Andi Bushati: Një thikë pas shpine për vettingun
Të hënën pasdite reforma në drejtësi ka marrë ndoshta thikën më të madhe pas shpine që prej kohës kur ka lindur ideja e saj. Në kuvendit e Shqipërisë dy kampet politike kryesore, që shkëlqyen qoftë me prezencën dhe qoftë me mungesën e tyre, treguan edhe njëherë se ata janë të gatshëm ta trajtojnë si një armë në luftën e tyre politike.
Historia e PD-së tashmë dihet. Ajo u akuzua nga kundërshtarët se po e përdorte çadrën para kryeministrisë dhe bojkotin e kuvendit për të bllokuar procesin e vettingut. Se ajo po kërkonte zgjedhje të ndershme dhe të lira vetëm e vetëm për të mos lejuar kontrollin e pasurisë të gjygjtarëve dhe prokurorëve dhe për të ruajtur të korruptuarit e saj brenda sistemit.
Këtë pandehmë, fillimisht pak të besueshme e përforcoi më pas Lulzim Basha, kur pohoi me gojën e tij se PD do e votonte vettingun vetëm pasi të binte Rama, të bëhej qeveria teknike, madje kur të krijohej republika e re dhe kur të rinegocioheshin 7 ligjet e famshme.
Në një gjuhë të thjeshtëzuar, futja nën të njëjtën shportë e kushteve për zgjedhjet e ndershme me ato të vettingut përkthehej kollaj: As kemi ndërmend ta votojmë kurrë.
Dhe të hënë opozita e bëri rrealitet këtë. Ajo vazhdi bojkotin, nuk u paraqit në sallë dhe as denjoi të plotësonte gjysmën e vendeve që i takojnë në komisionet e përbashkëta.
Me vullnet të plotë ajo e la topin në fushën e mazhorancës.
Por edhe dyshja Rama – Meta nuk u treguan më të ndershëm. Të ndodhur në këtë impas ata zgjodhën një rrugë aspak ortodokse për të vazhduar përpara. Një problem të madh ligjior (pamundësinë për të ngritur komisionet pa opozitën), ata vendosën ta zgjidhin me kulisa politike. Ata vendosën të kthejnë edhe njëherë pas tek avokati i popullit, listën e kandidatëve të vettingut me dokumentacion të paplotësuar.
Duke vepruar kështu shumica parlamentare e vënë nën presion po rrezikon ta fusë procesin në një hulli ekstra ligjore. Ajo po merr përsipër të bëjë zgjidhje antikushtetuese duke anashkaluar Presidentin e Republikës i cili duhet të rifillonte procesin dhe duke shtuar afatin prej 7 ditësh që nuk parashihet në asnjë ligj.
Pra nga halli Rama dhe Meta po pranojnë që për të ruajtur procesin ta njollosin atë.
Pikërisht ky fakt e bën edhe më të fortë dilemën: nëse ndokush do një reformë të vërtetë në drejtësi.
PD e ka treguar që në fillim se ajo ka qenë e angazhuar për t’i vënë shkopinj nën rrota spastrimit të kastës aktuale në gjyqësor dhe prokurori. Ndërsa Rilindja dëshmoi edhe njëherë me zgjidhjen e djeshme se asaj më shumë se e drejtë dhe e ndershme i intereson të jetë efikase. Ajo e kërkon vettingun për propagandë, njësoj siç veproi me çadrat e firmave pro tij dhe njësoj si Rama e përdor si retorikë për të trëmbur kundërshtarët e vet.
Kështu vepruan të dyja palët edhe të hënën pasdide, duke qenë paradoksalisht kundërshtarë të thekur, port ë bashkuar në një qëllim, për ta vrarë vettingun e vërtetë. Seanca e mbrëmshme në parlament qe një shkallë më shumë në degradimin e asaj që vazhdon të konsiderohet si reforma e reformave.