Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Kadare: Regjimi donte një Kadare komplotist

 

 

Intervstoi A.Peçi

 

 

Zonja Helena, libri juaj ‘Kohë e pamjaftueshme’, ka dhjetëra stacione ku vlen të ndalesh e të pyesësh, ka dhjetëra dritare nga ku mund të kundrojmë historinë e ngjizjes të së cilës vepër të shkrimtarit, të shuajmë kureshtjen për personazhe a ngjarje, që Kadare i trajton në romanet e tij. Në këtë libër mund të zbulojmë më në fund përmes një shtegu të pashkelur kurrë më parë (edhe pse i diskutueshëm nga disa pasi ju jeni bashkëshortja e shkrimtarit), nga një këndvështrim që ka ngjallur gjithmonë  kuriozitet të thellë.. pra zbulojmë marrëdhënien e vërtetë të shkrimtarit me regjimin. Dyshimet në familje, frikën,  hamendjet, ankthin pas çdo dorëzimi vepre për botim, mijëra pyetje dhe qindra befasi me të cilat përballeshit më pas… Megjithatë mua më ngjan se kulmi i gjithë dramaticitetit të marrëdhënies së shkrimtarit me regjimin, u shënua në vitin 1982. Në libër ju e rrëfeni këtë  periudhë përmes një dokumenti hetuesie të datës 24 shtator 1982 dhe ca komenteve të shkurtra mbi të. Është “Procesverbali i të pandehurit Llambi Ziçishti”, i cili deponon kundër shkrimtarit Ismail Kadare, duke e bërë pjesë të grupit komplotist të ish-kryeministrit të vetëvrarë Mehmet Shehu…E gjitha kjo, në vija të trasha, për shkrimtarin Ismail Kadare në ato rrethana, ishte një ‘dënim me vdekje’…Kush ishte ky burrë që e nënshkruante me dorën e tij këtë dënim për shkrimtarin? Në ç’rrethana e nënshkroi? A kishit ju njohje të afërt me të?

 

Burri për të cilin ju më pyesni është Llambi Ziçishti, një mjek i njohur në atë kohë, që ishte emëruar në postin e ministrit të Shëndetësisë. Dëshmia e tij për Ismailin jo vetëm është nënshkruar, por gjithë teksti është shkruar me dorën e tij. Nuk ka as më të voglin dyshim se kushtet në të cilat e ka shkruar këtë deponim duhet të kenë qenë nga më çnjerëzoret. Imagjinata jonë sot nuk mund t’i riprodhojë ato tmerre e tortura morale e fizike. Nisur nga kjo, për asnjë çast ne nuk kemi menduar se ky njeri ka patur qoftë dhe më të voglën përgjegjësi për atë që ka shkruar. Ne e njihnim të dy, Ismaili dhe unë, ngaqë ai, si intelektual që ishte  e aq më tepër frankofon, vinte shpesh në Klubin e Shkrimtarëve e Artistëve, midis të cilëve kishte miq. Unë personalisht s’kam patur rast te kem qenë në ndonjë bisedë  të veçantë me të. Dokumenti hetimor na ra në dorë shumë vonë. Një vit e ca më parë, në mos gaboj, nga dy burime të ndryshme.

 

 

Si qe përballja me këtë dokument?

 

Përballja e parë me të ishte sigurisht tronditëse. Sado të jesh i informuar për krimet e një diktature, sado të ketë kaluar koha e,  bashkë me kohën edhe  rreziku, kur ke para syve dokumente të tilla, të shkruara me vetë dorën e viktimës, që së shpejti do të zhduket, tronditja është e jashtëzakonshme.

 

 

Çfarë ju tronditi më tepër në rreshtat e atij procesverbali?

 

Vetë fakti që ai tmerr ishte shkruar kapërcente çdo gjë. Ishte një tekst që nuk lejonte asnjë rrugëdalje, asnjë shpresë. Im shoq akuzohej se bënte pjesë në “komplotin më të madh të kohës”, për rrëzimin e shtetit komunist, rrëzimin e E.Hoxhës. Për këtë ishte bërë gati një dosje, që do të paraqitej në një gjyq, i cili do të dënonte fajtorët. Pra përfundimi dihej. Ne dinim se kishte kohë që në rrethe te caktuara qarkullonte një mendim radikal kundër I. Kadaresë. Por ama është fare ndryshe kur e sheh këtë mendim të formuluar me shkrim, në një dosje hetimore, me emra e me nënshkrime poshtë. Ka një shprehje të njohur: të shikosh vdekjen me sy. Desha të shtoj se, meqenëse e pamë këtë pjesë të dosjes tani vonë kur rreziku për ne kishte kaluar, trishtimi ynë  për një kohë të gjatë u lidh me njeriun që e detyruan të shkruante këtë deponim. E kishim vështirë ta përfytyronim atë burrë aq të sjellshëm, të kulturuar, që vishej gjithmonë me shumë sqimë, të rrëzuar nga torturat, tek po e detyronin të shkruante atë lemeri.

 

 

Pse duhej ta lidhnin figurën e Kadaresë me Mehmet Shehun? A mjaftonte miqësia e tij me djalin e kryeministrit për ta shpallur agjent?

 

Nuk e kam të lehtë t’i përgjigjem kësaj pyetje. Sepse ajo lidhet me të tjera pyetje që ende nuk janë sqaruar. Së pari, a kishte pasur vërtet një komplot? Shumica mendojnë se nuk ka patur dhe se e gjitha kjo ka qenë një sajim. Së dyti, edhe po ta pranojmë një çast se paska patur një komplot, del pyetja se a ka qenë I.Kadare pjesëtar i këtij komploti? Besoj se askush nuk e ka besuar dhe nuk e beson një gjë të tillë. Atëherë përse shteti e përgatiti këtë dosje të rreme kundër shkrimtarit të njohur? Siç e shihni këto gjëra nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Hapjen e arkivave dhe dosjeve të fshehta unë kështu e kuptoj: të dalë në dritë e vërteta në të gjitha pamjet e saj. Një pjesë e madhe e njerëzve që kanë përgatitur këto dosje janë ende në jetë. Ata do të mund të jepnin sqarimet e duhura, të ndihmonin historinë. Po i kthehem pyetjes suaj, ju keni të drejtë të mendoni se për të dënuar një shkrimtar do të mjaftonin gjëra më të thjeshta se një komplot kundër shtetit. Të gjithë e dimë se si janë dënuar shkrimtarë e poetë për një copë tekst, për një mendim të quajtur “liberal”. Ngaqë I.Kadare ka qenë shumë i njohur, është menduar, ndoshta, se komploti do të ishte një shkak më justifikues për dënim.

 

Si reflektoi në familje kjo ngjarje? Si ishte për ju fundi i vitit 1981 dhe i gjithë viti 1982 në vijim?

 

Fundi i vitit 1981 dhe fillimi 1982 kanë qenë shumë të vështirë jo vetëm për ne, por përgjithësisht. Psikoza për zbulimin e “komplotit më të madh” zotëronte kudo. Në një farë mënyre ne ishim të përgatitur pak a shumë pêr këtë. Djali i kryeministrit, shkrimtari i ri Bashkim Shehu, që ju e përmendët më lart, qysh në shtator të vitit 1981 ka ardhur enkas tek ne për t’i thënë Ismailit se udhëheqja, duke përfshirë edhe babanë e tij, e konsideronin atë si agjent të Perëndimit. B.Shehu e ka pohuar disa herë, në shumë shkrime dhe intervista një gjë të tillë, ashtu siç ka pohuar pyetjet intensive që i bëheshin në hetuesi për ne. Sigurisht, një gjë e tillë nuk është e lehtë të kapërcehet. Ishte vërtet e rëndë, tepër e rëndë. Kur e kanë pyetur më pas gazetarët e huaj, Ismaili ka folur për këtë. Madje disa herë ne vetë kemi menduar se as vetë shteti shqiptar nuk e besonte këtë, por  ka qenë një presion i tij. Mirëpo tani vonë, kur pamë me sytë tonë dosjen për të cilën po flasim, kuptuam se ata kishin qenë shumë këmbëngulës në qëllimin e tyre dhe ishin përgatitur për një proces gjyqësor. Sipas shpjegimit të Ismailit, pas një presioni të tillë të shtetit, shkrimtari ka dy rrugë: ose thyhet përgjithmonë, ose e kapërcen provën. Për fat të mirë, me të ndodhi kjo e dyta dhe këtë mund ta vërtetojë vetëm një gjë: vepra e shkrimtarit. Pas vitit 1981 ai nuk bëri asnjë ndryshim orientimi në veprën e vet, bile ka ndodhur e kundërta: disa nga veprat e tij më të dalluara për antikonformizmin u shkruan në periudhën 1981-1986, si pjesa e fundit e “Pallatit të ëndrrave”, “Qorrfermani”, “Nata me hënë”, “Hija”, “Vajza e Agamemnonit”. Një shpjegim tjetër i Ismailit, më ka habitur në fillim. Sipas tij, periudha e vështirë 1981-1983 i ka shërbyer, ndoshta, si një lloj vaksine për më vonë. Them se  kishte një logjikë në këtë arsyetim: përderisa akuza më e rëndë kundër tij, ajo e agjentit, ishte bërë, akuzat e tjera dukeshin më të lehtë dhe më pak të rrezikshme.

 

 

Kadare ishte edhe deputet në këtë kohë, siç e cilësoni edhe ju në libër. Ishte tronditur jeta juaj shoqërore, publike? Ju kishin braktisur miqtë?

 

Po natyrisht që jeta na ishte tronditur. Por duhet të keni parasysh se kjo ndodhte me të gjithë njerëzit që kishin ndonjë problem. Kishte njerëz të tjerë, familje të tjera që përballeshin me probleme shumë më tragjike.  Kurrë, asnjëherë nuk e kemi harruar një gjë të tillë.  Bile kjo ishte një nga arsyet për të mos e humbur toruan, për të mos e humbur sensin e gjërave. Unë nuk mund të them se njerëzit na kishin braktisur. Jo, jo, çështja nuk shkonte gjer atje. Po në atë kohë ndodhnin edhe ca ngjarje kontradiktore, p.sh. forumi franko-shqiptar i romanit shqiptar, që u mbajt në Paris më 1983. Kishte kohë që përgatitej ky forum dhe nuk mund të anulohej për shkak të atyre ngjarjeve që po ndodhnin në Shqipëri. Kam folur gjerësisht në kujtimet për këtë forum. Pala franceze ngulte këmbë për pjesëmarrjen e domosdoshme të I.Kadaresë. Në fillim kjo u mor si provokim i Francës, gjë që s’përjashtohej, sepse shtypi francez ndërkaq kishte folur për dënimin e “Pallatit të ëndrrave”. Pastaj I.Kadare u fut në delegacionin prej pesë vetësh. Kjo shkaktonte çorientim: një shkrimtar i sapokritikuar udhëton në Paris për përfaqësimin e letërsisë shqipe. Tani që ne e dimë dosjen për të cilën po flasim, merret me mend se ç’do të thoshin hartuesit e saj: ne sapo e vërtetuam që I.K. ishte pjesëtar në komplot dhe ky udhëton në Francë! Sa për deputet, në atë kohë Ismaili s’ishte më, por edhe po të ishte kjo s’lozte ndonjë rol. Në radhët e deputetëve kishte shpesh të dënuar. Madje edhe shume më lart se deputet, siç dihet.

 

 

Ndërkohë ju e kishit kaluar edhe furtunën e “Nënpunësit të Pallatit të ëndrrave”… Ç’ndodhte në shtëpinë tuaj? Ku ishin zonat sekrete ku fshiheshin dorëshkrimet, cilat rrugë mendonit për t’i shpëtuar… për t’i nxjerrë jashtë vendit?

 

Çështja e “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” ishte e lidhur me të gjitha ato që folëm. Në shtëpinë tonë ne përpiqeshim të ruanim të njëjtin stil jetese. Kujdeseshim që vajzat mos e ndjenin gjendjen e dyzuar. Ashtu kujtonim ne, sepse shumë më vonë, prej gojës së tyre kemi mësuar se s’kish qenë ashtu. Për dorëshkrimet nuk kishim vende sekrete fshehjeje. Gjatë udhëtimit në Francë në vitin 1983, Ismaili foli haptas me botuesin e tij francez, Claude Durand për gjendjen e tij. Ishte ky botues, mik krejtësisht i besuar, që e shtroi çështjen e nxjerrjes së dorëshkrimeve jashtë shtetit tonë. Më vonë, ai vetë do të bënte dy udhëtime për këtë qëllim.

 

 

A ishte e lehtë për ju, në këto rrethana,  të besonit, në njerëz, në ngjarje…

 

Duke i parë gjërat nga larg, me gjithë zhgënjimet që nuk mund të shmangeshin, ne nuk e humbëm besimin te njerëzit. Unë përgjithësisht jam pozitive dhe e kam të vështirë t’i besoj të keqes, pra besoj gjithmonë në të mirën. Dhe po të bëj bilancin e gjërave del se nuk kam gabuar. Pavarësisht njohjeve të reja, unë ruaj si një gjë shumë të shtrenjtë miqësitë e vjetra dhe u qëndroj shumë besnike atyre.  Ndërsa Ismaili, sado që mund t’ju duket pak e habitshme, gjithashtu, pavarësisht nga ngjarjet dhe personazhet e frikshëm që trajton nëpër veprat që shkruan, në thellësi të tij e ka të theksuar prirjen pozitive. Ai nuk ka qenë asnjëherë alarmant, por as i thjeshtonte rreziqet, për të më hequr frikën. Kishte qejf të thoshte se këtë gjakftohtësi e kishte falë letërsisë. Sipas tij, ishte një ligj i letërsisë, që edhe pse trajtonte gjëra të lemerishme, nuk të ligështonte moralin. Shembull për këtë sillte tragjedianët antikë dhe Shekspirin.

 

Ramiz Alia drejtonte plenumin ku u kritikua “Nënpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe zonja e diktatorit ishte diku aty në rresht të parë… A mund ta përshkruani sot, portretin e saj. Çfarë reflektonte?  A po përmbusheshin pritshmëritë e saj?

 

Ky plenum është ngulitur në kujtesën time më shumë se çdo gjë. Ndodhesha në sallë dhe i kam para syve të gjitha hollësitë. Jo vetëm kritika kundër romanit ishte e rëndë, por Ismaili ndodhej në presidiumin e mbledhjes, i ulur fare pranë kritikuesit, Ramiz Alisë. S’do mend që gjithë salla i mbante sytë tek ai, për ta parë si do të reagonte. Disa nga udhëheqësit, duke përfshirë edhe zonjën Hoxha, ishin gjithashtu në sallë, në radhën e parë. Unë isha nga mesi i sallës dhe nuk kisha mundësi ta vëreja, po ata që ishin pranë, dhe vetë Ismaili që e kishte përballë,  më treguan se ajo ishte shumë e vëmendshme ndaj gjithçkaje. Dihej prej të gjithëve se ajo kishte në përgjithësi mosbesim ndaj njerëzve të letrave. Ndërsa reagimi i Ismailit ndaj kritikës që po i bëhej ishte shumë shqetësues. Nuk ishte fjala vetëm për mua, por edhe për dashamirësit e tij. Ai rrinte me një fytyrë të ngrirë, pa asnjë shprehje. Gjakftohtësia e tij, që aq shumë ia kisha çmuar, më dukej e tepruar dhe pa sens. Jepte përshtypjen sikur nuk flitej për të, por për dikë tjetër. Mund të merrej si shpërfillje, bile më keq. Në pushim të seancës doja t’ia thoja këtë, por s’arrita dot ngaqë ai nuk zbriti në sallë. Në seancën tjetër, ndërsa vazhdonin diskutimet, kishte të njëjtën shprehje në fytyrë. Plenumi do të vazhdonte të nesërmen dhe rrugës për në shtëpi ia thashë shqetësimin tim. U duk sikur u habit. Më tha se nuk e kishte bërë me ndonjë qëllim, por në të vërtet nuk e kishte mendjen në ato që thuheshin ngaqë një tjetër gjë shumë më e rëndë e shqetësonte. Këtë “gjë tjetër” e kam shpjeguar te kujtimet. Shqetësimi lidhej me marrjen në pyetje të B.Shehut, djalit të kryeministrit dhe të gruas së tij që ndërkaq ndodheshin në izolim ose në burg, si dhe me dorëshkrimin e romanit “Koncert në fund të dimrit”, që ishte dorëzuar në shtëpinë botuese disa javë përpara vdekjes së kryeministrit, dhe që ishte në shqyrtim. Në atë dorëshkrim kishte një koinçidencë që të ngjethte mishtë: përshkruhej misteri i vdekjes së Lin Biaos, pasardhësit të Maos, për të cilin thuhej se u vra në një aksident ajror, kurse në të vërtetë u vra me porosi të Maos vetë, pas një darke në shtëpinë e këtij të fundit. Koinçidenca lidhej me vdekjen e kryeministrit shqiptar, për të cilin thuheshin dy versione: vetëvrasje ose vrasje. Ishte një koinçidencë e bërë pa qëllim, siç thashë, por një koinçidencë katastrofike, që të merrte më qafë. Për fat, çështja u mbyll me ndalimin e botimit. Siç dukej, shtetit nuk i interesonte rihapja e dyshimit që përmenda.

 

A ka tentuar Nexhmije Hoxha të lidhet me ju, pas përmbysjes së regjimit? A ka shfaqur ndonjë reagim të çfarëdo forme?

 

Nuk di një gjë të tillë. Sa për reagimet e saj, ato, me sa kam dëgjuar, kanë qenë të rralla, më tepër me disa gazetarë të huaj, me të cilët ka kritikuar I.Kadarenë, i cili, sipas saj, ashtu si disa shkrimtarë apo studiues të tjerë, kanë qenë më parë me komunizmin, por janë kthyer më pas kundër tij.

 

Ju thoni në fund të përshkrimit të këtij episodi të jetës tuaj: “ishte e qartë se  edhe këtë herë ai ishte shpëtuar prej diktatorit… prej Enver Hoxhës nuk mund të të shpëtonte veçse Enver Hoxha…”. I dhimbsej shkrimtari diktatorit? Apo Hoxha s’mund të përballonte atë që mund të ndodhte pas eliminimit të shkrimtarit?

 

Shpjegimin për këtë e ka bërë vetë Ismaili dhe unë s’kam bërë gjë tjetër veçse kam përsëritur atë shpjegim. Dihej se në regjimet e rrepta totalitare, me shkrimtarët, filozofët ose artistët e shquar merreshin vetë shefat e lartë. Shembulli i Stalinit ishte më i qartë se çdo tjetër. Asnjë dënim apo asnjë falje dënimi nuk është bërë pa dijeninë ose pa vullnetin e tij. Janë kaq e kaq libra të shkruar nga vetë të dënuarit për këtë. Këta lloj regjimesh bënin llogari të ftohta: sa përfitonin nga një dënim i tillë dhe sa humbnin. Nga përfundimi i kësaj llogarie varej vendimi. I.Kadare ishte tepër i njohur jo vetëm në Shqipëri, por në botë. Kështu që hipoteza juaj se ndoshta Shqipëria nuk e përballonte dot dënimin qëndron. Detraktorët e I.Kadaresë e shtrojnë çështjen ndryshe. Ata pyesin: përse bëhet fjalë për dënim? Sipas tyre, ky shkrimtar çmohej shumë nga regjimi dhe askujt s’i shkonte mendja për tjetër gjë. Pa bërë retorikë, në këtë rast mund të tregohet kjo dosje, që u bë shkak për këtë intervistë. Ç’është kjo dosje? Mos është ndonjë propozim për dekoratë?

 

A është e vërtetë se perëndimi e kishte përgatitur kartën mbrojtëse për Kadarenë? P.sh. ta shpallte shkrimtarin disident  dhe të vinte në lëvizje gjithë mekanizmat për t’i bërë presion diktatorit shqiptar…?

 

Është krejtesisht e vërtetë. Ne dinim diçka për këtë, por, sa më tepër që kalonte koha, aq më tepër gjërat bëheshin të qarta. Personalitete të kulturës, shkrimtarë dhe publicistë të shquar, vetë botuesi francez i Ismailit, që ishte një ndër më të mëdhenjtë e Europës, por sidomos organizma që merreshin me mbrojtjen e shkrimtarëve problematikë të Lindjes, ishin në një vëmendje të vazhdueshme. Këto organizma e komitete ishin në Paris, Londër, SHBA, në vendet skandinave. Kështu p.sh., në ditët që mbahej plenumi për të cilin folëm në këtë intervistë, shtypi francez botoi në një kohë të shkurtër dhjetëra artikuj për “shkrimtarin shqiptar që, me sa dukej, kishte probleme në vendin e vet”. Ishte hera e parë që media perëndimore tërhiqte vëmendjen për çështje të tilla në Shqipëri. Kështu p.sh. publicisti më i njohur i TV francez për letërsinë, Bernard Pivaut, në një emision të tij, duke bërë aluzion për romanin “Kamarja e turpit” (Pashallëqet e mëdha), tha se “ne presim të vijë në Francë I.K. dhe jo koka e tij në pjatancë”. Këto ishin presione të hapura, por kishte dhe të tjera, më të sofistikuara, që ne nuk i dinim, por që i kemi mësuar më vonë, ose nuk i kemi mësuar asnjëherë. Një befasi e këndshme ka qenë para ca ditëve për ne, një film dokumentar i gazetarit të njohur A.Bushati, me filmime të nxjerra nga arkivat franceze, në takime të ndryshme të Ismailit me gazetarë francezë, një pjesë e të cilave  ishin të panjohura për ne.

Çfarë do të thoshte realisht për diktatorin dhe regjimin e tij, një disident në ato rrethana?

 

Mendoj se një disident do të ishte krejtësisht i papranueshëm për regjimin. Sidomos një njeri i njohur. Më lehtë do të dukej shpallja agjent, tradhtar, komplotist se sa disident. Me këto epitete veshi shqiptar ishte mësuar. Kështu ndoshta shpjegohet që në këtë dosje, për të cilën po flasim bashkë, I.Kadare trajtohet në radhë të parë si komplotist, me fjalë të tjera si kriminel. Disident do të ishte një rang tjetër në sytë e opinionit, sidomos atij ndërkombëtar. Po t’i kthehem pyetjes suaj se cili ishte shkaku që kjo dosje nuk u pranua, unë personalisht mendoj se, edhe po të ishte e vërtetë që I.Kadare do të kishte marrë pjesë në komplot, kishte mundësi që kjo të mos thuhej. Këtë mendim e bazoj në një shembull që Ismaili e ka përmendur gjatë një emisioni televiziv, lidhur me rastin e shkrimtarit më të njohur gjerman të kohës së nazizmit, Ernest Junger. Megjithëse shkrimtar i përkrahur dhe i shfrytëzuar prej propagandës së regjimit, ai mori pjesë vërtet në një komplot kundër Hitlerit, por, ndërsa komplotuesit e tjerë u dënuan pa mëshirë, pjesëmarrja e tij në komplot u mbajt e fshehtë. Kjo për shkak të njohjes së madhe të shkrimtarit. E vërteta u mor vesh pas mbarimit të luftës dhe Jungeri vdiq tani vonë, në moshën 102 vjeç!

 

Nëse ktheheni sot në kohë, si do ta jetonit këtë ngjarje, çfarë do të korrigjonit në veprimet tuaja, reagimet me të njohurit…?

 

Përgjigja për një pyetje të tillë do të ishte gati e pamundur. Tani është lehtë që njeriu të thotë, sikur të kisha vepruar kështu ose ashtu, por asnjëherë s’mund të dijë atë që do të mund të ndodhte. Dhe kryesorja, në qoftë se do ishte më mirë apo më keq një gjë e tillë. Dëshira e vetme dhe qëllimi kryesor i I.Kadaresë, që nga adoleshenca e gjatë gjithë jetës së tij ka qenë krijimi letrar. Pra, mund ta them pa asnjë lëkundje se ai e kreu në mënyrë të plotë atë qëllim apo atë ëndërr të tij. A mund ta kryente më mirë apo më keq në një regjim tjetër shoqëror, këtë askush nuk mund ta dijë dhe, siç e ka pohuar, nuk mund ta dinte as ai vetë. Nga ky këndvështrim jeta e tij krijuese, në thelbin e saj ka qenë ajo që duhej të ishte dhe, siç e ka thënë shumë herë po vetë, asnjëherë nuk ka menduar një tjetër mundësi. Përsa i përket vetes sime, unë gjithashtu e doja shumë letërsinë, dhe besoj se ishte pikërisht kjo dashuri, që më bëri të kuptoj qysh herët se  puna e magjishme që kryhej para syve të mi, kërkonte  gjithë përkushtimin tim, për  ta çliruar njeriun me të cilin jetoja nga gjithë preokupimet e  përditshme. Ajo që mund të them me bindje të plotë është se asnjë jetë tjetër nuk do ta kisha këmbyer me atë që kam jetuar, me të gjitha ndërlikimet e saj.

2012

Please follow and like us: