Albspirit

Media/News/Publishing

“Viktima” e parë e Reformës në Drejtësi, presidenti përjashtohet nga sistemi gjyqësor, shkrihet KLD

Reforma në sistemin e drejtësisë nis me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Ditën e djeshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor i kanë skaduar të gjitha afatet ligjore dhe kjo do të thotë se ai tanimë nuk është funksional. Pavarësisht se politika po tenton të bllokojë procesin, duket se tani gjithë sistemi rrezikohet nga probleme dhe përplasje të forta kompetencash. Por nga sot e në vijim Bujar Nishani nuk mundet që të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë, duke drejtuar KLD.

Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, është ai që dje ka ndërprerë mandatin e KLD. Në nenin 277 pika 1, specifikohet që anëtarët e KLD humbasin mandatin e tyre në momentin që ngrihet Këshilli i Lartë Gjyqësor, mirëpo është vendosur një afat, pasi sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhë më vonë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Nëse kthehemi pak në kohë, Kushtetuta e re, e miratuar më 21 korrik, ka hyrë në fuqi më 11 gusht 2016. Atëherë, 8 muaj nga kjo datë do të thotë se më 11 mars 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të shkrihet.

“Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Mandati i anëtarëve përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese”, thuhet në ligj.

Sipas këtij, përcaktimi sot KLD nuk ka më asnjë funksion dhe kjo do të thotë se reforma në drejtësi ka nisur me Bujar Nishanin dhe anëtarët e tjerë të Këshillit. Por skadimi i afateve para ngritjes së KLGJ duket se do krijojë probleme të shumta. Edhe tani KLD nuk është se kishte ndonjë funksion të rëndësishëm, pasi ligji i hoqi asaj të drejtën për të bërë emërime. E drejta aktuale e KLD ishte vetëm emërimi i magjistratëve në mënyrë të përkohshme.

Please follow and like us: