Ish Fronti Nusra kundër armëpushimit në Siri
Zëdhënësi i grupit militant Jabhat Fateh al-Sham, i njohur më parë me emrin Fronti Nusra, një nga palët ndërluftuese në Siri, e ka kritikuar marrëveshjen për armëpushim në shtetin e përfshirë nga lufta, me Turqinë dhe Sirinë si garantuese, raporton Reuters.
Sipas këtij grupi, zgjidhja politike e ofruar përmes kësaj marrëveshje vetëm do e “riprodhojë regjimin kriminal” të tashëm në Siri.
Grupi i cili në muajin korrik e ndryshoi emrin duke shkëputur lidhjet me Al Kaidën, e ka dënuar marrëveshjen pasi ajo nuk e përmend fare fatin e presidentit sirian, Bashar al Assad.
“Zgjidhja është largimi i regjimit kriminal në mënyrë ushtarake” ka thënë përmes një komunikate zëdhënësi i grupit.
Marrëveshje e re përfshinë armëpushim në tërë territorin e Sirisë dhe platformën mbi të cilën do të nisin negociatat në mes palëve ndërluftuese.
Megjithatë, përleshjet e armatosura, granatimet dhe sulmet ajrore e kanë karakterizuar ditën e parë të armëpushimit, i cili e ka për qëllim t’i jap fund luftës disa vjeçare në Siri.
Ushtria siriane ka thënë se armëpushimi nuk e përfshinë grupin militant islamik, Shteti Islamik e as luftëtarët e ish Frontit Nusra apo çfarëdo grupi që ka lidhje me ta.
Por, disa zyrtarë të rebelëve që po luftojnë kundër qeverisë së Assadit kanë thënë se marrëveshja megjithatë e përfshinë edhe ish degën e Al Kaidës në Siri.