Turqia fillon përgatitjet e teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe
Rektori i Universitetit të Thrakisë, Erhan Tabakoğlu, thotë se janë krenarë që ata marrin pjesë në një detyrë të tillë
Anadolu Agency (AA)
Në Universitetin e Thrakisë në Edrene të Turqisë ka filluar përgatitja e përmbajtjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të futen si lëndë zgjedhore në shkollat e Turqisë.
Planprogrami mësimor i cili përfshin gjuhët shqipe dhe boshnjake, i përgatitur sipas protokollit të nënshkruar në vitin 2016 mes Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Universitetit të Thrakisë, ishte pranuar javën e kaluar nga Këshilli Turk i Arsimit dhe Disiplinës.
Pas vendimit, ekspertë akademikë nga Departamenti i Gjuhëve dhe Letërsisë Ballkanike pranë Fakultetit të Letërsisë pranë Universitetit të Thrakisë, ka filluar me përgatitjen e përmbajtjes së teksteve shkollore për dy gjuhët.
Profesorë të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake pranë fakultetit janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e teksteve pas miratimit të planprogramit të përgatitur.
Rektori i Universitetit të Thrakisë, Prof Dr. Erhan Tabakoğlu, duke folur për AA, rikujtoi se në kuadër të protokollit të nënshkruar vitin e kaluar me Ministrinë e Arsimit, detyra për përgatitjen e materialeve arsimore për gjuhët shqipe dhe boshnjake i ishte dhënë Universitetit të Thrakisë.
“Duke i mësuar, brezi i ri do t’i kuptojë më së miri gjuhët për të cilat ndiejmë dashuri”
Tabakoğlu thotë se janë krenar që Universiteti i Thrakisë merr pjesë në një detyrë të tillë.
“Marrëdhëniet tona me Ballkanin vazhdojnë në mënyrë intensive dhe të ngrohtë. Secilit që i tregojmë, e pranon këtë fakt me kënaqësi.
Ky lajm është pritur me gëzim të madh si në Shqipëri, dhe vendet ku flitet gjuha boshnjake. Edhe ata thonë të fusin gjuhën turke. Gjithsesi, ne jemi komunitete farefisnore.
Kemi histori dhe kulturë të përbashkët. Edhe kjo afërsi në aspektin gjuhësor do të jetë tregues i afërsisë sonë edhe në shumë aspekte të tjera.
Mësimi i gjuhës shqipe dhe boshnjake në Turqi do të mundësojë që ata që mësojnë këto gjuhë ta kujtojnë Ballkanin dhe vendet ku fliten këto gjuhë.
Po ashtu, hapet mundësia që personat e arsimuar që flasin shqipen dhe boshnjakishten të punojnë si mësimdhënës në Turqi”, tha Tabakoğlu, duke e ritheksuar gëzimin për, siç thotë, këtë marrëdhënie emocionale dhe kulturore.
Po ashtu, Tabakoğlu tha se edhe në Turqi do të mirëpritet fakti që gjuha dhe kultura shqipe dhe boshnjake vazhdojnë të jenë të pranishme në këto troje.
Kjo gjendje, sipas tij, do ta nxisë edhe dëshirën për mësimin e gjuhës turke në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Tabakoğlu është i mendimit se këto lëndë do të avancojnë bashkëpunimin dhe vëllazërinë. “Duke i mësuar, brezi i ri do t’i njohë më së miri trojet dhe gjuhët për të cilat ndiejmë dashuri.
Kjo, nga ana tjetër, do të mundësojë ngritjen e marrëdhënieve tona në nivel më të lartë”, thekson Tabakoğlu.
Vitin e ardhshëm, klasat e pesta do të fillojnë me mësimin e shqipes dhe boshnjakishtes
Asistent Doc. Dr. Şahin Kılıç, kryetar i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Boshnjake në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Thrakisë, njoftoi se lënda e gjuhës shqipe dhe ajo e gjuhës boshnjake do të mësohen për klasat 5,6,7 dhe 8.
“Në vitin akademik 2017-2018 klasat e pesta do të fillojnë me mësimin e gjuhës shqipe dhe boshnjake.
Ekipi ynë po vazhdon me përgatitjen e tekstit shkollor për klasën e pestë”, njofton Kılıç, duke shtuar se ky është një zhvillim i mirë për ta dhe shqiptarët dhe boshnjakët, siç i quan, miq të Turqisë.
Kılıç shpreh besimin se këto lëndë në të ardhmen do të japin kontribute të mëdha për rritjen e komunikimit me Ballkanin.
Ndërkaq, Esin Ömer, anëtare e stafit akademike në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, thotë se pas përfundimit të teksteve shkollore, do të marrin mbështetje edhe nga Fakulteti Pedagogjik në aspektin teknik dhe nga fakulteti i arteve të bukura për vizatimet dhe ngjyrimet në tekste.
Edhe Cüneyt Nur, anëtar i stafit akademik në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Bosnjake, thekson se tekstet në fjalë do të përbëhen nga pjesë për lexim, të cilat, sipas tij, do të jenë të dobishme për ta zhvilluar komunikimin e përditshëm si dhe pjesë në lidhje me sintaksën dhe morfologjinë, duke marrë parasysh edhe aspektin kulturor.