Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë më rrëfeu Lasgush Poradeci

Naum Prifti

 

 

Nga blloku i shënimeve të mia. Në mënyrë thjeshtëzuar veprimtaria letrare e Lasgushit ndahet në dy blloqe. Të parin e përbëjnë poezitë e tij meditative dhe filozofike, kurse tjetrin poezitë me frymë popullore, pas traditave tona, si “Kroi i fshatit tonë”, “Vijnë vashat radhë, radhë” etj.
Tani vonë. Dy a tri vjet më parë gjeta në dosjet e mia disa rreshta shënimesh mbajtur më 7 qershor 1977 në Pogradec, pas takimit që pata me Lasgushin. U gëzova që kisha hedhur në letër mendimet që shfaqi ai, sepse përndryshe do të më ishin fshirë nga kujtesa.
Lasgushi nuk fliste me superlativa për folklorin, nuk përkulej përpara çdo krijimi që mbante vulën e anonimatit. Por gjykonte me realizëm vlerat e tij. Gjatë bisedës më tregoi se si e tëharte folklorin, se si gjuante modele të rralla me vlera artistike.
“Takova një lab dhe e luta të më thoshte disa nga këngët e krahinës së tij, më rrëfeu Lasgushi. Ai këndonte dhe unë e dëgjoja. Njera prej tyre më la mbresë të veçantë. “Qaj e qaj moj Këndrevicë,/ E larta mbi male gjithë”. Vargjet e tjera që vinin pas tyre ishin të zakonshme. Nuk kishin asnjë vlerë, se folklorin e bëjnë analfabetët, njerëz pa shkollë. Por poeti e ka për mision t’i njohë, sepse ato disa herë përmbajnë xhevahire, vazhdoi ai. Forma e rrallë e ndërtimit dintaksisor ku mbiemri del përpara emrit, “E larta mbi male gjithë” i jep bukuri poetike të jashtëzakonshme vargut, prandaj modelin e saj e shtiva në poezinë time “Vasha dhe trimi.”
Vate prill i trimërisë,
Më zu maj i dashurisë.
M’u shfaq vashëza në gjumë.
E ëmbla mbi shoqe shumë.”
Bëri një pushim të shkurtër medidativ pastaj vazhdoi: Tani provo ta thuash mendimin që shprehet në këto dy vargje në ndonjë form tjetër, si për shembull se vashëza ishte më e ëmbël se shoqet e saj, se ndër shoqet e saj ishte më e ëmbël, se ëmbëlsi si të sajnë s’e kishte asnjë shoqe, mirëpo asnjë prej tyre nuk e ka finesën dhe bukurinë poetike të sintagmës “e ëmbla mbi shoqe shumë”.
Gëtja, Homeri, Shekspiri dhe Danteja kanë marrë nga folklori atë që u është dukur më e mirë dhe pastaj e kanë ngritur në art. Shkrimtari shquhet për kulturën e tij të gjerë. Një shkrimtar injorant nuk vlen edhe kur e quan veten shkrimtar, edhe kur të tjerët e lavdërojnë për t’i bërë qejfin”.
Pak më pas shpalosi një mendim që ishte thikë me dy presa. Mund ta kundroje si ironi për udhëzimet që lëshonte partia, ose si lavdërim për zotësitë e udhëheqësit. “Ju tani e keni lehtë se u mëson Enveri, por mua s’kish kush të më mësonte në atë kohë. Të gjitha i kam bërë vetë”. Thënie të tilla ekuivokë mund të dëgjoje shpesh në bisedat me Lasgushin, se ato ishin në natyrën e tij.
U befasova kur më zbuloi se i dinte përmendësh poezitë e dy vëllimeve poetike të tij “Vallja e yjeve” dhe “Yjet e Zemrës” madje edhe me variantet e tyre. Njëherë u zemërua keq me një poet që deklaroi se nuk mund t’i kujtonte vargjet që kishte shkruar. “Çfarë poet është aë që nuk kujton vargjet e tij?” pyeti me zemërim. Kjo ndodhte se Lasgushi jetonte mes poezisë së tij dhe i sillte kurdoherë nëpër mend vargjet që kishte shkruar. Mikrokozmosi i tij ishte poezia.

u2_lasgushisot1VLERA E KONCEPTEVE.
Po atë javë qershori e pashë në bulevardin e Pogradecit duke ecur më shpejt se zakonisht. Më pyeti nëse e kisha parë prof’ Skënder Luarasin, me të cilin mbante miqësi qysh kur ishin studentë në Austri. I thashë se sapo isha ndarë prej tij dhe mund ta gjente te Turizmi.
“Më erdhi në shtëpi por unë s’munda ta prisja se isha i paveshur. Tani më duhet ta takoj patjetër. Këtu tek ne miku s’pyet, të vjen në shtëpi kur i mbushet mendja. Ne s’e kemi traditë të lëmë pikëpjekje apo orar për vizitë. Ne kemi norma të tjera morale. E di si thonë miqtë e mi nga Vërdova? Mikun ndaj e kemi mik, të na mundojë dhe ta mundojmë. Shqiptari gjen kënaqësi kur mundohet për mikun a bën diçka për të. Në Grac unë ndenjta dhjetë vjet te një shtëpi. Atje haja. Atje pija, atje flija si pjesëtar i saj. Hyra djalë 23 vjeçar dhe dola burrë 33 vjeçar. Nuk e harroj kurrë ditën kur e zonja e shtëpisë më tregoi një kartëpostale. Më tha se ia dërgonte i vëllai dhe e pyeste nëse mund të vinte për vizitë të premten në ora pesë pasdite. Vëllai mund të vinte edhe pa dërguar lajmërim, i thashë, mirëpo ajo ma priti. Mund të vijë dhe të mos më gjejë, se mund të kem një plan tjetër atë pasdite”.
“Vëllai i saj banonte po në Grac, një qytet prej 250.000 banorësh. Nuk është qytet i madh por ka një nga Universitetet më të vjetra të Evropës. Para disa kohe festuan 200 vjetorin e tij. Njeriu pëson ndryshime nga vendi ku jeton, nga psikologjia e shoqërisë që e rrethon”, vazhdoi mendimin Lasgushi.
“Ktheheshim nga Austria për pushimet verore në Shqipëri dhe na merrte përpara rutina e jetës së përditshme. Gjithë ditën e kalonim kafeneve, duke luajtur letra, ose duke çaprashitur kot. Sapo vinte vjeshta dhe shkonim në Austri, ne studentët shqiptarë tjetërsoheshim, ulnim kokën mbi librat, vizitonim muzeumet, vendet historike, ndiqnim koncertet muzikore dhe jetën artistike, etj. Pse? Sepse kjo ishte jeta dhe psikologjia e atjeshme. Edhe në tramvaj, edhe në park, njerëzit i shihje me libra ndr duar. Shkojnë dhe ata klubeve për të pirë kafe a çaj, por asnjë nuk e kalon gjithë ditën kafeneve”.
Lasgushi u jepte rëndësi të veçantë koncepteve. Zgjerimit të horizontit të kulturës qytetare.
Në anën lindore të qytetit, në fund të bulevardit ku ndahet rruga e Drilonit nga ajo e Korçës. Dalloheshin dy ndërtesa të reja një katëshe me tulla. Lasgushi ndaloi hapin dhe drejtoi bastunin drejt tyre.
“-I sheh ato dy ndërtesa në këndin midis rrugëve? Dikur aty ishin dy baraka druri të shëmtuara që nuk shiheshin me sy. Te njëra shitej vajguri, te tjetra qymyr a gërqele. Kur ishte sekretar i parë Pirro Gusho dha urdhër të prisheshin dhe mirë bëri, po shih se çfarë ka ndërtuar. Në vend të ngrinte një ndërtesë të bukur, të lartë që mund të hijeshonte qytetin. Ndërtoi dy kolibe të vogla prej tullash. Pse? Se aq dinte, Se koncepti i tij nuk shkonte përtej ustallarëve të Mokrës. Unë Pirron e kam nip dhe e dua, por nuk mund të mos e kritikoj për këtë shëmti që i la qytetit në një nga pikat më të bukura. Pa patur koncepte për të ardhmen, e dijeni për urbanistikën, si mund të rregullohet qyteti?”
Fliste me duf dhe dukej i zemëruar sepse në qytet deri në atë kohë nuk vihej re asnjë ndërtim modern.
Pirro Gushoja pati një fund tragjik prej atij regjimi që i shërbeu me zell. U detyrua të vriste veten kur ishte Sekretar i patë në Fier, pasi u akuzua nga udhëheqja e partisë si pjesëtar i grupit të sabotatorëve të naftës.
(Nga libri MIDIS DY KOHËSH, Botuar në Prishtinë nga BUZUKU)

Monumenti i Lasgush Poradecit ne qytetin e tij Pogradec. Foto Denion Ndrenika-Illyria-nentor 2013

Monumenti i Lasgush Poradecit ne qytetin e tij Pogradec. Foto Denion Ndrenika-Illyria-nentor 2013

Please follow and like us: