Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Sulçe: Histori me numra

Image result for albspirit

7-9
S’qenka e thënë që  dhjetorin ta prisnim me drita, festë e gëzime. Sa ndezëm dritat në Korcë, u fikën 2 jetë fëmijësh. Pak më tej në Fier, u këput edhe ylli i një gruaje. M’u kujtua një shkrim i bërë 4 vite më parë në Pogradec ku një oficere policie tha se gratë bëjnë 7-9 herë përpjekje për të dalë nga cikli i dhunës, dmth para se ta denoncojnë atë.
7 deri në 9 herë! Janë shumë! Si tek ajo loja vrastare: tërhiqe e mos e këput. Si ruletë ruse. “Hë dhe këtë rradhë se do ndryshojë”.” Hë edhe këtë rradhë për fëmijët”. “Hë edhe këtë rradhë se burrë është…..hë edhe…..” Derisa  ha dhe’.
Mburremi se kemi rritur numrin e denoncimeve, po i lëmë në një shtëpi me dhunuesin. Edhe ky problem është ngritur para 4 vitesh nga gjyqtarë,policë e shoqëri civile. Nuk mjaftuan 4 vjet për të ndryshuar një ligj? Me sa duket jo. Na duhen kurbanë. Si Liljana.
3-4-5
Nuk munda të isha as në protestën ndaj ligjit të importit të mbetjeve, as në hapjen e fushatës kundër dhunës ndaj gruas. Udhëtova drejt Klosit për të takuar E. që kishte 3 fëmijë, 4 dynymë tokë dhe 5 vjet pa bashkëshortin që ishte ndarë nga jeta papritur. Jetonte me 45 mijë lekë të vjetra në muaj, 1 lopë dhe disa pula. Mbillte misër dhe e thante për ushqim për kafshët. Djali i madh kishte fituar të drejtën e studimit  për informatikë në Vlorë po nuk kishte mundësi ta çonte. i pikonte në zemër se kujtonte se për vete kish ndenjur 4 vjet në Shkodër te tezja për të mbaruar shkollën. Megjithatë çohej çdo ditë në shtëpinë e falur nga kunati që po binte dhe punonte në arë që të ushqente familjen.
Në kthim, pashë brigjet e lumit të mbuluara me plehra. Kjo është protesta ime.
Shumë………………pak
Ambasadorja e BE në Tiranë Vlahutin e theksoi këtë gjatë këtyre ditëve që krimi ndaj grave dhe fëmijëve është diçka e tmerrshme. Po aq e tmerrshme është dhe heshtja rreth tyre.
Pse nuk flasim për këto gjëra? Dhe kur them flasim, jo një herë në vit, po çdo ditë. Sepse kjo është një emergjencë kombëtare prej vitesh. Pse e kemi kaq të lehtë të ngremë dorën mbi të pambrojturit? A do të guxonim ta bënim këtë në një vend tjetër ku edhe ngritja e zërit raportohet si dhunë? Nëse fqinji do të tërhiqte vëmendjen? Nëse mësuesi do t’ju qortonte? Është e njëjta gjë me pastërtinë. Pse nuk hedhim mbeturina jashtë vendit? Pse nuk ngasim keq në rrugët e botës? Sepse të tjerët, mjedisi,  ta pamundësojnë këtë. Ky pra është çelësi. Si të krijojmë një mjedis ku i keqi/e keqja  të ndihet vetëm? Ku e mira të jetë shumicë? Një mjedis që nuk e pranon dhunën si zgjidhje. Ku gazetarët nuk kërkojnë të gjejnë motivin prapa një vrasjeje që s’ka motiv.  Një mjedis ku gazetarët nuk gërmojnë në jetën private të viktimave për të nxjerrë klikime, por i tregojnë shoqërisë çfarë nuk funksionon dhe si të përmirësohet. Një mjedis ku secili ndihet pjesë e së tërës.

Please follow and like us: