Albspirit

Media/News/Publishing

Laskarina Bubulina, kapedania arbëreshë që luftoi për Greqinë e u vra pabesisht nga grekët

Historiani grek, Filimoni shkruante kështu për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej”. Shkrimtari francez Michele de Grece: Çfarë më tha Bubulina: Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…”

Në muzeun Zhan D’Ark” në Rouen në Francë, krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar, qëndron krenare edhe Laskarina Bubulina. Është arvanitësja që luftoi me trimëri të rradhë për çlirimin e Greqisë dhe që është një ndër gratë më të famshme në histori.

Sot është 8 marsi, dita ndërkombëtare e grave. 27.al, ka zgjedhur të përcjellë për lexuesit historinë e saj.  Studiuesja Rajna Kovaçi ka bërë një përmbledhje të historisë së Laskarina Bubulinës, mbështetur në bibliografi të studiuesve botërorë që kanë hulumtuar jetën e kapedanes arvanitase.

Nga Rajna Kovaçi

Ka një histori të rrallë, arvanitësja –Kapedania, kjo grua e rrallë, me legjendën më të vecantë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Jeta e Bubulinës është një luftë legjendare e jetuar në detet e Greqisë e mesdheut. Shkrimtari francez Michel de Grece përshkruan me vërtetësi betejat historike të Bubulinës të revolucionit grek. Arvanitësja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull sëbashku me shumë emigrant të tjerë shqiptar rreth afër tre shekuj më parë, sic kishin bërë në ishujt e tjerë të Greqisë atje pranë si në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë. Është vërtetë shumë interesant fakti që në muzeun Zhan D’Arka”në Rouen në Francë, krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar qëndron krenare edhe Bubulina jonë.

“Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “ Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë, Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale  dhe sigurisht grekë, të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca  jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…”

Bubulina ka qenë një nga gratë më të shquara ndër pjesëmarrësit që luftuan në revolucionin grek të vitit 1821. Në moshën 17 Bubulina u martua me kapitenin arbëresh të marinës së  Specës-Dhimitër Janozës. Në atë kohë Hidrotët dhe Spicotët ishin në luftë me piratët, që e vështirësonin shumë tregëtinë e tyre në detin mesdhe. Më në fund trimat i thyen piratët por në këtë betejë të ashpër mbeti i vrarë bashkëshorti i Bubulinës.

Pas disa vjetësh Bubulina u martua përsëri me një kapiten shqipëtar, speciotin Dhimitër Bubulina, nga i cili mori mbiemrin dhe u bë e njohur dhe hyri në historinë e njerëzimit. Nga të dyja martesat pati gjashtë fëmijë, tre djem dhe tre vajza. Lufta që vazhdonte kundër piratëve i mori jetën edhe burrit të dytë, ishte viti 1811. Bubulina vuri në shërbim të luftës kundër turqve të gjithë pasurinë që kishte. Kjo zonjë mori pjesë në shumë beteja, si trime dhe burrëneshë e vërtetë si nëpër betejat në tokë ashtu edhe në det. Vetë ajo i udhëhoqi trimat edhe në Greqinë jugore. Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me zgjuarësinë si një stratege e vërtetë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arbëreshë dhe përgatiti anijet,  ajo mori drejtimin e anijes më të madhe, anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj –Janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe çlirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësit e ndoqën, në betejën e fundit ju vra i biri –Jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë, ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar.

Historianët tregonin, se në Tripolicë ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë dhe për çudi ajo çliroi haremet e pashait. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për çlirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe të deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj. Bubulina shkoi kudo, e gjeje mes luftëtarëve si me Kollokotronin.

Shkrimtari i madh rus Gogol-i dhe shumë historianë e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mençuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historjan grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë.

Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit:” … Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…”

Në majin e vitit 1825 vdiq Bubulina, e vranë në Specia tradhëtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek ,Diege Seria, shkruante për humbjen e Bubulinës:” Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave , hekuri i armikut e kishte “respektuar” për tu kushtur lirisë…” Ndërsa Michael Kokinaris thotë kështu për Bubulinën:” Ajo e filloj revolucionin dhe ishte e vetmja grua në histori që ju dha titulli i madh Gruaja e Parë  Admirale  nga Perandori rus…” Kurse italiani Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, por edhe Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë që Bubulina u jepte urdhëra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatatrët arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: ” Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarësisë dhe veprimtarisë të shqiptarëve”theksonte se:” Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…”

Please follow and like us: