Albspirit

Media/News/Publishing

Spiunët që vijnë nga i ftohti! Prapa siglave të shërbimeve sekrete

Nga CIA tek KGB-ja, duke kaluar tek Mossadi dhe shërbimet e inteligjencës kineze, franceze dhe italiane, origjinat dhe karakteristikat e agjencive më efikase

Screen Shot 2016-02-24 at 10.06.37

Komiteti për Sigurimin e Shtetit (kjo domethënia e siglës ruse KGB) u krijua në 1954 duke trashëguar kompetencat e NKVD-së (Komisariatin për Sigurinë e Brendshme). KGB-ja, që kishte një strukturë të madhe, në Europë është akuzuar se ka mbështetur grupe terroriste komuniste dhe se ka planifikuar me inteligjencën bullgare atentatin e vitit 1981 ndaj Papës Gjon Pali i II-të. Me rënien e Bashkimit Sovjetik, vendi i tij është zënë në vitin 1991 nga Shërbimi i Sigurisë Federale (FSB), nga Trupa e Rojeve Kufitare, nga Inteligjenca e Jashtme (SVR), të cilave u shtohet GRU-ja (ushtarake).

Mbretëri e Bashkuar Në shërbim të Madhërisë së Saj

Shërbimet sekrete britanike të Sigurisë së Brendshme dhe Kundërspiunazhit (MI5) dhe të Sigurisë së Jashtme dhe të Spiunazhit (MI6 ose Secret Intelligence Service) janë ato “të James Bond”. Por janë vetëm dy prej degëve të Joint Intelligence Committee (JIC), organizëm qeveritar që koordinon edhe inteligjencë ushtarake dhe shërbim përgjimi të komunikimeve. Shërbimi sekret britanik e ka origjinën e tij nga Secret Service Bureau të krijuar në 1909 dhe, bile edhe më shumë sesa CIA, ka qenë protagoniste e Luftës së Ftohtë, megjithëse duke pësuar infiltrimin e shumë spiunëve sovjetikë.

Izrael Në gjueti nazistësh (dhe jo vetëm)

Shërbimi sekret izraelian për Operacionet Jashtë Vendit është krijuar në 1949, një vit pas shpalljes së shtetit të Izraelit dhe luftës së parë arabo – izraeliane. Shoqërohet nga shërbimet sekrete ushtarake (Aman) dhe nga Kundërspiunazhi e Siguria e Brendshme (Shin Beth). Protagonist në vitet Pesëdhjetë e Gjashtëdhjetë i gjuetisë së kriminelëve nazistë, Mossadi ka kryer shumë aksione kundër terroristëve palestinezë, si operacioni “Zemërimi i Zotit”, gjuetia ndaj anëtarëve të Shtatorit të Zi, përgjegjës i masakrimit të atletëve izraelianë në Olimpiadën e Mynihut në 1972.

Gjermania Spiunët e Berlinit

Pas Luftës së Dytë Botërore, shërbimet sekrete gjermane u rithemeluan nga zero. Në 1956 lindi Shërbimi i Informacionit Federal (në sigël BND), që kuron spiunazhin e jashtëm dhe përgjigjet para Kancelarit. BND-ja përbëhet nga 8 degë që përfshijnë spiunë dhe informatorë, inteligjencën elektronike dhe luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shërbimi ka pasur gjithmonë një prani të fortë në Europën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Rreth 10 përqind e 6000 efektivave të tij përbëhet nga ushtarakë dhe në disa operacione agjentët e BND-së kanë shoqëruar forcat speciale.

Kinë “KGB”-ja kineze

Guoanbu ka lindur në 1983 duke trashëguar kompetenca të organeve të mëparshme dhe menaxhon spiunazhin e jashtëm dhe kundërspiunazhin e brendshëm. I modeluar sipas KGB-së, ka qenë midis protagonistëve të represionit në Tibet e Ksinkiang, ku janë të pranishme shumë njësi të politikës politike dhe është dalluar në infiltrimin e spiunëve në Tajvan dhe agjentë nën koperturë (studentë e biznesmenë në Japoni e Perëndim) me objektivin e marrjes së teknologjive në vendet perëndimore. Në shërbimet ushtarake bën pjesë Njësia 61398: ndoshta 2000 burra e gra të kushtuar ndaj luftës informatike.

Shtetet e Bashkuara. “Dora e gjatë” e Uashingtonit

E themeluar në 1947 si trashëgimtare e OSS-së (Office of Strategic Services) që menaxhoi inteligjencën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Central Intelligence Agency është agjencia më e madhe e 17 agjencive të “intelligence community” amerikane. Një familje që përmbledh FBI-në, DIA-n, NSA-në dhe spiunazhin ushtarak. CIA është përgjegjëse për operacionet jashtë vendit dhe gjatë Luftës së Ftohtë mbështeti regjime antikomuniste në të gjithë botën. Nuk mund të veprojë në territorin kombëtar, por ka përfunduar në qendër të skandaleve të shumta, nga Watergate (1972) tek Iran-Contras në vitet Tetëdhjetë.

Francë Trashëgimtarët e Joseph Fouché

Në territorin ku Joseph Fouché (1759 – 1820) themeloi policinë politike sekrete të parë moderne sot punojnë agjentët e Direction Générale de la Sécurité Extérieure. Është krijuar në 1982 duke trashëguar kompetencat e shërbimit të mëparshëm (SDECE) dhe merret me inteligjencën e jashtme. DGSE-ja është shumë aktive në Lindje të Mesme dhe Afrikë, por edhe në spiunazhin industrial dhe ekonomik. DGSI-ja, e lindur në 2014 duke zëvendësuar DCRI-në, është në fakt agjencia e kundërspiunazhit dhe e sigurisë së brendshme, e përfunduar në mesin e furtunës pse nuk ka ditur të parandalojë atentatet e Parisit.

Itali 007-at e Republikës

Shërbimet aktuale të inteligjencës italiane (të rithemeluara në 2007) janë rezultati i ristrukturimeve periodike pjesërisht të përcaktuara nga skandalet mbi “devijimet”. Më parë agjencitë italiane të sigurisë (SISMI, inteligjenca ushtarake, dhe SISDE, inteligjenca civile) kanë qenë ndër organizatat më efikase të luftimit të terrorizmit, pasi kanë maturuar në vitet’70 e ’80 një përvojë të madhe në këtë fushë. Fatkeqësisht, pikërisht në këto dekada u zhvilluan struktura paralele, që komisionet hetimore parlamentare i kanë quajtur të “devijuara” pasi jo në shërbim të interesit kombëtar.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Please follow and like us: