Albspirit

Media/News/Publishing

Branko Merxhani, teoricieni i madh shqiptar

Këtu do mundohemi të shohim objektivisht se si erdhi deri tek fryma moderniste me rrymime nga shkollat pozitiviste e sidomos nga ÉmileDurkheim me qëllimin e ngritjes së modernizmit nacionalist shqiptar, e ku modernizmi për të është “evropianizimi” i vendit, gjithashtu do të flasim mbi jetën e Brankos një historik i shkurtër dhe në fund do kemi një përmbledhje me të gjitha citimet e tij. Branko Merxhani në librin e tij: “Vepra” shquhet për citime të shumta, prandaj besoj që është në interes të lexojmë me kujdes atë që na thuhet nga Branko e sidomos kur ai jo vetëm që përmend autor të huaj sa për ta plotësuar shkrimin e tij, por Ai e kishte të vështirë që të thoshte diçka e që të ngjashëm po diçka mos ta kishte lexuar tek dikush tjetër. E këtu nuk do të përfundojmë vetëm në mbledhjen e citimeve të tij, por do të bëjmë edhe një analizë se: nëse nuk është mjaftuar vetëm me citat, por ka vazhduar edhe shtjellimin e tij; atëherë kemi një analizë të thellë mbi autorin.

U lind në Turqi, në vitin 1894 e ku në Stamboll u shkollua e më pas studimet e larta në Gjermani, Branko Merxhani kishte një pregatitje të mirë intelektuale. Ai në Shqipëri erdhi në vitin 1920 dhe ka një kontribut të madh në afirmimin e shqiptarëve në mendimin filozofik dhe social perëndimor (oksidental).
Ideja e tij më e madhe që ishte: Neo-shqiptarizma një pikë të gjenezës mund ta kishte edhe këtu: Shqiptarizma është kufiri administrativ i njeriut me kombin e tij. Pra, ai mund të jetë shqiptar nëse e pranon kulturën tonë dhe mund të jetë po aq shqiptar nëse ai e ndjen vetën të tillë. Sepse edhe vetë Branko e thotë: “Ai që e ndjen vetëhen “Shqiptar” është pa tjetër Shqiptar. Dyshimi më i vogël mbi këtë gjë është mjaftë që të pranojmë të kundërtën.” (Demokratia, 23 Janar 1929 – “Kombi”)
E kjo është pika ku ne duhet të diskutojmë më shumë e ku Branko e ka analizuar më gjatë qështjen e kombit. Pra të jesh kombëtar nuk do të thotë që të identifikohesh vetëm si i tillë, por sot një komb është: “një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një “kuptim shoqëror”. Që të jemi Shqiptarë me të vërtetë, më parë na duhet doemos një gjë: Na duhen njërës që të thonë: “Jam Shqiptar!”.” (Demokratia, 23 Janar 1929 – “Kombi”)
Ne sot jemi shqiptar sepse ndjenja jonë është vendi ku janë varrosur eshtrat e stërgjyshërve tanë; kemi ide shqiptarizmin, sepse duam një komb më të fortë në Ballkan ku shqiptari nuk është i shtypuri më e assesi, asnjëherë të bëhet shtypësi; e mbi të gjitha harmonia shpirtërore e kuptimi shoqëror janë vlera më e madhe që mund të kemi: ne duhemi se jetojmë, por ne nuk urrejmë dikë tjetër sepse jemi pikërisht shqiptar. Pra kombi ynë na mëson: të jetojmë të gjithë bashkë, sepse kjo është mbi individin e ta duam jetën sepse jemi shqiptar. E të qenurit shqiptar nuk është rastësi, nuk është kufizim administrativ, por është ajo që e tham më herët: ndjenjë! Të gjithë mund të jemi shqiptar, vetëm nëse e ndjejmë vetën të tillë, e kemi këtë ide, harmoni shpirtërore e këtë kuptim shoqëror. Kombi shqiptar është komb i përpjekjes, jo që kombet tjera janë më pak ose jo, por jemi krijim i vazhdueshëm, e gjithnjë me bazë të pandryshuar: shqiptarizmën.

Branko Merxhani, gjatë kohës në Shqipëri na solli disa mjete ku mund t’i dinim pikpamjet e tij: “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja shqiptare”, e po ashtu edhe të shokëve të tij, si: Vangjel Koca, TajarZavalani, Petro Marko, Krist Maloku, Jorgji Meksi, Gafur Como, ManushPeshkëpia, Gjergj Fisha, Anton Harapi, Dhimitër Shuteriqi e shumë të tjerë.
Merxhani edhe me këto mediumet e tij, asnjëherë asgjë më tepër nuk synonte sesa: organizimin e popullit shqiptar, ngritjen intelektuale, kulturore e teknologjike e forcimin e vlerave evropiane.
Ai ishte një prej mësuesve më të mëdhaj të kohës.
Ai jep shembuj mjaft të mirë se çfarë është të qenit: evropian. Evropianizimi i vendit, qëllim nuk e ka të thirrurit në evropian vetëm për hir të emrit, por për pikat e vetme të nevojshme që i duhen një vendi të bëhet evropian, siç: teknologjia, institucionet qeveritare, modelet e organizimit të shoqërisë e mbi të gjitha shkencën. E gjitha kjo bëhet për ta ruajtur kulturën vendore, sepse në një terren nuk janë të përshtatshme muret e evropianizimit nëse themeli i kulturës vendase është i pabërë. Vendet pa kulturë kanë rrezik të zhbëhen. Jo sepse ata prej atyre vendeve – populli, e do këtë, por ata, mrekullisht e thonë që brenda tyre fshihet ideali! Tek ata është: gjuha, morali, ligji. Gjithçka! Ata janë vetë themeli i vendit, të cilit i nevojitet muret e shkencës për të u evropianizuar.
“Ne s’jemi aspak në një mendje me ata që pandehin se duhet të marin udhën që na shpie te populli me qëllim që t’i shpiem kulturën. Jo! Një kulturë s’mund të gjëndetmbrënda në një ASGJË. Kulturën e ka vetë populli. Detyra jonë është që të përpiqemi të sbulojmë këtë kulturë nga thellësia e shpirtit të popullit, t’açfaqim dhe t’i japim formë e frymë. … Kulturën e ka populli. Të diturit kanë vetëm QYTETËRIMIN.” (Demokratia, 23 Korrik 1932 – Populli dhe intelektualët).Përkundër, sot, neve na thyen themelet, për të ndërtuar mure kinse evropiane, për shkak se këto mure nuk mund të durojnë dot shqiptarizmin dhe se rruga nga kanë kaluar tashmë vendet evropiane ishte tjetër kohë dhe ne jemi vegël e eksperimentit.

A nuk ishte kjo kultura e De Radës me Milosaon që na e mësoi se dashuria nuk është e lidhur pas klasave shoqëre, e, se edhe Milosao djali bujar, por edhe bija e Kollogresë, familje së varfër mund të martoheshin?
Ose Naim Frashëri, për ngritjen e moralit se pavarësisht varfërisë së madhe, e mjerimit të Shqipërisë, prap malet tona do jenë të bukura, apo lirika e Çajupit, a “Vaji i Bylbylit” i Mjedës, ose ndoshta vargjet rrënqethëse të himnit tonë nga Asdreni.
Ne krenoheshim me Rilindasit tanë njësoj sikur francezët me Honoré de Balzac, a anglezët me Charles Dickens!

Ishte kjo koha kur ne po u organizoheshim për t’u rishpallur si objekt i kohës. Nuk u mjaftuam më që të jemi vetëm një copë dheu që laget nga deti. Prandaj, tani shqiptarizmakrijoi: Fishtën që na tregonte se si OsoKuka e djegu gjithë kasollen e tij vetëm që të mos binde në duart e cubave, Nolin, kryeministrin e përkrahur nga Luigj Gurakuqi e StavroVinjau ku rrëzuan pushtetin fashist, pastaj Poradecin poetin e dashurisë, pëlqyesin e fjalëve arkaike, shprehive popullore, por aq edhe i atyre moderneve; botuesin në revistën e Merxhanit – “Përpjekja shqiptare”. Stërmillin e “Sikur t’isha djalë”, demokratin e kryengritësin ndaj shovenizmit serbë, e i burgosur politik. Spassen e “Pse?” e të “Afërditës…” etj.
A nuk u mjaftuam me themelin e shqiptarizmës, apo të përfundojmë në atë traditën e mos pasjes traditë, siç thot Merxhani: “Në qoftë se çdo komb duhet të ketë edhe nga një traditë, aherw duhet t’u japim të drejtë disa Kombeve që ta pranojnë si një traditë mospasjen e traditave…” (Demokratia, 29 Korrik 1933 – Tradita dhe Historia), e unë besoj shumë që ne kemi më shumë për t’i dëshmuar së pari vetes, e pastaj edhe evropianizimit që: tradita e kulturë kemi, ne kemi nevojë vetëm për marrëdhënie praktike e lëvizje mendore. Ku gjithashtu edhe dijetari i madh Zija Gëkalp në lidhje me këtë diskutim na thotë: “Qysh tani e tutje ai (mendimtari shoqëror) duhet të dëgjojë kombin i cili i thotë “idealet s’janë tjetër veçse tendencat e mia; vlerat s’janë tjetër veçse ndjenjat e mia; gjuha, morali, ligji, shkurt gjithshka është tek unë; mos u përpiq t’i shpikësh vetë, por përpiqu t’i zbulosh ato tek unë. Përparim do të thotë të shkosh më thellë brenda meje. Unë jam ndërgjegjja jote dhe ti je ndërgjegjja ime. Më kërko mua që unë të të zbulohem, ty” (Gökalp, 1950: 165). Por, përpos kësaj e më shumë se kjo: ne nuk mjaftojmë të jemi vetëm tradita e kultura, por ne jemi ndjenja e vetës sonë si tërësi kombëtare, sepse në momentin që ne – Kombi nisim të ndjejmë e ta drejtojmë vetëm atëherë marrim në duart tona fatin tonë, vetëm fal ndërgjegjes së lartë e fryma kritike e mendjes sonë vjen si çlirim i skllavëruar i instinkteve të tij.

Ai, gjatë kohës që po qëndronte në Shqipëri dhe po punonte në revistat e tij, më saktë në “Përpjekja Shqiptare” në vitin 1937 shkruan një artikull në 3 numra rresht të revistës (4-5-6) për temën: Pse nuk jam marksist?
Ky shkrim me gjasë erdhi nga kërkesa e Ministrit të Punëve të Brendshme te Zogut I, për shkak se revista e tij do të rrezikohej të botohej më pas.
Merxhani beson se marksizmi nuk mund të zbatohet në Shqipëri, për shkak të kushteve shoqërore të asaj kohe: shqiptarët e duan tokën ku prehen eshtrat e stërgjyshërve të tyre. Kjo fjali është ajo që e ndalon internacionalen. Botën e të gjithëve, por nga asnjëri e, e asnjërit.
Mbi të gjitha, e ndër të tjera, kombi është ajo që vihet në pah më së shumti. Se kombi është më i madh sesa individi. Madje, edhe kur vetë kombi rrezikohet, individët nuk mund ta shpëtojnë. Kombi bëhet shpëtimtari i vetes. Kombi është ftesa unitare rreth idealit tonë të përbashkët e ku është Ai vetë, të gjithë rreth traditës sonë, kolektivisht për të përgjithshmen, për idealin tonë hyjnorë, për kombin dhe jo vetëm për të, por për në tërësi shoqërinë ani nëse nuk është brenda kombit tonë. Kombi është arsyeja që momentin kur ai thërret të gjithë i përgjigjemi. Dikush më shumë e dikush më pak, por e ndjejmë që ai është ideja jonë universale që e mbledhë të gjithë njësinë tonë partikulare. Universale ne, nuk e kemi vetëm njeriun, ne universalen e bijmë edhe më këtej tek shqiptarizma, pastaj partikularja na ndanë nga e përgjithshmja dhe na bë: shqiptari, e pastaj individualiteti: se kush jemi ne. E kjo nuk është që do duhet të mendojmë si reaksionar, por ne duhet të besojmë, kur themi që pavarësisht ndodhive baza jonë përherë është e pandryshueshme, atëherë ne themi: kur kombi na thërret, ne i përgjigjemi edhe nëse nuk është ftesa vetëm për, për shkak se kombi ynë në traditë dhe në kulturë e ka dhurimin e gjithçka sonës bile edhe vetë vetës sonë për tjetrin.
Kultura është kombëtare, kurse qytetërimi ndërkombëtar. Mund të ju themi që janë identike sepse të dyja bazë e kanë: kombëtare; pavarësisht që njëra është më gjithëpërfshirëse e ku pikërisht janë disa mjete të përbashkëta që i kanë disa kombe e ku të gjitha këto janë prodhime të ndërgjegjme të njerëzve, në krahasim me kulturën që është produkt i shoqërisë. Kjo na nxjerrë mësimin: përherë të përkrahim një kulturë të shëndoshë sesa një qytetërim të dobët, për shkak se çdo shoqëri me qytetërim të fortë e me kulturë të dobët, përherë do të mposhtet nga një shoqëri tjetër me kulturë të fortë e me qytetërim të dobët. Shoqëritë që kanë besim në vetën e tyre rrjedhimisht në kulturën e tyre janë në gjendje të bëjnë jetën e tyre në çdo vend, në kundërshtim me ata që janë të sofistikuar në qytetërim, por nuk kanë më ndjenjë solidariteti atëherë kjo i bën ata që të pushtohen, derisa edhe ata të parët të korruptohen nga jeta urbane e po edhe ata të pushtohen nga dikush tjetër që ka kulturë më të fortë se këta.

Please follow and like us: