Albspirit

Media/News/Publishing

Vjen partia e re nga SHBA, Shenasi Rama dhe Grid Rroji: të djathtë, por jo me PD-në

Të martën në Tiranë do të shpallet një lëvizje politike e re, e cila është themeluar dhe drejtohet nga dy shqiptaro-amerikanë, njëri anëtar i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Shenasi Rama  dhe tjetri ish-zëdhënës i Sali Berishës, Grid Rroji. Lëvizja e tyre synon të bëjë kritikë gjithë spektrit politik, por kryesisht Rama është pozicionuar kundër PD-së dhe Berishës…

Shenasi Rama jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej shumë vitesh, por nuk është shpëtur asnjëherë realisht nga politika e Tiranës. Një kundërshtar i Berishës që në nisje dhe pse ishin të dy në të njëjtën varkë në vitin ’90 me Lëvizjen e Dhjetorit. Intervistat e tij të dhëna kryesisht nga Amerika kanë qenë thika ndaj Berishës të drejtuara nga një ish-dhjetorist.

Sot Shenasi Rama, pas 26 vitesh në mërgim, ka marrë guximin t’i kthehet një politike aktive në Tiranë në prag të zgjedhjeve të reja parlamanetare. Me Berishën dhe më tej dhe me familjarë të tij përplasja publike ka kaluar caqet në një përplasje personale.

Por ish-dhjetoristi nuk ka qenë asnjëherë kaq i hidhur me kundërshtarin politik të Berishës, Edi Ramën, përkundrazi e ka cilësuar si një dhjetoristët më aktiv që ka guxuar të dalë hapur kundër sistemit dhe se ishte i qartë se çfarë duhej bërë.

Në krah të tij është rrjeshtuar një tjetër shqiptaro-amerikan,Grid Rroji. Rroji u bë i njohur për publikun shqiptar në qeverisjen e dytë të Berishës, në mandatin e parë të tij. Kryeministri Berisha e prezantoi me pompozitet Shefin e titë Departamentit të Informacionit në vitin 2006 duke e marrë Rrojin nga zyrat e OKB-së ku punonte. Por “dashuria” me zbulimin e tij nuk i zgjati shumë dhe pas 2 vitesh Rroji dha dorëheqjen nga për t’u rikthyer në Amerikë. Që nga ajo ditë ai ishte kritik ndaj ish-shefit të tij duke e quajtur autokrat. ”Berisha ngriti shtetin oligarkik, PD e ktheu në organizatë kriminale dhe vend-parkim dështakësh, ish-spiunësh të Sigurimit e kriminelësh në shërbim të familjes”, është shprehur ai në një nga intetrvistat e dhëna në fillim të vitit që lamë pas.

Në lëvizjen e tyre politike që duket qartasi që do të jetë anti-PD është bashkuar dhe  Valbona Karanxha, eksperte në fushën e Shkencave Politike dhe doktore shkencash në universitetet amerikane më me zë. Ajo gjithashtu ka qenë aktive në media duke shprehur rezervat e saj mbi sistemin politik nënë Shqipëri, që sipas saj“është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste”.

Alternativa që vjen nga Amerika

Shqiptarët që vijnë nga Amerika prej disa ditësh ndodhen në Tiranë për të finalizuar përpjekjet e tyre disa-vjeçare në një lëvizje politike. Lëvizja “Bleta Shqiptare” do të zyrtarizohet nesër 17 Janar, ora 11:00 në mjediset e Hotel Mondial në Tiranë me prezantimin e një manifesti politik.

Manifesti është bërë publik nga Grid Rroji në facebook dhe u bën thirrje shqiptarëve që të mos bëhen skllevër të politikës.

“Paria e Tiranës dhe projekti i saj i transformimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare kanë dështuar plotësisht, pa asnjë mëdyshje dhe me turp. Nuk ka zgjedhje, ceremoni, ritual, fytyra të shplara, përkujtimore, vrasje mafioze, klan kriminal, sindikatë ndërkombëtare krimi që i nxjerr nga ky dështim i frikshëm dhe i gjithanshëm. Kësaj rruge ku janë duke shkelur, këta do t’i shkojnë deri në fund jo sepse nuk dinë tjetër, jo sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, por sepse nuk duan tjetër. Këta e kanë bërë gjithçka me ndërgjegje e pa mëdyshjen më të vogël dhe kanë dështuar. Por, dështimi nuk është i tyre. Ata që kemi dështuar për shkakun e tyre jemi ne shqiptarët. Në rruge e sipër, gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë arritur qëllimet e tyre të pasurimit e të shfrytëzimit deri në palcë të burimeve material të shtetit e kombit shqiptar. Ne ngadalë po në mënyrë të pathyeshme po kthehemi në skllevërit e tyre modern, një popull që jeton sot për nesër, që nuk ka nder e vlera, që nuk e di kush është dhe që nuk ka forca të luftojë për veten e vet, për familjet e veta, për të të ardhmen e fëmijevë të vet.”– thuhet në manifest.

Në manifest nuk sulmohet qeveria aktuale por e gjithë klasa politike:

“Ka boll deputetë që janë kriminelë e vrasës, zyrtarë që janë ish-të-burgosur, gjykatës që janë maskarenj e zhvatës, ministra që janë superhajna, politikanë që janë trafikantë droge e organesh, ndihmëse zyrash që janë edhe punjonëse seksi, drejtoresha që përdorin gjuhën e prostitutave. Çka nuk ka në administratën shtetërore të shtetit shqiptar! Gjithcka funksionon në bazë të krimit, të korrupsionit e degjenerimit dhe të shkallës së shërbimit që i bëhet parisë sunduesve dhe pronarëve të saj ndërkombëtarë. Por më e keqja është se ata që duhej të ishin roja e interesave kombëtare dhe zyrtarë të shtetit e shërbyes të shoqërisë, profesorët, mësuesit, oficerët, zyrtarët, mjekët, sipërmarrësit, e me radhë, janë shumë të inkriminuar nga interesat e parisë sunduese. Ligji dhe e drejta blihet dhe shitet, dhe ky shtet funksionon në bazë të lekut. Tenderat jepen sipas interesave te pushtetarëve, investimet bëhen simbas nivelit të vjedhjes publike, projektet formulohen e zbatohen sipas modeleve që nuk kanë vlerë për ne, borxhet merren sepse duhen paguar rrogat, policia shtohet për të ushtruar dhunë, ndërsa ushtria ka mbetur me lopata, ndihmat jepen për sektorë joprodhues të shoqërisë dhe si imitim i asaj cka ndodh diku tjetër, ata që duhen mbështetur injorohen dhe kështu gjithcka bëhet mbrapsht. E vetëm kështu një administratë shtetërore normale nuk duhet me kenë.”- thuhet më tej.

Duke i veshur nota nacionaliste dhe atdhetare manifestit tre lajmëtarët amerikanë thonë se do ta ngrenë këtë lëvizje për të luftuar për dinjitetin e shqiptarëve, por mesa duket ka një prapavijë politike pas kësaj lëvizje. Ish-dhjetoristë dhe ish-bashkëpunëtore të Berishës që dalin kundër opozitës është një lëvizje që çon ujin në mullirin e Ramës.

Please follow and like us: