Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, 80% e shqiptarëve nuk e donin Enver Hoxhën fillimisht, heqja e fesë dhe situata ekonomike sollën pakënaqësi, në Jug dhe Veri luftohej kundër regjimit

Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk e donin Enver Hoxhën në krye të vendit. Kjo është bërë e ditur në një dokument të publikuar nga CIA, ku thuhet se rreth vitit 1948, 80% e shqiptarëve nuk pajtoheshin me regjimin komunist. Aty thuhet se heqja e fesë, situata ekonomike dhe dora e hekurt e regjimit kishte sjellë pakënaqësi të madhe në popull. Për këtë arsye, në Veri dhe Jug të vendit ishin ngritur një sërë grupesh guerile, që punonin kundër regjimit. Sipas CIA, tentativat e tyre për rrëzimin e Hoxhës ishin shumë të vështira, kjo sepse armatimet që kishin ishin shumë të vjetra. Nga ana tjetër, ata që ishin në Veri, ishin më ndryshe, pasi në disa raste ndihmoheshin me materiale dhe nga jugosllavët.

Pakënaqësia ndaj Hoxhës 

Informacionet mbi masën dhe cilësinë e rezistencës guerile në Shqipërinë janë të vështira për t’u gjetur, po aq sa dhe ato mbi regjimin. Por informacionet kanë pasur një rritje kohët e fundit, kështu që mund të përcaktojmë një rrjedhë të përgjithshme. Në mes të vitit 1948, raportohet se kundërshtimi i heshtur ndaj regjimit të Hoxhës mbizotëron në rreth 80% të popullatës. Faktorët që bëjnë të mendosh këtë janë shtypja ndaj rezistencës tradicionale të zonave malore, persekutimi i regjimit ndaj të gjitha besimeve fetare. Gjendja e rëndë ekonomike në vend, mungesa e prestigjit e liderëve politikë e ushtarakë dhe sigurisht një urrejtje e gjerë e sllavizmit në përgjithësi. Shumica e rezistencës aktive gjendet në zonat malore qendrore e veriore, mes gegëve katolikë, të cilët i konsiderojnë rivalët e tyre Toskë si përgjegjës të tokave të Jugut. Kështu që faktorit negativ të antagonizmit mes policisë së regjimit dhe komuniteteve fisnore, i është shtuar faktori pozitiv i armiqësisë etnike. Raportet aktuale i referohen vetëm përciptas rezistencës në Jug të Shqipërisë. Asnjë prej raportimeve mbi këto grupe nuk flet për armët që ata zotërojnë, por supozohet të përdorin mjete të vjetra si mushqeta ose disa armë të lehta perëndimore të mbetura nga lufta. Municionet  gjithashtu besohet të jenë të pakta. Për ushqim, grupet guerile pa dyshim mbështeten në dashamirësinë e njerëzve të malit. Në këto rrethana duket se me shumë gjasa rezistenca kundër regjimit është e kufizuar vetëm në veprime ngacmuese, pa pasur mundësi të kontrollojnë territore apo qendra komunitetesh.

Rezistenca në Diasporë

Të gjithë anëtarët e mbijetuar të klasave të mesme e të larta të Shqipërisë, tashmë janë larguar nga vendi. Grupet përbëhen nga tregtarë, artizanë, profesionistë dhe disa pronarë tokash. Shumica e tyre është dejonizuar prej bashkëpunimit disa më pak e disa më shumë, me gjermanët, gjatë luftës; shumica e tyre mbeten në Evropë dhe jetojnë në varfëri ose me ndihma bamirësie. Qendra të shqiptarëve të larguar janë krijuar në Itali, Greqi, Egjipt dhe në SHBA. Me përjashtim të atyre në SHBA, të emigruarit ndahen kryesisht në 3 grupe politike: Zogistët apo Legaliteti, i cili gjendet në Kairo rreth vetë mbretit Zog, i krijuar në vitin 1043 nga aktivisti Gegë Abaz Kupi. Kurse Balli Kombëtar ka shumicën e anëtarëve në Itali, të përhapur edhe në Greqi dhe më pak në Lindjen e Afërt, i themeluar në vitin 1942 nën kryesimin e  Midhat Frasheri. Ndërsa Blloku Kombëtar i Pavarur është një grupim republikan, anti-italian, kryesisht i majtë e reformist, fuqimisht anti-komunist, i themeluar në Itali më 1947 nga kolaboracionistët e fashizmit me në krye Ismail Verlaci bir i ish-kryeministrit … Shefcint.

Grupi ka natyre konservatore dhe kapitaliste. Megjithëse Balli dhe Blloku botojnë gazeta në Itali, asnjë prej tyre nuk përballon dot një botim të rregullt. Ka gjithashtu një broshurë liberale shqiptare në Londër nga Tajar Zavalani dhe Dervish Duna, me disa ndjekës në Turqi; kemi edhe një Komitet të Kosovarëve të drejtuar nga Xhemal Deva. Deri në ndarjen e Titos nga Cominform (Zyra e Informacionit të vendeve Komuniste) në vitin 1948, tre grupet kryesore, megjithëse kishin të përbashkët urrejtjen ndaj regjimit të Hoxhës dhe ndaj pretendimeve territoriale greke në Jug, ishin vazhdimisht antagonistë ndaj njëri-tjetrit, dhe çështja institucionale ishte pika kryesore e debatit mes tyre; republikanët e Ballit Kombëtar propozonin se sipas rezultateve të referendumit pas çlirimit të vendit nga komunistët, një qeveri që përfaqësonte çdo grup të vinte në pushtet. Blloku Kombëtar kishte simpati për monarkinë, vetë monarkistët kërkonin rikthimin e Zogut, por linin të kuptohej se pranonin referendumin

Balli Kombëtar 

Të tjera çështje ishin programi reformist i Ballit, që ngrinte dyshime te dy grupet e tjera, apo dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës që kishte grupimi i Zogut. Liderët e Ballit dhe të Bllokut mund t’i toleronin këto çështje për momentin. Ishin gjithashtu përplasjet e karaktereve që ndalonin bashkimin e grupeve. Gjatë viteve 1947 e 1948, Zog tregoi iniciativa drejt bashkimit, dhe propozoi formimin e një komiteti të çlirimit kombëtar, me kusht që të gjithë të pranonin: 1. Mbajtjen e referendumit pas njohjes së qartë nga liderët e tre grupeve të Kushtetutës së vitit 1928, ku Shqipëria njihej si monarki; Që liderët e grupeve të punonin për rivendosjen në Shqipëri të të larguarve, pas çlirimit të Shqipërisë. Të ndalohej propaganda anti-Zog mes refugjatëve.

Pika e parë dhe pika e tretë duket qartë që nuk ishin realiste, kurse e dyta u konsiderua si një tentativë e Zogut për të sjellë të gjithë refugjatët në një zonë, në mënyrë që ai t’i kontrollonte. Thuajse në të njëjtën kohë, Zogu dërgoi përfaqësues në ambasadën amerikane në Kairo për të deklaruar qëllimet e tij miqësore në lidhje me Greqinë. Të dërguarit thanë se Zogu ishte gati të formonte “Qeverinë e Lirë Shqiptare”, nga e cila do të përjashtoheshin refugjatët që kishin bashkëpunuar me fashistët dhe gjermanët. Ata thanë gjithashtu se Zog ishte i përkushtuar ndaj parimit të referendumit. Më tej u fol për ndërmjetësimin britanik e amerikan në debatet greko-shqiptare, por përpjekja Zogu dëgjoi se ministri grek në Romë po diskutonte me Frasherin dhe ndjekësit e tij; domethënë kur Zog kuptoi se nuk do të kishte kontroll të plotë të lëvizjes së bashkuar të diasporës.

21 gusht 1950

Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave 

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej Veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë. Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950, misioni ynë në vend dërgoi një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

Please follow and like us: