Zhvillimet parazgjedhore janë lehtësisht më të parashikueshme se zhvillimet postzgjedhore, pasi maxhoranca do të synojë mandatin e dytë, ndërsa zhvillimet në kahun opozitar mund të tentojnë te situata e zhvillimeve politike të pas zgjedhjeve parlamentare 2009. Opozita ka dhënë mesazhe politike dhe ka treguar shenja konkrete të sjelljes së saj politike pas zgjedhjeve, qëndrime që mund të jenë simetri e zhvillimeve që ndodhën pas zgjedhjeve parlamentare 2009, siç mund të jenë bojkotimi i Parlamentit dhe kërkesa radikale për rikthimin e saj.
Ky skenar krijon pasoja të shumëfishta, në raport me integrimin e vendit, me ekonominë, si dhe në raport me thithjen e Investimeve të Huaja Direkte. Efekte jo pozitive mund të krijohen edhe në thithjen e fondeve nga BE të destinuara për mbështetje buxhetore. Duke bashkuar sfidat ekonomike dhe politike, viti 2017 do të jetë një test për mirëfunksionimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve e sidomos për nivelin europian të administratës sonë publike, e cila ka misionin të garantojë mirëfunksionimin e shtetit ligjor edhe gjatë kohëve të paqartësive apo krizave politike. Ndërsa efektet pozitive mbi pritshmëritë dhe të ardhmen e çdo shqiptari mbeten detyrim moral, politik dhe ligjor i të zgjedhurve të saj politikë.