Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkimi Evropian ”60+”, i reduktuar dhe i lodhur, apo i ri dhe me të ardhme?

Nevila Xhindi

2017-ta është viti i jubileve të rëndësishme për Bashkimin Evropian, sepse  festohet 60 vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Romës dhe 25 vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Mastrihtit.

Sot, 25 Mars festohet 60 vjetori nga lindja e Komunitetit Ekonomik Evropian, formimi i tregut të përbashkët dhe  harmonizimi i ligjeve ekonomike kombëtare, që ishin hapi i parë i rëndësishëm drejt integrimit evropian. E dyta, festohet Traktati i Mastricht akti më i fundit i lindjes së Bashkimit Evropian, me bashkimin monetar dhe harmonizimin e politikave ekonomike, por edhe futjen e shtetësisë së Bashkimit Evropian.

Sot, 60 vjet nga ai moment bashkimi ka plot arsye për të debatuar mbi të shkuarën dhe të ardhmen e BE-s. Një fakt i parë është se projekti evropian ka provuar të jetë eksperimenti më i suksesshëm i paqes dhe integrimit i vendosur ndonjëherë në Kontinentin Evropian.

Fakti tjetër i dukshëm është ndërkohë edhe kalimi i stërzgjatur i Bashkimit Evropian nëpër një periudhë të turbullt, që rezulton nga shkaqe të brendshme dhe të jashtme të  BE-së. Bashkimi Evropian duket i varfër, me të drejtë, dhe më i ndarë.

Kriza ekonomike e 2008-s  nxori në pah dobësitë e BE-së dhe zgjeroi pabarazitë ndërmjet vendeve të Evropës Veriore dhe vendeve të Mesdheut, dëshmoi në vazhdim thellimin e pabarazive sociale duke krijuar një normë të dendur të papunësisë së të rinjve aq sa të shkaktojë shqetësime se një brez i evropianëve do të jetë i humbur; siguria dhe çështja e terrorizmit shpesh ngelën të pazgjidhura dhe i shkaktuar dyshime qëndresës dhe integritetit Europian; migracioni dhe momentet e krizës së krijuar nga vala e emigrantëve, e lëkundën vendimmarrjen e liderve europianë.  Këto çështje të pazgjidhura kanë rritur konsensusin ndër euroskeptikët dhe i ka dhënë krah populizmit. Në të vërtetë, masat e propozuara nga BE-ja, shumë shpesh, kanë dhënë përshtypjen se kanë favorizuar vendet më të forta dhe vetëm për bujë ato në vështirësi, duke nxitur armiqësi të ndërsjellë në mes të qytetarëve të Bashkimit.

E ndërsa Brexit përfaqëson një çast vendimtar për Bashkimin Evropian, sepse, për herë të parë, një shtet anëtar vendosi të largohet nga projekti evropian. Mundësia që të tërhiqen vendet anëtare nga BE, edhe pse parashikohet në Traktatin e Bashkimit Europian (art.50), dukej një opsion jo politikisht i qëndrueshëm, por sot është një e vërtetë. Negociatat për Brexit do të fokusohen në vijim në divorcin mes Londrës dhe Brukselit, dhe mbi marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet dy palëve dhe mesa duket në ndarjen “neto” do kemi një “Brexit të vështirë” më shumë ose më pak se “Brexit butë”.

Por me siguri rezultati i negociatave mund të shënojë të ardhmen e BE-së, sepse ajo mund të ndajë vende të tjera anëtare, bazuar mbi preçedent. Dhe në horizont ka të tjera raunde të votimit në të njëjtën mënyrë, që  mund të vendosin fatin e këtij Unioni:  mes integrimit dhe shpërbërjes. Pas votimit në Holandë, votimet në Francë dhe Gjermani do të jenë po kaq të rëndësishme për Këshillin Evropian në Bruksel, sepse ata do jenë ose jo pasqyrë e një BE-je të reduktuar e të lodhur, apo asaj të re dhe me të ardhme.

Në tavolinën e liderve evropianë sot ndodhen për t’u firmosur pesë skenare për të ardhmen e BE-së, e ashtuquajtura” Ëhite Paper”.

Bashkimi Evropian: skenarët e ardhshme

Pra, çfarë janë këto rrugë të mundshme për në Bashkimin Europian? I pari është i njohur si “Le të vazhdojmë kështu siç jemi”, që është një thellim i ngadalshëm por i qëndrueshëm i integrimit në të gjitha fushat.

BE do të vazhdojë të investojë në projektet e dixhitalizimit, energjisë, transportit dhe infrastrukturës, dhe do vazhdojë  të adresojë sfidat e klimës. Në terma ekonomike dhe monetare do të vazhdojë mbi bazën e raportit të 2015 të pesë presidentëve. Ndërsa në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen ajo do të shumëfishojë përpjekjet e përbashkëta në drejtim të kërkimit, industrisë dhe prokurimit te përbashkët dhe kontrollit te kufijve të jashtëm.

Skenari i dytë është Tregu i përbashkët. Në thelb është skenar i ngjashëm me të parin, por këtu theksi i vihet tregut si “raison d’être” i Bashkimit Evropian.

Skenari i tretë është “Ata që duan më shumë të bëjnë më shumë”. Ky skenar paralajmëron që vendet e BE të ecin me shpejtësi të ndryshme, dhe i shkon përshtat edhe situatës aktuale ” kush do të ikë- i lirë ta bëjë -dhe- kush do të rrijë- vazhdon dhe ndjek rregullat e Traktatit. Ata që do të zgjedhin për të shkuar më shpejt së bashku do të forcojn bashkëpunimin në politikën e mbrojtjes, forcat e policisë, drejtësisë, taksat dhe politikat sociale.

Skenari 4 është “të  bëjmë më pak, por në mënyrë më efikase”. Ky skenar parashikon integrimin avancuar në sektorë të caktuar (tregtisë ndërkombëtare, stabilitetin e euros, mbrojtjes, azilin dhe menaxhimin e kufirit), por ndërhyrje më pak evropiane në fusha të tilla si ajo e ndihmës shtetërore, politikat sociale dhe të punës.

Skenari i pestë është ” së bashku të bëjmë më shumë”  Kjo është ideja klasike e federalizmit europian, një Evropë që flet me një zë në forumet ndërkombëtare dhe një zonë të integruar plotësisht euro, që është në pak fjalë realizimi i idealit evropian, si të pastër dhe të sinqertë.

Është mjaft e qartë, pra, se skenari i fundit është më realist, por kërkon vendosmëri të fortë politike dhe një gatishmëri për të sakrifikuar sovranitetin.

Për analizë, skenari i parë, është në dukje fotografia e një Europe që nuk funksionon. Skenari 2 dhe skenar 4 bartin rrezikun e krijimit të pabarazisë dhe vështirësive të parikuperueshme. Pabarazitë  janë të natyrshme edhe për skenarin 3, megjithatë ky skenar duket të jetë më i qartë dhe i mundshëm politikisht.

Disa nga grupet politike në Parlamentin Evropian, të tilla si ato të Socialistëve dhe Demokratëve, shprehën mospajtimin e tyre me Ëhite Paper dhe e  përcaktuan atë si një gabim të qartë politik, sepse skenaret e paraqitur duken dritëshkurtër, pasi thjesht sigurojnë një listë të zgjidhjeve, por nuk tregojnë një rrugë të qartë politike. Megjithatë, nëse nga njëra anë Ëhite Paper  nuk ofron propozime të qarta për t’i dhënë fund krizës, nga ana tjetër ajo ka avantazhin që ua bën të qartë liderëve evropianë dhe qytetarëve sesi disa zgjidhje janë me të vërtetë të papërshtatshme.

Pavarësisht tonit neutral në të cilën është shkruar, dokumenti i Komisionit tashmë vendos një lloj  veto për disa zgjidhje. Në fakt, kjo është një simptomë e vërtetë e ngërçit të Bashkimit.

 

*Ka qenë drejuesja e parë në Shqipëri e Katedrës së Studimeve Europiane e certifikuar nga BE

Please follow and like us: