Albspirit

Media/News/Publishing

Uta Ibrahimi, alpinistja e parë shqiptare që pushton majat e Himalajave

Uta Ibrahimi sapo ka përfunduar ekspeditën dimërore 4 javore në Himalaja, konkretisht në qendër-veri të Nepalit, në Luginën Ralwaling, e cila është e njohur për mundësi të ndryshme alpine përgjatë gjithë vitit, duke iu falënderuar projektit ‘Femra Shqiptare në Himalaya’ të iniciuar dhe organizuar nga Xhimi Begeja dhe familja e tij, të cilët kanë vlerësuar se Uta Ibrahimi është alpiniste e cila meriton përkrahje në këtë projekt.

Ecja ka filluar në fshatin Jagat 1200 metër lartësi mbidetare dhe duke vazhduar për 7 ditë ecje nëpër fshatrat e thella të kësaj zone, deri në fshatin e fundit NA me lartësi mbidetare 4200 metër.

Lugina Ralwaling njihet si ndër zonat ku është zhvilluar budizmi gjatë shekullit të 17-të dhe në atë kohë ka qenë si zonë sekrete dhe vetëm në 30 vitet e fundit është e vizituar nga alpinistë nga gjithë bota.

Ekspedita alpine ka vazhduar më tutje nëpër kampe me lartësi të ndryshme mbidetare, kampi bazë 4900 metër, kampi i dytë 5400 dhe kampi i fundit në 5656 metër alt si dhe çdo ditë me aktivitete alpine në lartësi të ndryshme mbidetare me qëllim të përgatitjeve teknike – ngjitje në gurë (rock climbing), ngjitje në akull (ice climbing), ngjitje alpine e kombinuar, ngjitje në glaciera dhe trajnim në kravasa, përgatitje psiqike dhe aklimatizim, dhe si përfundim ngjitje në 3 maje të Himalajave, Yalung Peak 5700 metër lartësi mbidetare, Nurbu Peak 5800 metër lartësi mbidetare, ngjitje teknike e shkallës D+ dhe së fundi Ramdung Peak 5925 metër lartësi mbidetare, ngjitje alpine e shkallës PD.

“Përveç përmirësimit të teknikave alpine, kjo eksperiencë më ka bërë familjare me kuptimin e vërtetë e një alpinisti, në një masiv me shumë maje rreth e rrotull, me temperatura të ulëta deri në -20, me rrezikshmëri në çdo hap dhe respekt për bjeshkët dhe natyrën. Këtë përjetim ta ofrojnë vetëm Himalajat”, ka thënë Uta Ibrahimi.

Si fund, kjo ekspeditë është faza e parë e ekspeditës “Femra Shqiptare në Himalaya” e që ka për qëllim pushtimin e disa majave të tjera në Himalaja gjatë dy viteve të ardhshme si dhe zhvillimin dhe promovimin e alpinizmit shqiptar.

Në mars 2017 vazhdon faza e dytë e kësaj ekspedite me pushtimin e majës Sersung 6422 metër lartësi mbidetare, maje teknike e shkallës D+ e cila nuk është pushtuar deri më tani ndonjëherë dhe kjo është ftesë që më është bërë pas përfundimit të këtij trajnimi 4 javor e që pjesëmarrës janë 5 ngjitës nga bota duke përfshi dhe guidën nepaleze.

“Po, më duhet t’i falënderoj me zemër publikisht familjen Begeja për besimin që ma kanë dhënë në realizimin e këtij projekti madhor, anëtarët e shoqatës “Dajti Alpin Turistik” dhe shoqata “Skarpa” nga Prizreni. Nuk ka qenë aspak e lehtë të kalosh me sukses këtë ekspeditë, e aq më pak ekspeditat e ardhshme të marsit dhe majit 2017 e që do t’i publikojmë ditëve në vazhdim”, ka përfunduar Ibrahimi.

Please follow and like us: