Sadik Bejko: Camaj, shkrimtari i sotëm dhe lexuesi
1.
Në një bisedë, në kafe, me mikun tim Z. D., rasti e solli të flasim për poezinë “Drekë malsore” të Martin Camajt. Kur u ndamë, sepse kisha përshtypjen që në vargjet a në detajet që përmendëm, diçka nuk shkonte. Në shtëpi hapa librin e poezive dhe pashë që kujtesa ime kishte çaluar… Kjo ndodh rëndom… Citimet nga kujtesa gjithmonë nuk japin siguri. Por, mendoj, se thjesht harresa, hutimi a ngatërrimet e rastit nuk ishin shkaqet e vetme të atyre ndryshimeve që u kisha bërë vargjeve të poezisë në fjalë të M. Camajt… Duhet të kishte, sigurisht, dhe diçka më shumë, më të ndërlikuar, mbase diçka më të pashpjegueshme. Duke mos qenë vetëm lajthitje të kujtesës, atëherë i bie të jenë arsye të një tjetër lloji dhe mbase të një natyre që hë për hë është e vështirë për t’i sqaruar.
Mundet, mundet… ndodh që vetë ne i ndryshojmë vargjet e një poezie. Ne, kujtesa jonë, fare pavetëdijshëm, ndërhyjmë në tekstin që e mësuam përmendësh, dhe korrigjojmë a modifikojmë fjalë, vargje, imazhe. Mbase në këtë procedim ende të panjohur nga ne, nga dija jonë, procedim që, hë për hë, po e ngjasojmë me një rrjedhë të nëndheshme a me një ndërfutje të fshehtë, fjala neutrale “pavetëdijshëm” nuk është krejt me vend. Ne ende nuk mund ta dimë se ç’zona të panjohura të vetëdijes sonë përpunojnë në padijeni, në terr, fare jashtë kontrollit tonë, tekstin e poezisë dhe mandej ndërhyjnë edhe në të kujtuarit, në riprodhimin ndryshe të vargjeve prej nesh. Kjo, në veçanti, ndodh me poezitë më të mira, apo, së paku, me ato më të pëlqyerat prej nesh. Mbase ne duam që vargjet e këtyre poezive të jenë ndryshe, jo ashtu si i ka shkruar autori. Në veten tonë, në shijet, në leximet tona ne kemi struktura, lidhje sintaksore, gjedhe poetike, shprehësi imazhesh që u bëjnë rezistencë prurjeve të reja të gjuhës poetike, të mjeteve shprehëse. Dhe kështu, padashur, por barbarisht, i modifikojmë fjalët e origjinalit… dhunojmë autorin.
Por mbase nuk jemi kaq “barbarë” Duke modifikuar tekstin në kujtesën tonë, ne shkojmë drejt përvetësimit të origjinalit, shkojmë drejt asaj që përfundimisht vargjet e një poezie mundimshëm “t’i bëjmë tonat”, dhe pse me pak korrigjim nga ç’janë në origjinal. Do të duhen rikthime, lexime e prapë rilexime të tjera të poetit, ndalim i frymëmarrjes dhe i përfytyrimit te vargjet e te imazhet e tij, për t’i marrë ato, për t’i rrëshqepur si mishin dhe gjakun prej origjinalit, për t’i rrokur përfundimisht e saktësisht me çdo shkronjë, gjer me çdo lëvore a mbështjellje të përfytyruar tingullore. Kështu ne do t’i sëritim në kujtesë rreshtat e saktë, me fjalët në numër të përpiktë rrokjesh, në ritme të matura e të peshuara të një poezie që, pa na detyruar askush, thjesht e duam, e pëlqejmë.
Në bisedën me Z. D. unë jo vetëm që kisha ndryshuar vargje, por… edhe kisha shtuar…kisha shtuar se: zogjtë dhe thneglat pinë gjak kau. Kisha shmangur ujqit. Dhe hënën e kisha zëvendësuar me yjet: yjet pinë gjak në prroje. Ç’na paska ndodhur? Gjakun e kaut të therur për drekën e mortit e pinë insektet, zogjtë, njerëzit deri dhe yjet. Dita shkrihet në natë e bëhen njësh të dyja, rrjedha e kohës shmanget… se asht marrë një gjak. Dy plumba kanë lëshuar përdhe një burrë. Një përfytyrim gati kozmik.
Këto ndryshime dhe shtesa kanë ndodhur pa dijeninë dhe pa dashjen time. Se përse dhe si kisha ndërhyrë kaq shumë në tekstin e një poezie, kjo është diçka që nuk e kuptoj dhe që kurrë nuk do ta mësoj. Është diçka që kurrë nuk do ta di si ka ndodhur në kujtesën time. Mos vallë më ngjet ngaqë këtë poezi e pëlqej shumë? Ky nuk është argument. Nëse e pëlqej shumë, duhet ta mbaj mend me saktësi siç e ka shkruar autori dhe jo ta ndryshoj.
Mos me kalimin e moshës po më bën lojëra kujtesa?
Poezia “Drekë malsore” ka një monumentalitet tragjik mu në thjeshtësinë e lirshmërinë e vet. Në ngjeshjen e fjalëve dhe të imazheve, në dendësinë e saj. Në ajrin ngjethës dhe konkret midis rreshtave dhe imazheve të saj seç fryn era e fatit, një erë e drejtë, e thikët si rënia e sëpatës nga lart-poshtë, e rëndë si trupat e aheve, trupa me rremba të stoikes dhe të vetasgjësimit, të epikes dhe të vetëshkatërrimit njëherësh.
2.
Në shtëpi, kur hapa librin, lexova: “kur vdiq im atë, premë dy qè/ me ngimun… thneglat e lamit” (Elegjia e parë). Në poezinë “Gjakmarrja”, e kundërt si gjendje me “Drekë malsore”, përmenden “korbat e zez… mbi qarrat e vjetër”. Siç shihet, në bisedën me mikun tim në kafe unë kisha marrë imazhe nga poezi të tjera me të njëjtën temë te Camaj dhe i kisha ndërkallur te “Drekë malsore”.
Prapë kjo që po më ndodhte, nuk më vuri në siklet. Përkundrazi. Mendova se kështu Martin Camaj paskësh bërë vend në thellësi tek unë, kish zënë vendin e vet krahas poetëve të tjerë që më pëlqejnë. Thirrja për ta kujtuar përmendësh, për ta lexuar, për t’i verifikuar ato që mbaj mend a për të gjetur diçka të re në rilexime, janë dëshmi e nevojës sime për një komunikim të pandarë me këtë poezi. Harold Bloom-i te libri “Si dhe përse të lexojmë” flet për rilexime të heshtura dhe të shpeshta… të cilat duhet të ndiqen me doemos nga recitime për veten, derisa të bindemi se e zotërojmë me të vërtetë një poezi. Leximet e përsëritura janë dëshmi e lidhjes së qëndrueshme me një shkrimtar.
Gjithmonë kam menduar se fillimisht ndodh pranimi logjik i një shkrimtari, i një shkrimtari të panjohur më parë prej nesh. Pra, logjikisht, ne po e pranojmë atë, po e pohojmë artin e tij. Në leximet e para ai na paska trokitur fort. Pastaj ne e lexojmë prapë dhe shkallë-shkallë ai hyn deri në njohjen tonë, zë vend aty si artist me rëndësi.
Në rastin e Camajt njohja erdhi pak me vonesë dhe si e flakur midis nesh, si e hedhur midis sheshit, prej gazetave, prej politikës, sikur të thoshin: ja, shiheni çfarë poeti, çfarë poezie…! Ju që vini nga shkollimi komunist, nga realizmi socialist, nuk e kapni dot artin e Camajt. Por, pavarësisht këtyre, që me leximet e para pas vitit 1990 arti i Martin Camajt u mirëprit.
Por pranimi logjik, ajo: po, jemi para një autori me peshë, nuk mjafton. Mund ta pranosh një autor dhe, pas një leximi, e hedh në një kënd, nuk komunikon më me të.
Pranimi i vërtetë vjen me kohë, do kohën e vet, vjen atëherë kur një autor e kemi përvetësuar edhe emocionalisht. Mund t’i mbajmë a mos t’i mbajmë përmendësh vargjet, por jemi mbushur plot me përfytyrimet e poezisë së tij, me ndjeshmëritë që burojnë prej shtresimeve të tekstit të tij; tani këto pasuri janë tonat; kur të na “duhen”, u kthehemi, na vijnë vetiu ndër mend, ose marrim librin dhe i rizbulojmë.
Këto që thashë, m’u kujtuan edhe tani me rastin e botimit të plotë nga Onufri të poezisë së Camajt. Ka një ankesë për atë hendek që vihet re mes leximit shumë vlerësues nga bota akademike të këtij autori dhe pritjes së vagët të tij nga lexuesi. Kjo do t’u ndodhë të gjithë atyre autorëve që po vijnë në letërsi. Koha që jetojmë, nuk e ka aq për zemër leximin. Autorit të sotëm mbase do t’i duhet kohë derisa të krijojë lexuesin e tij. Dhe kështu, siç vura re me lart, nuk mjafton pranimi racional i një autori, apo pranimi me respekt nga bota akademike, duhet dhe përvetësimi emocional. Ky lloj përetësimi nuk u nënshtrohet atyre procedimeve të njohjes akademike, por mbase ky lexim intuitiv i lexuesit e mban në jetë një autor.