Dhima u përgjigjet ‘shokëve’ të Akademisë së Shkencave
Prof. dr. Aleksandër Dhima
Të nderuar shokë të Akademisë së Shkencave!
Ju përgëzoj për reagimin e shpejtë dhe “konform” ligjit. Por- për fat të keq- aty s’gjeta asnjë përgjigje për pyetjet e ngritura prej meje në artikullin e botuar te “Panorama” më dt. 8 mars 2017. Vërtet mbeta pa fjalë!
Së pari, meqenëse aty i mëshohet ligjit dhe Statutit të Akademisë së Shkencave, a shkruhet gjëkundi “lejohet lobimi për vendet vakante, të shpallura nga Akademia e Shkencave”? Mua m’u propozua personalisht që të bëj lobim për të fituar! Dhe jam i bindur që është bërë një lobim i pandershëm në rastin konkret. Më tej, meqë jemi te ligji: a shkruhet gjëkundi “lejohet të ushtrohet konflikti i interesit në rastet e përzgjedhjes së kandidatëve brenda institucionit të Akademisë së Shkencave”? Për këtë pyetje nuk jam (sinqerisht) i sigurt, se gjithkush mund të kandidojë për një titull të tillë. Por atëherë, pse brengosem? Sepse kandidati tjetër, prof. Shaban Sinani, është sekretar shkencor i Seksionit që hapi vendin e ri për “Akademik i asociuar” në fushën e Antropologjisë dhe kam argumente se si e ka përdorur ai këtë pozicion për të “bindur” të tjerët për t’i dhënë votën.
Në Përgjigje ju shkruani: “Asambleja e Akademisë së Shkencave, në shpalljen e fushave të konkurrimit, është udhëhequr nga parimi që fushat të jenë gjithëpërfshirëse dhe të lejojnë mundësi të mëdha pjesëmarrjeje… Përfshirja në konkurrim edhe e specialistëve të antropologjisë fizike, edhe e atyre të antropologjisë kulturore, është bërë në respekt të këtyre termave edhe në kuptimin juridik të tyre në shtetin shqiptar”. Këto thënie ngrenë disa hamendje:
- 1. Fusha e konkurrimit ishte përcaktuar qartë: për Antropologji. Kjo fushë e shkencës është në vetvete holistike (gjithëpërfshirëse); por kjo s’do të thotë assesi që “dëshira” juaj për të përfshirë në konkurrimin përkatës edhe profesorë të fushave të tjera jashtë Antropologjisë (p.sh. në studime letrare), të duket e përligjur. Po të kishit konsultuar dosjen time (por ju, me siguri, “s’keni pasur kohë” ta bënit këtë) do të bindeshit se studimet e mia antropologjike janë shumëdimensionale dhe këtë e dëshmojnë më së miri artikujt e botuar dhe dy nga monografitë e mia të mëparshme, por sidomos vepra ime e fundit “Antropologjia etnike e shqiptarëve”, ku të dhënat matëse dhe përshkruese të popullsisë së sotme të vendit dhe ato të periudhave (para)historike ndërthuren organikisht me praktikat kulturore, demografinë historike, impaktin e epidemive masive në “rrjedhjen” gjenike, me përbërjen gjeologjike dhe gushën, me ndërtimin paleodemografik dhe me tiparet epigjenetike në materialin skeletor nga Shqipëria, me prurjen e aleleve të grupeve të gjakut, haptoglobulinave dhe shenjave gishtore në profilin antropologjik sui generis të shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre etj.
- Po e përsëris: nuk jam i sigurt, nëse prof. Sinani ka ndonjë diplomë kualifikimi në Antropologji (siç kam unë disa të tilla). Deri para ca kohësh, unë kisha menduar se ai do të kishte qenë, së paku, bashkëpunëtor shkencor në ish-Institutin e Kulturës Popullore/ sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit pranë Qendrës Albanologjike, por kjo s’më ngjan të jetë e vërtetë. Edhe sikur të ishte ndryshe, pse s’na dëshmon ai arritjet e tij në Antropologjinë Kulturore (meqë kështu pretendohet në Përgjigjen e Akademisë së Shkencave)? Nuk besoj se për këto “arritje” do të shërbenin si argumente bindëse botimi i Kodikëve të Beratit apo punimi i tij mbi Eposin e Kreshnikëve…
- Më habit vërtet “bindja” juaj se përfshirja në konkurrim është bërë në respekt të këtyre termave (antropologji fizike, antropologji metafizike dhe antropologji shpirtërore). Më ndjeni, por nuk jeni fare në brendi të përmbajtjes së këtyre nozologjive. Ndaj, ju këshilloj që, për këtë subjekt, të konsultoni “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (bot. i parë: Tiranë, 1985, f. 30; bot. i dytë: Tiranë, 2008, vëll. I, f. 81). Unë prisja që, me përgjegjësinë që ju ngarkon ligji, të jepnit mendimin tuaj mbi antropologjinë, në përputhje me përcaktimet ndërkombëtare/ profesionale në këtë fushë. Por, me sa duket, kjo ju duket e tepërt! Sa për dijeni, me Antropologji shpirtërore s’merret njeri në Shqipëri (sepse është larg fushës së studimeve shkencore) dhe Antropologjia metafizike është domen i filozofisë, e s’besoj se ndonjëri prej jush, që ka dhënë atë Përgjigje pa emër, merr vesh nga filozofia!
Nëse e kini fjalën për Antropologjinë Kulturore, atëherë po ju them se unë, prej kohësh (së paku prej vitit 2007 e në vazhdim), e kam zhvendosur kahen e studimit antropologjik te kjo lëmi e shkencës antropologjike, duke qenë i bindur se kjo fushë ka perspektivë në rrafshin metodologjik. Këtë e dëshmojnë dy tekstet (pas)universitare: “Hyrje në Antropologjinë Social-Kulturore” dhe “Antropologji e Komunikimit; Qasje në realitetin shqiptar” si dhe 10 artikuj, të botuar në revista shkencore të vendit, mbi probleme të “prerjes” social-kulturore të shqiptarëve. Pse prof. Sinani nuk tregon/ citon ndonjë artikull të këtij profili antropologjik? E habitshme, por ndoshta sepse ai nuk ka botuar ende ndonjë gjë të kësaj natyre…Sa për dijeni të “shtabit drejtues” të Akademisë aktuale të Shkencave: unë jam duke i dhënë “dorën e fundit” një përmbledhjeje/ studimi sintetik mbi këtë drejtim të ri të antropologjisë shqiptare, që- për hir të së vërtetës- e ka iniciuar prof. Albert Doja, tashmë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
- Atëherë, meqë hiqeni si “kompetentë” në përzgjedhje, pse nuk e morët mundimin të tregonit të vërtetën se kush ishte mirëfillti antropolog në përzgjedhje, po iu nënshtruat një “votimi fasadë” (qoftë edhe paraprak) në Seksion? Apo se aty ishin të pranishëm fillimisht vetëm dy albanologë dhe dy të tjerët shkrimtarë? Kush kërkoi me urgjencë të vinte dikush “i zanatit” (në fushën e Gjuhësisë- sic!), të cilin e kishin manipuluar paraprakisht (të më ndjejë personi në fjalë) për interesa jashtëshkencore? Në fund të fundit, kush iu duk “komisionit” në Seksion se kush ishte më pak antropolog se tjetri”? Më duket se këtu, përtej ligjit, duhej të vepronte ndërgjegjja shkencore.
- Së fundi, meqë ju e kini “merakun“ te zbatimi i ligjit (pa pasur formim të mirëfilltë ligjor), do të ishte e këshillueshme që të mos e prekni dokumentacionin e konkurrimit, sepse së shpejti mund të përballeni në Gjykatën Administrative me shkeljet e Statutit tuaj dhe me procedurat “ligjore” që keni ndjekur në përzgjedhjen e kandidatëve; ai është një organ institucional garant, që ju imponon faktin që as edhe ju- anëtarë të një institucioni të pavarur- nuk e keni “pavarësinë”, që aq me dëshirë e mendoni, për të qenë mbi ligjin dhe mbi aktet nënligjore që rrjedhin prej tij.
* * *
Shpresoj në një ndjesë tuaj publike për çka ka ndodhur. Nëse ndërgjegjja akademike nuk ju lejon për të reflektuar, do t’ju kujtoja vetëm një shprehje lapidare të profesorit të ndjerë, Eqrem Çabej, në Kuvendin e parë të Studimeve Ilire: “Shkruani djema për atë që mendoni!” Atëherë, pse prof. Shaban Sinani e paska të vështirë për të justifikuar/ mbrojtur veprat e tij antropologjike në publik? Le të shpresojmë në një përgjigje; në mos, “faji” nuk është vetëm i tij, por i atyre që e “cytën” në një ndërmarrje të tillë të pandershme!