Trafiku i cigareve më 1970 me Camorran italiane, gjithçka drejtohej nga pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit, pas vdekjes së Enver Hoxhës kontrabanda nisi të zgjerohej
Përveç shërbimit sekret amerikan, edhe Italia i ka kushtuar një rëndësi të madhe të shkuarës komuniste në Shqipëri. Guardia Di Finanza ka publikuar një dokument në të cilin tregohen marrëdhëniet mes dy vendeve që nga lufta partizane kur ata pushtuan vendin dhe deri në instalimin e regjimit komunist. Sipas dokumentit, gjatë mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri, shumë italianë nisën të arratiseshin drejt vendit të tyre, ndërsa një pjesë e madhe u strehuan në shtëpitë e shqiptarëve, teksa disa batalione u bashkuan me forcat partizane kundër nazizmit. Aty tregohet se si dalëngadalë forcat jokomuniste nisën të eliminohen. Më pas përshkruhet instalimi i regjimit komunist, ku ardhja në pushtet e Enver Hoxhës alarmoi Perëndimin, sidomos Britaninë. Aty janë detaje dhe për konfliktin e Otrantos, teksa përshkruhet se si shumë shtete tentuan të rrëzonin regjimin, por nuk ia dolën dot. Por në dokument një rëndësi të madhe i kushtohet trafiqeve më 1970. Aty thuhet se kishte një kontrabandë të lartë cigaresh të drejtohej nga Sigurimi i Shtetit, teksa situata u përkeqësua me vdekjen e Enver Hoxhës.
Shqipëria e pasluftës në këndvështrimin e Rojës bregdetare italiane
Nga armëpushimi te Lufta e Ftohtë
Në momentin e daljes së Italisë nga Lufta e Dytë Botërore, në Shqipëri ndodheshin ende 118.000 ushtarakë italianë, prej të cilëve 75.000 llogariten të jenë internuar në Gjermani e Poloni dhe rreth 8 mijë të jenë kthyer në Itali me anë të dy dërgesave nga Saranda e Brindisi gjatë shtatorit 1943, apo me mjete të tjera të rastit. Në to përfshihen anëtarë të batalionit të Gjirokastrës të komanduar nga Tenente Murgia të cilët arritën në Sarandë ose Vlorë, pas largimit nga kampi i përqendrimit pas një sulmi partizan. Të mbeturit nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit u mblodhën në një qendër pranë Barit dhe më vonë batalioni u transferua në Napoli dhe u përfshi në detyrat e policisë ushtarake deri në maj 1944. Ata i shpëtuan internimit, nuk iu bindën urdhrave për t’i dorëzuar gjermanëve postet dhe as ekuipazhet e flotës së vogël të stacionuar në ishullin e Sazanit. Një prej skuadriljeve arriti nga Durrësi në Puglia me një barkë me rrema më 11 tetor. Kurse më 26 dhjetor ekuipazhi i barkës luftarake ML 59 e cila u kap në Durrës, mori kontrollin e saj dhe u nis për të arritur në Leçe. Rreth 25 mijë ushtarakët italianë në Shqipëri u fshehën kryesisht në familjet, lokale fshatare dhe një pjesë e vogël u përfshi në formacionet partizane.
Bashkëpunimi me partizanët
Rreth 5 mijë ndoqën gjeneralin Azzi të divizionit ‘Firenze’, i cili pas betejës së ashpër kundër gjermanëve më 22 shtator në rrethinat e Krujës, arriti në zonën e kontrolluar nga partizanët, ku dhe dorëzoi komandën e trupave italiane të Malit. Me gjeneralin Azzi u bashkuan forcat e batalionit III, kompania e kapitenit Raimondo Spano, e cila ishte dalluar në betejën e Krujës. Një tjetër formacion italian, batalioni Gramshi u integrua plotësisht në ushtrinë partizane, ku shpeshherë ushtarakëve italianë u jepeshin detyra specialiteti. Gjatë gjithë vazhdimit të luftës, artileria e partizanëve përbëhej nga dy bateri të divizionit Firence. Për shumë arsye, jeta e italianëve në radhët e ushtrisë çlirimtare shqiptare nuk ishte e thjeshtë, pasi në lëvizjen e rezistencës ekzistonte fraktura e konsiderueshme mes komunistëve dhe Ballit Kombëtar. Këta të fundit kishin bërë paktin e mossulmimit me italianët në vitin 1943, por më vonë sigurisht që zgjodhën rrugën e bashkëpunimit me pushtuesit e rinj gjermanë, dhe lufta guerile u vazhdua vetëm nga forcat e Partisë Komuniste të Enver Hoxhës. Tensionet mes shqiptarëve dhe italianëve u përkeqësuan deri sa përfunduan në qershor 1944 me riatdhesimin e gjeneralit Azzi dhe shpërndarjen e batalionit të tij. Në Shqipëri qëndruan gjeneral Picini me një komandë të integruar me forcat e Hoxhës.
Eliminimi i jo komunistëve
Ashtu si në Jugosllavinë fqinje, forcat politike dhe formacionet ushtarake jo-komuniste po eliminoheshin që gjatë luftës partizane. Prandaj, në Shqipëri nuk ndodhi faza e fundit e tranzicionit drejt demokracisë popullore si në vendet e tjera të Evropës Lindore, që përfundoi me vendosjen e regjimeve satelite sovjetike dhe eliminimin e çdo opozicioni të brendshëm. Trupat gjermane u larguan nga Shqipëria në fund të nëntorit 1944 dhe pushteti i kaloi qeverisë së përkohshme të Hoxhës, të përbërë nga të besuarit e tij. Gjenerali Picini u kthye në Shqipëri në gusht 1945 pas riatdhesimit të gjithë të mbijetuarve të luftës partizane dhe shpërndarjes së njësive italiane. Dhe këtu u mbyll aventura italiane në tokën shqiptare, të nisur në vitet e para të atij shekulli.
Ardhja e komunistëve në pushtet
Zgjedhjet e dhjetorit 1945 i dhanë Partisë Komuniste një maxhorancë prej 98 për qind dhe shpejt u ndoqën nga një seri dekretesh për vendosjen e sistemit ekonomik kolektiv dhe ndalimin e çdo këmbimi me vendet e huaja. Disa procese gjyqësore eliminuan fraksionet kundër linjës komuniste si dhe ato që kishin vonuar t’i bashkoheshin linjës politike partizane. Në fushën ndërkombëtare, republika popullore e Shqipërisë u vendos në krahun e Bashkimit Sovjetik, dhe nga një këndvështrim edhe të Jugosllavisë së Titos, edhe prej kësaj të fundit, Shqipëria i trembej qëllimeve të hegjemonisë rajonale apo të shkombëzimit të minoriteteve shqiptare në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë lindore. Misionet ushtarake britanike u detyruan të largoheshin ashtu si dhe misionet diplomatike franceze e amerikane, që u kushtëzuan drejt mosfunksionimit. Më 15 maj 1946, situata erdhi një hap larg konfliktit kur dy anijet britanike “Orion” dhe “Superb” u përballën me të shtënat e artilerisë bregdetare gjatë udhëtimit të tyre në kanalin e Korfuzit. Ndërsa incidenti më i rëndë ndodhi në të njëjtën zonë më 22 tetor kur një luftanije britanike hasi në një zonë të minuar dhe pësoi dëme të rënda dhe dyzetë e tre të vdekur. Pak ditë më pas, më 14 nëntor, të gjithë qytetarët amerikanë u detyruan të largoheshin nga vendi.
Alarmi te Perëndimi
Vendosja e Shqipërisë në kampin socialist i kishte alarmuar aleatët perëndimorë veçanërisht anglezët, për dy motive: prej mbështetjes së dhënë ndaj komunistëve gjatë luftës civile që po zhvillohej në Greqi, si dhe prej kërcënimit të vendosjes së flotës sovjetike në bazat detare të Mesdheut. Në vitet pas mbylljes së konfliktit botëror, Britania kishte nisur të angazhohej për nisjen e rezistencës anti-komuniste në Shqipëri me anë të agjentëve që kishin luftuar me partizanët gjatë luftës. Një bazë për këtë qëllim u krijua në Maltë, dhe prej saj disa barka të çuditshme turistike kalonin në kanalin e Otrantos, me pika referimi në brigjet pulieze. Qeveria italiane, në formë zyrtare nuk pranonte asnjë aktivitetet, dhe disa misione infiltrimi rezultuan të dështuar, si për të demonstruar grushtin e hekurt me të cilin qeveriste Partia Komuniste. Edhe iniciativat amerikane nuk patën më shumë fat, të cilët kishin arritur deri në ngritjen e një garnizoni të tërë ushtarak shqiptar në Gjermani për çlirimin e Shqipërisë. Në fillim të viteve 1950-të, të gjithë aleatët kishin hequr dorë nga tentativat për përmbysjen nga jashtë të regjimit komunist në Shqipëri, duke u fokusuar në inkurajimin e rezistencës së brendshme me anë të propagandës.
Izolimi i vendit
Por pozita ndërkombëtare e Tiranës u ndryshua krejtësisht në qershor 1948, prej daljes së Jugosllavisë nga sistemi i satelitëve sovjetikë. Duke konfirmuar besnikërinë ndaj Moskës, diktatori shqiptar u gjend papritur i rrethuar gjeografikisht nga vende armiqësore, pasi edhe lufta civile greke kishte përfunduar me vendosjen e saj në kampin perëndimor. Kështu nisi periudha e izolimit total prej gati gjysmë shekulli me pasoja shkatërrimtare për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, çka është ndoshta edhe rrënja e problemeve të sotme. Tirana u mundua të ruante lidhjet e forta ekonomike e ushtarake me BRSS në kuadër të ideologjisë së saj rigoroze, dhe më pas u bë anëtare e Traktatit të Varshavës që prej krijimit më 1955, dhe organizatave të tjera sovjetike. Por në kohën e ardhjes në pushtet të Krushovit u vu re një riafrim i sovjetikëve me Jugosllavinë, dhe Hoxha me kokëfortësinë e tij zgjodhi përsëri rrugën më të vështirë, atë të prishjes me Bashkimin Sovjetik, dhe këta të fundit u detyruan të çmontonin inhalacionet e tyre ushtarake në Shqipëri dhe zbrazjen e bazës së Sazanit. Në kërkim të një referenti të ri ndërkombëtar, diktatori Hoxha nuk hezitoi të merrte pjesë edhe në konfliktin e viteve 60-të mes Rusisë e Kinës, duke u vendosur në krahun e Pekinit. Si rezultat i kësaj, mundësia e ardhjes së nëndetëseve kineze në Mesdhe ishte përsëri alarmuese për vendet perëndimore dhe Naton. Por kjo nuk zgjati shumë sepse vdekja e Maos në 1976 solli dhe ndryshimin e politikave të Pekinit që po orientoheshin drejt hapjes me Perëndimin dhe rinisjen e dialogut me BRSS. Rrjedhimisht, Shqipëria u prish edhe me Kinën dhe këta të fundit në vitin 1978 tërhoqën të gjithë ekspertët e tyre të industrisë e të mbrojtjes dhe ndërprenë marrëdhëniet e bashkëpunimit. Shqipëria nisi të mbante anën vendase në konfliktin e Vietnamit. Rezultatet e kësaj politike të jashtme ishin ndalimi i zhvillimit industrial dhe regresi drejt një bujqësie primitive, në nivele shumë më të ulëta sesa në vende të tjera socialiste. Në të njëjtën kohë, regjimi garantonte stabilitetin e tij me anë të një kontrolli të rreptë politik e shoqëror, me anë të frikës dhe alarmit të rremë të agresioneve të huaja, që çoi ndër të tjera dhe ndërtimin e mijëra bunkerëve të vegjël që edhe sot janë pjesë e peizazhit të Shqipërisë. Në kuadrin e këtij izolimi total nga pjesa tjetër e botës nisi të profilizohet edhe mundësia që disa dhjetra milje larg Kanalit të Otrantos të krijohej një kërcënim direkt i interesave italiane që deri atëherë ishte harruar nga analistët ndërkombëtarë.
“Beteja” e Kanalit të Otrantos
Edhe pas një rinisjeje të marrëdhënieve diplomatike mes Romës e Tiranës dhe fillimit të njëfarë këmbimesh modeste tregtare, kontrolli i ashpër politik dhe ekonomik i pushtetit shqiptar e përjashtonte mundësinë që mes dy vendeve të Adriatikut të vendoseshin kontakte të tjera përveç atyre zyrtare. Bregdeti shqiptar ishte kështu i vulosur e i padepërtueshëm, ndryshe nga ai malazez e dalmat, të cilët, që prej viteve të para të pasluftës ishin baza e kontrabandës dhe trafikut me brigjet italiane. Në gjysmën e dytë të viteve 70-të prej nevojës së madhe për valutë të huaj autoritetet shqiptare aktivizuan kanale ilegale të trafikut drejt brigjeve italiane, duke përfituar edhe nga një krizë e përkohshme e organizatave të kontrabandës në Itali. Por kjo solli Konventën për forcimin e juridiksionit dhe aftësive të Rojës Bregdetare italiane në vitin 1982, duke zgjeruar luftën kundër kontrabandistëve dhe mjeteve të tyre. Organizatat napolitane nisën kërkimin e zgjidhjeve të reja dhe duket se morën si ofertë vendosjen e bazave të tyre lundruese në ujërat territoriale shqiptare, të sigurta nga çdo ndërhyrje e Guardia di Finanza. Skema nisi të funksiononte menjëherë. Prodhuesit ndërkombëtarë të cigareve, me ndërmjetësim zviceran nisën të sillnin mallin e tyre perëndimor në portin e Durrësit, ku ai magazinohej në depot e doganës shqiptare apo në anijet e portit në fund të kalatave, dhe më tej u shkarkohej mjeteve të kontrabandistëve që kryenin transportin klandestin drejt Italisë. Siguria politike e trafikut garantohej nga kontrolli direkt i organeve të Sigurimit, për të cilin ryshfetet e organizatave italiane ishin forma kryesore e financimit, edhe pse një pjesë e madhe i kalonte zyrtarëve më të lartë të pushtetit Hoxha. Raportet në distancë mes dy brigjeve të Adriatikut bënin të mundur kryerjen e çdo operacioni brenda disa orëve duke evituar zbulimin e komunikimeve nga Guardia di Finanza. Rreziku që po sillte situata e Adriatikut të Ulët dhe në Kanalin e Otrantos po përkeqësohej, por ashtu siç kishte ndodhur edhe vite më parë, potenciali kriminal i aktivitetit u nënvlerësua dhe u la të vepronte. Në realitet dëmet e tij shoqërore ishin të mëdha veçanërisht në krahinën e Pulias dhe zonën e Brindizit, ku u konsolidua një situatë ilegaliteti që degjeneroi në dhunë, prej depërtimit të grupeve kriminale napolitane. Prej marrëveshjeve të kontrabandës me Camorra-n niveli i rrjetit të kontrabandës u ngrit në nivele më të larta, duke përfshirë të gjithë panoramën e krimit të organizuar. Ekzistenca e këtyre kanaleve të kontrabandës me Shqipërinë komuniste solli rreziqe të mëdha për sigurinë e brendshme në Itali. Guardia di Finanza mori masat e mundshme duke ngritur helikopterë me sensorë për mbikëqyrjen e vendit edhe gjatë natës, angazhimin e mjeteve të shpejta detare dhe të radarëve të lëvizshëm. Por megjithë iniciativat e reja, operacionet e organeve të rendit nuk patën efektivitet mes një klime politike e mediatike të painteresuar, në nivel kombëtar dhe lokal. Prej fundit të vitit 1978, Durrësi bënte pjesë në qendrat e aktivitetit të Kamorrës napolitane, dhe situata vazhdoi të përkeqësohej pas vdekjes së Hoxhës, kur në pushtet erdhi sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste, Ramiz Alia.