Albspirit

Media/News/Publishing

Kush i fut në sherr zotërit e Ballkanit?

Në kohë paqeje dhe lufte, Shqipëria dhe Maqedonia, e bashkë me ta dhe Bullgaria, janë realisht llozi i një dere tokësore, që hapet dhe mbyllet ashtu si hapet dhe mbyllet ngushtica e famshme e Bosforit

Ilirët, epirotët dhe maqedonasit-thotë Straboni diku- janë kushërinj  të parë. Grekët i quanin barbarë, prandaj nuk e qasën Aleksandrin e Madh në lojërat olimpike. Nuk e dëshmonte dot që ishte grek tamam…

Kushërinjtë e parë janë futur në sherr vërtet. A janë realisht shqiptarët dhe maqedonasit e sotëm ata për të cilët flet Straboni?

Kaq larg nuk mund të vemë në kohë, por një gjëje tjetër mund t’i afrohemi ca. Kjo është gjeopolitika që nuk ndryshon thuajse kurrë. Otto von Bismarku thoshte thjesht: Kush zotëron Maqedoninë, zotëron Ballkanin dhe, rrjedhimisht, Evropën. Napoleoni i madh  shkruante ditën e pushtimit të saj se ishte dita më e gëzuar e jetës së tij.

Shprehje historike apo të lidhura me gjeopolitikë… Një gjë dihet me siguri të plotë. Gjeopolitika ruse, që nga koha e formimimit të saj, e quante Stambollin Cargrad, apo qytet i Carit. Ndan Lindjen me Perëndimin dhe për këtë arsye është për rusët, por dhe për të tjerë, një nga qendrat më të rëndësishme të botës. Për t’iu afruar atij në det dikur, nuk të linte Anglia, se ndryshte do të humbiste monopolin mbi të dhe mbi vetë botën. Duhej afruar nëpërmjet tokës drejt Stambollit. Bullgaria dukej më afër, por Austria u kujdes ta mbante larg Rusinë nga ajo.

Dhe mbetej t’i vinin nga një drejtim tjetër, nga ajo që e quajmë Maqedoni sot, apo dhe pak më tutje, ajo që quhet Shqipëri.

Duket përrallë gjeopolitike koha kur perëndimi bëhej bashkë me Turqinë për ta mbajtur sa më larg Ariun rus. Beteja e njohur e Sevastopolit duket po larg, e ndoshta do të ishte harruar nga pak nëse ngjarjet nuk do të ripërsëriteshin, shumë pak kohë më parë. Evropa nuk ngriti armët kësaj radhe kundër Rusisë si dikur, por sanksionet e saj, si dhe të Amerikës, janë plotësisht në fuqi.

Lavrovi vrapon andej-këndej si paraardhësit e dikurshëm, për të plotësuar ëndrrën e vjetër. Sevastopoli është prapë i Rusisë. Bullgaria jo, por mund të rrëshqasë dhe Maqedonia njëherë e mirë. E kjo po duket në zgjedhjet e fundit, ku bashkë me Zajevin, fillon e humbet një dominim rus…

Lavrovi ankohet për platformën që mban erë Tiranë e që kërkon të dominojë Maqedoninë…

Duket se ka nisur një sherr, që dhe nëse nuk e quajmë-si thotë Straboni-të kushërinjve të parë, është sherri i atyre që, pavarësisht si mendojnë shumë të tjerë,  janë realisht zotër të Ballkanit.

A po futemi përsëri me ketë arsyetim në kufijtë e përrallave gjeopolitike, apo në Tiranë dhe Shkup duhet t’i thërrasin mendjes, për të kuptuar se pikërisht këto dy vende të vogla, për shkak të pozicionit gjeostrategjik, janë realisht zotër të mëdhenj?

Nëse e sheh pozicionin e Maqedonisë, duket qartë se ajo është një qendër ku kryqëzohen dy korridore, ai me numër 8 dhe ai që dikur quhej 10 dhe që vinte nga Evropa qendrore, për të lidhur perëndimin me lindjen. Po prej kësaj qendre që quhet Shkup, mund të shkosh edhe në drejtim të Ukrahinës apo Rusisë. Është një pozicion ideal për një vend të vogël.

Nëse heq një vijë të drejtë nga Shqipëria drejt Stambollit nëpërmjet Korridorit 8, shkon drejpërdrejt në Shkup dhe pastaj Stamboll. E më tutje, në atë që Kina do ta ripërtërijë me emrin e vjetër, Rruga e mëndafshit.

Po nëse Shqipëria nuk e ka pozicionin qendror si të Maqedonisë, ajo ka pikën e hyrjes më të mirë se të saj dhe më të mirë se të gjithë të tjerëve në Ballkan. Bash për këtë quhet Porta hyrëse e Adriatikut. Dhe në këtë pikë hyrëse gjendet dhe Vlora, apo ajo që Plutarku i vjetër e quante portin më të madh të antiktetit.

Në kohë paqeje dhe lufte, Shqipëria dhe Maqedonia, e bashkë me ta dhe Bullgaria, janë realisht llozi i një dere tokësore, që hapet dhe mbyllet ashtu si hapet dhe mbyllet ngushtica e famshme e Bosforit.

A zëvendësohet dot Vlora, e bashkë me të edhe korridori i 8-të?

Grekët e bënë të parët këtë provë me Egnatian e re, por pa ndonjë dobi të madhe. Porti i vogël i Igumenicës, ashtu si dhe portet e mëdha të Greqisë, nuk e luajnë dot rolin kolosal të Vlorës. Nuk të lë natyra ishullore e këtij vendi për të luajtur me vaporë të mëdhenj, pale të themi transoqeanikë. Një llogari e thjeshtë, po të shohësh distancat, të tregon se edhe vetë Greqisë së veriut i del llogaria për të kaluar nëpërmjet Vlorës se nëpërmjet Selanikut. Dhe, po ashtu, thuajse të gjithë Ballkanit…

Është qartësisht e thjeshtë çfarë duhet bërë. Boris Trajkovski ish-presidenti maqedonas, e përmblidhte dikur këtë  dilemë me një fjali të vetme.

Ditën që do të ndërtohet korridorri 8, nuk ka për të pasur kurrë ndonjë sherr midis maqedonasve dhe shqiptarve.

Po a e kemi? Jo vetëm korridor 8 nuk kemi, po as pesë kilometër hekurudhë që lidh dy vendet nuk i bëjmë dot prej tridhjetë vjetësh. Është vërtet një mallkim i madh, apo maskarallëk i madh?

Po kjo është ende pak për t’u quajtur fatkeqësi. Ndërsa maqedonasit po vijnë me autostradë drejt Qafës së Thanës, ne po ikim në drejtim të paditur. Duhen shumë para thoni? Llogaritjet me dorë të lirë tregojnë se duhen jo më shumë se 100 milionë euro nga Elbasani për të bërë një rrugë të tipit autostradë për t’u lidhur me Maqedoninë.

Ku është? Pyetni Nanon dhe Berishën e parë, a të dytë, se ku e kanë… Unë do filloj të pyes Ramën që po kërkon t’i vijë anës këtij projekti nëpërmjet Rrugës së Arbërit. E po mirë, të paktën ta bëjë, megjithëse kushton nja tri herë më shumë se projekti që thamë më sipër.

Zotërit realë të Ballkanit janë realisht dy më të vegjlit e tij. Shqiptarët dhe Maqedonasit kanë pozicionin më të mirë që u ka falur perëndia. Lërini budallenjtë këtej e andej të shohin ëndrra me shkatërrimin e Maqedonisë. Shkatërrimi i saj është edhe shkatërrimi i Shqipërisë. Ajo ngelet zorrë qorre paskëtaj… Le t’i lëmë të tjerët, nëse e kanë qejf këtë pozicion të zorrës qorre. Në vetë s’kemi pse…

Please follow and like us: