Albspirit

Media/News/Publishing

Kur një qeveri e huaj ndërhyri në zgjedhjet në SHBA – për të rizgjedhur Franklin Delano Rooseveltin

Nga lajmet e rreme tek operacionet e fshehta, disa aspekte të përpjekjeve të Rusisë për të fuqizuar Trumpin në zgjedhje, u bëjnë jehonë taktikave të përdorura që në vitin 1940

Operacionet e shehta të zbulimit, propaganda, lajmet e gënjeshtërta apo marifetet e pista: të gjitha këto janë mjete, të përdorura me qëllim për të influencuar zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Vetëm se nuk flitet për vitin 2016. Flitet për vitin 1940. Dhe prapa tyre nuk qëndronte Vladimir Putini, por… Uinston Churchilli, dora vetë.

Shtatë dekada më parë, sipas asaj që shkruhet në një speciale të “Politico Magazine”, agjentët e shërbimit të fshehtë të Mbretërisë së Bashkuar, përdorën pikërisht disa prej aspekteve më kritike të atyre përpjekjeve që Rusia akuzohet se i ka përdorur vitin e kaluar, për të zgjedhur Donald Trumpin president të Amerikës.

Në vitin 1940, pjesa më e madhe e opinionit dhe e ligjvënësve amerikanë, ishte kundër një ndërhyrjeje, edhe pse Europa ishte tashmë e zhytur në një luftë të përgjakshme. Për këtë arsye, agjentët britanikë me vendndodhje në Nju Jork dhe në Uashington, u vunë në lëvizje, me qëllim që të ndikonin për zgjedhjen e kandidatëve, të cilit do të ishin në favor të një ndërhyrjeje të SHBA në luftë.

Përpjekjet e tyre varionin, nga mbështetja për kandidatët pro ndërhyrjes, tek përpjekjet për të sjellë humbjen e mbrojtësve të neutralitetit të Amerikës, apo për të detyruar, nëpërmjet metodave që vetëm shërbimi i fshehtë mundet t’i përdorë, që të heshtin ata që ishin në favor të një rruge izolacioniste të SHBA. Qindra amerikanë që besonin se vendi i tyre duhej të futej në luftë kundër fashizmit, punuan për shërbimin e fshehtë britanik, ose bashkëpunuan për të konkretizuar përpjekjet e Londrës.

Objektivat e Uinston Churchillit ishin aq të qartë, sa janë të errët qëllimet e Vladimir Putinit. I pari e dinte se vetëm me mbështetjen e amerikanëve do të ishte në gjendje që t’i bënte ballë Gjermanisë naziste. Por, si thuhet në materialin e Politico Magazine, vendimi për të ndihmuar me ushqime dhe armë Britaninë e Madhe, qëndronte në duart e presidentit Roosevelt dhe një Kongresi që ishte kundër. Kështu, shërbimi i fshehtë britanik, SIS, përmbyti mediat amerikane me lajme të rreme, nxorri përgjime të paautorizuara si dhe surpriza të pakëndshme kundër kandidatëve amerikanë. Të gjitha me qëllimin për të fituar opinionin publik.

Komiunistët, fashistët dhe izolacionistët në Amerikë, e nuhatën dhe ngritën zërin në vitet 1940 dhe 1941, duke akuzuar britanikët se po manipulonin në fshehtësi mediat e SHBA, si pjesë e një fushate për të futur Amerikën në luftë. Ishin akuza të pasakta, në kuptimin që ishin të nënvlerësuara. Edhe komentuesit më alarmistë nuk e kuptonin shtrirjen e vërtetë të veprimtarisë së fshehtë të Britanisë. Sepse në këtë fushatë masive u përdorën nga të gjitha: falsifikime, joshje, vjedhje e grabitje, hile të ndyra elektorale, përgjime, survejime, hapje letrash me vula diplomatike. Kulmi arriti me përgjimin nga shërbimi i fshehtë britanik, i një bisede mes presidentit Franklin Delano Roosevelt dhe ambasadorit të tij në Britaninë e Madhe, Joseph P. Kennedy (babai i presidentit të ardhshëm). Dhe raporti për këtë përgjim iu përcoll menjëherë Churchillit…

… Historia e përpjekjeve të qeverisë së Britanisë së Madhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Amerikë dhe opinionin publik atje, është një shembull, i cili është shumë domethënës edhe sot, shtatë dekada më vonë. Një shembull që flet për fuqinë e propagandës dhe operacioneve të fshehtë për të ndryshuar historinë. Një shembull që demonstron se sa e vështirë është të ndash, në botën reale, shqetësimet e ligjshme nga teoritë imagjinare të konspiracionit. Por mund të jetë edhe një shembull që ofron një dritë shprese për aftësinë rimëkëmbëse që ka demokracia në SHBA. 

Artikullin e Politico Magazine mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://www.politico.com/magazine/story/2017/01/when-a-foreign-government-interfered-in-a-us-electionto-reelect-fdr-214634

Please follow and like us: