SILENCIO QË REFUZON QETËSINË…
Prof. Përparim KABO
Ai ka lindur të pretostojë, është krijuar ta ndryshojë botën së paku brenda vetes së tij, ai është artisti që nuk do të heshti. Poeti e ka shpirtin fjalë, imagjinatë, protestë dhe dhimbje.
I tillë është Skënder Sherifi. U krijua që të mos heshtte. Ai udhëton kur flet dhe kur hesht, kur ecën me trenin e shpejtësisë së lart dhe kur mediton në parkun e vetmuar, si Schuberti para se të krijonte Seranadën.
SILENCIO e tij nuk është heshtje, por dicka sublime mes fjalës së thënë dhe heshtjes së treguar, një grimë që ndanë pafuqinë nga shpërthimi, një humnerë mes prehjes nga lodhja dhe rinisjes së një ecje pa kthim drejt protestës, ai nuk do të “ jetojë i vdekur ” duke mos e thënë atë që përjeton, duke mos shprehur të vërtetat e tija.
Të gjithë personazhet e kohës së tij, ata që kishin parapaguar me veprën e tyre gjithëkohësinë si vlerësim apo kundërshtim, një e nga një vijnë në skanerin e ndërgjgjes së tij djaloshare dhe rrëfehen, jo si ju shfaqen të tjerëve me veprat që lexohen apo shihen, një bisedë e tillë do të kishte qenë një recencë banale, një shfaqje e parë prej kohësh.
Biseda e Skendër Sherifit me ta është një trio filozofike!
Ai flet me veten përmes dedikimit ndaj të tretit që mund të jenë aktorë, poetë, piktorë, historian, filozofë, druvarë, kujtim, nënë, gjyshe, fëmijëri, pasion, dashuri, dashuri e humbur, kumt, dalldisje, qarje, shpërthim, duf, këngë e vjetër trishtimi, parathënie, memorie që pritet të vijë. Një sjellje e tij, e një të riu të kohës së hipive nuk habit. Protesta dhe pakënaqësia ushqehet në shpirtra rrebel si ai i Skënder Sherifit. Por ai shkon edhe më tej. Ka një shpirt të ndjeshëm dhe një ekuilibër përgjegjësie. Arti tij poetik akuzon!
Një tipar për personalitetet që vuajnë për lirinë e cunguar, për fuqinë që ka hipokrizijanë, vendmarrje, që e gdhijnë kur shohin në gjunjë dinjitetin njerëzor dhe se si bota këndon hymne të rema të lumturisë
që është e paketuar në industrinë e gënjeshtrës.
Ai e quan një botë të tillë “ TREGIMET IMORALE ”.
Le të ndriçojmë në mendjet tona që janë vitet 70 – të të shekullit XX dhe një i ri krejt anonim, një shqiptar me gen dhe një frankofon me delire dhe shtresa kulture të mësuara e përthithura herë herë në delire, guxon!
Gjithçka që e rrethon si neone të gëzimit dhe si ilustracione të magjisë së sistemit tregëzues për të është e shëmtuar, vjenë e rezikshme, shijon helmuese sepse Sherifi ka parashijuar atë që e thotë kaq thekshëm me vargjet e tij:
Rroftë konformizmi hipokrit i poshtërimit të Njeriut
Rroftë komercializimi i Fjalëve të moralit të shitshëm
Më shumë se vargje të tij këto janë dogmat e shoqërisë konsumiste ku ai është i dënuar
të jetojë, të mendojë, të shfryjë dhe të masi pafuqinë e vet. Protesta përmes fjalës poetike herë herë mund të jetë frymë dëshpërimi, por e thënë, e shkrujatur dhe duke u përcjellur tek brezat ajo është memorie, është ideal, është pikë referimi dhe tek e pasmja është identiteti krijuesit. Me “Silenzio” Skënder Sherifi na tregon se kishte ardhur në këtë botë për të lënë gjurmë, i pafriguar për të kryer Sizifin e tij, për të këlthitur duke kërkuar e krijuar një grusht të fortë për t’i rënë jo thjesht malit por universit që hesht dhe bën sikur nuk është në gjëndje të dëgjojë.
Ai provon me artin e tij se nuk beson në reklamën: “kjo botë është shurdh-memece”.
Njeriu, tregon poezia sherifiane, është i sëmurë nga konformizmi prandaj edhe njerëzimi do të vuaj gjatë, do të provojë shitjen dhe blerjen e dinjitetit, do të zbrazet si dinjitet dhe gjithçka do jetë treg, komercialitet i moralit, dhe kështu mjerisht do jenë edhe fjala, dhe fati, dhe dinjiteti dhe ëndrra,
dhe e sotmja, fatalisht edhe ardhmja.
Vite më vonë filozofi Erich Fromm do të shkruante nën këtë peshë përgjegjësie dhe reflektimi, librin e tij tronditës me titull “ Të jesh apo të kesh ? ” ku këlthet se kjo udhë e mbrapsht e pasjes së gjithçkaje dhe jo të qënies, do ta kthej njeriun në formulën zhbërëse “unë jam çfarë unë kam”.
Sherifi e kishte ndjerë, e kishte anticipuar, dhe në pagjumësinë e tij të përgjegjësisë, ai kishte kuptuar,
se po vinte epoka e poshtërimit të njeriut me hipokrizi fjalësh, sepse në treg do të shitej e do të blihej gjithçka madje edhe vet morali njerëzor. Bota na parathotë poeti, po hynte në një tunel të errët të fjalëve
pa brumë, të fjalëve pa mision, të fjalëve të pavërteta, të fjalëve që po demisionoheshin, që do e lodhnin shpirtin, duke e shëndruar njeriun dhe shoqërinë në konsumatorë të fjalëve të pafundëme pa peshë,
të gënjeshtrave të ngritura në sisteme, nga ato brutalet deri tek ato helmueset, fjalë që as jetën, as lindjen e as vdekjen nuk do të dinin më që t’i respektonin.
Ky zbulim poetik na tregon se Skënder Sherifi “ka lindur plak dhe do vdesi fëmijë” si në filmin “The Curious Case of Benjamin Button” me Brad Pittin. Kohët e shkuara e kanë zgjedhur atë apo ai ka guxuar
ti zgjidhte ato kaherët që të lajmëronte vranësirat dhe shtrëngatat të cilat do të vinin në shoqërinë delirante të konsumit. Ndaj ai shkruan kaq thjesht dhe me një
ngarkesë kumtike që të habit kur mendon moshën e tij dhe moshën e mendimit të tij:
Fjalë, e fjalë që s’kanë të ndalë
Fjalë që lindin e nuk bindin
Fjalë që vdesin e varrin shesin…
Të bën të përkulesh me respekt ky vargu i fundit ku fjalët vdesin dhe të shprishura në shpirt shesin dhe varrin e tyre.
Nuk e gjejmë një të dytë poet që ta ketë thënë këtë formulim. E nëse lundrojmë në liturgji dhe në gjuhësinë e simbolikës mesjetare do të duhet së paku t’a dimë që fjala ishte vetë paraegzistenca jonë, pra është fryma universale që u quajt Perëndia ose Zoti. Pra nëse e shkëmbejmë në varg fjalën fjalë me fjalën perëndia, do sillnim në jetë një postulat të tillë. Perëndi që vdesin e varrin e shesin.
Njeriu që e ka shitur shpirtin mund ta thotë edhe këtë gjë, janë gati ta shesin edhe hyjnoren dhe të amshumen. Tek lexoj këto vargje dhe pas arsyetimit në derivate të parë që lejon arsyetimi provokues, kam ngasje ti them poetit Skënder Sherifit, se ju më bëni të flas me filozofin e shquar gjerman Heidegger, i cili mëtonte se “ gjuha është streha e fundit e frymës.” Edhe për Skënder Sherifin, ekzistencializmi që lëvrohet si fati njerëzor dhe individual, si shoqëri dhe si epokë, kërcen deri në raporte mijëvjeçari. Përballimi jetës dhe shpërfillja e dinjitetit, fikja e ëndrrave pa lindur dhe deformimi që ishte nisur të vinte ( nga shumëkush si pa u vënë re ) ose enkas bashkëshoqëruar me symbyllësi, nuk e pengonte Skënder Sherifin të paralajmëronte me artin e tij të protestës:
O fëmijë të shekullit të kaluar
dhe të këtij mijëvjeçari!
Vij nga asgjëja e asgjësë në hiçësi
Banoj në një flluskë sapuni
Në të gjitha lojërat e fatit
zhytur në pafajësi
Kam qenë humbës i mirë me dinjitet
Si viktima e faraonit që di fatin e vet…
Në këto vargje ka më shumë se një medium. Ka një biblotekë përgjegjësie. Jemi të humbur por së paku në këtë pafuqi ku graviteti ka harruar të lindi, së paku le të jemi humbës dinjitozë.
E gjithë kjo lyp vetëm një kusht, të kuptojmë se cilët jemi e mos e mohojmë se të tillë jemi shëndruar sepse bota ka strehuar « ndershmërinë e saj të reme » në mijëvjeçarë që udhëtojnë me mburje por që në fakt kanë brenda rreshta e rreshta të hiçësisë njerëzore; për sa kohë që fataliteti i vdekjes, si shrpehet Hygoi, (kur njeriu nuk është në gjendje të përballojë fatalitetet e tjera, atë të parimeve ideologjike dhe
të dogmës fetare) quhet nga njeriu një fatalitet i bukur. Skënder Sherifi tek lexohet në fillesat e tij,
si edhe janë këto poezi të hershme, hedh themelet e godinës së veprës që do pasonte, shpërfaqet si një mjeshtër që ka kurajon të shkruaj pa menduar për botim dhe si i tillë kja ngasje ushqehet nga liria dhe
na ushqen me liri.
Lavjersi botës herë është jashtë tij si një magnet që e tërheq por ai di që të mosbindet; dhe në të njëjtën kohë lavjersi tij është edhe ai me veten, uni me unin, e brendëshmja me atë që shfaqet, ekzistencialja
me fenomenologjinë leksikore të poetit me emër dhe mbiemër Skënder Sherifi.
Ai mediton duke heshtur dhe hesht duke menduar ! Por kudo që është, ai udhëton drejt majave,
drejt thepeve, drejt deteve dhe pyjeve me dhe pa adresë. Harta e tij quhet protestë.
Përgjegjësia ndaj vetes është: Folë!
Përgjegjësia ndaj asaj që do të thotë është: zbulo gjithçka!
Zbulimi është krijimi që nuk ndalet!
Dhe e fundit është vetënisja.
E ardhmja është vetëgjeneza. Përgjegjësia është paralindje që të mos lësh jashtë vemendjes asgjë
që të bën të jesh ai që je, si gjenezë, si formim, si përgjegjësi.
Ja si shkruan ai në poezinë vetdeklaruese me titullin:
KAM BRENDA VETËS që Skënder Sherifi ia ka kushtuar Georges Bataille.
Gëlojnë brenda meje, harresës së shpirtit të lëna
Mijëra histori, bukur-trishtë të pathëna
Të pashkruara, strukur, të pazbuluara
Të padëshirueshme, të mallkuara të lumshme,
të dashura si rropulli mollësh të ngrëna
Në një kohë të papërcaktuar mistike prehistorike
Fondit etrusk ku heshtja thyhet në memoriet e pritshme
Tek e lexon e rilexon këtë strofë që vlen sa një manual, befas e gjen veten në kurthin e binomit njeriu dhe historia. Që ekuacioni të zgjidhet ose edhe mund të moszgjidhet, por së paku të shtrohet për zgjidhje lypsen disa të dhëna që nuk të dhurohen. Ato ose duhen qëmtuar në kulturën gjithëkohore, kjo qasje është e pranishme tek poeti ynë, ose duhet kërkuar hua në hamëndësime që nuk lënë së paku boshllëqe
të cilat mund t’a frikësojnë arsyen dhe arsyetimin ….
Të dhënat e nevojshme janë: Historia dhe ngjarjet e saja, ndaj pa to brenda vetes je bosh, je i pazoti t’a zgjidhësh ekuacionin tënd. Janë mallkimet dhe të padëshiruarat por që nuk mund të refuzohen, sepse bota nuk është ajo që duam, është ajo që na sundon edhe pa dëshirën tone, apo si të thuash bujaria e saj
është thjesht iluzioni ynë. Dhe e dhëna tjetër është koha. Këtu Skënder Sherifi është aksimoatik, ashtu si të gjithë poetët së paku që nga Homeri. Edhe për të koha është gjithëkohësi. Ajo nuk ndahet në copa, ndryshe edhe njohja është copa copa, edhe arsyeja nuk bën një të tërë, edhe vlerësimi dhe orientimi dhe fati dhe pafuqia, mbeten copra.
Gjithkohësi do të thotë universalitet.
Të zgjidhësh ekuacionin do të thotë të shkruash;
“të gjitha të dhënat janë baraz me universalitet”.
Nëse poeti apo krijuesi nuk e shtron këtë ekuacion ai është thjeshtë një pasagjerë kohëshkurtër, është qënie njëstinore. Sherifi ynë e shtron kaherët dhe tregon se ai me artin e tij në fillim krijoi hartën e rrugës, pastaj gjeti nordin, ngarkoi varkën e Noes së vet dhe udhëtoi për qejf të tij pa u vetcensuaruar në mendim duke zgjedhur fjalën që të krijonte muzikën baroke për kritikën, as duke ua lënë në dorë censorëve artin e tij.
Jo, ai luan në Harpin e shpirtit si një Dioniz nga trevat pellazgjike. Historia shkruhet dhe pikërisht atje ajo mund të shtrembërohet, të fallcifikohet e të bëhet e gënjeshtërt si një vazo qelqi që ska lidhje me origjinalin arkeologjik dhe zë vend në muzeum solemnisht, si të ishte origjinali i mocëm prej terakote, si një këngë që është mësuar dhe që e tradhëton origjinalin, jo se e di se çështë ai por për faktin keqndjellës, së nuk e ka njohur kurrë atë më parë.
Kjo lloj historie e shprishi njeriun dhe njerëzimin, e (ç)mësoi atë dhe memorien e tij me sllogane që nuk hyjnë në shpirt. Ato mebeten në veshët e shkollarëve të squllët që dinë të thonë vetëm “yes man!”
Në një diagram krejt të kundërt, Skënder Sherifi në vargjet e tij shpreh revoltën ndaj një historie të mësuar në mënyrë profane nga edukatorë profanë.
E përgjumur, e ngadalshme, e çatalluar
Pillte si robot fjalë të mësuara përmendsh
Pa kurrfarë bindje personale
me një qullëti fatale
Çfarë kish korrë në enciklopeditë e pluhurosura?
Shumë studjues mëtojnë se Historia bëhet nga ngjarjet por Kombi krijohet nga edukimi që historianët iu bëjnë njerëzve. Ja përse që në tehun e briksut është fati vetëdijes dhe të kuptuarit të identitetit. Një i ri që ka ndjerë se po klonohet në vetëdije, nuk mund të mos kundërshtonte. Skënder Sherifi e bën një gjë të tillë.
Ai kudo që është shfleton një tjetër histori, ndërsa në sallat akademike i detyrojnë të rinjtë të shfletojnë
dhe besojnë symbyllurazi. Kjo sjellje e imponuar e lodh poetin tonë, e poshtëron dhe e bën që të jetë kurdoherë syçel. Së paku për të qenë mirë me veten. Që të mos thotë një ditë : unë nuk pata kurajo. Unë u nënshtrova! Ai është luftëtar i idealeve të tij dhe beson në atë që e fiton në luftën e arsyes me mjetete e tija, me ato që i ka dhuruar kultura, por edhe me ato instrumente që ai krijon e rikrijon, sepse ka vendosur që të ndryshojë botën. Ose së paku të mos lejojë që atë ta lyejnë me bojëra me qëllimin e mbrapsht që të mbulojnë rrënojat njerëzore. Shpesh preha e muzës së tij është natyra. Njeriu lodhet nga kotësia, nga boshllëku, nga moderniteti i shtirur. Poeti që nuk vë re natyrën dhe nuk i gëzohet asaj, e ka mjaft të vështirë të quhet poet.
Shpesh Skënder Sherifin e gjejmë në parqe. Ai deklaron me saktësi se si e ku kanë lindur bijtë dhe bijat e Silencio-s së tij. E nuk mund të ndodhte që ai të mos i falej diellit si një pagan i pandreqshëm krijuar
nga shpirti i protestës. Atje butësisht ai lutet, lutet që natyra të pranojë dhe të vërë re se ai është aq i brishtë në ndjenjat e tij, aq i ditur për të thënë të vërtetat dhe aq i dlirë në pafuqinë e vet.
Për natyrën do ju propozoja këto vargje të tij:
Qielli ka ngjyer buzët në muzg
dhe deti është i zbutur
Dallëndyshet ngulen si shigjeta
në diellin që perëndon …
Atje larg malet përgjumen
dhe bëhen thuajse fluore
Zhduket një jehonë pa emër
dhe dita në parajse shkon
Të habit filozofikisht kjo përthyerje. Si ka mundësi që ky shpirt proteste të jetë kaq i butë, të shëndrohet
në një qënie kaq “fragile” përball natyrës dhe të frymënxjerri kaq panteizëm deri në kozmogoni, tek thotë: “dita në parajsë shkon” ose “qielli ka ngjyer buzët në muzg”. Duket sikur thotë: Universi-femër ngjyen buzët në muzg e bëhet gati të puthet. Kur vargu të bën të imagjinosh kjo do të thotë që arti është aty, ai ka ardhur për të plazmuar tek ty si lexues një tjetër botë, më të mire, thjesht se atje do të gjesh më shumë humanizëm, do takosh në përqafim shpirtin e poetit, poetekën e tij. Apo vargu: “përgjumja e maleve”, sa thjesht dhe sa me fantazi thuhen këto fjalë. A vërtetë përgjumen ata, apo ne përgjumemi dhe humbur në muzg, mungon tashmë komunikimi mes nesh. E gjithë kjo na jep ndjesinë e një heshtje që tregon se duhet të mbajmë frymën pezull dhe gjithçka do të vij te ne si një dremitje që na shtyn drejt imagjinatës aq e nevojshme që të lindi poezia dhe arti në përgjithësi. Këtë lloj pelegrinimi të brendshëm Skënder Sherifi e quan: NË ZEMREN E GALAKTIKAVE një poezi tejet filzofike që ai thotë se ia ka kushtuar aktores italiane, sublimes Anna Magnani.
Nuk e di lidhjen e tyre. Por unë di lidhjen time. Anna Magnani na ka mësuar të duam, të duam me pasion dhe me një shpirt që ka krah luftëtari dhe një zemër
të butë. Ja si shprehet poeti :
Në intimitetin avullues të imagjinatave barbare
të kësaj nate të akullt me rreze të bardha boreale
vetmia ime shëtit shtigjeve alpine të pashpresa
dashuria jonë, transformohet
në një hipotezë sakate
Dashuria jonë? Cila është ajo? Një i dashuruar është poeti. Është njeriu. Është anonim. Mund të quhet Skënder Sherifi? Po partneri tjetër cili është ? Është Anna Magnani ? Nuk dua të hamëndësoj. Po, po është ajo! Të gjithë u dashuruam me të. Ashtu në heshtje. Dhe mirë bën poeti që e quan këtë dashuri “ Hipotezë sakate!” … Sepse i kam kaq pranë sytë e zi të Magnanit dhe atë buzëqeshje të kursyer të djaloshit Sherifi. Ndoshta në ëndërr ata kanë bërë dashuri. Jeta është edhe ajo që ndodh si e tillë. Stili futurist shpesh është edhe imagjinativ. Kur jeta është e kursyer, ose kur liria jote është krijimi pse mos jetosh kështu si në filma.
Anna aktore është, ishte. Dhe Skënder Sherifi krijon një film me titull: “FATIN DOT S’E NDREQ”!
Regjizor cakton më të mirin e viteve 70-të, francezin Claude Lelouch.
Imazhi është jeta, është njeriu, janë kontrastet, tallazet dhe zhgënjimet.
Ka një fatalitet që sundon mbi fatet tona.
Duket sikur ka një shpëtim dhe ky është ëndërrimi,
por edhe atje e kupton se si stacion i jetës kalohet shpejt. Ja si përplëitet poeti ynë në vargjet e tij :
Dikush qesh dhe gëzon
nëpër festa shend këndon
Dikush qan edhe vajton
plot me dhimbje dhe trishtim
Kjo është jeta, kjo është bota …
qeshje, qarje dhe marrota,
Plot me ngjyra edhe hije
nëpër ëndërra kotësie …
I kapitur në këtë maratonë ku janë të gjitha: dashuria, seksi, puna, urija, propaganda, ideologjia, iluzioni, gënjeshtra, gëzimi, përgjegjësia, arti, refleksionet, mitikja, lakuriqësia, ku është gjithçka, e ç’ka e ligështon deri në palcë poetin, mizerja …. jo thjeshtë e një njeriu anonim por e popujëve në tërësi ai shfrynë dhe anatemon. Është më shumë se kurajo kur një djalosh i ri me vargjet e tij si linja Homerike përvijon njerëzimin duke shkruajtur:
Dhe ju, popuj të uritur
të botës së egër pa mëshirë
Bijtë e shënjuar të mizeries
dhe të urisë së pështirë
A keni një festë për të gëzuar
shpirtin nën mëshirë ?
Po ju të burgosur të ndërgjegjes
që vajtoni në biruca
Të internuarit e fatit tragjik
nëpër moçale e lluca
Cila drejtësi do te ju japë të drejtë
t’ju hedhë … lulka ?
Përgjegjësia është tipari njerëzve të vetëdijshëm dhe Sherifi është i tillë, është masa që mat fatet dhe ai
e ka këtë peshore në vargun e tij, është kurajo që të shohësh se cili është vendi që ti zë në këtë botë dhe Skënder Poeti e ka kryer herët shumë herët që në hapat e tij të parë këtë detyrim.
Në këtë kuptim dhe në të gjitha ato që mbeten, Silencio e tij nuk don dhe nuk din me hesht. Ku shpirt zhgulmues ka ardhur në këtë botë të protestojë!
Tiranë – gusht 2016