Albspirit

Media/News/Publishing

Ftesë në studion e Xhevat Lloshit

 Çerçiz Loloçi

 

Për pak ditë një nga profesorët më të shquar shqiptarë Xhevat Lloshi bën 74 vjeç dhe pikërish në këtë përvjetor më vjen parasysh gjithë jeta e tij, e mbushur me ngjarje si çdo krijesë njerëzore, por edhe me ndodhi të veçanta.

I lindur në Fier në 28 Janar 1938, ai studio për gjuhë dhe letërsi ruse në universitetin e Tiranës, punoi mësues i thjeshtë I gjuhës dhe i letërisë për tri vjet rresht, kreu studimet pasuniversitare me temën “Analiza stilistike e leksikut të shqipes”, u bë drejtues kërkimesh, punonjës shkencor në Institutitn e Gjuhësië dhe të Letërsisë (pranë Akademisë së Shkencave), kryeredaktor i së përjavshmes letrare “Drita”, përgjegjës dhe drejtor i Qendrës së Enciklopedisë, deputet dhe tashmë në një stad pensioni por me një veprimtari të parreshtur studimore.

Zotërues i anglishtes, frëngjishtes, italishtes, rusishtes dhe serbishtes, për disa dekada profesori njihet në dhjetra studentë duke dhënë herë kurse të rusishtes, leksikologji, gjuha dhe stili në shtyp dhe herë stilistikën e shqipes, analizë teksti, retorikën dhe shkrimin universitar.

Sic ndodh rëndom me shkencëtarët e kësaj fushe, ai është prodhimtar dhe i heshtur, paçka se me firmën e tij figurojnë një sërë librash, mes të cilave “Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht e latinisht-shqip”, “Si të shkruajmë shqip”, “Rreth alfabetit të shqipes” “K. Kristoforidhi, Bibla në gegërisht”, “Letërsi dhe gjuhë shqipe”, W. Martin-Leake për shqiptarët dhe gjuhën shqipe”, “Kristoforidhi përmes dokumentimit”, “Stilistika dhe pragmatika”, “Fjalor frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë”, “Kosova në vështrim enciklopedik”, “Mbështetje për gjuhën letrare”, “Antologjia e fjalës së mençur”, “Njohuri nga teoria e letërsisë dhe stilistikës”, “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp” etj.

Në veprimtarinë e gjatë studimore dhe shkencore të profesor Lloshit zënë vend edhe një sërë redaktimesh të librave të rëndësishëm si fjalori pamor trigjuhësh, enciklopedia e Elbasanit, fjalori shqip-gjermanisht, fjalori shqip-anglisht, fjalori i bujqësisë në katër gjuhë, fjalori shqip-frëngjisht, fjalori mjekësor latinisht-shqip, ndërsa është redaktor i përgjithshëm i botimit të veprës së plotë të mendimtarit rilindas Sami Frashëri.

Nuk janë pak por më shumë se 20 libra dhe broshura të profesor Lloshit të botuara në gjuhë të huaja, ndërsa ai është ende aktiv në simpoziume dhe evenimente të ndryshme ndërkombëtare. Pasioni i kahershëm i njohjes së gjuhëve të huaja dhe si një nga kalorësit më të dashuruar me gjuhën shqipe ai ka përkthyer më shumë se tridhjet vepra që janë pronë si e bibiotekave ashtu edhe e auditoreve në mjedise universitare.

janar 2012

Please follow and like us: