Rusia, sfidë për nacionalizmin shqiptar në Ballkan
Kriza ekonomike dhe politike që po përshkon Evropën qysh prej fillimit të viteve 2010, po shoqërohet së fundmi me shenja të dukshme të destabilitetit të rajonit të Ballkanit. Kjo nuk do të thotë se destabiliteti lindi pikërisht pas vitit 2010, për vetë faktin – apo mitin – se Ballkani njihet si “fuçi baruti”. Megjithatë, grindjet politike në Malin e Zi në Tetorin e vitit 2016, u shoqëruan me krizën e trenit serb në Kosovë në Janar të 2017, ndërsa kohët e fundit iu la vendi krizës elektorale dhe ndëretnike në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Që të tre krizat karakterizohen nga dy faktorë të ngjashëm midis tyre. Së pari, ato mbartin probleme ndëretnike dhe së dyti, lidhen me implikimin – apo orientimin e vendeve drejt – Amerikës dhe Bashkimit Evropian nga njëra anë, dhe Rusisë nga ana tjetër.
Për sa i përket krizës në IRJ të Maqedonisë dhe dimensionit të implikimit të Lindjes dhe Perëndimit, “molla e sherrit” lidhet, midis të tjerash, me axhendën e partive shqiptare atje. Pa hyrë në detaje në përmbajtjen apo problematikën e axhendës në fjalë, kjo mund ta orientojë Shkupin zyrtar – të paktën faktorin sllavomaqedonas – drejt aleancës së tij me Moskën, në kuadrin e politikës së kësaj të fundit në rajonin e Ballkanit.
Në fushën e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Randall L. Schweller zhvilloi në vitin 2004 modelin teorik të balancimit. Sipas këtij modeli, lidershipi i një vendi do të rrisë investimet ushtarake të mbrojtjes, ose do të formojë aleancë me një shtet më të fuqishëm në rang rajonal apo ndërkombëtar, në momentin që perceptohet se siguria kombëtare e vendit kërcënohet seriozisht. Edhe pse fragmentarizimi etnik, kulturor, fetar dhe politik i IRJ të Maqedonisë e bën të vështirë balancimin efiçent të krizës aktuale politiko-etnike – e cila, siç u tha më sipër perceptohet si rrezik imediat i “Shqipërisë së Madhe” nga një pjesë e faktorit sllavomaqedonas – preferencat e elitës në fjalë po anojë më shumë drejt Moskës, se sa drejt Uashingtonit apo Brukselit. Dobësimi i Bashkimit Evropian, rritja e nacionalizmit dhe spektrit politik të djathtë në Evropë dhe SHBA, si dhe fërkimet me Greqinë për çështjen e emrit, e dobësojnë akoma më shumë rolin dhe prestigjin e Bashkimit Evropian në IRJ të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, anatemimi i Rusisë nga një pjesë e madhe e faktorit politik dhe mediatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se po e helmojnë optimizmin e presidentit Donald Trump për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta me Moskën. Kjo bën që Lufta e Ftohtë midis Amerikës dhe Rusisë të vazhdojë dhe të dy superfuqitë ta konsiderojnë njëra-tjetrën si “boshtin e së keqes”. Konkurrenca midis dy gjigantëve bëhet akoma më e ashpër për vetë faktin se Rusia e sotme nuk është Rusia e dobët e pas viteve 1990. Hegjemonia amerikane e atyre viteve po i lë vendin një sistemi ndërkombëtar më policentrik, ku dualiteti konfliktual SHBA-Rusi në Evropë shoqërohet me partneritetin ruso-amerikan në Azi përballë Kinës.
Me shumë mundësi, forcimi i Rusisë dhe (ri)shtrirja e influencës së saj në Ballkan do të përbëjë një pengesë serioze ndaj nacionalizmit shqiptar në rajon. Kujtojmë se ky i fundit u përkrah nga Perëndimi pas viteve 1990, ndërsa gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë ndodhte e kundërta. Pa paragjykuar drejtësinë që sjell axhenda shqiptare në lidhje me të drejtat e komunitetit shqiptar në IRJ të Maqedonisë, po shihet se kjo “drejtësi” mbart në vetvete rreziqe të mprehta ndëretnike dhe fërkime midis fuqive të mëdha, si në shtetin në fjalë, ashtu dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit. Moska zyrtare duket se e ka pranuar dorën që Shkupi i ka shtrirë asaj si nevojë për garanci politike.