Albspirit

Media/News/Publishing

Shpetim Nazarko: Rama ka dhe gurin edhe arrën në dorë!

Në statusin e tij personal, Rama kishte shkruar sot afërsisht këtë frazë: Qesh mirë kush qesh i fundit! Nëse do të vazhdoje me humorin alla Shvejk dhe të analizoje situatën e Ramës tani, mund të kujtoje një situatë në librin e njohur të Hashekut, ku një nga lojtarët e bixhozit, që donte patjetër të humbiste,  nuk ia dilte dot me asnjë mënyrë, se çfarëdo letre që hidhte në tavolinë prapë fitonte papushim. Kjo situatë m’u kujtua kur pashë sot statusin e mësipërm  të tij. Vërtet e ka aq të thjeshtë situatën Rama sa mund të bëjë shaka të këtij lloji? Apo e ka zënë ai delli i vet prej artisti, sa mund t’i lejojë vetes shaka të këtyre përmasave, kur të tjerët ikanë zënë bulevardin qendror të Tiranës, apo ndryshe, derën nga ku hyn për në zyrë ?

Nga të gjithë komentatorët e sotëm, vetëm një nga ata kritizerët e tij të rreptë, Lubonja, ndryshe nga të tjerët, mendonte se kryeministrin nuk e ka zënë aspak paniku, por është brenda lojës së tij.Të tjerë analistë bënin hesape se largimi i Tahirit është presion apo lëshim ndaj ndërkombëtarëve dhe ndryshimi i një pjese të kabinetit për ta liruar për fushatën e nesërme është mbulim i situatës së vështirë që e ka mbërthyer.

Një prej analistëve thoshte se tani Basha dhe Meta janë më të fortë se Rama dhe këtë të fundit e kanë lënë nervat etj., etj.

Ndoshta nga të paktat herë që mund të bie dakord me analizën e Lubonjës. Mund dhe të bie dakord akoma, se Ramës ia kanë kërkuar largimin e Tahiri të huajt për të kënaqur nga pak opozitën. Po nëse është kështu, atëherë loja politike do të ishte e mbyllur, por kjo do të ishte e vërtetë kur lideri i opozitës do të kishte thirrur fitore pas këtij njoftimi. Kjo nuk ndodhi, përkundrazi ky i fundit u bë akoma më agresiv.

Realisht, vetë besoj se Ramës mund t’ia kenë kërkuar largimin e Tahirit dhe ky i fundit mund dhe ta ketë bërë këtë lëvizje për ta shoqëruar dhe me të tjera ditët në vazhdim. Po a e dobëson realisht pozitën e Ramës një lëvizje e tillë ?

Në vitin e mbrapshtë ‘97, në një situatë analoge, Berisha hoqi Meksin për të larguar presionin, po në fund, ai që iku ishte ai vetë . Situata nuk është e njëjtë dhe për të mos përmendur frazën e Ramës «Qesh mirë kush qesh i fundit», vetë do t’i referohem një shprehjeje popullore «Rama ka dhe gurin dhe arrën në dorë». E ja sepse :

Situata politike

Në të gjithë historinë e pluralizmit, e majta, dhe këtu po themi PS plus LSI, kanë pasur gjthnjë më shumë vota se e djathta. Kjo pozitë, edhe nëse marrim parasysh situatat me piramidat apo kanabisin, nuk ka ndryshuar asnjëherë. Në situatën e tanishme, po t’i shtosh këtij koalicioni dhe PDIU-në, FRD-në apo aleatë të vegjël, që gjithnjë i bashkohen fituesit, kuptohet se, referuar numrave, PD-ja nuk ka asnjë shpresë për fitore. Për mua, kjo arsye, vetingu dhe hesapet që do t’i kërkohen humbësit pas përfundimit të zgjedhjeve, është ajo që e çon PD-në në bulevard dhe nuk e mban në zyrat e saj buzë Lanës.

Ky pozicion për fituesin e zgjedhjeve mund të ndryshonte nëse LSI do të ndahej nga PS dhe do të bashkohej me PD-në. Po dhe ky variant, nëse ndodh, nuk e kënaq PD-në. LSI është bërë po aq e fortë në fshat sa vetë PD e veçanërisht në fshatin tonë pragmatist. Dhe në këtë rast nuk dihet mirë kush do të kishte më shumë vota në rang vendi, PD apo LSI, kur ato të numëroheshin në fund të zgjedhjeve. Varianti që do të kishte shpresë PD do të ishte ai i ndarjes së LSI dhe ajo të konkurronte e vetme. Apo thjesht LSI të hynte në luftë paraprake me PS-në para zgjedhjeve. Ky variant është pritur shpesh nga PD apo analistët afër saj, por nuk ka ndodhur dhe zor të ndodhë dhe tani. Mund të ndodhë, por unë vetë nuk e besoj këtë variant.

Ky skenar me përplasje do t’i kushtonte shumë më tepër LSI-së sesa PS-së. Kjo jo vetëm për shkak se PS ka në rezervë PDIU dhe FRD,por dhe një kartë më të madhe morale. Është partia që ka luftuar më shumë, e veçanërisht në sytë e ndërkombëtarëve, për vetingun.  Nga ana tjetër, në sytë e popullit, me gjithë gabimet e qeverisjes dhe korrupsionin e pastër në disa sektorë, duket qartë se, më në fund pas një çerek shekulli, Rama ka dhënë shenja që po fillon të mbajë era shtet. E thënë shkurt, LSI nuk ka kredenciale të tilla besueshmërie për të justifikuar moralisht ndarjen, apo ikjen me çfarëdolloj teze që do të kërkonte ta maskonte këtë ikje.

Një vëzhguesi të thjeshtë do t’i binte në sy, se megjithëse njeriu që rri në krye të qeverisë ka ndërmarrë reforma, shpesh dhe me kosto, ka prishur mbi dhjetë mijë shtëpi, ka futur njerëz në burg, qoftë edhe për energjinë, ka bërë moratoriume për ndërtime apo për prerje pyjesh a shfrytëzime lumenjsh, etj., etj., dhe prapë pëlqehet, ka një sekret. Duhet të humbte shumë dhe sondazhet ku ai vetë është i fiksuar duhet t’i tregonin realisht rrezikun… Apo ndryshe, do ta kufizonin në lëvizjet politike, qoftë dhe në ato të një ministri të vetëm. Këtë e di edhe Meta, por a mund të lëvizë dot realisht. Siç e thashë edhe më lart, për mua, jo. Natyrisht, është e vërtetë pandehma e disa komentatorëve, po edhe e vetë Metës, që në këtë situatë të komplikuar, qoftë edhe në dukje, të përfitojë sa të mundet në kurriz të koalicionit për zgjedhjet e ardhshme. Po loja mbaron këtu dhe hedhja benzinë zjarrit mund t’i kushtonte atij dhe LSI-së më shumë sesa vetë PD-së.

Në vend të epilogut

Bën këtë manovër me heqje ministrash apo jo, besoj se Rama nuk rrezikon asgjë. E bën për të mbuluar ikjen apo shtrëngimin nga ndërkombëtarët për të larguar Tahirin, kjo prapë nuk e rrezikon.

Këtë arsyetim e kupton fare mirë edhe Basha, prandaj nuk e gëzon aspak kjo manovër e re e Ramës. Në një plan arsyetimi normal, mund të themi edhe kështu. Rama vetë, që ka shumë kohë që po rri në skenë, është rritur në oborrin e kësaj politike të vjetër, herë duke parë e herë duke marrë pjesë në të. Ai e di mirë sa është kosto e rrezikut në manovrat politike apo sa realisht është marzhi i manovrës që mund t’i lejohet.

Në një plan tjetër arsyetimi, më duket se Rama po luan me variantin e fuçisë që Berisha e përdori me sukses për shumë kohë. Kundërshtarët politikë të Ramës, që duhej të merreshin realisht me politikë dhe të analizonin dobësitë e qeverisjes së tij duke i shndërruar në politikë reale për fushatën zgjedhore, bënë tjetër gjë. E kam  shkruar disa herë se kanë zyra të mëdha buzë Lanës, që janë më të mira se çadra e bulevardit. Por të paaftë për të bërë politikë reale  dhe akoma më të paaftë për të propozuar zgjdhje konkrete, kanë gjetur variantin më të keq. Atë të  zgjedhjes që nuk të çon asgjëkundi.

Rama ka realisht edhe gurin edhe arrën. Statusi i tij sot, kështu do kuptuar. A ka gabuar duke futur në lojë cinizmin e tij karakteristik, apo është brenda dellit të tij artistik, që siç e thashë, e zë edhe kur është në situata të vështira,këtë nuk e kuptoj mirë. Por kemi kohë ta shohim…

Please follow and like us: