Albspirit

Media/News/Publishing

Mirsa Adami: “Më ka trishtuar shumë largimi i Ilir Kernit, si drejtues i Teatrit të Operas dhe Baletit…

Një nga artistet tona të shquara në arenën ndërkombëtare është, pa dyshim, edhe pianistja jonë e tlaentuar Mirsa Adami, që prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e saj artistik në Hollandë. E lindur në Tiranë, në një familje të nderuar artistësh, nga gjyshja e saj “Artistia e Popullit”, Jorgjia Truja, te nëna e saj, pianistja dhe pedagogia Takuina Truja, pra  me një traditë shekullore në muzikë, Mirsa Adami fitoi në 1990-ën çmimin e parë në një konkurs për të rinjtë në Itali dhe një vit më vonë interpretoi në Roterdam, Holandë. Që prej asaj kohe, Mirsa luan si soliste në dhomën e muzikës dhe është shumë e suksesshme në arenën ndërkombëtare. Ka një CV mjaft të pasur e të suksesshme, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe pjese e koncerteve më në zë në Hollandë e në vende të tjera, kryesisht në Perëndim, si, Italia, Franca, Gjermania, madje deri në Lindjen e Largët, Japoni.  Në vitin 2015 pianistja Mirsa Adami, mori në Paris “Medaille d’Etain” (medalje nderi) për kontributin e saj në muzikë. Gjatë karierës ajo ka interpretuar pjesë të kompozitoreve franceze dhe ka treguar interes mbi poezinë dhe artet figurative të periudhës “fin du siecle”. Disku i saj me vepra të Chopin dhe Debussy, regjistruar në vitin 2013, është vlerësuar nga shtypi kombëtar dhe ndërkombëtar. Këto ditë Mirsa është në Tiranë dhe në një prononcim të saj ekskluzivisht për “360grade.al”, ndër të tjera shpreh edhe mendimin e saj për gjendjen aktuale të jetës dhe artit në Shqipëri, “Më vjen keq kur dëgjoj se shpresa për një të ardhme po shuhet dhe se nuk ka optimizëm për përmirësim. Nëse nuk investohet sot për të rinjte, ku do përfundojë nesër ky vend kaq i bukur?!”, është shqetësimi dhe dhimbja e saj.

Për Mirsën, viti 2016, relativisht ka qenë një vit i suksesshëm. “Në maj të 2016 dhamë, së bashku me sopranon Alexandra Untied, një cikël këngësh të Olivier Messiaen  – Harawi- kënge të dashurisë edhe të vdekjes. I interpretuam në Festivalin e Operas të Rotterdamit, në pese koncerte.

Ky cikel, në gjuhën peruane dhe frënge, ka një përmbajte të thellë poetike, por edhe me ndjesi ritmike primitive, gati të egër, duke pasur nje efekt të fuqishëm në publik”.

Ndërsa planet për vitin 2017 për Mirsën, nisin me Rachmaninov. “Këtë vit e kam filluar me studimin e Koncertit të 1-rë të Rachmaninov. Jam duke lexuar biografinë e tij, e cila dhe po më frymëzon me guximin dhe pasionin si pianist, dirigjent dhe kompozitor, si në Rusi, edhe në Amerikë, deri në ditën kur vdiq”.

Në lidhje me gjendjen aktuale të Shqipërisë dhe jehonën e saj në botë, Mirsa shprehet: “Në Hollandë ka tashmë artikuj gazetash interesante dhe pozitive për Shqiperinë, madje edhe programe televizive të posaçme. Ndërkohë dëgjoj se shumë të rinj kanë ardhur në Hollandë për punë, të cilet  i kthejnë në Shqipëri direkt…. Më vjen keq kur dëgjoj se shpresa për një të ardhme po shuhet dhe se nuk ka optimizëm për përmirësim. Nëse nuk investohet sot për të rinjtë, ku do përfundojë nesër ky vend kaq i bukur?!

Nga ana profesionale, më ka trishtuar shumë largimi i Ilir Kernit, si drejtues i Teteatrit të Operas dhe Baletit…. Më vjen shumë keq që nuk arritëm të mbajmë një zotëri aq të zotë si ai, me largpamje botërore në artet e bukura”.  

Please follow and like us: