Albspirit

Media/News/Publishing

Fronti anti-opozitar që shkarkoi Saimir Tahirin

Enton Abilekaj 

U duk si lajm i mire largimi i Saimir Tahirit. Si një mundësi për të filluar dialogun më opozitën duke dhënë diçka nga e tëra. Kështu u pa nga optimistët, si një ndërhyrhe ndërkombëtare për ta hapur Ministrinë e Brendshme si pistë për dialogun që mund t’i jepte fund rrugës së opozitës drejt bojkotit të zgjedhjeve. Mes qeverisë teknike dhe injorimit total, vënia e Ministrisë së zgjedhjeve në funksion të dialogut do të ishte një hap i madh.

Largimi i Tahirit, megjithëse i kamufluar me 3 ministra të tjerë, do të ishte një flijim i domosdoshëm përpara se të niste beteja elektorale. Të dielën në orën 17.00 Edi Rama e shuajti këtë shpresë, i ktheu shqiptarët me këmbë në tokë, u tha se asgjë nuk ka ndryshuar, se konflikti do vazhdojë, se Saimir Tahiri nuk u hoq në funksion të kompromisit dhe se bojkoti i opozitës nuk e shqetëson.

Këtu nuk bëri asnjë gabim, ai nuk kërkoi simpatinë e shqiptarëve, por qetësinë e militantëve. U kumtoi atyre se nuk do të dorëzohet përballë atyre që ata i shohin si armiq dhe se ndryshimet janë thjesht organizative. Argumenti ishte i pagjetur, i tradhëtuar nga 4 ministra të tjerë, që megjithëse janë koordinatorë si 4 kolegët fatkeqë, nuk u shkarkuan nga kryeministri. Por nëse ia arriti të vërë në gjumë militantët, ua prishi gjumin më keq shqiptarëve. Duke mos përmendur interesin publik, por interesin e partisë për ndryshimet në qeveri, duke dhënë mesazhin se nuk është dështimi apo skandalet që i heq ministrat, nuk është nevoja për dialog me opozitën, por thjesht nevoja e partisë.

Por duke mos qenë as ky argument i besueshëm, e vërteta është akoma më e hidhur. Që nga fillimi i protestës së opozitës, Edi Rama nuk mendoi asnjë çast të ulej me Lulzim Bashën për të gjetur zgjidhje, por të kapte Ilir Metën me frikën se i ikte. Darka e famshme mbi çadër ditën e dytë të protestës, ishte vetëm akti më cinik i ditëve të mbushura me premtime dhe negociata mes dy bashkëkryetarëve të interesave partiake. Rama nga njëra anë gabonte duke e fshehur frikën dhe duke injoruar protestën, gabonte me anti-çadrat që mbolli nëpër Shqipëri si një antimiting burracakësh, sepse çdo ditë e më shumë Basha rikuperonte imazhin e vënë në dyshim në radhët e të vetëve dhe unifikonte partinë e përçarë që pas garës së 2013-ës. Jo vetëm Basha fiton çdo ditë.

Meta po i këput nga zyra frutat që mbillen ne bulevard. Frika e Ramës se qeveria teknike mund të bëhet realitet me ikjen e LSI dhe taktika e tij për të dhënë gjithçka pa asnjë princip në momentin që i duhet, e nxorrën aleatin skeptik në avantazh. Marrëveshja u arrit në favor të Metës. Një betejë që kishte filluar në vitin 2015, kur Rama vendosi ta eleminonte aleatin e majtë në funksion të unifikimit të së majtës dhe marrjes së të gjithë pushtetit për vete. Që atëherë Saimir Tahiri i jepte garancitë që ta linconte dhe më pas ta asimilonte Metën dhe LSI-në, ashtu siç ia kërkoi edhe në verën e 2016, kur i siguroi shefit 71 votat më të cilat iu kundërvu tentativës së Metës për të ikur bashkë me qeverinë.

Beteja kishte krijuar një trekëndësh PS-RILINDJE-LSI, ku Tahiri përfaqësonte PS-në. Ishte në avantazh derisa filloi protesta dhe Rama në vend të dialogut zgjodhi reagimin kundër, në vend të një qeverie si mundësi për pajtim me opozitën, një front antiopozitar. Për këtë i duhej të shtrëngonte fort Ilir Metën dhe të sakrifikonte PS-në.

Tahiri u bë viktim e një pakti antiopozitar dhe antidialog, që, në vend ta zbusë, do ta thellohjë krizën politike, që në vend të krijojë premisa për zgjedhjet e lira dhe të kthejë opozitën në zgjedhje, do ta bëjë të pakthyeshëm bojkotin. Duhet të ishte lajmi më i mirë, por ishte lajmi më i keq. Ashtu si marrëveshja e Ramës me Metën, që edhe këtë herë nuk pati objekt qeverisjen por PD dhe sigurisht nuk mund të prodhojë rezultat më të mirë për vendin se marrëveshja e 1 prillit 2013.

Please follow and like us: