Shqiptarët të kërcënuar nga korrupsioni elektoral
Fjala në Parlament i deputetit Eduard Halimi
Dy ditë më parë Asamblea Politike e Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila ka shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, diskutoi ndër të tjera zhvillimet e pritshme politike që lidhen me anëtarët e saj.
Asambleja miratoi me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë e cila bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe dënon shitblerjen e votës. Rezoluta bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore si dhe për zbatimin e ligjit për dekriminalizmin e politikës dhe kërkon masa urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Ndaj dua të bëj të qartë edhe një herë sot për të gjithë, për publikun, për palën tjetër por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtare se nuk mund të ketë zgjedhje normale pa u eleminuar shitblerja e votës, pa u bërë dekriminalizmi i politikës dhe u garantuar vota e lirë edhe e ndershme që sipas nesh e garanton votimi dhe numërimi elektronik.
Kemi 10 muaj që diskutojmë për reformën zgjedhore. Ne nuk kërkuam një vit më parë votim dhe numërim elektronik. E kërkuam në maj 2016, një vit para zgjedhjeve.
Një vit më parë pakkush e imagjinonte atë që e priste Shqipërinë në 2016-ën. Se vendi do të mbillej i gjithi me drogë, nga jugu në veri; se Shqipëria do të kthehej në një Kolumbi të Europës; se mbi 80 oficerë policie (sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda) do ishin përgjegjës për mbjelljen, kultivimin, mbledhjen dhe deri transportin e drogës dhe trafikimin e saj jashtë Shqipërisë; se vetëm vlera e farës së kanabisit të blerë për t’u mbjellë një vit më parë do të ishte më shumë se 20 milion Euro, për t’u shdërruar pastaj në një kanabizim të plotë e të paparë në këtë vend dhe se trafikantët e drogës do ishin ata që krah për krah ministrave do inaguronin, resortet e ndërtuara me paratë e drogës; se krimi do ishte në çdo cep të Shqipërisë më i fortë se kurrë; se paratë e drogës, njerëzit e hashashit do përfshiheshin kaq fort në zgjedhjet e pjesshme lokale për të blerë vota në krah të qeverisë për t’i dhënë një mandat më shumë kryeministrit që t’ia shkelte syrin sërish teksa ata, mbjellin drogë, kultivojnë, trafikojnë, ndërtojne resortet dhe ai i dërgon ministrat e tij në inaugurim.
E pra një vit më parë pakkush e mendonte se droga do arrinte të tilla përmasa dhe se paratë e drogës, njerëzit e saj do të bëheshin njësh me qeverinë në zgjedhjet e Dibrës. Leksioni i Dibrës tregoi pra se opozita duhet të gjente zgjidhje për zgjedhjet e lira e të ndershme.
Dhe në gjithë këtë skenar krimi i kudondodhur, shkëlqen padyshim Kryeministri me kontratën historike që ka bërë me krimin, para se të vinte në pushtet. Ju më ndihmoni të bëhem kryeminister dhe unë j’ua shpërblej nesër.
Ju më ndihmoni të bëhem kryeministër me paratë tuaja, fuqinë, lidhjet, forcën e krimit dhe unë nesër ju bëj drejtorë, dhe ju fare lehtësisht mund të rikuperoneni paratë e fushatës që keni blerë vota për mua. Kjo është kontrata që Edi Rama bëri në 2013-ën me krimin. Këtë bëri me 19 deputetët me rekorde të tmerrshme kriminale që i përfshiu drejtpërdrejt me firmën dhe vullnetin e tij në lista fituese për t’i sjellë këtu, për t’i shpërblyer ata dhe për t’i përdorur sa kundër opozitës, sa kundër kundërshtarëve të vetë brenda partisë me brutalitetin e krimit.
Ky është simboli i kontratës me krimin dhe për këtë arsye mbi ne nga të gjitha anët e administratës njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale nga trafikantë prostituash e trafikantë droge deri në vrasës gjakftohtë.
Banditët janë sot të fortë se kanë qeverinë mbrapa, se kanë lidhje me politikën, ndaj dhe kanë fuqinë të ushtrojnë presion dhe të mbledhin vota me forcë, para’ dhe lidhje. Nëse nuk do kishin lidhjen me politikën, ata do ishin thjeshtë banditë që një ditë më parë apo më vonë do ishin brenda burgut.
Një vit më parë opozita mendonte se lidhja e Ramës me krimin do të mbaronte me ligjin për dekriminalizimin. Por çfarë kemi sot dhe a u zhbë kontrata e politikës me krimin? Fatkeqësisht ende jo.
Rama sërish u shkel syrin njerëzve të krimit. Disa që i largon nga parlamenti po u jep poste në parti, dhe i përfshin drejtpërdrejt në zgjedhje. U jep konçesione familjarëve të tyre për të grabitur Shqipërinë dhe që pastaj paratë e grabitura t’i përdorin në fushatë për të blerë vota. U shkel syrin dhe u ngre traun e doganës që ata ikin kur me demek policia i turret për t’i kapur. I urdhëron policinë të heqë postbllokun kur në makinën e deputetëve banditë gjenden trafikantët e drogës.
Dhe ja ku jemi një vit më pas. Edhe për këtë duhet gjetur zgjidhje, miratim i ligjit nuk mjafton. Padyshim që dekriminalizimi ndoshta do e pastrojë këtë parlament nga personat me rekorde vërtet të tmerrshme kriminale dhe jo si ajo çështja e patentës se Dash Tahirit. Por nuk ka asnjë garanci opozita që banditët e lidhur me Ramën nuk do jenë sërish në zgjedhje në emrin e tyre, në emrin e Partisë Socialiste apo vëllezërve dhe motrave që banditët dhe mafia e trafikantëve kërkon të fusë në listat e 2017-ës.
Ndaj opozita 8 muaj më parë, një vit para zgjedhjeve, erdhi me kërkesën e qartë për votim e numërim elektronik. Sepse u bindëm çdo ditë e më shumë se votimi elektronik ishte mundësia më e mirë që qeveria, bandat, paratë e drogës, pushteti i banditëve të dale nga parcelat e kudondodhura të kanabisit të mos ndikonin në zgjedhjet parlamantare.
E kemi thënë një vit para zgjedhjeve se opozita sheh si mënyre për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj kjo historia e kohës së pamjaftueshme është vetëm nje alibi për t’i ikur të vërtetës dhe për të mos pranuar votën e lirë si mekanizëm për zgjedhjet e 18 qershorit.
Çdo ditë të këtij viti, çdo minutë të takimit me përfaqesuesit e palës tjetër por dhe me miqtë e partnerët ndërkombëtare, përfaqësuesit tanë kanë kërkuar votim elektronik përveç çështjeve të tjera po kaq të rëndësishme.
Por prej javësh jemi përballë të njëjtës strategji, përballë të njëjtit mekanizëm të alibisë me kohën dhe fajësimit të përditshëm të opozitës lidhur me Reformën Zgjedhore. Akuzat e përditshme të kryeministrit, dhe të të gjithë zëdhënësve të pushtetit, në këtë drejtim, dëshmojnë në fakt vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën zgjedhore dhe alibinë e qartë për të mos bërë asnjë hap për votimin elektronik që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Është e qartë ajo që kërkojmë ne, dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër dhe për miqtë dhe për partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral, te shitblerjes së votës, të përfshirjes së bandave të veshura me pushtet, të banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit me leje qeveritare.
Opozita mëshiron vullnetin për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral. Për këtë çështje opozita ka bërë një betejë të gjatë, të mundimshme për të cilën ka marrë dhe kosto me vetëdije të plotë, sepse nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nese nuk ka votim dhe numerin elektronik në çdo qendër votimi.
Çështja e votimit elektronik nuk ka lidhje as me fitoren dhe as me humbjen për shkak programi elektoral. Beteja për votim dhe numërin elektronik nuk është një betejë për pushtet. Nuk është një betejë për karrierë mes Bashës dhe Ramës apo Metës.
Është nje betejë për parime për standarde demokratike që garanton çdo qytetar të votojë i lirë, që vota e tyre të lexohet drejt pa futur duart e pista pushteti. Sot kur është kryeministër Rama, krimi është i kudondodhur dhe nesër e përgjithmonë pavarësisht kush do të jetë në pushtet.
Kjo është një betejë për një mision historik që opozita e ka detyrë ta udhëheqë. Sa për programin pastaj që i qan hallin opozitës ka kohë të diskutojmë në muajt e ardhshëm. Ja ku kam këtu fjalimin historik të Ramës kur u bë kryeministër me përuljen hipokrite ndaj qytetarëve për besimin, me premtimin e sjelljes normale me opozitën dhe jo arrogancë ndaj saj dhe me premtimet e tua: ja disa prej tyre që po i skadon afati:
Fjala 11 shtator 2013
Ne s’do ta harrojmë asnjë ditë Shqipërinë që vuan për ujë, punë, shërbime dhe nuk do t’i tradhtojmë dhe gënjejmë asnjëherë shqiptarët.
Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, ….(!!!!!) (e degjon vete ai se cfare i bejne qytetaret per nje vend pune, le pastaj 300.000)
Jemi zotuar se do ulim cmimin e naftes dhe cmimin e energjise elektrike, Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi. (!!!!!!) (e degjojne fshataret tani qe kaluan 4 vjet)
Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Croën Agents). (Iken milionat me Croën Agents se e pane se nuk i dilet korrupsionit qeveritar ne dogana)
Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve (!!!) JO qe nuk jane ulur por jane rritur ne menyre te frikshme per cdo biznes te vogel. Pyeti pak shqiptaret sesa paguajne per taksa sot pas kater vitesh, sesi vetem taksa e baneses eshte dyfishuar.
Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor – falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë.
Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet.
Kjo puna e programit pra është një debat që do e bëjmë në sheshe, tek Nënë Tereza e kudo në të gjithë Shqipërinë, për faktin se mashtrove sa deshe para 4 vjetësh, që nuk ndërtove asnjë spital le pastaj shëndetësinë falas, per faktin se taksat i ke rritur në të gjithë vendin le pastaj uljen e tyre për 95% të shqiptarëve, për faktin që nuk ndërtove asnjë rrugë, le pastaj që dhe ato që gjete po i jep me koncesione korruptive, miqve të pushtetit që të paguajnë 95 % shqiptarëve.
Por këtë debat mbi programet do e bëjmë aty pas pak muajsh. Tani kemi debatin mbi reformën zgjedhore për zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe kjo është një betejë që opozita e bënë me përgjegjësi të plotë. Nuk është betejë për pushtet, është betejë për qytetarët, që ata të votojnë të lirë dhe vota e tyre të lexohet e numërohet drejt sot e përgjithmonë.
Ditët ikin dhe koha për reformën zgjedhore ngushtohet çdo ditë e më shumë. Retorikë nuk është zgjidhja për një proces normal votimi në 18 qershor. Zgjidhja e korrupsionit elektoral, e largimit të ndikimit të krimit të kudondodhur, të lidhur me politikën në qendrat e votimit, e shitblerjes së votës, për ne është votimi dhe numërimi elektronik. Ta bëjmë sot kur ju jeni në pushtet dhe ne jemi në opozitë dhe të jetë përgjithmonë për të shpetuar Shqipëria nga problemet me zgjedhjet.
Ndaj se fundmi po e ripërsëris atë që është e qartë për ne, por duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër, për qytetarët por dhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral, të shitblerjes së votës, të përfshirjes së bandave të veshura me pushtet, të banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit me leje qeveritare. Koha e pamjaftueshme është vetëm një alibi për t’i ikur misionit të vështirë dhe përgjegjësise për t’u garantuar shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshem të diskutojmë me palën tjetër, me miqtë e partnerët ndërkombëtare çdo zgjidhje, por jemi të bindur se votimi dhe numërimi elektronik do të garantonte në kushtet e rënda të krimit që ndodhet Shqipëria, zgjedhje të lira dhe të ndershme për Shqipërinë dhe shqiptarët.