Aluflor, të ndërtosh pa beton
ALUFLOR – Profili i një shoqërie që zëvendësoi betonin në ndërtim dhe theu traditën.Sektori i ndërtimit tashmë po zë një vend të rëndësishëm në kontributin që jep në prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Sipas statistikave, edhe gjatë këtij viti ky sektor zuri 15-20% të PBB-së, ndërkohë që vihet re rritje e numrit të shoqërive private të licencuara për të ushtruar aktivitetin e ndërtimit. Por krahas rritjes së numrit të ndërtimeve të objekteve të formave dhe pamjeve të ndryshme, inxhinjerike e arkitekturore, shumë firma po rrisin nga dita në ditë edhe standardet e ndërtimeve të tyre, për të sjellë në to konstruksione më moderne, luksoze dhe të bukura, me plot hijeshi jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe arkitekturën e brendshme. Një nga teknologjitë e reja më moderne të këtij sektori me origjinë gjermane, që ka hyrë para dy vjetësh në vendin tonë është dhe materiali Alcan, ose alukobond, ekskluzivitetin e të cilit në Shqipëri e gëzon shoqëria “Aluflor” me presidente Florentia Eriola Xheka. Xheka, thotë për Monitorin, se “në ditët e sotme, materiali alukobond është udhëheqës në fushën e ndërtimit. Ai zëvendëson tullën dhe betonin, duke i dhënë objektit rezistencë dhe një pamje të bukur”. Gjatë viteve të emigracionit me familjen në Gjermani, Xheka tregon se ka punuar si administratore në një shoqëri në Hamburg, e cila prodhonte dhe tregtonte materialet alucobond. Atje ajo njohu mirë rëndësinë dhe mundësitë e alukobond, i cili ishte një nga materialet më të kërkuar për ndërtuesit, dhe pjesë pothuaj e çdo objekti madhështor të ndërtuar në Gjermani. Sipas Xhekës, ky material me origjinë gjermane, dhe me një histori të hershme të krijimit të tij, deri në përsosje, “pasi ai vlerësohet nga ekspertët e ndërtimit si fjala e fundit e teknologjisë, për rezistecën ndaj dukurive të natyrës, termoizolues, si dhe mjaft dekorativ, alukobond sot ka marrë një shtrirje të gjerë në gjithë botën.” Shumë objekte të famshme në SHBA dhe shtetet e Europës, janë ndërtuar me alukobond. Për 2 vjet, rreth 30% të tregutSot, ky material po gjen shtrirje të suksesshme dhe në tregun vendas. Shoqëria “Aluflor” me qendër në Durrës, megjithëse ka vetëm 2 dy vjet që ka marrë të drejtën ekskluzive për të tregtuar alucobond në Shqipëri, është mjaft e kërkuar nga ndërtuesit. Sipas Xhekës, fillimisht ishin ndërtuesit e disa hoteleve në Durrës, të cilët kërkuan që objektet e tyre të ndryshonin pamjen nga tradicionalja dhe shumë fasada muresh me tulla ti zëvendësonin me alucobond origjinal. Më pas e deri tani, interesi i subjekteve të ndryshme ndërtuese që janë dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, është rritur dukshëm për të përdorur këtë material në qendra tregtare, biznesi dhe veçanërisht në katet e para të ndërtesave, të cilat janë kryesisht dyqane. Sot, Aluflor po zotëron rreth 30% të tregut vendas të ndërtimit dhe synimet kësaj shoqërie për të ardhmen janë akoma dhe më ambicioze. Xheka thotë se, “Vërtet në fillim ishim të interesuar për të shitur materialin alucobond që e importonim nga Gjermania për ta përhapur në tregun vendas, jo me objektivin për të futur një gjë të re, cilësore që do ti bënte ndërtimet shqiptare vërtet konkurruese me ato europiane. Që në fillim të aktivitetit e deri tani jemi duke punuar në bazë të porosive të klientëve, kjo është një praktikë që na jep lehtësi për të importuar atë sasi materiali, që kërkohet nga klienti dhe për të mirë administruar burimet financiare “Por, thotë Xheka, në të njëjtën kohë filluam të kërkojmë nga vetja dhe cilësi të përpunimit për këtë material, në mënyrë që alucobond të merrte vlerat e vërteta. “Për këtë,- shpjegon ajo,- krahas magazinave, ngritëm dhe një linjë të përpunimit të veçantë vetëm për këtë material, për të cilin pajisjet dhe makineritë e kësaj linje i importuan nga Gjermania me vlerë investimi të lartë. Gjithashtu krijuam një grup pune me arkitektë dhe specialistë të huaj, duke marrë përsipër për të realizuar kështu çdo hallkë të procesit për të ndërtuar me alucobond, pasi importonim lëndë cilësore, skiconim dhe detajonim me saktësi dhe profesionalizëm dhe përpunonim materialin në përputhje me standardet.” Sot shoqëria është tërësisht e profilizuar për ndërtimin me alucobond dhe herë pas here presidentja Xheka, fton specialistë gjermanë për të trajnuar rreth 30 punëtorët dhe specialistët e përhershëm, pasi gjatë ditëve të montimit numri i tyre shtohet edhe me të tjerë.Konkurrenca -Alucobond fallco!Presidentja, megjithatë, thotë se përballet dhe me konkurrencë të pandershme. Sipas saj, këtë problem e ndiejnë pak a shumë të gjitha shoqëritë në Shqipëri, ku tregu akoma nuk ka vendosur marrëdhënie të qëndrueshme. Sipas saj, mund të gjenden shumë shoqëri, të cilat tregtojnë material Alucobond, por që aspak nuk është i tillë dhe cilësor, pasi asnjë nga këto shoqëri, përveç Aluflor, nuk ka marrë licencë eksluzive nga prodhuesit origjinalë gjermanë. Megjithatë, Xheka është optimiste, se megjithëse problemi duket si i pashmangshëm, pasi konkurrenca e pandershme kërkon të konkurrojë me çmime të ulëta dhe cilësi të dobët, tregu dhe vetë ndërtuesit do të kuptojnë se vetëm Aluflor ofron për ta materialin e vertetë origjinal gjerman.”Nëse shpenzon për të blerë një produkt të imituar e jo cilësor-thotë Xheka, -prakikisht ke gabuar duke blerë një produkt jojetëgjatë”./Monitor/