Vdes bankieri David Rockefeller
David Rockefeller, bankieri dhe filantropi i familjes legjendare që kontrolloi bankën “Chase Manhattan” për më shumë se një dekadë dhe që ushtroi një ndikim të madh në mbarë botën vdiq të hënën në mëngjes në shtëpinë e tij në Nju Jork, në moshën 101 vjeçare.
Një zëdhënës i familjes, Fraser P. Seitel, e konfirmoi vdekjen e tij.
Chase Manhattan ka kohë që njihet si banka e Rockefellerëve, edhe pse familja posedonte vetëm 5% të aksioneve të saj, transmeton Gazeta Express.
Emri i tij ishte më i madh se çdo titull i korporatës. Ndikimi i tij ndjehej në Uashington dhe kryeqytetet më të mëdha të botës, në korridoret e qeverisë së Nju Jorkut, muzeve të artit, universiteteve të mëdha dhe shkollave publike.
Si një njeri që punonte në interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe bankës së tij, ai ishte një forcë në aferat globale financiare dhe në politikën e jashtme të vendit të tij.
Ai ishte nipi i fundit i John D. Rockefeller, personit që themeloi kompaninë “Standard Oil” në shekullin e 19’të dhe që ndërtoi një pasuri që e bëri atë miliarderin e parë të Amerikës dhe familjen e tij një nga më të pasurat dhe më të fuqishmet në historinë e vendit.