Plani që do na mbysë në Tiranë
Lavdosh Feruni
Më 29 Dhjetor 2016 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor TR030. Është një plan në thelb i gabuar dhe do bënte sens që të shtyhej për miratim në 29 Dhjetor 2017. Për Tiranën duhet një plan alternativ veç këtij të paraqitur. Ky plan alternativ mungon. Më pas duhet bërë zgjedhja e planit më të mirë pas një diskutimi intensiv në publik. Një plan i gabuar i Tiranës është një shkatërrim i perspektivës së zhvillimit të gjithë vendit. Tani jemi tek plani i gabuar.
Dy fjalë për rolin e publikut në vendimmarrje dhe rasti për Planin e Tiranës.
Informimi i publikut dhe pjesëmarrja në vendimmarrje si dhe e drejta e tij për t’ju drejtuar Gjykatës, të formalizuara në Konventën e Aahrusit, ratifikuar ne 2001 dhe nga Kuvendi Shqipërisë, ka ardhur ne axhendën politike ndërkombëtare si nevojë e kapjes në mënyrë të shpejtë në dekadat e fundit të vendimmarrjeve prej lobeve oligarkike, në dëm të komuniteteve dhe mjedisit. Pra vetë politika e vendeve të zhvilluara e ka kërkuar referencën e publikut, pikërisht për të balancuar influencën e fortë e dominante të oligarkive e multinacioanaleve. Në Shqipëri referimi tek publiku bëhet në minimumin e mundshëm formal, duke plotësuar disa letra me firma nga pjesëmarrës (përgjithësisht staf i institucionit), pra thjesht për të pasur një dokument. (Mund të përmendim këtu së fundi letrat skandaloze për HEC-et në Valbonë e Vjosë, për inceneratorët etj., etj.) Ndërsa thelbi i konventës është që komunikimi me publikun duhet të nxitet vetë nga vendimmarrësit, e jo të reagohet vetëm nëse ka ndonjë protestë. Pra vendimi i marrë duhet të jetë në një kah me vektorin e mendimit të publikut. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme sot, kur publiku falë zhvillimit të teknologjive dixhitale është një publik shumë më i informuar se dekada më parë.
Në këtë plan të Tiranës, plani Tirana 030 në drejtim të informimit kemi hapa prapa edhe me planet e viteve 2011 – 2013, që patën publikime në sheshin Skënderbe, në salla me makete e hapur për vizitorë, publikime në internet dhe debate televizive. Ndërkohë situata me qytetin është më kritike se vitet e shkuara.
Pse është plan klientelist
Plani Tirana 030 dukshëm ka një objektiv afatshkurtër negativ të pakorrigjueshëm dhe një objektiv pozitiv afatgjatë të korrigjueshëm (që lehtë mund të kthehet në negative, nga pasuesit në pushtet)
Objektivi i pyllit orbital, i cili redukton drastikisht zgjerimin e pakufizuar të Tiranës është në të mirë jo vetëm të Tiranës së madhe por dhe gjithë Shqipërisë, për arsye se burimet natyrore që mund të përdoren për të prodhuar të mira materiale në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit në këtë territor janë mjaft të kufizuara. Kjo politikë kufizuese për zënie territoresh me ndërtime ekspansioniste në periferi të Tiranës mund të inkurajoj banorët kudo në Shqipëri të investojnë në hapësira të rretheve të tjera duke kontribuar në një zhvillim hapësinor më të barabartë.
Objektivi afatshkurtër me efekt negativ të pakorrigjueshëm është intensifikimi i qytetit të Tiranës. Aktualisht qyteti i Tiranës ka dendësinë e banorëve për km2, 15.000 banorë për km2, që është gati 4 herë më e lartë se ç’është në kryeqytete të Europës me 4-5 mijë banorë për km2. Plani Tirana 030 i mëshon idesë për të ndërtuar për të akomoduar 1.2 milion banorë në Tiranë, që do të thotë 30.000 banorë për km2 , ose gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë të jetoj në 0.14% të territorit të vendit. Dhe kjo do të realizohet duke rritur, nuk dihet se sa, katet e ndërtimeve, pra një Tiranë me kulla. Kjo është një vendimmarrje krejtësisht klienteliste. Ideja e ngritjes në lartësi është kritikuar qysh në debatet publike në vitet 2001-2002. U duk sikur pati një tërheqje, saqë edhe në 2013 u vu kufizim 8-9 kate në Tiranë, duket edhe për efekt të rekomandimeve të sizmiologëve.
Në vitin 2012- 2013 bashkë me konsulentin urbanistik të z.Rama, Artan Shkreli i kemi mëshuar planit alternativ, 0 ndërtime në Tiranë (pra të këtë vetëm një plan rikonstruksioni për Tiranën)
Tash me planin “Tirana 030” po rikthehet projekti i Tiranës në ngritje në lartësi. Ide e”guximshme” për ta bërë Tiranën si Hong Kong apo Singapor. Natyrisht nuk merret parasysh ndotja më e madhe që pritet, si rrjedhojë e dendësisë më të madhe të popullsisë, ngjeshjes së pashmangshëm të trafikut, etj.) Nuk merret parasysh punësimi, ku perspektiva e “industrisë së “call center” apo “fason” është krejt e pasigurt etj.
Përfitues janë një grusht njerëzish që do merren me tenderë ndërtimesh, sa kohë që akoma raporti i çmimit të shitjes me koston e ndërtimit në Tiranë është i madh. Pra flitet për fitime, jo për vizion.