Albspirit

Media/News/Publishing

Autokratët mbështesin njëri-tjetrin 

Situata e të drejtave themelore në Hungari, vazhdon të jetë një fenomen shqetësues për Bashkimin Evropian. Këtë javë (27.02) Komisioni i Lirive Civile në Parlamentin Evropian, do të diskutonte sërish mbi këtë temë. Çështjet e ngritura preknin jo vetëm shkeljet e të drejtave të njeriut, në lidhje me propozimet ligjore për burgosje automatike të të gjithë azilkërkuesve, por ato lidheshin edhe me pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe pluralizmin e medias, si edhe me sulmet e vazhdueshme qeveritare ndaj shoqërisë civile.

Por, Hungaria nuk është vendi i vetëm që shqetëson prej kohësh Unionin. Polonia dhe qeveria e saj ultra-konservatore, që prej ardhjes në pushtet në tetor të vitit 2015, vazhdon të mos respektojë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës. Kriza kushtetuese është thelluar dhe për herë të parë (janar 2016) Komisioni Evropian do të niste procesin e dialogut të strukturuar, duke i dhënë vazhdimisht kohë Polonisë të zbatonte rekomandimet, për të dalë nga kriza. Pavarësisht kokëfortësisë së autoriteteve polake për të mos lëvizur nga pozicioni i tyre, duke i konsideruar rekomandimet e Komisionit të bazuara në “pretendime të pavërteta”, Komisioni do t’i jepte në dhjetor 2016 edhe dy muaj të tjerë kohë për të adresuar zgjidhjen e përkeqësimit të sundimit të ligjit në vend. Por, asgjë nuk ndryshoi. Autoritetet polake sërish nuk pranojnë të tërhiqen nga pozicioni i tyre dhe nëpërmjet deklaratës së ministrisë së Punëve të Jashtme (20.02) i rikujtojnë Komisionit ndër të tjera “…parimet e objektivitetit, respekt për sovranitetin dhe identitetin kombëtar”…dhe se “Komentet e fundit të zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian Frans Timmermans, ku ai i bën thirrje vendeve të tjera anëtare të formojnë një front të përbashkët me Komisionin Evropian, kundër Polonisë janë një dhunim flagrant i këtyre parimeve.”

Qeveria polake teksa ka shtrirë kontrollin mbi gjyqësorin në vend, sistemin mediatik dhe ka thelluar krizën e shtetit të së drejtës, i koncepton prej kohësh rekomandimet e Brukselit, si të gabuara dhe të padrejta. Partia për Ligj dhe Drejtësi edhe pse mori pushtetin vetëm dy vite më parë, i mungon eksperienca qeverisëse, një element i nevojshëm për të kuptuar ku qëndron kufiri, mes pushtetit që të jep vota qytetare dhe kornizës së shtetit të së drejtës, mes ambicieve dhe egos që të dikton kolltuku i pushtetit dhe logjikës për të qeverisur në të mirën e qytetarëve. Mbushja e rrugëve të Varshavës me qytetarë të revoltuar mbi frymën e ligjeve, që autoritetet kërkonin të miratonin, janë kambana që paralajmërojnë shkeljen e këtij kufiri.

Por, edhe kur kjo eksperiencë mungon, ajo duhet të ekuilibrohet me forcën e urtësisë, të logjikës dhe të dijes. Për sa kohë, këto elementë të nevojshëm nuk do të udhëheqin logjikën qeverisëse, autoritetet polake do ta kenë të pashmangshme ekspozimin e një kompleksi inferioriteti, që mbartet nga historia traumatike kombëtare e një vendi, me kapërcimet e tij drastike, nga një Union madhështor dhe i suksesshëm prej dyqind vjetësh me Lituaninë (1569-1795), në fshirjen e plotë të Polonisë, nga harta evropiane prej afro dy shekujsh (1796-1918) teksa u nda mes Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Prusisë, në një konventë trepalëshe ku theksohej nevoja që “të shfuqizohej gjithçka që mund të sillte ndër mend ekzistencën e mbretërisë së Polonisë.” Dhe kjo në momente të rëndësishme historike, teksa në Evropën e shekullit këtyre shekujve, po formoheshin shtetet-kombe.

E një Polonie shumë të ndjeshme dhe në rivalitet të përhershëm me Rusinë, për marrjen e territoreve që shkonin nga Skandinavia në Detin e Zi, dhe më pas e dominuar prej saj, në thuajse gjysmë shekulli të epokës komuniste. Ndjeshmëri, që mbart të njëjtat doza edhe ndaj Gjermanisë. Është ky kompleks i mbartur historik, që e pozicionon Poloninë të luhatur, mes dëshirës për të qenë aktor i rëndësishëm në BE, por që gjeografikisht është e pozicionuar në periferinë e tij; mes vullnetit për të pasur një zë të rëndësishëm në politikat e një Unioni, por që ky Union që prej themelimit të tij, është qartësisht i dominuar nga aksi gjermano-francez.

Në një qerthull kompleksesh inferioriteti, që kërkojnë mençuri dhe maturi për t’u administruar, Polonia po shkon drejt një përplasje me Brukselin. Në situatën e krijuar dhe duke u shteruar të gjithë etapat e një dialogu konstruktiv, e vetmja alternativë ka ngelur mundësia për të aktivizuar Nenin 7 të traktatit të BE-së, që parashikon heqjen e të drejtës së votës në Këshillin Evropian. Vlen të rikujtohet se, mekanizmi ndëshkues nën Nenin 7, u fut me Traktatin e Amsterdamit. Pra, para zgjerimit drejt vendeve të ish-kampit komunist, dhe nën idenë se funksionimi i demokracisë në këto vende mund të shfaqej problematik dhe se ekzistenca e këtij mekanizmi do të lejonte një lloj presioni, për futje brenda kornizës të funksionimit të shtetit ligjor. Por, dhe ky mekanizëm nuk është i thjeshtë për t’u aktivizuar. Forcat populiste kanë zgjeruar terrenin e tyre dhe shërbejnë si shtylla mbështetje ndaj njëra-tjetrës, duke bllokuar korrigjime të mundshme në nivel evropian, siç është rasti i mbështetjes së Hungarisë të Viktor Orbanit ndaj Polonisë. Këto arsye shkaktojnë frenim në aktivizimin e procedurave ndëshkuese ndaj qeverive që rrisin autoritarizmin, pasi bllokimi i procesit (votim unanim) do të ekspozojë dobësinë e radhës në Bashkimin Evropian, do të ulë besueshmërinë e fuqisë së tij dhe mund të keqinterpretohet nga retorika populiste e vendeve përkatëse si ndëshkim ndaj qytetarëve dhe jo ndaj politikave të tyre.

Gjithsesi, Brukseli duket se po përpiqet të gjejë një mënyrë, për të bërë të mundur reagimin dhe reflektimin e Polonisë. Dhe hapësirat nuk mungojnë, pasi mekanizmat janë të gjerë dhe vullneti për të qëndruar në shinat e shtetit të së drejtës, është i padiskutueshëm.

Shqetësim më i gjerë

Në fakt, situata në tërësi, në një sërë vendesh të rëndësishme të BE-së shfaqet shqetësuese, sipas raportit të fundit vjetor të Amnesty International (AI). Viti 2016 ka qenë viti i dominimit të lëvizjeve dhe forcave populiste. Në të gjithë rajonin, përgjegjësit politikë, sipas AI, kanë kërkuar të lundrojnë mbi ndjesinë e përgjithshme të pasigurisë dhe të mungesës së afeksionit, duke denoncuar elitat politike, Bashkimin Evropian, imigracionin, mediat progresiste, myslimanët, të huajt, globalizimin apo barazinë gjinore. Në vende si Hungaria dhe Polonia, ata kanë arritur shumicën e objektivave të tyre. Gjetkë, më në Perëndim, i kanë detyruar partitë në pushtet, të anojnë nga orientimet e tyre. Situatë, që sipas AI, ka shkaktuar dobësimin e shtetit të së drejtës në të gjithë nivelet dhe një erozion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët.

Me përjashtim të Gjermanisë, roli i së cilës vlerësohet nga AI si, “reagimi i vetëm konstruktiv qeveritar ndaj krizës së refugjatëve në Evropë”, vendet e tjera figurojnë me shtrëngesa të legjislacioneve të tyre në fushën e azilit, ku ndër to spikasin vendet nordike, si Finlanda, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia. Masat më drastike janë ndërmarrë nga vendet që sipas AI-së, gjenden më afër kufirit të jashtëm të BE-së. Por, në Hungari degradimi i sistemit të azilit ngelet më spektakolari, me kthime të refugjatëve dhe burgosje të paligjshme të tyre, ndërkohë që qeveria shpenzonte miliona euro në një fushatë ksenofobie në mbështetje të referendumit për të refuzuar programin evropian të rishpërndarjes. Nga ku kemi edhe nisjen e një procedure nga Komisioni Evropian për shkelje dhe cenime të shumëfishta ndaj legjislacionit evropian dhe atij ndërkombëtar në fushën e së drejtës së azilit.

Shumë vende evropiane, sipas AI, kanë njohur rritje të krimeve të urrejtjes kundër të huajve, myslimanëve dhe azilkërkuesve. Në Britaninë e Madhe, këto krime janë rritur me 14% në tre muajt që pasuan zhvillimin e referendumit për dalje nga BE, në raport me një vit me parë. Aktet e ksenofobisë në Bullgari, janë vëzhguar me pasivitet nga autoritetet shtetërore, dhe disa prej tyre kanë bërë pjesë të fjalorit të tyre politik fjalime diskriminuese dhe ksenofobe. Patrullat vullnetare kufitare, rigruponin dhe mbanin të burgosur migrantët, që kërkonin të kalonin kufirin, duke ia dorëzuar më pas autoriteteve policore. Ndërsa Republika Çeke dhe Sllovakia, spikasin në raportin e AI-së, mbi historitë që kanë ekspozuar në kohë, praktikat e paligjshme të sterilizimit të grave rome, pa dijeninë e tyre, nga autoritetet shtetërore. Në Çeki, Komiteti për eliminimin e diskriminimit ndaj grave, ka rekomanduar vënien në jetë të një mekanizmi dëmshpërblimi për gratë rome, viktima të sterilizimit me forcë. Ai ka rekomanduar gjithashtu caktimin e një organizmi të pavarur, i ngarkuar të hetojë madhësinë e pasojave të këtij sterilizimi të sforcuar. Në fundi të vitit 2016, sipas AI-së, qeveria nuk kishte marrë ende masa për të ndjekur rekomandimet e sugjeruara. Migrantët dhe azilkërkuesit burgosen sistematikisht në Republikën Çeke. E njëjta situatë pasqyrohet edhe në Sllovaki, sidomos në lidhje me vonesat shtetërore në gjykimin e çështjeve të sterilizimeve të detyruara, pa dijeninë e pacientit dhe dëmshpërblimeve përkatëse.

Vlen të theksohet se që me nisjen e krizës së refugjatëve, Evropa do të fillonte rrëshqitjen graduale drejt përkeqësimit të të drejtave të njeriut. Do të ishte Raporti i Këshillit të Evropës  (2014) që do t’i binte për herë të parë kambanës së alarmit duke deklaruar se, Evropa ka hyrë në krizën më të rëndë të të drejtave të njeriut, që prej Luftës së Ftohtë. Një raport alarmues, që do të theksonte se, dhunime serioze që përfshijnë korrupsionin, mosndëshkimin, racizmin, fjalimet e urrejtjes dhe diskriminimit janë në rritje në të gjithë kontinentin. Duke i bërë thirrje të gjithë vendeve anëtare të angazhohen tërësisht për të zbatuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventat e tjera, në mënyrë që të parandalohet erozioni i mëtejshëm i të drejtave themelore në Bashkimin Evropian.

Please follow and like us: