Luan Rama: Zgjimi i këngës arvanite
Ishte vërtet diçka jo e zakontë ta ridëgjoja këto ditë të njëjtin disk me këngë të vjetra arvanitase që kisha dëgjuar njëzet vjet më parë në shtëpinë e mikes sonë franko-shqiptare Solange d’Angely, disk që ajo e kishte blerë në fundin e viteve ’80 në dyqanet e FNAC të Parisit. Në fakt ishin dy disqe të shoqëruara me një broshurë me tekstet e këngëve dhe biografitë e këngëtarëve dhe instrumentistëve. Ajo që të mrekullonte ishte magjia dhe origjinaliteti i atyre këngëve që të çonin në një kohë të largët që mbartëte nostalgji, dhimbje, mungesë, drama njerëzore, luftra epike dhe dashuri të mëdha. Më kujtohet që atëherë, sa herë ajo na mblidhte, darkave vonë, unë i kërkoja të vinte diskun me «Këngën e Moresë», diskun me këngët e arvanitasve, pasi ato këngë më çonin menjëherë në vendin tim dhe në tokën e varreve të pararendësve të mi. Ishin këngë që këndoheshin nga një zë disi arkaik, të përmalluar, që ngjizte dhimbje e shpesh klithte në pamundësinë e gëzimit, këngë me një shqipe të vjetër nga këngëtari i grupit, Thanasis Moraitis. Një nga këngët ishte Do të pres gërshetat (kacidhet), e cila pasohej ngaManushaqe e egër, ku në këtë të fundit këngëtari këndonte :«Ah, moj manushaqe po çmendem nga dashuria, / ah moj manushaqe buzë greminës jam, / ah, kjo aroma tënde që aq shumë e dua./ – Merre shtegun, unë atje do të pres, / nxirre briskun dhe preji gjembat / eja të mos humbim kohë…»
Albumi kishte një kopertinë mjaft impresionuese, pasi në të ishte imazhi me ngjyra i një grupi këngëtarësh popullor, apo ahengxhinjsh të arvanitasve me mandolinat dhe tamburatë e tyre nëpër duar. Ç’moshë kishin ato këngë. Kush vallë i kishte kënduar fillimthi? Si kishin shtegtuar ato nga Peloponezi në Atikë e nga Atika drejt Evias e Thivës e deri lart në malet e Parnasit? Një gjë ishte e qartë: të gjitha ato këngë lirike e epike, ato vaje të trishta, vinin nga thellesitë ek ohrave, ashtu siç kishte qenë dhe kënga e Moresë, që kur shqiptarët që shtegtuan nga Peloponezi në jug të Italisë, kujtonin me mall Morenë e tyre, ku kishin varret gjyshërit dhe etërit e vjetër, të cilët dhe ata, ishin vendosur aty nga shumë shekuj të tjerë më parë. Por kënga pra kishte jetuar. Revolucion i Pavarësisë i bashkoi ngushtësisht grekët e shqiptarët e Greqisë, por me kalimin e dekadave e më pas të shekujve, për mungesë të shkollave, gjuha arvanite zuri të harrohej, të bëhej arkaike dhe të zhbëhej, edhe pse jetonte veç në brezin e vjetër tashmë. Por sidoqoftë kënga jetonte, siç e tregonte dhe ai disk që na sillte atë zgjim të çuditshëm të këngës së vjetër, të këngës së harruar.
“Lica moj lica / kur u rrite kështu? / Kur u bëre vajzë?/ Ah, ti, lulja ime, trëndafili im!/ – Nëna ime më ka ushqyer me mollë/ Ja pse jam rritur kaq shpejt / Nëna ime më dha të ha dardha: prandaj dhe lëkura ime është kaq e bardhë!…”
Padyshim, një meritë e madhe ishte ajo e Thanasis Moraitis që këto këngë që këndoheshin në popull në festa, dasma e vdekje, më së fundi do të regjistroheshin.
Kënga e përmalluar e Moraitis
Moraitis është nga Vaja, një fshat i Thivës, por 13 vjeçar, ai dhe prindërit e tij, si shumë e shumë të tjerë e braktisi Vajan dhe u vendosën në një lagje të Athinë. Nga studimet për Shkencat Politike më 1984, ai ishte hedhur në fushën e muzikës duke studjuar muzikën bizantine në Katedralen e Athinës me mjeshtrin e njohur Spiro Peristeri, madje duke kënduar dhe në korin e katedrales. Një vit më vonë ai u njoh me Mikis Teodorakis, duke u bërë një bashkëpuntor shumë e afërt i tij, së pari duke kënduar në diskun e tij “Dionisos” e më pas duke marrë pjesë në turnetë e tij muzikore nëpër botë në Amerikë, Kanada, Francë, Gjermani, Austri, Itali, etj… Në vitin 1987, Moraitis nxorri diskun e tij të parë “Kujtesa e gurit» me muzikë të Teodorakis dhe tekste të Mihal Burbulis. Në dhjetor të vitit 1986, Moraitis, Kolias dhe Demetrios Lekas prezantuan para publikut athinas 25 këngë arvanitase nga rajone të ndryshme të Greqisë dhe të Italisë së jugut. Në gusht të vitit 1987, duke iu prezantuar publikut të huaj, ai u tregon atyre rreth rrënjëve të tij dhe pse iu kushtua këngëve arvanitase:
“Unë kam lindur e jam rritur në një fshat arvanitas, – shkruante në këtë brochure të albumit Moraitis. – Gjyshja ime nuk e fliste greqishten. Ajo fliste vetëm gjuhën arvanite. Prindërit e mi arvanitas flisnin të dy gjuhët. Në shkollën fillore e kisha vështirë të flisja, pasi ngatërroja gjuhën greke me atë arvanite. Në festat popullore në fshatrat ngjitur, më pëlqente të dëgjoja muzikantët shëtitës për të cilët kisha një simpati të veçantë. Më kujtohet që për orë të tëra rrija me ballin pështetur pas xhamit të kafenesë duke dëgjuar. Gjatë këtyre festave dëgjova për herë të parë një orkestër tradiconale me këngë arvanitase që unë tashmë i njihja nga nëna dhe njerëzit e tjerë të familjes… Më pas në vitet 1970 familja ime iku në Athinë dhe unë shkova bashkë me ta. Ishte koha e zhvendosjeve të mëdha bfrenda Greqisë. I mbyllur brenda në shtëpi dhe në atë lagje ku banoja, unë fillova ta harroj gjuhën dhe këngët arvanite, pasi në atë kohë, një student që studionte Shkencat Politike dhe që këndonte këto këngë të vjetra të fshatarëve quhej i prapambetur. Por koha kalonte dhe unë fillova të merrem seriozisht me muzikën dhe në këtë periudhë u njoha me Mikis Teodorakis, ku këndova në diskun e tij “Dionisos”. Pak më vonë, Teodorakis më kërkoi t’i përgatisja muzikën e një filmi që do bënte televizioni hungarez për të me titullin “Greqia e Teodorakis”. Më 1985 fillova të studjoj sekretet e muzikës bizantine dhe muzikën europiane (teorinë dhe harmoninë). Në koleksionin e disqeve të një mikeshe gazetare, një ditë zbulova një disk të regjistruar nga Zyra e Studimeve Etnografike të Peloponezit ku kishte këngë nga Italia e jugut dhe mes tyre dhe këngë arvanite. U preka dhe u habita shumë kur dëgjova këto melodi të panjohura të kënduara në gjuhën e nënës time. Menjëherë mësova këngën “Ah, e bukura Moré!” Një vit më pas ëndrra ime do të realizohej. Për herë të parë do të regjistronim këngë arvanitase. Megjithatë, unë s’do ta arrija këtë po të mos kisha njohur Aristidh Kolias, shkrimtar e historian, i cili merrej me këtë temë. Ai kishte botuar më parë “Arvanitët dhe origjina e grekëve” dhe kishte mbledhur këngë arvanite në të gjithë Greqinë e në Kalabri. Që ta bënte të njohur këtë punë ai kishte filluar dhe një emision në Radio në bashkëpunim me producenten Memi Spiratu. Pikërisht në këtë kohë u lidha me të dhe sëbashku, secili në lëmin e vet, ne filluam një punë serioze mbi këngët arvanite. Kështu, dy vjet më vonë, pas koncertit në teatrin “Orfeu” dhe përgatitjes së dy disqeve, ne krenohemi që i bëmë të njohura këngët arvanite, siç janë kënduar gjatë shekujve. “Opinionet e çuditshme” mbi “disa minoritete” (që kishin penguar për një kohë të gjatë prezantimin e këngëve arvanite) tashmë konsiderohen si gjepura, dhe kjo në sajë të disa të “çmendurve” si ne që deshën të rrëmojmë në të kaluarën dhe të njihnin se çfarë ishte shkruar e kënduar për ta në mënyrë që dhe ata të shtonin diçka për gjeneratat që do të vinin, (Shekujt që vijnë gjithnjë u janë mirënjohës të “çmendurve”).
Lexoja këto rradhë dhe ridëgjoja Moraitis tek këndonte atë këngë-vaji, shoqëruar në violinë, për trimat që shkonin në luftë dhe që luftën e cilësonin «dasëm», siç thuhet dhe në këngën «Tej ga mali»:
«Ndë thiste mëma ç’u bë djali / u martua lia ga mali / ndë thiste mëma çë nuse muar / koqe plum në krah muar… »
Teodorakis
Krahas Moraitis, ishte i madhi Teodorakis që na ka mrekulluar gjithnjë me muzikën e kompozuar të tij, shpesh të bazuar mbi traditën muzikore popullore, i cili do të shkruante dhe për këngët arvanitase dhe bashëpunimin e gjatë të tij me arvanitasin Moraitis. Ja çfarë shkruante ai: «Shtëpia e disqeve «Julianos», në sajë të diskut «Kënga arvanitase», sapo ka inaguruar një seri regjistrimesh të veprave muzikore në bazën e muzikës sonë tradicionale. Natyrisht, fakti që interpreti kryesor dhe menaxheri i këtij disku është Thanasis Moraitis, një nga bashkëpuntorët e mi më intimë, nuk është rastësi. Ajo që kam vlerësuar në këtë nismë është puna serioze e plot dashuri e atyre që kanë marrë pjesë në realizimin e diskut. Madje mund të flitet për «fanatizëm» pasi në mos gabohem është e para herë që dikush po kujdeset kaq hapur e me kurajo për traditën muzikore të një kategorie të popullit grek që në veçanti kanë ruajtur gjuhën e zakonet e tyre. Kur e dëgjon këtë lloj muzike për herë të parë është e vështirë ta dallosh nga këngët e tjera të traditës greke. Në shumë raste gjejmë të njëjtën melodi, që kësaj rradhe këndohet në gjuhë arvanite. Duket se muzika arvanite ka qenë influencuar nga muzika bizantine dhe në disa raste nga muzika e vjetër greke, nëse krahasojmë gamën e tyre. Kam shpresë dhe bindjen se publiku grek do ta pëlqejë këtë punë të bukur muzikore që na rilevon mes të tjerash burimet muzikore që kanë frymëzuar të riun nga Thiva, Thanasis Moraitis, në artin e këngës.»
Trishti i madh i Aristidh Kolias
Por siç shkruante Moraitis, këto këngë nuk do të ishin egjistruar po të mos ishte bashkëpunimi i madh me Aristidhis Kolias, i cili për vite me rradhë jetën e tij ia kushtoi kulturës së arvanitasve, hjistorisë dhe kontributit të tyre në rrjedhat e historisë së Greqisë, të pavarësisë, lirisë e progresit të saj. Madje, albumi hapet pikërisht me tekstin e Kolias, i cili shkruante:
«Kënga arvanitase zë një vend të rëndësishëm në traditën kulturore e politike të popullit grek. Nëse kjo e vërtetë e pakundërshtueshme grekëve të sotëm u duket si një teori estravagante, ky nuk është faji i tyre, dhe as faji im. Grekët e sotëm njohin antologji të ndryshme të këngëve popullore greke në sajë së pari të Fauriel, i cili kurrë nuk vuri këmbët në Greqi e pastaj në sajë të Nikos Politis që është përpjekur në mënyrë metodike të mbledhë këngët e popullit grek, pa treguar natyrisht madje dhe një këngë të vetme arvanite. Mendoj se situata e grekëve të shekullit XX është për të ardhur keq nëse ata ende nuk janë të bindur se etnografët tanë të mëdhenj nuk kanë vendosur në katalogët e tyre gjithë këngët popullore greke, pasi në këto koleksione jo vetëm që nuk ka as edhe një këngë të vetme arvanitase por as dhe një fjalë për marrëdhënien dialektike midis këngëve popullore arvanitase nga njëra anë dhe asaj që veçanërisht quhet këngë popullore klefte nga ana tjetër. Pra si mund të pretendojmë që etnografia jonë përpiqet të shkojë gjer në origjinat e traditës sonë kulturore, kur ajo shmang jo vetëm mbledhjen e këtyre këngëve por dhe treguesin e thjeshtë të origjinave reale të këtyre kulturave. Si mund të besosh se në të vërtetë kemi mbledhur krijimet muzikore e poetike popullore p.sh. të suljotëve heroikë, të banorëve të Çamërisë, të ishujve Argosaronikos, të Evias, të Atikës e Beotisë, të Argolidhës e Trifilit (ku kanë jetuar e jetojnë ende «dredet» heroikë me të cilët Theodor Kolokotroni ose Bythguri siç ishte emri i tij i vërtetë, kreu lëvizjet e tij revolucionare, në një kohë që në koleksionet e këngëve popullore nuk ekziston asnjë këngë e shkruar në gjuhën e nënës të këtij populli heroik? Atëherë ata që i kanë varrosur veprat muzikore e poetike autentike të Greqisë dhe që i kanë zëvendësuar me përkthime apo adaptime të mëvonshme, a mund të pretendojnë ata se në realitet i kanë shërbyer interesit kombëtar ?… Arvanitasit, ky popull luftarak e shumë liberal, kanë krijuar këngë të karakterit të tyre, d.m.th. këngë veçanërisht epike e lirike. Një vend të rëndësishem në krijimet e tyre poetike e muzikore zë kënga funebre, ajo e vajit («miroloi»), sepse pikërisht çmimi i përditshëm i lirisë dhe dinjitetit të tyre social e individual ishte vdekja në luftë apo në zënkat mes tyre. Por ajo që dallon shumë mes këngëve arvanitase të vajit dhe këngëve të popujve të tjerë është mungesa totale e fatalizmit që zakonisht shoqëron vdekjen. Këngët «Miroloi» janë të ndarë në «vajtime» dhe «lingurime». Të parat këndohen në rast vdekje, veçanërisht nga gratë, ndërkohë që të dytat, që janë krijuar në një kohë më të vonshme, flasin për jetën dhe historinë e të riut që ka vdekur. Këto këngë të fundit mund të quhen «elegji epike», ku një shembull është kënga «Tei ga mali» («Tej nga mali»)…»
Një nga këngët në këtë disk ishte dhe ajo e Katerinës që tjerrte, ku spikaste figuracioni i shpirtit popullor në një mënyrë të jashtëzakonshme: “Ti tjerr Katerinë e vogël / dhe kjo i ka bërë xheloze fqinjet e tua / do të bëhem zog blu të ulem në gërshetat e tua / do të bëhem një gërshet i bardhë të ulem mbi faqet e tua / do të bëhem një zog i kuq të ulem mbi sundukun tënd!…”
Dëgjoja atë disk, siç kasha dëgjuar gratë arvanitase në Vilia një vit më parë në Greqi dhe mendoja për zgjimin e këngës, për atë këngë që ishte krijuar nëpër shekuj dhe që vinte deri tek ne me atë shqipe të vjetër që nuk ishte shuar ende. Dëgjoja atë disk dhe kuptoja se ç’ndodhte në shpirtin e Moraitis, kuptoja revoltën e Aristidh Kolias dhe mendoja se përse ato këngë, ajo gjuhë, ajo kulturë e një populli ishte mbajtur në heshtje dhe në një lloj klandestiniteti. Vallë pesha e Kishës greke? Pesha e nacionalizmit?… Mësimi grek duhet të jetë gjithashtu dhe për ne shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët, turqit, bullgarët e rumunët, pra për gjithë ballkanasit, ku historia e vjetër shekullore, luftrat mes tyre dhe paktet e mëdha të paqes i kanë mpleksur fatet dhe kulturat e popujve, këngët e vallet e tyre. A nuk ishte kuptimplote ai film dokumentar me titull “E kujt është kjo këngë?” ku regjisorja bullgare të njëjtën këngë e gjente të këndohej tek të gjithë popujt e Ballkanit e ku secili thoshte se ishte ai që e kishte krijuar atë?…