Albspirit

Media/News/Publishing

Poezitë e Bertold Brehtit, shqipëruar nga Lasgush Poradeci

 

 

Nata e mirë

 Një ditë, para se i madhi Krisht

Të lindi fshehtësisht dhe varfërisht,

Ish cingërim i ashpr’ e drithërim

Dhe prindërit, që qenë pa strehim,

I zuri frika për lindjen e Tij,

Që pritej n’atë mbëmje e mugëti.

Kur lindte Ay, ish shumë ftohtësirë,

Po lindj’ e Tij u krye fare mirë.

Ahuri, që me zor e patnë gjetur,

I ngroht’ ish e i mirë për të fjetur,

Edhe me shkumbës përmbi derë ish shkruar

Q’aty kishin banuar dhe paguar.

Një natë të mirë aty pra shkuan,

Se kashta qe m’e ngrohtë nga ç’kujtuan,

Kau e gomari ishin në pranî,

Dhe gjithë puna shkoj për bukuri.

Një grazhd ish si tryezë, e shërbëtori

Një peshk atyre fshehtazi i-u solli

(Sepse, në lindjen e të madhit Krisht,

Çdogjë do t’ish e fshehtë e tinzarisht).

Po peshku ish madhështor e tërë shije,

Me burrin u kënaq zonja Marije,

Për çqetësimin që ay pat treguar

Sepse, në mbrëmje, era pat pushuar.

Dhe çifti i dashur s’ndjente më të ftohtë,

Dhe djali ish i bukur, grazhdi i ngrohtë,

Dhe nuk mungonte thuajse gjë tjetër,

Kur – ardhë për këtej edhe tre Mbretër!

 

Marija dhe Jozefi, të kënaqur,

me sy kënaqësinë duk’ e çfaqur,

U shtrinë që të bëjnë pakëz gjumë:

Për Krishtin bota s’bënte dot më shumë

 

 

 

Galilei, Bibël-shkatërronjësi

Kur Zoti “u bëftë Bota!” me gojë kuvendoj,

E thirri pranë Djellin dhe mirë e urdhëroj

Të mbajë – sikur t’ishte lypcar e shërbëtor –

Një llambë plot me dritë rreth Lëmshit Tokësor;

Se Zoti, për secilin, kish qejf e kish dëshirë

Të sillet rreth – e – rrotull atij që ish m’i mirë.

 

Dhe zunë të vërtiten, të gjithë, nëpër erë,

Dhe rrotull më të Fortit – të vijë i Dobti i mjerë,

Dhe rrotull më të parit, si n’ajrin qiellor,

Të vijë qark i Prapmi në lëmshin tokësor:

Dhe rreth e rrotull Papës të sillet Kardinali,

Dhe rrotull Kardinalit të vijë qark Peshkopi,

Rreth-e-përqark Peshkopit të sillet Sekretari,

Dhe rrotull Sekretarit të vijë rrotull Popi,

Dhe rreth-e-rrotull. Popit të sillen shërbëtorët

Dhe populli e të vegjlit, dhe pulat, qentë e horrët.

 

Dh’u ngrit më këmbë ahere ky Doktor Galilei,

Dhe biblën tej e flaku dhe hodhi një vështrim,

Shqyrtoj me teleskopin përqark në rruzullin,

Dhe Diellit i foli: “Qëndró nga rrug’ e vjetër!

Tashti ti s’do vërtitesh, o creatio Dei,

Aspak si gjer më sot, po në një rrugë tjetër!

Tashi, do vij rrotull çdo Zot, çdo Zotëri,

Ha! rrotull Shërbëtorit – – Shërbenjësit të tij!

 

… Kështu pra Zotërinjtë, sikur s’e shohin dot,

Që Shërbëtorët zunë të bëhen më të rreptë!

Po kjo s’do kokëçarje, se kush s’do deshte sot

 

Që, më në fund, të jetë i zoti i vetes vetë?

Që shërbëtori i shkretë në punë të mos vinte,

Si qeni i kasapanës të majmej e të rrinte,

Që dhe djaloshi i meshës në meshë mos shërbente,

Çiraku i padronit të çlodhej e dëfrente?

 

Jo, jo, o njerëz: Biblën mos e dëgjoni kot:

Litari i hollë i grykës këputet shumë lehtë:

Mos t’ish litari i trashë, kush s’do të deshte sot

Që, më në fund, të jetë i zoti i vetes vetë?

 

Dy Zonja paskan dalë të blenë peshk në treg,

Po mundësi të blenë, siç blinin, s’mund të ketë,

Se shitësja e peshkut nxjerr pite dhe gjevrek:

Dhe peshkun e fërguar filloi ta hajë vetë!

 

Themelet muratori fort mirë i ka rrënuar,

Merr gurët e pronarit, dhe ze që të ndërtojë:

Po kur ky, në fund, shtëpinë e ka ndërtuar,

Hyn në shtëpinë e re që vetë të banojë!

 

Jo, jo, o njerëz: Biblën mos e dëgjoni kot:

Litari i hollë i grykës këputet shumë lehtë:

Mos t’ish litari i trashë, kush s’do të deshte sot

Që, më në fund, të jetë i zoti i vetes vetë?

 

Sot bujku i skllavëruar i bje me grusht të zot

Drejt mun te tulli i prapmë pa frikë e pa derman;

Bujkesh‘ e skllavëruar u jep fëmijve plot

Nga qumështi që për priftin e ruante veçan.

 

Jo, jo, o njerëz: Biblën mos e dëgjoni kot:

Litari i hollë i grykës këputet shumë lehtë:

Mos t’ish litari i trashë, kush s’do të deshte sot

Që, më në fund, të jetë i zoti vetes vetë?

 

Jo, jo, o Galilei, bre burrë, përfundo!

Të ha, të çqyen qeni pa gojzë, o mor i shkretë.

Të mos i vinin gojzën turinjve, – jo, or jo,

S’të le ay të jesh i zoti i vetes vetë.

 

Ju që lëshoni britma dhe vaj e lot mbi dhe,

Haj! mblidhni tashti forcat për lumturi dhe jetë.

Dhe nga Doktori jonë, i miri Galile,

Mësoni shpëtimtaren, të mirën Abece.

 

 

Transformimi i Perëndive

Të vjetrat Perëndi të paganizmit

(Si një gënjeshtër me qëllim të fshehtë)

Të parat i-u kushtuan Kristjanizmit,

Dhe nëpër pyjt‘ e heshtur e të qetë

Përpara tyre populli kalonte

Dhe bënte kryq e lutje murmuronte.

 

Ato dhe në mesjetë zunë vend

Nëpër kamare kishash kënd-më-kënd,

Atje ku për sy-verbërit kish hije

Të kish ndonjë figurë Perëndije.

 

Dhe në Revolucjonin frëng ato,

Me maskat e gjykimit të mashtruar,

Duke gënjyer zunë vënd kudo,

Dhe si mendime të pakundërshtuar –

Armike të lirisë njerëzore –

Kalonin si gjakpirëse mizore

Përmbi kurriz të Klasës Punëtore.

 

 

Miserere1 Gjerman

Na thanë Prijësit që të sulmojmë:

Danzig-un menjëherë ta pushtojmë;

Me tankse e bomba Polonisë i ramë,

Dhe në tri javë copë- copë e ndamë ;

Shpëtona, Zot ! Po Zoti s’na shpëton,

Se Zoti s’ekziston.

 

Na thanë prijësit që të sulmojmë,

Dhe Norvegjinë e Francën ta pushtojmë,

Dhe Norvegjinë e Francën e sulmuam,

Dhe në dy vjet të dyja i pushtuam.

Shpëtona, Zot ! Po Zoti s’na shpëton,

Se Zoti s’ekziston.

 

Na thanë Prijësit që të sulmojmë :

Serbi, Greqi, Rusi t’i shkatërrojmë.

Serbi, Greqi, Rusi ne i sulmuam:

Po ja, se prej dy vitesh që luftuam,

Ne vetë jetën tonë s’po shpëtojmë.

Shpëtona, Zot ! Po Zoti s’na shpëton,

Se Zoti s’ekziston.

 

Na thanë Prijësit që të sulmojmë :

Dhe mal e det e botën ta pushtojmë.

Po qënka armike e fortë kjo Rusi,

Nuk vajtkan punët – kthehi në shtëpi,

Dhe kthehi, kthehi, sikur dëshëron,

Sikush për të shpëtuar po rënkon.

Shpëtona, Zot ! Po Zoti s’na shpëton,

Se Zoti s’ekziston.

 

  • (Lat. Kishët) = „Mëshirò, Zot“

 

 

Mbi besimin borgjez te Zoti

 

Ky është pasanik, dh’ay ësht’i vobegtë,

Dhe s’dimë kjo na rrjeth, sepse, në këtë jetë,

Ka budallenj të pasur, ka t’urtë që nuk dinë

Se ku ta futin kokën prej shiut q’u shpon çatinë.

Me qenë se pas vlerës asgjë nuk vete dot,

Në këtë botë duhet të ketë pra një Zot

Që vepron pas qejfit të tij, si Fuqiplot.

 

Çfar’ është një banknotë, pa peshë kurrsesi,

Një letër fare e lehtë, që nuk ka rëndësi,

Po ndonëse pa peshë, ajo ‘shtë nxehtësi,

Dhe është dashuri, shëndet e siguri.

Nuk është, vallë, ajo një Qënie shpirtërore?

Ajo ‘shtë mjet i Zotit për shtypjen punëtore.

 

Pse zbresin në miniera t’uriturit që s’hanë?

Që në të trashat duar ata tundin çekanë,

Kurse, mes tyre, sillen padronët çdo të shtunë,

Të pasurit që kurrë nuk bëjnë ndonjë punë?

 

Në djall pra pasanikët që rrinë e na gënjejnë,

Që, duke i mbrojtur Zoti, ne jetën na e rrëmbejnë:

Po pse, të na e rrëmbejnë, Rrëmbenjësit i lemë?

Në djall Padron e Zot, të dy në varr t’i shtjemë!

T’i futim nënë dhé, të dy, padron e Zot,

Të ngrehim Rendin tonë: Pushtetin fuqiplotë!

 

 

Ballada e fajdesë

 

Kur Zoti përmbi dhé

Kalonte plot haré,

Na porositi ne

T’ushtrojmë dhe fajdé.

 

Ay i këshillonte –

Sa i vinin në shtëpi –

Fajdé të përfitonte

Sikush nga ari i tij.

 

Dh’ Atij për t’i pëlqyer

Përpiqen bota mbarë:

Fajdénë fort të vyer

E bëjnë si më parë:

 

Dhe a s’duket gjithënjë,

Kudo mbi këtë dhé,

Që s’e fal Zoti atë

Që s’majmet me fajdé?

 

Po ç’bën kush pare s’ka?

Çfar‘ bëjnë gjithë ata? –

Groposen për bela

Dhe bota s’pyet për ta.

 

Jo ! pa kaq varfëri,

Fajdéja nuk do t’ish :

Ata pa u bërë fli,

Bark-math mbi dhé s’do kish.

Please follow and like us: