“Shqipja është shkruar për herë të parë në shekullin XII”, argumenti i Xhevat Lloshit
Nano pati të ftuar Xhevat Lloshin, me të cilin vijoi bisedën e një jave më parë ku u diskutua lidhur me shkencën në Shqipëri.
Ndërsa sonte u diskutua për gjuhën shqipe. “A mund të themi se gjuha shqipe është më e varfër se gjuhët e tjera?” ishte një nga pyetjet e Nanos. “Shkenca gjuhësore nuk ka asnjë element racizmi apo inferioriteti kundrejt gjuhëve të tjera.
Gjuha mbulon nevojat e një bashkësie dhe nuk është e varfër për këtë bashkësi”, shprehet z. Lloshi. “Pasuria gjuhësore nuk i kalon 30.000 fjalë. Nga kjo pikpamje gjuha shqipe i ka kaq fjalë, që do të thotë se nuk është e varfër. Shqipja po pasqyrohet cdo ditë, dhe duhet hedhur poshtë kjo tezë që shqipja është e varfër.” shprehet ndër të tjera z.Lloshi.
Më tej, diskutimi u bë mbi pyetjet: Kur është shkruar Shqipja për herë të parë? Pse ajo është shkruar kaq vonë? Sipas Lloshit, dokumentet thonë se shqipja është shkruar për herë të parë në shekullin XV, por ai nuk do çuditej sikur të dilte një dokument që do provonte se shqipja është shkruar edhe në shekullin XII apo XIII, kur filloi të shfaqej organizimi politik i shqiptarëve në principata, e për rrjedhojë, kur lindi nevoja që të komunikohet në gjuhën shqipe. “Shkrimi lidhet me anën ekonomike shtetërore. Kur u krijua mundësia në Shqipëri që të ketë një shtresë politike, ekonomike, fetare e interesuar për të folur dhe për të shkruar për shqiptarët, kjo ishte në shekullin e XII.”-tha z.Lloshi.Do të ishte çudi, nëse shqipja e shkruar do të kishte lindur para shekullit XII, shtoi ai.
Nano e pyet, nëse do të ishte ndonjë dramë sikur një forcë madhore të bënte të mundur zhdukjen për fare të gjuhës shqipe. Dhe Lloshi përgjigjet: “Shkenca është njerëzore thellësisht, dhe do të konsiderohej për shkencën një humbje e madhe pa dyshim.”