Albspirit

Media/News/Publishing

Mos e prishni gazetarinë siç bëtë me liqenet e Lurës

Karlo Bolino

Jam gazetar që prej vitit 1979; isha 18 vjeç dhe ëndërroja të më jepej mundësia ta ushtroja gjatë gjithë jetës atë që e konsideroja qysh atëherë zanatin më të bukur në botë. Fati, shumë sakrifica dhe sadopak talent, bënë të mundur që ta realizoj deri më sot pjesën më të madhe të ëndrrës sime.

Pas 38 vjetësh, ende jam gazetar dhe, falë këtij profesioni, arrij të jetoj denjësisht, duke garantuar mirëqenien që meritoj unë e familja ime. Në fillim, për gati tre vjet punova pa pagesë, pasi, duke qenë se nuk kisha asnjë lloj rekomandimi, të punoje gratis ishte mënyra e vetme për t’u bërë i njohur për botuesin, i cili duhej të vendoste nëse do të më lidhte kontratë, apo jo. Rroga ime e parë zyrtare (dhe për të tre vitet e parë të punës) ishte 200 mijë lireta, që ishin diçka më shumë se 100 euro sot.

Por mua m’u duk një mrekulli, jo si shumë parash, se sa për shkak të së papriturës se unë paguhesha për të ushtruar zanatin që ëndërroja. Dikush do të paguante për të realizuar një ëndërr, ndërkohë që me mua ndodhi e kundërta. E thoja atëherë dhe e them edhe sot e kësaj dite: është fantastike dhe e pabesueshme të paguhesh për të qenë gazetar. Edhe për këtë (apo ndoshta mbi të gjitha për këtë) nuk pretendova kurrë të bëhem i pasur duke ushtruar këtë zanat.

Ndoshta kohët kanë ndryshuar dhe, ndërkohë që hedh shpejt e shpejt mbi letër këto kujtime, më duket vetja shumë i plakur, gati-gati si një gjysh që përpiqet t’u shesë moral nipërve të tij rebelë. Megjithatë ende sot besoj se kjo është gazetaria: kërshëri, zbulim, kurajo, sakrificë, aventurë, shumë punë, përulësi, krenari. Është e gjithë kjo që të shpërblen dhe të jep kënaqësi. Paratë, për një gazetar të vërtetë, mbeten në fund të listës dhe miti i gazetarit të pasur (duke marrë parasysh atë çfarë po thuhet këto ditët e fundit në Shqipëri) është i pari që duhet të demaskohet (në Itali nuk kam njohur kurrë gazetarë të pasur).

Nuk është e vërtetë as ajo, që cilësia më e rëndësishme për një gazetar qenka pavarësia: në fakt, vlera e tij e vërtetë është liria. Një gazetar mund të jetë edhe zëdhënës i një partie por, në rast se kur flet dhe shkruan thotë dhe shkruan gjëra në të cilat beson me të vërtetë, atëherë ai është një gazetar i lirë, edhe pa qenë gazetar i pavarur. Mund të gabojë, por ajo që ka rëndësi është të mos gënjejë kurrë me dashje.
Një legjendë e tretë që duhet të demaskohet është ajo sipas së cilës gazetaria është në krizë: nuk është e vërtetë, pasi sot më shumë se kurrë ndihet nevoja për gazetarë të zotë. Ajo që është në krizë, është media, dmth mjeti (gazeta, televizioni, web-i), nëpërmjet të cilit gazetari përhap informacionet e tij. Dmth është në krizë burimi financiar që u paguan rrogat gazetarëve.

Ka shumë mundësi që për këtë arsye, në Shqipëri, kriza e mediave (e pranishme këtu, ashtu si në pjesën tjetër të botës) po gjeneron (siç nuk ndodh, ama, në pjesën tjetër të botës) edhe një krizë të gazetarisë: pasi këtu për shumë gazetarë marrëdhënia me paranë është e vetmja arsye pse e bëjnë këtë punë.
E kam njohur gazetarinë e re shqiptare që nga viti 1991 dhe e pashë të lindë e të rritet, duke ndjekur të njëjtat ideale të lirisë, kurajos dhe krenarisë, që janë idealet e çdo gazetari. Por pastaj, me kalimin e viteve, diçka ndryshoi dhe atë çka shoh sot nuk e njoh më. Është bota ime të cilën nuk e njoh më. Gazetaria, që lindte edhe në Shqipëri si diçka e pastër dhe shumë e bukur, nëpër vite u përdor, u zhvesh, u korruptua, u dhunua, u ofendua, u denigrua, u njollos. Në mesin e shumë gazetarëve që kanë mbetur të lidhur me idealet dhe parimet e profesionit, janë infiltruar të tjerë gazetarë, shumë më të fortë dhe prepotentë nga të tjerët, që i përdorën ato ideale dhe ato parime duke i përdredhur dhe duke ua përshtatur ato interesave të tyre. Fjala “liri e shtypit” sot përdoret për të mbrojtur piraterinë.

Fjala “media online” përdoret për të mos paguar taksat. E drejta për “investigim” të cilën e ka çdo gazetar, përdoret si kërcënim dhe shpesh për hakmarrje. Fjala “e vërtetë” është transformuar në “shpifje”, së cilës pretendohet t’i jepet e njëjta vlerë dhe e njëjta mbrojtje. Dhe pavarësia e mediave, pavarësia e shenjtë të cilën shumë e valavitin si një vlerë për t’u ndjekur, ka marrë tashmë dy rrugë të ndryshme: ose u është shitur politikanëve për t’u përdorur ndaj kundërshtarëve të tyre. Ose ka degjeneruar në anarki.
Rezultati i këtij mish-mashi të pështirë është bota shqiptare e informacionit që kemi sot para syve, e mbushur me urrejtje ndërmjet gazetarësh, ndërmjet politikanësh dhe ndërmjet botuesish, që ka djegur çdo besueshmëri në sytë e opinionit publik, duke humbur kështu krejtësisht sensin e funksionit të vet, dmth fuqinë e kontrollit dhe kritikës ndaj pushtetit politik.

Gazetaria shqiptare u masakrua nga politikanët, botuesit dhe nga shumë gazetarë, pikërisht ashtu siç është bërë me pyjet rreth liqeneve të Lurës, siç është bërë me bregdetin, siç është bërë me arkitekturën, siç është bërë me lumenjtë e katandisur në gropa plehrash, siç është bërë me ekonominë e tregut të transformuar në një treg të egër, siç është bërë me konceptin e demokracisë që ka fshirë çdo formë të shtetit, siç është bërë me moralin publik, për të cilin, si pasojë e një shpifjeje gjigande kolektive, jemi të gjithë hajdutë, të pistë dhe të korruptuar, kështu që ç’kuptim ka të mbetemi të ndershëm?
Gazetaria e sotme shqiptare, në vend që t’i tregojë çdo ditë vendit një model më të mirë për të ndjekur, na rrëfen veten e vet si një model që të ngjall krupë, nga i cili të vjen të ikësh nga sytë këmbët. Në rast se nuk do të bëhet gjë për të dekriminalizuar edhe mjedisin tonë (pasi të fillohet me politikën dhe drejtësia), Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend normal.

Gazetaria është zanati më i bukur në botë, por me kusht që të ushqehet çdo ditë me ambicie të mëdha dhe ideale të mëdha. Gazetari i vërtetë duhet ta ndjejë veten çdo ditë më të ndershëm, më kurajoz dhe më të fortë se sa bota që rrëfen. Ndërsa sot është shpesh më i pandershëm, më frikacak dhe më i dobët. Është një gazetari e kruspullosur mbi veten e saj, që ushqehet me zemëratë, me zili dhe urrejtje dhe që, për fat të keq, nuk ka më dëshirë të punojë për të fituar arritjen supreme që duhet të ëndërrojë çdo gazetar i vërtetë: që nuk është paraja, por e vërteta.

Please follow and like us: