Albspirit

Media/News/Publishing

Malta e vogël përballë sfidave të mëdha

 

Në mes të Mesdheut, i shtrirë mes Sicilisë dhe Afrikës, i përbërë nga dy ishuj kryesorë dhe disa ishuj të vegjël, gjendet arkipelagu i Maltës. Një prej vendeve më të vogla të BE-së, me vetëm 316 km2. Më e vogël edhe se Andorra. E gjendur historikisht nën pushtimin e perandorive të huaja për shkak të pozicionit të saj të rëndësishëm strategjik, ajo do të jetë nën dominimin britanik që nga viti 1800, kur maltezët do t’i kërkonin ndihmë britanikëve, nën pretendimin se trupat e Napolonit, që kishin pushtuar Maltën prej dy vitesh, po grabisnin pasuritë dhe të mirat e Kishës. Që në atë moment Malta shndërrohet në një koloni britanike, dhe arrin të fitojë pavarësinë e saj vetëm në vitin 1964.

Për shkak të pozicionit strategjik mes Evropës dhe Afrikës, Malta ka qenë një koloni shumë e rëndësishme britanike, me një dalje në port shumë të ruajtur. Gjurmët e së kaluarës së saj, janë ende shumë të dukshme sot dhe Malta tërheq çdo vit turistë të shumtë britanikë. Turizmi është edhe burimi kryesor i të ardhurave, një prej vendeve me popullsinë më të dendur në Evropë, mbi 1400 banorë për km2. Në vitin 2014, sipas statistikave në nivel rajonal, arkipelagu ka pritur 1,5 milionë turistë, duke gjeneruar një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto. Krahas turizmit, gjendet aspekti fiskal shumë i favorshëm, që tërheq investitorët. Për, ta joshja kryesore e Maltës është sistemi i butë fiskal për ndërmarrjet. Por, Malta ka gjithashtu edhe përqindjen e taksimit më të ulët në BE, sidomos për taksimin e shoqërive dhe të firmave. Ekspertët vlerësojnë se, edhe pse formalisht në letër, taksimi shfaqet i lartë, në realitet ekziston një mekanizëm, që e ul këtë përqindje, falë favorizimeve të ndjeshme, që krijojnë statuse “të veçanta” të kuadrit ligjor mbi taksimin. Pavarësisht, se një sërë reformash kanë gjetur zbatim në vend, në kuadrin e anëtarësimit të Maltës në BE, arkipelagu ngelet ende një parajsë fiskale.

Sukses dhe modesti 

Malta mbart profilin e një vendi të vogël, por i heshtur në modestinë dhe suksesin e tij. Me Lampeduzën, Malta është shndërruar në portën kryesore të migrimit nga kontinenti Afrikan, me brigjet tuniziane rreth 300 km larg saj, si edhe me brigjet libiane, vetëm disa kilometra më larg.

Dje, Malta ka marrë zyrtarisht, presidencën 6-mujore në krye të Këshillit të BE-së. Në ceremoninë zyrtare të hapjes, kryeministri i Maltës Zhozef Muskat do të deklaronte se “Ne, nuk kemi iluzione të madhështisë”, duke premtuar se do të punohet “fort” për të riparuar “shkëputjen e madhe” mes qytetarëve evropianë dhe politikanëve në nivel kombëtar dhe në nivel evropian.

Një frazë, me domethënie të veçantë në kontekstin e krizave të shumta, që kanë pushtuar Unionin. Aty ku, iluzioni i madhështisë, është shndërruar në një fenomen që pushton jo rrallë herë, politik-bërjen e vendeve të vogla, duke i shndërruar në barriera të mëdha për avancimin evropian. Aty, ku figura të spikatura politike, pushtohen nga një fenomen, që fusha e psikiatrisë e përkufizon rëndom si deliri i madhështisë: “Besimi i gënjeshtërt, i fiksuar në mendjen e njeriut, se zotëron cilësi superiore të natyrës së gjeniut, famë e madhe si edhe pushtet të pakufizuar.”

Në ceremoninë e hapjes, zyrtarët maltezë, do ta vinin theksin tek kriza e besimit që po përjeton BE; tek nevoja për t’u fokusuar tek shqetësimet e njerëzve dhe jo të fajësohen ata pa reshtur pse votojnë grupet ekstremiste; tek domosdoshmëria që drejtuesit e BE-sa ta vendosin veten në vend të njerëzve që privohen nga të drejtat e tyre për shkak të krizës ekonomike; tek reagimi shumë i ngadaltë i BE-së, ndaj krizës financiare dhe krizës së migrimit dhe tek nevoja që BE të tregojë veprim dhe pragmatizëm, pasi sipas tyre “Ka një deficit besueshmërie, sepse ka një deficit zbatimesh”.

Presidenca e Maltës, tashmë i ka bërë publike prioritetet e saj, që prekin fusha të ndjeshme si migrimi, siguria, zhvillimi i tregut të përbashkët, gjithë-përfshirjen sociale, etj. Përqendrim të veçantë do të ketë edhe ndaj Euroskepticizmit si edhe problemeve, që ka sjellë vendimi për largim i Britanisë së Madhe. “12 muajt në vijim, do të përcaktojnë të ardhmen e Evropës” dhe për presidencën malteze është “thelbësore të vendoset përfshirja sociale, në zemër të shqetësimeve të BE-së, në një moment ku ndjesia e përjashtimit, veçse ushqen ekstremizmin dhe ksenofobinë.”

Sfidat

Që prej anëtarësimit në vitin 2004, Malta nuk e ka marrë asnjëherë presidencën semestrale. Funksioni bën që çdo shtet i BE-së të marrë sipas radhës, drejtimin e presidencës 6-mujore. Por, a kanë peshë të mjaftueshme vendet e vogla, për të influencuar politikën e BE-së ?

Në fakt, pesha politike e një shteti anëtar në kuadrin e presidencës të Këshillit të BE-së, nuk është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me madhësinë e tij, por kryesisht me faktorë të tjerë, siç janë kapaciteti për të angazhuar dhe për të ndërmarrë debate, në funksion të prioriteteve, që janë programuar, si edhe aftësia për të arritur kompromise të pranueshme mes vendeve anëtare. Kjo peshë ndikohet edhe nga pozicionimi politik i vendit, si pro-evropian, apo me nuanca dyshuese ndaj politikave evropiane. Pa përjashtuar nga kjo peshë edhe aftësinë për të organizuar dhe administruar në mënyrë efikase. Vështirësia në këto procese, nuk shfaqet vetëm tek aftësia e vendit më të vogël në BE, për të përballuar mekanizmin e madh dhe shumë të ndërlikur të Unionit, por tek roli dhe fuqia e tij në skenën politike evropiane. Historiku i marrjes së kësaj presidence nga vende të ndryshme anëtare ka konfirmuar se, në varësi të prioriteteve të fiksuara, vendi që mban presidencën e radhës, mund të arrijë avancim dhe progres konkret mbi dosje, që kanë një interes të veçantë.

Valeta do të jetë së shpejti në qendër të vëmendjes, për shkak të Samitit të krerëve të 27 vendeve, që pritet të mbahet më 3 shkurt. Ky Samit, është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm se i paraprin Samitit të Romës, që do të mbahet në fund të muajit mars, në kuadër të 60 vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës, por edhe për shkak të mundësisë, që ofron për një reflektim më të thelluar, mbi vazhdimësinë e projektit evropian BE-27, pas ikjes së Britanisë së Madhe. Reflektim, që ka nisur me Samitin e Bratislavës në muajin shtator të vitit të kaluar, dhe që synon dhënien e impulseve të reja projektit evropian.

Please follow and like us: