Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: NË POLITIKË PARIMET JANË TË QARTA DHE JO TË STISURA!

Në parim politika ndjek zbatimin e ligjit, i cili buron nga nevoja për të plotësuar disa standarte në jetën dhe zhvillimin e një vendi. Në parim, politikbërja ndjek rrugën e zbatimit të vendimeve që dalin nga ligji i shkruar, por disa politikanë në bazë të parimit të zbatimit të ligjit, vënë në funksion (jo për të zbatuar ligjin), dëshirën, nevojën dhe vullnetin e vetvetes prej të cilave rrjedhimisht deformohet vetë ligji. Për të ndjekur këtë lloj politike, shumë vetë kanë marrë të tatëpjetën, duke grisur kështu dinjitetin, por edhe duke shkelur të vërtetat e mëdha që mbajnë në këmbë vetë moralin njerëzor. Në emër të këtij morali, paturpësia ka prodhuar ditë pas dite hendeqe, ku vetë të pamoralshmit kanë rënë brenda duke treguar, se çfarë ke gatuar me atë edhe do të ushqehesh.
Analiza e moralit ka vënë në provë shumë të ditur, të cilët kanë ushqyer me dijen e tyre turma njerëzish nga nevoja për të dëgjuar dhe mësuar rreth të vërtetës. Por mjegulla zor se shpërndahet lehtë, kur dijet manipulative shesin për t’u pasuruar, duke ndarë fitime të majme në kurriz të varfërisë shpirtërore dhe asaj materiale.
Të dijshmit janë edhe oportunistë edhe konservativë, janë edhe dirigjentë, por edhe instrumentistë, janë edhe fajtorë por shiten edhe si të pafaj. Dinë të transformojnë,por dinë edhe të mashtrojnë, duke përdorur herë pas here edhe faljen publike në emër të moralit dhe të nderit.
Të pamoralshmit kanë një gjuhë të përbashkët, një ego të përbashkët, pasi vesi të bën të njëjtë, sepse edhe qëllimi i të pamoralshmëve nuk ndryshon.
Politika mund ta ndryshojë fatin e njeriut. Nëpërmjet politikës njihet zhvillimi, por edhe rrënimi i popujve. Nëpërmjet politikës prekim mirëqënien, por edhe varfërinë e tejskajshme, ndaj natyrshëm lind pyetja:
Popujt që ende nuk e njohin mirëqënien, a nuk janë shembulli më i mirë i politikave të mbrapshta?
Rrënimi ekonomik dhe jo standarti i lartë jetësor, a nuk janë shembull i qartë i politikave të papastra?
Luftrat, vdekjet, vrasjet, mungesa e humanizmit, uria, sëmundjet, a nuk janë modeli më i shëmtuar i politikave vrastare kundër popujve?
Mungesa e dijes, prapaskenat kundër mirëqënies, përparimi drejt rimodelimit të një jete pa moral, a nuk janë shembull i qartë i një mendje korruptive kundër shëndetit mendor të njeriut?
Lufta e njeriut kundër njeriut, konkurrenca ndërmjet individëve, stimulimi i lakmisë, hakmarrja, xhelozia, a nuk janë shembull i prapambetjes mendore të njeriut nëpërmjet politikave që nëpërkëmbin ligjin e të drejtave të njeriut? Dhe sa shumë pyetje mund të ngrihen duke vërtetuar rezultatin politik në mbarëvajtjen e jetës shoqërore!
Njerëzimi është kapur rob nga politika, e cila po ia merr frymën duke përdorur çdo marifet dhe manovër për ta vënë nën sundimin e saj.
Por njeriu duhet të kuptojë se kjo robëri nuk është fati i tij.
Ditë pas dite kjo e vërtetë po gris errësirën, e cila deri më tani, është shitur si dritë për mendjet njerëzore.
Politika po çalon dhe njerëzimi po rënkon nga robëria. Për të kuptuar, drita mbahet ndezur dhe jo e fikur! Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë!
26 Prill 2024.
Please follow and like us: