Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, shkurtime masive për DASH

Shtëpia e Bardhë paraqiti të enjten propozimin e saj për buxhetin.

Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se ka ndërmend të rritë shpenzimet ushtarake në kurriz të shpenzimeve për Departamentin e Shtetit, të ndihmës për jashtë dhe të kontributit amerikan për organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara.

Disa analistë thonë se shkurtimet mund ta bëjnë më të efektshme diplomacinë amerikane, por të tjerë, duke përfshirë aktivistët e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës e kundërshtojnë shkurtimin e fondeve për Departamentin e Shtetit dhe ndihmën e huaj.

Zyrtarët e shërbimit diplomatik dhe pjestarë të tjerë të stafit në Departamentin e Shtetit dhe në ambasadat amerikane jashtë i prisnin prej kohësh propozimet për shkurtime masive, siç pohon për Zërin e Amerikës eksperti i zhvillimit global George Ingram:

“Shkurtimet ka të ngjarë të jenë diku në masën 30 për qind. Fillimisht, me sa kam dëgjuar, Zyra e Buxhetit kishte propozuar 37 për qind, por Sekretari i Shtetit propozoi të mos bëhej 37 përqind në vitin e parë, por pakësimet të ishin graduale, brenda 3 vjetëve. Prandaj do të shohim rreth 30 për qind shkurtime.”

Grupet e të drejtave të njeriut dhe të ndihmës humanitare thonë se ndikimi mbi refugjatët dhe njerëzit e tjerë në nevojë në mbarë botën do të ishte shkatërrimtar, siç u shpreh Adotei Akwei me Skype për Zërin e Amerikës:

“Organizatat e shoqërisë civile, qeveritë, janë që të gjitha shumë të shqetësuara, jo vetëm për pakësimin apo shkurtimin e fondeve. Ato shqetësohen edhe për boshllëkun që do të krijohej nga mungesa e Shteteve të Bashkuara si partnere, si gjeneratore e novacionit, e krijimtarisë dhe natyrisht si një zë për të drejtat e njeriut.

Por disa analistë thonë se Departamenti i Shtetit është një burokraci e fryrë dhe shkurtimet do t’i bënin mirë, siç komentoi për Zërin e Amerikës ish-diplomati James Robert:

“Mendoj se ka mjaft hapësirë riorganizimi, për ta bërë Departamentin e Shtetit një aktor vërtet më të mirë dhe më të efektshëm si përfaqësues të popullit amerikan; për ta bërë edhe një aktor jashtë vendit, sepse kështu do të thjeshtohen linjat e autoritetit dhe mënyrat e shpenzimit të fondeve. Ato do të shpenzohen më mirë dhe sigurisht, do të ketë shkurtime që do të duhet të bëhen si pasojë e kësaj.”

George Ingram ka punuar edhe në stafin e disa ligjvënësve të lartë në Kongresin amerikan. Ai thotë se Kongresi nuk do t’i pranojë shkurtime të tilla të mëdha për politikën e jashtme dhe ndihmën për jashtë:

“Muajin e fundit kemi parë një protestë nga ligjvënës të të dyja partive në Kongres, të Dhomës dhe të Senatit, të cilët thonë se shkurtime të tilla të mëdha në fondet e ndihmës për jashtë janë të papranueshme. Prandaj do të shohim mjaft rezistencë nga Kongresi këtë vit.”

Shkurtimet drastike në buxhetin e diplomacisë amerikane do të preknin edhe luftën globale për të mposhtur të ashtuquajturin Shtet Islamik, thotë senatori republikan, Lindsey Graham:

“Dua që Komisioni të kuptojë se me një buxhet që i heq kaq shumë fonde Departamentit të Shtetit, nuk do ta fitojmë dot këtë luftë. Në fakt, kjo do ta ndihmonte ISIS-in”.

Buxheti i presidentit Trump pritet të jetë në qendër të një debati të ashpër në Kongres gjatë muajve të ardhshëm.

Please follow and like us: