Pas murit me Meksikën, vendimi tjetër i Trump. Ja shtetet që u kufizohen vizat
Bëhet e ditur se sot presidenti amerikan Donald Trump do të nënshkruajë vendime që parashohin ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA të emigrantëve nga shumë shtete, ndalimin e përkohshëm të aplikimeve për viza nga gjashtë shtete të tjera krahas Sirisë dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave amerikane dhe lajmet e bazuara në disa persona në ekipin e afërt të Trump, i cili filloi zyrtarisht detyrën më 20 janar, sot do të nënshkruajë vendime që parashohin kufizime të vizave për migrantë dhe ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Trump gjatë fushatës zgjedhore kishte rekomanduar që “Muslimanët të mos pranohen në SHBA” dhe që më pas kishte thënë se me këtë “ka patur për qëllim procedura më të rrepta të sigurisë”. Thuhet se me vendimet që do t’i nënshkruajë do të ndalohet për disa muaj hyrja e migrantëve nga shumë shtete.
Se sa do të jetë periudha e caktuar e ndalimit, e cila në disa media thuhet të jetë “katër muaj”, pritet të qartësohet pas shpalljes së vendimit në fjalë.
Në mesin e shteteve janë Siria, Irani dhe Iraku
Po ashtu, u tha se me një vendim të ngjashëm Trump do të pezullojë aplikimet për viza nga shtetet si Siria, Iraku, Irani, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni, siç thuhet, “derisa të përcaktohen procedura më të rrepta të sigurisë”.
Në disa lajme në mediat amerikane theksohet se kjo periudhë do të jetë 30 ditë.
Gjatë fushatës zgjedhore, po ashtu, Trump kishte shprehur nevojën për inspektime më të rrepta të sigurisë ndaj personave që vijnë nga disa shtete muslimane ku ka terroristë”, duke thënë se do të sjellë kufizime të vizave për shtetet në fjalë derisa të bëhen rregullimet e nevojshme për pengimin e hyrjes së këtyre personave.
Muri në kufi me Meksikën
Sot pritet që Trump gjithashtu të nënshkruajë një marrëveshje që parashikon ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Në një deklaratë të tij në Twitter të martën, Trump u shpreh: “Nesër kemi planifikuar një ditë të madhe që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Krahas shumë gjërave, do ta ndërtojmë edhe murin”.
Parashikohet që Trump, i cili gjatë periudhës zgjedhore disa herë kishte thënë se do të ndërtojë mur në kufirin me Meksikën për ta parandaluar hyrjen e migrantëve ilegalë, vendimin për ndërtimin e murit ta nënshkruajë vetëm pesë ditë pas marrjes së detyrës.
Firmën e parë pas marrjes së detyrës më 20 janar, Trump e hodhi në një vendim i cili parasheh anulimin e ligjit të reformës në shëndetësi Obamacare, i miratuar gjatë periudhës së presidentit pararendës amerikan, Barack Obama.