Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, SHBA dyshon për paktin Britani-Greqi-Jugosllavi kundër Shqipërisë, ja bisedat me Londrën

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, shtetet e huaja i kanë kushtuar një rëndësi shumë të lartë zhvillimeve në vendin tonë. Më aktive ka qenë SHBA dhe Britania, por dhe shtete tona fqinje. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si në vitin 1950 ka pasur përplasje mes Britanisë dhe SHBA, pasi kishte dyshime për një bashkëpunim të fshehtë mes Londërs, Greqisë dhe Jugosllavisë. Ndërsa në një dokument tjetër tregohen disa nga llojet e operacionet që përdori CIA për të rrëzuar regjimin komunist në vendin tonë.

11 Janar 1950

Operacioni BGFIEND

Dyshime mbi britanikët për “marrëveshje” me grekët e jugosllavët

Llewellyn Thompson më informoi sot se ka kryer një bisedë me përfaqësues të ambasadës britanike, përfshi edhe Lord Jellico, dhe tha se përfaqësuesit u sforcuan shumë për të justifikuar qëndrimin e tyre kur ai i përmendi një qëndrim “të paqartë” të tyre në lidhje me situatën. Produkti i takimit është se përfaqësuesit e ambasadës pranuan se ishte e nevojshme që ata të komunikonin me Londrën për sqarime të mëtejshme, dhe më pas të mbanim një tjetër bisedë. Sipas zotit Thompson, përfaqësuesit e ambasadës treguan në një farë mënyre se ishin në dijeni të dyshimeve italiane mbi ta, dhe spekulonin se kjo mund të ishte arsyeja përse Ministria e Jashtme britanike donte të ruante një profil të ulët. Zoti Thompson premton të na dërgojë një memorandum të bisedës së tij sapo të kompletohej. Ai raportonte më tej se një përfaqësues i ambasadës greke kishte ardhur kohët e fundit te Departamenti për të shprehur shqetësimin mbi propozimin italian për një diskutim të “katër fuqive” për Shqipërinë, i cili do të përjashtonte Greqinë (Departamenti i Shtetit nuk favorizon një diskutim të tillë për momentin, qoftë me apo pa palën greke). Duke reflektuar për gjithë këtë çështje, zoti Thompson tha se besonte se me sa di deri tani ambasada britanike, britanikët nuk janë të angazhuar në një marrëveshje tre palëshe me grekët e jugosllavët, për Shqipërinë. Britanikët janë të shqetësuar për pozicionin e Titos dhe zoti Thompson beson se një marrëveshje e tillë tre-palëshe po fshihet. Një arsye për dyshimin e tij është fakti se çështja është diskutuar me zotin Bevin dhe nëse do të kishin marifete ndaj Shteteve të Bashkuara nuk do t’i diskutonin me të për arsye të karakterit të tij të hapur e të drejtpërdrejtë

Llojet e operacioneve

a) Operacionet paraprake – Zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi në Jugosllavi, Greqi e vende të tjera të huaja i forcave të përbashkëta që nevojiten për fazën paraprake të grushtit të shtetit. Zhvillimi i njësive të forta të rezistencës brenda Shqipërisë, që do të mbështesin dhe do të shtojnë numrin e forcave që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Përfitimi i të gjithë inteligjencës operacionale që nevojitet për kryerjen e suksesshme të grushtit.

b) Operacionet sulmuese nga pikat e selektuara në Jugosllavi e Greqi dhe pikat e përbashkëta të komandës, të nisin lëvizjet operacionale të natës, drejt objektivave në Shqipëri bashkë me dërgesat e furnizimeve. Forcat e përbashkëta në terren të sulmojnë gjatë natës për të kapur dhe siguruar zonat e synuara. Elementët e sulmit të neutralizojnë ushtarët e kufirit dhe të marrin kontrollin e instalacioneve ushtarake, të ndërpresin komunikimet dhe të shkaktojnë dezertimin ose izolimin e forcave kundërshtare ushtarake dhe të sigurisë. Të gjitha fushat ajrore dhe avionët bashkë me qendrat e transportit të sigurohen. Më tej të kapen dhe të mbahen të gjithë liderët e rëndësishëm të qeverisë. Qeveria e përkohshme të përbëhet nga liderët e NCFA(Komiteti për Shqipërinë e Lirë). Ata të njoftojnë publikisht krijimin e qeverisë së lirë e të pavarur të Shqipërisë, dhe të detyrojnë liderët e regjimit Hoxha të pranojnë publikisht largimin nga pushteti në mënyrë që të nxitet mbështetja për qeverinë e përkohshme. Me anë të qelizave të organizuara paraprakisht dhe me grupet e terrenit të bëhet ngritja e grupeve të rezistencës vendase për kompletimin e grushtit të shtetit.

c) Konsolidimi i operacionit. Të eliminohen elementët e mbetur të opozicionit. Të riorganizohen e të forcohen forcat e qeverisë së përkohshme dhe agjencitë e forcat e tjera mike.

Mënyra për rekrutimin e agjentëve brenda vendit

OBOPUS- është emri për projektin e përgjithshëm të plotësimit të këtyre objektivave në Shqipëri. OBHUNT është nën-projekti sipas të cilit kryhet operacionet e kalimeve kufitare. Për momentin kemi 18 agjentë të gatshëm në Greqi (7 prej të cilëve të trajnuar në komunikime radio) të cilët mund të vazhdojnë programit gjatë sezonit operacional 1954. Besohet se këto operacione do të vazhdojnë në dy vitet në vijim për plotësimin e detyrave operacionale. OBOPUS/OBTEST është një projekt për një radio-stacion klandestin anti-komunist që transmeton me valë të shkurtra në Shqipëri, për llogari të Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Ky stacion vepron në Athinë që prej shtatorit 1951.

Konkluzione

Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA te Shqipëria  nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend. Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë. Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara të nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.

Please follow and like us: